Një operacion i Policisë së Tiranës ka çuar në zbulimin dhe sekuestrimin e një sasie droge brenda një banese në Yzberisht. Si rezultat i operacionit, në pranga ka rënë pronari i shtëpisë, 61-vjeçari Shkëlqim Krrashi.
Banesa, e cila ishte shndërruar në një “laborator” të vërtetë, përdorej për përgatitjen dhe paketimin e lëndëve narkotike për shitje. Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi:
Rreth 17 kg kanabis në formë çokollate, i ndarë në 69 paketime.
22.5 litra vaj kanabisi, me një vlerë të vlerësuar prej rreth 500 mijë euro.
65 gramë kokainë.
Dy armë zjarri, një pistoletë dhe një armë gjahu.
Sipas burimeve të policisë, 61-vjeçari Krrashi, i cili nuk rezulton me precedentë penalë, dyshohet se e siguronte drogën dhe vajin nga Maqedonia e Veriut. Ai shiste kokainën në doza të vogla, ndërsa kanabisin dhe vajin e shiste me shumicë.
Shkëlqim Krrashi
Ndaj Krrashit janë ngritur akuzat për trafikim dhe posedim të lëndëve narkotike, si dhe për armëmbajtje pa leje. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur të gjitha lidhjet e tij dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
