Jorgo Goro.
TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë pretencën për dosjen e dytë në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro. Në seancën e sotme, SPAK ka kërkuar dënimin me 2 vite burg për ish-kryebashkiakun. Por nëse shpallet fajtor, për shkak se përfiton nga gjykimi i shkurtuar do t’i ulet 1/3 e dënimit, do të vuajë në qeli 1 vit e 4 muaj.
Edhe të bashkëpandehurit Vasillaq Strakosha, ish-drejtor i menaxhimit të pronës në Bashkinë Himarë, kërkohet dënimi me 1 vit e 6 muaj. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi zbret në 1 vit burg.
Ndërkohë më 13 mars, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi me 2 vite e 20 muaj heqje lirie, Jorgo Goron, pasi u gjet fajtor për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “tjetërsim të provave”. Gjykata e Posaçme ka vendosur po ashtu 2 vite burg për ish-juristin në Hipotekën e Vlorës Vezir Gjikoka (me gjykim të shkurtuar 1 vit e 4 muaj) dhe 3 vite heqje lirie për Jerasimo Bashin (me gjykim të shkurtuar 2 vite burg). Ky i fundit (ish-Drejtor i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki) bashkë me Goron kanë ndërmarrë veprime korruptive gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, duke tjetërsuar dy prona.
SPAK, në episodin e parë rezulton se ata kanë çuar për regjistrim një pasuri me dokumentacion të rremë. Ndërsa në të dytin për një sipërfaqe toke kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor. Ndaj rreth 10 mijë m2 tokë në zonën e Dhërmiut kaluan në favor të shtetit./ZËRI








