Imer Krrashi
TIRANË- Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Imer Krrashin alias Uka, i cili u arrestua pak ditë më parë teksa tentoi t’i arratisej policisë. Ngjarja ndodhi në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, ku Imer Krrashi nuk i ndaloi policisë dhe iku me shpejtësi duke shkaktuar aksidentin masiv, ndërsa si pasojë e përplasjes, një efektiv Policie dhe bashkëshortja kanë marrë lëndime të lehta. Pas ndjekjes intensive u bë ndalimi i automjetit dhe Krrashi është vendosur në pranga. Gjatë kontrollit të automjetit i është gjetur edhe arma e zjarrit pistoletë.
Megjthatë, Krrashi është shprehur i penduar për ngjarjen. Ai ka deklaruar se ka qenë në gjendje paniku dhe ankthi dhe merr mjekime për depresion. Më tej, ai është shprehur i gatshëm për të marrë përsipër dëmshpërblimet dhe të paguajë dëmet ndaj personave që ka lënduar apo automjetet e tyre.
“Jam penduar për ngjarjen. Kam qenë në gjendje paniku dhe ankthi, nëna më vuan nga kanceri, ndërsa babai më ka ndërruar jetë pak kohë më parë të cilën e kam përjetuar keq. Kam qenë në gjendje ankthi dhe paniku. Marr mjekime për ankthin dhe depresionin. Kam qenë në gjendje të rënduar. Marr përsipër të dëmshpërblej pasojat e veprimeve të mia, të paguaj dëmet ndaj personave që janë lënduar apo dëmtuar mjetet”, mësohet se ka deklaruar Krrashi.
Në vitin 2022, Imer Krrashi ra në prangat e policisë italiane në Trentino, pasi kryente vjedhje së bashku me disa persona të tjerë. Njëri prej tyre ishte edhe Edison Pula, i dënuar në Shqipëri me 20 vite burg për një atentat me eksploziv ndaj ish-policit Gentjan Bejtja, ngjarje e ndodhur në Larushk, ku ish-punonjësi i policisë mbeti i plagosur rëndë.
Imeri dhe Edisoni, të dy nga Fushë-Kruja, u arrestuan në një qendër tregtare në Itali, pasi më 14 nëntor 2021 kishin kryer një vjedhje në Marok të Mogliano Veneto, brenda vilës së biznesmenit italian Giancarlo Miotto. Imer Krrashi përdorte edhe identitete të tjera, si: Imer Masha dhe Imer Uka. Këto identitete të rreme i shfrytëzonte për të kryer vjedhje në Itali./ZËRI









