Gazetarja Klodiana Lala analizon kërkesën e kryeministrit Edi Rama ndaj Gjykatës Kushtetuese, për heqjen e pezullimit të Belinda Ballukut nga detyrat që mban si zv.kryeministre dhe ministre. Lala tha se GJK e ka konsideruar çështjen prioritare dhe ajo do të shqyrtohet në datën 2 dhjetor, ndërkohë që shpjegoi edhe pretendimet e kryeministrit ndaj GJK, ndër të cilat është edhe argumenti se pezullimi i Ballukut dëmton procesin e integrimit në BE, pasi ajo është ministrja që duhet të firmosë shumë projekte.
“Kolegji i Gjykatës Kushtetuese (GJK) u mblodh sot. Kur u paraqit kërkesa e Kryeministrit, kolegji mbeti pa një anëtar, pasi mbaroi mandati i Holta Zaçajt. Sipas rregullave, u vendos që në vend të Holta Zaçajt, të jetë Marsida Xhaferllari. Ditën e sotme, Kolegji u mblodh për të vendosur nëse do ta kalojë çështjen në mbledhjen e gjyqtarëve. Por anëtari që hyn rishtazi, duhet të marrë kërkesën jo më pak se dy ditë. Zonja Xhaferllari u caktua dje dhe kërkoi kohë të njihet me aktet e dosjes dhe objektin e kërkesës. Çështja do të shqyrtohet në 2 dhjetor.
GJK tha sot që bëhet fjalë për kërkesë për pezullim në lidhje me vendimin e GJKKO, që ndalon Ballukun të ushtrojë funksionet si ministre dhe zv.kryeministre, cështja është konsideruar prioritare. Zoti Rama kërkon pezullimin e vendimit të gjykatës së posacme, lidhur me masën ndaluese për pezullimin nga funksionet si ministre dhe zv.kryeministre. Nuk ka pretendime për ndalimin e daljes jashtë vendit. Kryeministri thotë se vendimi ka krijuar vakum institucional, pengon rrugën e Shqipërisë në BE, pasi zonja Balluku si ministre, duhet të firmosë 800 projekt-akte dhe thotë është ndërhyrje e gjykatës së posaçme në tre institucione, kryeministri, presidenti dhe Kuvendi.
Kërkon një interpretim të pikës 3 të nenit 103, ku njëra nga pikat thotë, që ministri gëzon të drejtat e deputetit. Por gjykata ka thënë është pezulluar nga funksioni i zv.kryeministres dhe ministres, pasi sipas gjykates, është e emëruar dhe jo e zgjedhur në këto pozicione, nuk preket mandati i deputetit”, tha Lala e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”.