Sektori bankar ka regjistruar më shumë kredi të reja me probleme për gjysmën e parë të këtij viti. Në qershor 2025, fluksi vjetor i kredive të reja me probleme ishte sa 1.9% e kredive të rregullta, nga 1.7% dhe 1.8% një gjashtëmujor dhe një vit më parë.Nga ana tjetër, norma e rikuperimit të kredive me probleme u rrit në rreth 15% nga 13% një vit më parë. Norma e rikuperimit tregon vlerën e kredive që janë hequr nga kategoria e kredive me probleme dhe që kanë kaluar në klasat performuese gjatë një viti, në raport me tepricën e kredive me probleme në fund të periudhës. Kjo ecuri tregon rritje të aftësisë së bankave për të rikuperuar kreditë me probleme.Ndërsa norma e dështimit, që tregon shpejtësinë me të cilën akumulohen kreditë e humbura në krahasim me portofolin e përgjithshëm të kredisë, ka rënë në 1% nga 1.1% një gjashtëmujor më parë dhe 1.2% një vit më parë, i ndikuar nga zgjerimi i tepricës së përgjithshme të kredisë. Ky tregues shpreh fluksin e ri të kredive të humbura gjatë një viti ndaj tepricës së përgjithshme të kredisë në fund të periudhës.Megjithatë, vlera e kredive të humbura të fshira nga bilancet e bankave shënoi një rritje të fortë në gjysmën e parë të këtij viti. Sektori bankar nxori jashtë bilanceve rreth 5.3 miliardë lekë. Kjo vlerë ishte 279% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vlera e kredive të fshira në periudhën e fundit ishte sa 17.6% e tepricës së përgjithshme të kredive me probleme në portofolin e bankave, nga rreth 2.7% gjashtëmujorin e kaluar.Raporti i kredive me probleme nuk ka pësuar luhatje shumë të mëdha për pjesën e parë të këtij viti dhe në fund të korrikut ishte pranë nivelit të 4%.Megjithëse portofoli i kredisë ka vazhduar rritjen me ritme dyshifrore edhe gjatë vitit 2025, raporti i kredive me probleme e ka frenuar rënien, duke sinjalizuar një rritje në stokun e kredive të këqija. Mund të vlerësohet se stoku i kredive me probleme është rreth 36.1 miliardë lekë, nga 34.9 miliardë lekë që kishte qenë në fund të vitit të kaluar dhe 37.7 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Që nga fillimi i këtij viti, stoku i kredive me probleme është rritur me 3.6%.Me gjithë tendencën e vazhdueshme në rënie gjatë viteve të fundit, Shqipëria ende vazhdon të ketë një raport të kredive me probleme ndër më të lartët në Rajonin e Ballkanit Perëndimor.Të dhënat krahasuese nga Nisma e Vjenës, projekt i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), i takojnë fundit të vitit të kaluar, kur raporti i kredive me probleme për sektorin bankar shqiptar në fund të vitit të kaluar ishte në nivelin 4.17%, niveli i dytë më i lartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vendi me raportin më të lartë të kredive me probleme në fund të vitit 2024 ishte Mali i Zi, në nivelin 4.7%.Banka e Shqipërisë është shprehur e shqetësuar nga rritja e shpejtë e kreditimit dhe ka nisur aplikimin e masave që tentojnë ngadalësimin e rritjes së kredisë, sidomos për financimin e pasurive të paluajtshme. Që nga muaji korrik i këtij viti, kanë nisur të aplikohen kufizime lidhur me përqindjen e vlerës së banesës që mund të financohet me kredi bankare, por edhe me raportin maksimal të lejuar mes këstit të kredisë dhe të ardhurave mujore të huamarrësit. / E.Shehu Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Tag: kredive
-

5.3 miliardë lekë kredi “të fshira”, Banka e Shqipërisë: Pjesa më e madhe janë kredi të këqija nga biznese shqiptare
Vlera e kredive të humbura të fshira nga bilancet e bankave shënoi një rritje të fortë në gjysmën e parë të këtij viti.
Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, sektori bankar nxori jashtë bilanceve rreth 5.3 miliardë lekë. Kjo vlerë ishte 279% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pas detyrimit rregullator të vendosur nga Banka e Shqipërisë në vitin 2015, Të cilësuara si të klasifikuara, të humbura dhe më tej të fshira, vlera e portofolit të bankave për huatë e fshira është rritur nga viti në viti si edhe në 6 muajt e parë të 2025.
Pjesa më e madhe e kredive të fshira janë në monedhën vendase të mbajtura nga bizneset. Ndërsa kreditë me probleme mbarten më së shumti nga bankat me kapital shqiptar ndjekur më tej nga bankat me kapital evropian por dhe të tjera.
Bankat kanë afat 2 vite për të kategorizuar një pjesë të kredive të humbura si të fshira nga 3 vjet që ka qenë para vitit 2020.
Rritja e vlerës së kredisë së fshira është një tregues që thekson nevojën lidhur me cilësinë e portofolit e portofolit të kredisë së sektorit bankar.
Vetëm në dekadën e fundit bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre rreth 90 miliardë lekë. -

BSH: Bankat ristrukturuan rreth 1,2 miliardë lekë kredi
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, 11 bankat tregtare në vend kanë shënuar një ulje të ndjeshme të kredive të ristrukturuara, sipas Raportit të Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë.
Sipas të dhënave, vlera totale e kredive të ristrukturuara arriti në rreth 1,25 miliardë lekë që përfaqëson më pak se 1% të fluksit të kredisë së re gjatë periudhës dhe 3,5% të stokut të kredive me probleme.
Ristrukturimi i kredisë është një mekanizëm i përdorur nga bankat për të lehtësuar barrën financiare të kredimarrësve, duke ofruar lehtësi në ndryshimin e afatit të maturimit, kapitalizim të interesit, rinegocim të normës së interesit, përfshirje të një huamarrësi shtesë ose ndryshim të huamarrësit origjinal.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, ristrukturimet kanë qenë më të përqendruara në kreditë në lekë dhe në valutë të sektorit të biznesit, të cilët kanë kërkuar kryesisht zgjatje të afatit të shlyerjes.
Fluksi vjetor i kredive të ristrukturuara është në rënie, pasi gjatë këtij gjashtëmujorit vlera e tyre përfaqëson vetëm 23% të vlerës së ristrukturimeve të të njëjtës periudhë të vitit 2021. -

BSH: 44% e kredive për shtëpinë e parë në Euro, sipër kufirit të huasë ndaj vlerës
Në muajin maj të këtij viti, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi disa kufizime për standardet e kredidhënies së re për blerjen e banesave.Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo vendimmarrje synonte ruajtjen e stabilitetit financiar, përballë rritjes së shpejtë të çmimeve të banesave, nëpërmjet ruajtjes së aftësisë paguese të kredimarrësve dhe cilësisë së ekspozimeve të sektorit bankar ndaj tregut të pasurive të paluajtshme.Dy treguesit e përzgjedhur ishin ai i huasë ndaj vlerës, në disbursim dhe ai i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave, në disbursim.Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë është 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.Ndërsa raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë është në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan do të jetë 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.Banka e Shqipërisë shpjegon se vlerat e kufijve maksimalë të vendosur u kalibruan duke konsideruar të dhënat e bankave të mbledhura në mënyrë të posaçme, dhe duke i specifikuar sipas llojit të monedhës dhe qëllimit të përdorimit të pronës. Nga analiza e kryer deri në fund të gjashtëmujorit të parë 2025 mbi të dhënat e raportuara nga bankat deri në dhjetor 2024, rezulton se vlera mesatare e treguesve që janë subjekt i masave qëndron nën kufirin e sipërm për pjesën më të madhe të tyre.Për kreditë për pasuri të paluajtshme rezidenciale në monedhën Lek të marra për blerjen e shtëpisë së parë, vlerat e raporteve huasë ndaj vlerës në disbursim ishte 71%, ndërkohë që kufiri i vendosur nga Banka e Shqipërisë ishte 85%. Ndërsa treguesi i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave, në disbursim rezultoi mesatarisht në nivelin 35%, ndërkohë që kufiri i përcaktuar nga Banka e Shqipërisë ishte 40%.Për të njëjtët tregues për shtëpi të dyta të blera me kredi në monedhën Euro, raporti i huasë ndaj vlerës në disbursim vlerësohej në masën 83%, dukshëm sipër kufirit maksimal prej 70% të vendosur nga Banka e Shqipërisë. Ndërkohë, treguesi tjetër i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave, në disbursim ishte në nivelin 19%, dukshëm poshtë kufirit prej 30% të vendosur nga Banka e Shqipërisë.Duke analizuar këta tregues, mund të arrihet në përfundimin se në rastin e shtëpive të dyta bankat marrin përsipër të financojnë një pjesë më të madhe të çmimit të blerjes, por, nga ana tjetër, kësti i kredisë së një pjesë më të vogël kundrejt të ardhurave të huamarrësve. Kjo tregon se, në përgjithësi, këto kredi jepen tek huamarrës me të ardhura më të larta, që duan të blejnë një pronë të dytë, për qëllime investimi.Banka e Shqipërisë nënvizon se duhet marrë në konsideratë fakti që masat zbatohen ndaj çdo kredie individuale, çka do të thotë që efekti praktik i tyre varet nga shpërndarja e portofolit të Kredive, sipas llojit për secilin interval të vlerave të treguesit.Për ilustrim, nëse masat do të zbatoheshin ndaj kredive të dhëna në gjysmën e dytë të vitit 2024 për blerjen e një shtëpie të parë në monedhat Lek dhe Euro, do të rezultonte që 21% e kredive në Lekë dhe 44% e kredive në Euro do të klasifikoheshin mbi kufirin e përcaktuar për raportin huasë ndaj vlerës, në disbursim.Ndërkohë, 27% e kredive në Lek dhe 37% e kredive në Euro do të klasifikoheshin mbi kufirin e përcaktuar për raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave, në disbursim.Këto shifra tregojnë se efekti i masave të reja mbi kredidhënien për blerje banesash potencialisht do të jetë i konsiderueshëm, qoftë edhe në rastin e blerjes së shtëpisë së parë.Vendimi ka filluar të zbatohet nga bankat për kreditë e reja për pasuri të paluajtshme rezidenciale të disbursuara që prej datës 1 korrik 2025, ndërkohë që bankat mund të zbatojnë kuota përjashtimi për secilin prej treguesve me kushtin që në total, vlera e kredive të përjashtuara të mos kapërcejë 15% të vëllimit të kredive të reja që janë miratuar dhe disbursuar (edhe pjesërisht) gjatë tremujorit përkatës.Kredia për shtëpi e dhënë nga sektori bankar shqiptar ka arritur rekorde të reja në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në gjashtë muaj sektori bankar dha 36.2 miliardë lekë kredi të re për shtëpi, në rritje me 31.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.Kreditimi është ngadalësuar disi pas hyrjes në fuqi të masave të Bankës së Shqipërisë, por duke vijuar sidoqoftë rritjen. Për periudhën korrik-gusht, kredia e re për shtëpi arriti në 9 miliardë lekë, në rritje me 11% krahasuar me të njëjtin dymujor të një viti më parë./ E.ShehuKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
-

Kreditë e fshira të bankave në rritje, 5.3 miliardë lekë për gjysmën e parë të vitit
Vlera e kredive të humbura të fshira nga bilancet e bankave shënoi një rritje të fortë në gjysmën e parë të këtij viti.Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, sektori bankar nxori jashtë bilanceve rreth 5.3 miliardë lekë. Kjo vlerë ishte 279% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.Gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit janë fshirë rreth 6.3 miliardë lekë kredi të humbura dhe rreth 88% e këtij vëllimi lidhet me kredi të marra nga bizneset. Vlera e kredive të fshira në periudhën e fundit ishte sa 17.6% e tepricës së përgjithshme të kredive me probleme në portofolin e bankave, nga rreth 2.7% gjashtëmujorin e kaluar.Nxjerrja e një kredie të humbur jashtë bilancit është një veprim kontabël, që nuk nënkupton heqjen dorë nga procesi ligjor i mbledhjes dhe rikuperimit të saj. Fshira ka qëllim uljen e raportit të kredive me probleme të bankave, por, megjithatë, nuk ka ndikim në performancën e tyre financiare, sepse kreditë e klasifikuara si të humbura janë të provigjionuara në masën 100%.Fshirja e kredive të humbura të sektorit bankar nisi të marrë përmasa të mëdha në vitin 2015, kur Banka e Shqipërisë vendosi detyrimin rregullator për të nxjerrë jashtë bilanceve kreditë e klasifikuara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh. Fshirjet dhanë një ndikim shumë të rëndësishëm në uljen e raportit të kredive me probleme të sektorit bankar, që në atë periudhë kishte arritur në kufijtë e 25%.Në përpjekje për të nxitur pastrimin e mëtejshëm të portofolave, Banka e Shqipërisë në vitin 2020 vendosi shkurtimin e afatit për nxjerrjen jashtë bilancit të kredive të humbura në dy vjet, nga tre vjet që kishte qenë më parë. Gjatë periudhës janar 2015 – qershor 2025, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre afërsisht 90 miliardë lekë.Rritja e vlerës së kredive të fshira është një sinjal që dikton nevojën për kujdes lidhur me cilësinë e portofolit të kredisë së sektorit bankar.Raporti i kredive me probleme ishte i qëndrueshëm pranë nivelit të 4% edhe për muajin korrik dhe nuk ka pësuar luhatje shumë të mëdha për pjesën e parë të këtij viti. Ky raport vazhdon të jetë në rënie krahasuar me një vit më parë, kur shënonte nivelin 4.72%.Megjithëse portofoli i kredisë ka vazhduar rritjen me ritme dyshifrore edhe gjatë vitit 2025, raporti i kredive me probleme e ka frenuar rënien, duke sinjalizuar një rritje në stokun e kredive të këqija. Mund të vlerësohet se stoku i kredive me probleme është rreth 36.1 miliardë lekë, nga 34.9 miliardë lekë që kishte qenë në fund të vitit të kaluar dhe 37.7 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.Megjithëse në rënie me 4.2% krahasuar me korrikun 2024, që nga fillimi i këtij viti gjendja e stokut të kredive me probleme është rritur me 3.6%.Rritja e shpejtë e kreditimit në dy vitet e fundit duket se po shoqërohet edhe me një rritje të sasisë së kredive me probleme dhe po shkakton sërish edhe rritjen e kredive të fshira nga bilancet. Banka e Shqipërisë është shprehur e shqetësuar nga rritja e shpejtë e kreditimit dhe ka nisur aplikimin e masave që tentojnë ngadalësimin e rritjes së kredisë, sidomos për financimin e pasurive të paluajtshme.Vitin e kaluar, u vendos një rritje në nivelin e shtesës kundërciklike të kapitalit, ndërsa këtë vit nisi aplikimi i masave të drejtpërdrejta kufizuese për kredinë për blerjen e banesave nga individët. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
-

Pakësohen kreditë me probleme, ekspertët: Qytetarët më të rregullt. Bankat po tregohen më të rrepta
Niveli i kredive me probleme ra në 4.04 %, duke treguar se bizneset dhe familjet po i shlyejnë detyrimet me më shumë lehtësi.
Rritja e të ardhurave dhe punësimi më i qëndrueshëm kanë forcuar aftësinë paguese. Ndikim pati edhe ulja e normave të interesit disa muaj më parë duke ulur kostot e kredisë.
Kreditë janë rritur ndjeshëm vitet e fundit si dhe vlera e tyre, me një dominim të huas për shtëpi që arrin një portofol afro 30 miliardë lekë.
Jo vetëm ndikimet nga ana e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë dhe ecurisë së ekonomisë por edhe ristrukturimet që bankat kryejnë po ndikojnë në këtë raport të kredive me probleme.
Portofoli total i kredisë së dhënë nga 11 bankat tregtare në vend në fund të gushtit ishte 855.5 miliardë lekë nga të cilat 34.5 miliardë ishin hua të papaguara në kohë. (grafik)
Kjo rënie shënon pikën më të ulët të raportit të kredive me probleme që prej vitit 2008. Pastrimi i portofolave të bankave dhe rikuperimi më i shpejtë i huave të vjetra po japin rezultat. Treguesi konfirmon se sistemi bankar po hyn në një fazë më të qëndrueshme financiare.
RAPORTI I KREDISË ME PROBLEME
(Burimi: Banka e Shqipërisë)
Janar 4.12%
Mars 4.02%
Maj 4.12%
Korrik 4.04%
HUATË E PAPAGUARA NË RAPORT ME TOTALIN
(Burimi: Banka e Shqipërisë)
Stoku i kredisë 855 mld lekë
Kredia me probleme 34.5 mld lekë 4.04%
Top Channel
-

Numri i kredive të dhëna nga bankat u rrit me 52% për gjysmën e parë të vitit
Sektori bankar bëri pothuajse 106 mijë disbursime të kredive në gjysmën e parë të këtij viti.Mbështetur në statistikat e pagesave të Bankës së Shqipërisë, gjatë 6-mujorit të parë 2025 bankat kryen në sistem gjithsej 105 819 disbursime të kredive për individët dhe bizneset. Numri i kredive të disbursuara është rritur me 52% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.Kjo shifër përfaqëson në mënyrë të përafërt numrin e kredive të reja të dhëna nga sektori bankar këtë vit, megjithëse në disa raste mund të bëhet fjalë edhe për disbursimin me transhe të një kredie të vetme të miratuar.Numri i kredive të reja u dominua nga individët, me 53 818 mijë disbursime ose 51% e totalit të kredive të dhëna për gjysmën e parë të vitit. Numri i kredive në segmentin e individëve u rrit me 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.Një tendencë rritjeje edhe më e shpejtë po regjistrohet në kreditë e dhëna për bizneset.Sipas Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e parë të këtij viti u disbursuan 52 001 kredi në llogaritë e bizneseve. Numri i kredive për bizneset u rrit me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kreditë e dhëna për biznesin përbënin pothuajse 49% të numrit të kredive të disbursuara, nga 47% përbënin në gjysmën e parë të vitit të kaluar.Rritja e numrit të kredive konfirmon ecurinë pozitive të huadhënies edhe të shprehur në vlerë.Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për 7-mujorin 2025, janë dhënë gjithsej 231.9 miliardë lekë kredi e re, me një rritje prej 10% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.Kredia e re për individët arriti vlerën e 77 miliardë lekëve, në rritje me 26% krahasuar me një vit më parë. Kreditimi i individëve është mbështetur te një rritje shumë e shpejtë në dy segmentet kryesore, të blerjeve të pasurive të paluajtshme dhe financimit të konsumit.Ndërsa kredia e re për bizneset arriti në 151.3 miliardë lekë, me një rritje prej 1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.Në fund të muajit korrik, edhe portofoli total i kredisë për ekonominë, shprehur si tepricë, qëndroi në vlera të përafërta me qershorin. Ai kishte vlerën e 893.1 miliardë lekëve. Megjithatë, me bazë vjetore, kredia vazhdon të jetë në rritje, me 11.9%.Rritja është më e lartë në segmentin e individëve, ku portofoli ka arritur vlerën e 360.5 miliardë lekëve, në rritje me 9.6% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa në segmentin e biznesit vlera e portofolit të kredisë arriti në 490.4 miliardë lekë, në rritje me 16.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./ E.ShehuKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
-

Raporti i kredive me probleme e ka stopuar rënien këtë vit
Raporti i kredive me probleme ishte i qëndrueshëm pranë nivelit të 4% edhe për muajin korrik. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues shënoi nivelin 4.04%, nga 4.01% që kishte qenë për qershorin. Ky raport ngelet në rënie krahasuar me një vit më parë, kur shënonte nivelin 4.72%.Megjithatë, raporti i kredive me probleme është shfaqur i qëndrueshëm pranë nivelit të 4% gjatë gjithë 7-mujorit të parë të këtij viti. Megjithëse portofoli i kredisë ka vazhduar rritjen me ritme dyshifrore, raporti i kredive me probleme e ka frenuar rënien, duke sinjalizuar një rritje në stokun e kredive të këqija. Mund të vlerësohet se stoku i kredive me probleme është rreth 36.1 miliardë lekë, nga 34.9 miliardë lekë që kishte qenë në fund të vitit të kaluar dhe 37.7 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.Megjithëse shënon rënie me 4.2%, që nga fillimi i vitit gjendja e stokut të kredive me probleme është rritur me 3.6%.Rritja e shpejtë e kreditimit në dy vitet e fundit duket se po shoqërohet edhe me një rritje të sasisë së kredive me probleme. Banka e Shqipërisë është shprehur e shqetësuar për këtë rritje dhe ka nisur aplikimin e masave që tentojnë ngadalësimin e rritjes së kredisë, sidomos për financimin e pasurive të paluajtshme. Vitin e kaluar, u vendos një rritje në nivelin e shtesës kundërciklike të kapitalit, ndërsa këtë vit u miratuan masa të drejtpërdrejta kufizuese për kredinë për blerjen e banesave nga individët.Me gjithë tendencën e vazhdueshme në rënie gjatë viteve të fundit, Shqipëria ende vazhdon të ketë një raport të kredive me probleme ndër më të lartët në Rajonin e Ballkanit Perëndimor.Të dhënat krahasuese nga Nisma e Vjenës, projekt i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), i takojnë fundit të vitit të kaluar, kur raporti i kredive me probleme për sektorin bankar shqiptar në fund të vitit të kaluar ishte në nivelin 4.17%, niveli i dytë më i lartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vendi me raportin më të lartë të kredive me probleme në fund të vitit 2024 ishte Mali i Zi, në nivelin 4.7%.Mali i Zi, së bashku me Shqipërinë, në periudhën e pas krizës financiare të vitit 2008 pati nivelet më të larta të raportit të kredive me probleme. Me gjithë uljen graduale, sidomos pas vitit 2017, ende ato vazhdojnë të kenë nivelet më të larta të këtij treguesi krahasuar me vendet e tjera të këtij rajoni.Pas Shqipërisë, vijon Bosnje Hercegovina, me një raport të kredive me probleme në nivelin 3.2%, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, me 2.6%, Serbia, me 2.5% dhe Kosova, me 1.8%.Burimi: Banka e ShqipërisëKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
-

Mbi 40% e të punësuarve në Kosovë, me kredi aktive nëpër banka
Banka Qendrore ka treguar se në bazë të vlerësimeve të bëra 40% e të punësuarve në Kosovë zotërojnë kredi aktive. Në gjashtëmujorin e parë të vitit, kreditë kanë arritur në 6.37 miliardë euro. Numri i kredive në sistemin bankar të Kosovës ka shënuar rritje gati 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.Nga 1 janari deri fund të muajit gusht 2025, kredimarrësit kanë arritur në 26,029, krahasuar me 24,805, sa ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2024.Sipas Bankës Qendrore e Kosovës faktorët kryesorë të rritjes janë nevoja për financim nga ndërmarrjet dhe ekonomitë familjare, si dhe kushtet më të favorshme të ofertës.“Numri i kredive të reja të lëshuara nga bankat në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 është rritur për 4,552 apo një rritje prej 11.8%. Gjithashtu rritje ka shënuar edhe shuma e kredive të reja të lëshuara nga bankat në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, me një rritje prej 244.8 milionë euro, apo një rritje prej 20.5%”.Ndërsa këtë vit, sipas BQK-së, është shënuar shkalla më e ulët të kredive me probleme.“Këtë vit kemi shënuar shkallën me të ulët të kredive me probleme të shënuar ndonjëherë, e që është përafërsisht 2% në totalin e kredive, atëherë kemi të bëjmë me një rrezik të ulët të kthimit të kredive. Janë të dhëna që sistemin bankar të Kosovës e krahasojnë me vendet evropiane me shkallen e ulët të treguesve për kreditë me probleme (Non-Performing Loans – NPL), në sistem”.Banka Qendrore ka treguar se në bazë të vlerësimeve të bëra, në mars të 2025, rreth 40% e të punësuarve në Kosovë zotërojnë kredi aktive.E kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se gjendja e punëtorëve në sektorin privat është alarmante, pasi me pagën mesatare prej 350 deri 370 euro nuk mund të mbulohen as nevojat bazë të një personi, e aq më pak të një familjeje.Ai ka thënë se sipas normave ndërkombëtare, paga e një punëtori duhet të mbuloj nevojat e katër anëtarëve të familjes, gjë që në Kosovë nuk ndodh.“Tani kemi një gjendje jashtëzakonisht të rëndë sepse nëse e marrim një pagë mesatare tek kompanitë publiko-private që i quajmë ne, paga e tyre është diku rreth 350 deri 370 euro. Me një kosto të tillë, me këto shpenzime tani më fillon sezoni i dimrit, ka filluar edhe sezoni i mësimit, paramendo se çfarë mund të bësh me një pagë prej 370 euro, ku sipas normave ndërkombëtare, një pagë e një punëtori duhet t’i mbuloj kërkesat e katër anëtarëve të familjes, e cila me këtë pagë që po e marrin nuk mund të mbuloj kërkesat e as një personi. Ne e dimë se si po jetojmë, ne po e dimë se si po shkojmë tutje”.Kreu i sindikatës theksoi se çdo pagë nën 800 euro është e pamjaftueshme për një jetë normale në Kosovë.“Për momentin unë mendoj, por gjithçka çka mbetet nën 800 euro është diçka që nuk mund t’ia dalë, është shumë normale që shpenzimet janë shkuar tepër, tepër shumë. Ne jemi shteti në rajon me pagën më të vogël minimale dhe jemi me mbikëqyrjen më të vogël të ligjit të punës dhe ligjeve të tjera që kanë të bëjnë”.Kreditë për 6 mujorin e parë të vitit 2025 kanë shënuar rritje prej 567.6 milionë eurosh ose 9.8 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, duke arritur në gjithsej 6.37 miliardë euro kreditë në sektorin bankar, kanë konfirmuar në Bankën Qendrore (BQK).Kreditë për ekonomitë familjare kanë shënuar rritje gjashtëmujore prej 260.8 milionë euro apo 11.1 për qind, ndërsa kreditë për biznese rritje prej 306.8 milionë euro apo 8.9 për qind. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
-

Shqiptarët i “largohen” euros/ Raporti i Bankës së Shqipërisë: Rritet përdorimi i lekut
Shqipëria ka bërë hapa përpara drejt uljes së përdorimit të euros dhe rritjes së përdorimit të lekut. Kështu thotë Banka e Shqipërisë në raportin e saj më të fundit mbi procesin e deeuroizimit, teksa thekson se pavarësisht këtij përmirësimi, euro vijon të përdoret gjerësisht dhe duhen bërë akoma më shumë përpjekje për uljen e pranisë së saj në ekonominë dhe sistemin financiar të vendit.
Konkretisht, në gjysmën e parë të 2025 është vërejtur një rënie e kredive në valutë të pambrojtura nga kursi i këmbimit. Pra, pesha e kredive të marra në euro, kur të ardhurat kanë qenë në lekë ka pësuar ulje.
Gjithashtu, është shënuar një rënie e peshës së aktiveve likuide në valutë ndaj detyrimeve afatshkurtra në valutë, pakësim të kredive në valutë në raport me totalin e kredive, rënie e lehtë e peshës së depozitave në valutë dhe rritje e mëtejshme e depozitave në monedhën vendase me afat mbi një vit. Të gjithë këto janë tregues pozitivë në drejtim të deeuroizimit.
Në maj të këtij viti, Banka e Shqipërisë vendosi disa tavane mbi masën e kredisë që do të japin bankat ndaj qytetarëve që duan të blejnë një shtëpi të parë ose të dytë në lek dhe në euro. Vendosja e kufijve më shtrëngues për kreditë në valutë, ka mbështetur rritjen e përdorimit të monedhës vendase në këtë lloj kredie.
Që prej vitit 2018, Banka e Shqipërisë po zbaton një paketë masash, me qëllim uljen e përdorimit të monedhave të huaja dhe nxitjen e përdorimit të monedhës vendase. Paketa e deeuroizimit përmban tre elemente kryesore që përfshijnë diferencimin e normës së rezervës së detyrueshme për detyrimet në valutë dhe ato sipas afatit të maturimit në lek, kërkesa më të larta për treguesit e likuiditetit në valutë dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për rrezikun që paraqet huamarrja në valutë.
