Altin Dumani
TIRANË-Zgjedhja e drejtorit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe caktimi i kreut të ri të SPAK, ka vënë në lëvizje dy nga ambasadat kryesore në vend: SHBA dhe BE. Gara për kreun e SPAK hapet në 18 shtator. Sipas ligjit të këtij institucioni, kreu i tij zgjidhet një herë në çdo tre vjet dhe ky mandat është i parinovueshëm.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilloi një takim me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, lidhur me përzgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK. Delegacioni i BE-së deklaroi se do ta ndjekë me vëmendje këtë proces dhe ritheksoi angazhimin për mbështetjen e reformës në drejtësi.
“Një sistem drejtësie i besueshëm dhe i pavarur mbetet thelbësor për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të avancuar rrugën e Shqipërisë???????? drejt Bashkimit Evropian. Ambasadori i BE-së Gonzato u takua me znj. Mirela Bogdani, Kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), për të diskutuar punën në të ardhmen dhe momentet kyçe që priten, përfshirë përzgjedhjen dhe emërimin e Kreut të ri të SPAK. Delegacioni i BE-së do të ndjekë nga afër këtë proces, duke vazhduar njëkohësisht të mbështesë të gjithë sistemin gjyqësor në forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit në të gjitha nivelet. KLP ka një rol thelbësor në garantimin e procedurave transparente dhe të bazuara në meritë për ngritjet në detyrë, vlerësimet dhe standardet profesionale brenda sistemit të prokurorisë. Ne do të vazhdojmë të asistojmë KLP-në me ekspertizën tonë më të mirë për të ndihmuar Shqipërinë të përmbushë standardet e BE-së,”-thuhet në njoftimin e BE.
Nga ana tjetër, Nancy VanHorn drejtuesja e ambasadës amerikane në Tiranë, foli përkrah Altin Dumanit në një konferencë kundër krimit të organizuar dhe kërkoi që pasuesi i tij në krye të SPAK, të ruajë të njëjtin integritet.
“Bazuar në ligj, Z. Dumani, sado efektiv që ka qenë, do të zëvendësohet, sepse mandati i tij ka përfunduar. Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit të Z. Dumani duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga ndikimet e jashtme. Shtetet e Bashkuara presin integritet në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Posaçëm; ashtu siç presim për përzgjedhjen e Drejtorit të ardhshëm të BKH-së. Partneriteti ynë me SPAK-un, i ndërtuar mbi një themel besimi dhe angazhimi me Departamentin tonë të Drejtësisë, tregon ndikimin e bashkëpunimit efektiv. Përmes këtij partneriteti, SPAK shënjestron kriminelët këtu dhe në Amerikën e Jugut. Një hetim i muajit korrik çoi në kallëzimin penal të 16 të dyshuarve dhe sekuestrimin e gjashtë tonëve drogë me vlerë 411 milionë euro. Muajin e kaluar, SPAK-u shkatërroi grupe që trafikonin mbi 32 tonë kokainë nga Amerika e Jugut në Europë.”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.
Altin Dumani u zgjodh në krye të SPAK 3 vjet më parë, ku mori shumicën e votave të KLP-së, 5 nga 11 të pranishëm. Sipas nenit 20 të rregullores së KLP-së, kandidati që merr më shumë vota zgjidhet kreu i SPAK-ut. Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, KLP kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash. /ZËRI