Tag: kredisë

  • Vështirësi për të blerë shtëpi? Rregullat e reja për kreditë kufizojnë huamarrjen

    Vështirësi për të blerë shtëpi? Rregullat e reja për kreditë kufizojnë huamarrjen

    Është publikuar në fletoren zyrtare vendimi i Bankës së Shqipërisë për të kufizuar kredinë për qytetarët për blerje banese. Në vendimin e bankës qendrore thuhet se asnjë bankë nuk do të japë kredi për qytetarët që duan të blejnë shtëpinë e parë më shumë se 85% e vlerës së saj.
    Ndërsa ata që kërkojnë kredi për të blerë një shtëpi të dytë vlera e kredisë që do mund të marrin kur është në monedhën lekë do të jetë 80% e vlerës së pronës.
    Për huanë e marrë në lekë kësti i kredisë nuk duhet të jetë më shumë se 40% e vlerës së të ardhurave që ka qytetari. Pra nëse të ardhurat mujore janë 100 mijë lekë në muaj, kësti nuk duhet të jetë më i lartë se 40 mijë lekë

    Ndërsa kur kredia kërkohet në valutë, për shtëpinë e parë vlera e huasë do të jetë deri në 75%, dhe ulet në 70% për pronën e dytë. Sa i takon këstit mujor ai duhet të jetë deri në 35% të vlerës së të ardhurave.

    Afati maksimal për shlyerjen e kredisë do të jetë deri në 30 vjet, ose do të caktohet një afat tjetër nga banka duke marrë në konsideratë moshën e kredimarrrësit, me qëllim që të mos ketë kredi për të shlyer në moshën e pensionit.
    Ky vendim i Bankës së Shqipërisë është marrë për të mbrojtur bankat nga një përkeqësim i aftësisë paguese së kredimarrësve në kushtet kur rritja e çmimit të pronave nuk ka të ndalur.

  • 2025 nis me bum kreditimi për shtëpi, ndërhyhet me masa të reja rregullatore

    2025 nis me bum kreditimi për shtëpi, ndërhyhet me masa të reja rregullatore

    Kredia në shtëpi e ka nisur me ritme të shpejta të rritjes edhe vitin 2025. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e parë të vitit sektori bankar dha pothuajse 16 miliardë lekë kredi të reja për blerje banesash. Vlera e kredisë së re është rritur me gati 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
    Në fund të muajit mars, vlera totale e portofolit të kredisë për blerje banesash nga familjet shqiptare ka arritur në pothuajse 218 miliardë lekë, në rritje me 15.6% krahasuar me një vit më parë.
    Kreditimi nga sektori bankar vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e një kërkese të lartë në tregun e pasurive të paluajtshme. Vrojtimi i radhës i Bankës së Shqipërisë tregoi se në 6-mujorin e dytë të vitit çmimi mesatar i banesave u rrit me 44.5% krahasuar me një vit më parë.
    Rritja e shpejtë e kredisë për pasuri të paluajtshme prej më shumë se një viti ka ngjallur shqetësimin e Bankës së Shqipërisë. Kjo rritje u bë shkaku kryesor për vendosjen e një shtese të posaçme kundërciklike kapitali vitin e kaluar.
    Por, shifrat e tremujorit të parë të vitit tregojnë se masat e mëparshme të Bankës së Shqipërisë nuk kanë ndikuar në frenimin e kreditimit në këtë segment, edhe për shkak të faktit që në përgjithësi sektori bankar ka nivele të larta kapitalizimi dhe nuk shtesat e mëtejshme të vendosura nga Banka e Shqipërisë nuk kanë krijuar shumë shqetësim.
    Në këto kushte, ditët e fundit Banka e Shqipërisë e përshkallësoi ndërhyrjen e saj rregullatore, duke vendosur për herë të parë disa kufij për tregues të veçantë të administrimit të rrezikut për kredinë për shtëpi.
    Vendimi parashikon përcaktimin e niveleve tavan për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave”, për kreditë që japin bankat për pasuri të paluajtshme rezidenciale.
    Raporti i kredisë ndaj vlerës është përqindja e çmimit të blerjes së banesës që banka merr përsipër të financojë nëpërmjet kredisë. Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.
    Ndërsa raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave përfaqëson raportin mes këstit ose kësteve të kredisë për prona, në raport me të ardhurat e huamarrësve. Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë do të jetë në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan do të jetë 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.
    Sipas Bankës së Shqipërisë, zbatimi i këtyre kufijve do të mundësojë uljen e rrezikut të dështimit të kredimarrësve dhe pakësimin e humbjeve bankare të lidhura me këto kredi, si pasojë e zhvillimeve të pafavorshme në çmimet e pronave të paluajtshme dhe në kuadrin makroekonomik të vendit, si rritja e papunësisë, rënia e të ardhurave, rritja e normave të interesit, etj. Banka e Shqipërisë argumenton se këta kufij marrin në konsideratë dhe janë përshtatur për të adresuar në mënyrë proporcionale rrezikun, në varësi të tipit të pronës dhe monedhës në të cilën jepet kredia.
    Njëkohësisht, vendimi parashikon një rekomandim lidhur me afatin maksimal të maturimit të kredisë për pasuri të paluajtshme rezidenciale, i cili mund t’u shërbejë bankave për të përmirësuar profilin e rrezikut të një ekspozimi të caktuar. / Monitor

  • Rritet ekspozimi i bankave në tregun e pronave, 46% e kredisë, e siguruar me pasuri të paluajtshme

    Rritet ekspozimi i bankave në tregun e pronave, 46% e kredisë, e siguruar me pasuri të paluajtshme

    Mbulimi i kredisë bankare me kolateral u rrit më tej vitin e kaluar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2024, 76% e kredisë ishte e mbuluar me kolateral, nga 75% e saj një vit më parë. Lloji më i përdorur i kolateralit nga bankat vazhdojnë të jenë pasuritë e paluajtshme. Pronat mbulojnë 61% të kredisë së kolateralizuar dhe 46% të tepricës totale të kredisë.
    Sipas Bankës së Shqipërisë, stoku i kredisë së kolateralizuar me pasuri të paluajtshme është zgjeruar me 9% në krahasim me një vit më parë, si rezultat i rritjes së kredisë së kolateralizuar me pasuri të paluajtshme rezidenciale. Shkalla e lartë e garantimit të kredive me kolateral në pasuri të paluajtshme e bën sektorin bankar të ekspozuar ndaj zhvillimeve në tregun e pronave. Një rënie e mundshme e çmimeve të pronave do të krijonte rreziqe të shtuara për shëndetin e sektorit bankar në vend.
    Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë po mbledh të dhëna më të detajuara që prej vitit të kaluar, mbështetur në rregulloren “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi huadhënien dhe investimet për pasuri të paluajtshme”. Ajo ka si qëllim të përmirësojë të dhënat që do të mblidhen nga bankat për ekspozimin e tyre në tregun e pasurive të paluajtshme. Dy ditë më parë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi disa masa kufizuese për kredinë bankare për shtëpi. Sipas vendimit, raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.
    Ndërkohë, për shkak të rritjes së shpejtë të kredisë për pasuri të paluajtshme, Banka e Shqipërisë aplikoi për herë të parë vitin e kaluar një shtesë të posaçme në kërkesat për kapital ndaj sektorit bankar. Shtesa kundërciklike e kapitalit u vendos për herë të parë në qershor, në nivelin 0.25% (për t’u zbatuar nga 30 qershor 2025) dhe u rrit në dhjetor në nivelin 0.5% (për t’u zbatuar nga 31 dhjetori 2025). Aplikimi i një shtese kundërciklike të kapitalit është i parashikuar në rregulloren e vitit 2018 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”. Një shtesë e tillë ka si qëllim ngadalësimin e kreditimit, në rast se banka qendrore vlerëson se po ndodh një rritje me ritme tepër të shpejta.
    Në analizën e Bankës së Shqipërisë, prej disa tremujorësh, ekonomia shqiptare po përjeton një cikël financiar pozitiv të mbështetur mbi rritjen e përshpejtuar të kredisë bankare dhe periudha të tilla shoqërohen me nivele të mira të performancës financiare për agjentet e ekonomisë reale dhe për sistemin financiar.
    Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, këto periudha shoqërohen edhe me fillimin e rreziqeve të caktuara, që mund të lidhen me rënie të standardeve të kreditimit, rritjen e niveleve të përqendrimit të saj në sektorë apo tregje të caktuar, rritjen e niveleve të borxhit për agjentët e ekonomisë reale përtej niveleve të shëndetshme. Këto situata, nëse lejohet të zhvillohen mund ta bëjnë ekonominë dhe sistemin financiar më të ndjeshëm ndaj goditjeve të ndryshme, duke cënuar kështu stabilitetin financiar. Për këto arsye, në këto raste sugjerohet përdorimi i instrumenteve makroprudenciale që veprojnë në mënyrë kundërciklike dhe parandalojnë zhvillimin e pakontrolluar të këtyre rreziqeve./MONITOR

  • Banka e Shqipërisë vendos tavan për kreditë e shtëpive, 85% për banesën e parë, 80% e dyta

    Banka e Shqipërisë vendos tavan për kreditë e shtëpive, 85% për banesën e parë, 80% e dyta

    Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi në mbledhjen e të mërkurës disa masa kufizuese për kredinë bankare për shtëpi.

    Më konkretisht, vendimi parashikon përcaktimin e niveleve tavan për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave”, për kreditë që japin bankat për pasuri të paluajtshme rezidenciale.

    Raporti i kredisë ndaj vlerës është përqindja e çmimit të blerjes së banesës që banka merr përsipër të financojë përmes kredisë.

    Kufiri tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.

    Ndërsa raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave përfaqëson raportin mes këstit ose kësteve të kredisë për pronë, në raport me të ardhurat e huamarrësve.

    Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë do të jetë në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan do të jetë 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.

    Sipas Bankës së Shqipërisë, zbatimi i këtyre kufijve do të mundësojë uljen e rrezikut të dështimit të kredimarrësve dhe pakësimin e humbjeve bankare të lidhura me këto kredi, si pasojë e zhvillimeve të pafavorshme në çmimet e pronave të paluajtshme dhe në kuadrin makroekonomik të vendit, si rritja e papunësisë, rënia e të ardhurave, rritja e normave të interesit, etj.
    Banka e Shqipërisë argumenton se këta kufij marrin në konsideratë dhe janë përshtatur për të adresuar në mënyrë proporcionale rrezikun, në varësi të tipit të pronës dhe monedhës në të cilën jepet kredia.

    Njëkohësisht, vendimi parashikon një rekomandim lidhur me afatin maksimal të maturimit të kredisë për pasuri të paluajtshme rezidenciale, i cili mund t’u shërbejë bankave për të përmirësuar profilin e rrezikut në një ekspozimi të caktuar.

    Vendosja e masave shtrënguese për kredinë për shtëpi erdhi edhe si rezultat i rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Në një intervistë për “Monitor”, në muajin dhjetor 2024, FMN sugjeroi që Banka Qendrore të vendoste disa nivele maksimale të lejuara për raportin mes kredisë dhe vlerës së pronës që financohet, si dhe për raportin e shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave të huamarrësve (DTI).

    Në fakt, Banka e Shqipërisë kishte shprehur qysh vitin e kaluar shqetësimin e saj për rritjen e shpejtë të kredisë për shtëpi. Fillimisht, këto shqetësime janë tentuar të adresohen nëpërmjet vendosjes së një shtese kundërciklike të kapitalit u vendos për herë të parë në qershor, në nivelin 0.25% (për t’u zbatuar nga 30 qershor 2025) dhe u rrit në dhjetor në nivelin 0.5% (për t’u zbatuar nga 31 dhjetori 2025).

    Megjithatë, edhe për shkak të niveleve të larta faktike të kapitalizimit të sektorit bankar, një masë e tillë deri tani nuk ka dhënë ndikime të rëndësishme në ngadalësimin e kreditimit. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka vendosur të ndjekë rekomandimin e FMN-së dhe të vendosë kufizime direkte në standardet e administrimit të rrezikut, të lidhura me kredinë për shtëpi.
    Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se vitin e kaluar kredia e re për blerje banesash arriti rekordin e ri historik prej 54.9 miliardë lekësh ose rreth 545 milionë eurosh, të llogaritura me kursin mesatar të vitit 2024. Kredia e re për banesa u rrit me 13% krahasuar me vitin 2023.

    Vlera e portofolit aktiv ose tepricës së kredisë për shtëpi në fund të vitit 2024 arriti në pothuajse 208.7 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 15.5%./ Monitor

  • Banka e Shqipërisë kufizon kreditë për blerje banesash

    Banka e Shqipërisë kufizon kreditë për blerje banesash

    Gent Sejko

    TIRANË- Banka e Shqipërisë kufizon vlerën e kësteve të kredisë për qytetarët shqiptarë që duan të blejnë një banesë. Lajmin e dha guverantori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Në një deklaratë për shtyp, guvernatori tha se u vendos një tavan për shumën e kredisë që mund të marrin qytetarët për të blerë një shtëpi. 
    “Morëm disa masa lidhur me kreditimin në tregun e pasurive të patundëshme, kryesisht për individët. Në këtë kontekst, vendosëm një tavan lidhur me huanë në raport me vlerën e banesës, dhe në raport me vlerës së kredisë me pagën e huamarrësit. Më konkretisht këto tavane janë maksimumi i huasë për monedhën lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj vlera e kredisë do të jetë 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë lidhur me monedhën në valutë të huaj për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit. Kësti ndaj të ardhurave si raport do të jetë në nivelin 40% për monedhën lekë dhe 35% për monedhën në valutë të huaj. Kjo është për shtëpinë e parë. Për lekun do të jetë 35% raporti i këtit me të ardhurat, ndërsa 30% për shtëpinë e tyre. Pra, Banka e Shqipërisë ka vënë standardizim,”-tha në fjalën e tij Sejko. 
    Në shkurt të këtij viti u konstatua se kredia për shtëpi u rrit për të 5-tin vit radhazi. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregonin se kredia për banesa arriti në 54.9 miliardë lekë në 2024, një rritje me 13% krahasuar me vitin 2023. Këtë tendencë agjentët e pasurive të paluajtshme e lidhin me normat e ulëta të interesit, por dhe rritjen e pagave, ku qytetarët arrijnë të plotësojnë edhe këtë kriter të bankave për të përfituar kredinë.

    Dëshira e të qenurit pronar të një banese, i ka bërë qytetarët shqiptarë edhe më borxhlinj ndaj bankave por më së shumti në monedhën kombëtare për shkak të luahtjeve në kursin e këmbimit valutor. Kreditë për shtëpi individët po i marrin më shumë në monedhën vendase. Nga ana tjetër kredia e re në euro për banesa zbriti në 14 miliardë lekë një vit më parë, një rënie me 24% krahasuar me vitin 2023./ZËRI
     

  • Të dhënat nga Banka e Shqipërisë: Bankat fshinë 24 mln euro kredi të humbura

    Të dhënat nga Banka e Shqipërisë: Bankat fshinë 24 mln euro kredi të humbura

    Të dhënat nga Banka e Shqipërisë: Bankat fshinë 24 mln euro kredi të humbura

    Vlera e kredive të fshira nga sektori bankar u rrit vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2024 bankat nxorën jashtë bilanceve rreth 2.4 miliardë lekë kredi të humbura (rreth 24 mln euro), 20% më shumë krahasuar me një vit më parë. 61% e vlerës së kredive të fshira u takonte bizneseve.

    Fshirja e kredive të humbura të sektorit bankar nisi të marrë përmasa të mëdha në vitin 2015, kur Banka e Shqipërisë vendosi detyrimin rregullator për të nxjerrë jashtë bilanceve kreditë e klasifikuara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh.

    Fshirjet dhanë një ndikim shumë të rëndësishëm në uljen e raportit të kredive me probleme të sektorit bankar, që në atë periudhë kishte arritur në kufijtë e 25%. Nxjerrja e një kredie të humbur jashtë bilancit është një veprim kontabël, që nuk nënkupton heqjen dorë nga procesi ligjor i mbledhjes dhe rekuperimit të saj.

    Fshirja bëhet me qëllim uljen e raportit të kredive me probleme të bankave, por, megjithatë, ajo nuk ka ndonjë impakt në performancën e tyre financiare, sepse kreditë e klasifikuara si të humbura janë të provigjionuara në masën 100%. Në përpjekje për të nxitur pastrimin e mëtejshëm të portofoleve, Banka e Shqipërisë në vitin 2020 vendosi shkurtimin e afatit për nxjerrjen jashtë bilancit të kredive të humbura në dy vjet, nga tre vjet që kishte qenë më parë.

    Që nga janari 2015, kur nisën të zbatoheshin kërkesat rregullatore për nxjerrjen e kredive të humbura jashtë bilanceve, bankat kanë fshirë rreth 82 miliardë lekë kredi të humbura. Megjithatë, pjesa më e madhe e fshirjeve ndodhi në vitet e para pas miratimit të kërkesave rregullatore. Në vitet fundit, vlera e fshirjeve ka qenë në vlera relativisht të ulëta.

    Raporti i kredive me probleme vitin e kaluar ra në 4.2%, nga 4.8% që kishte qenë në fund të vitit 2023, duke prekur nivelin më të ulët të 15 vjetëve të fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ecuri u ndikua nga efekti i kombinuar i tkurrjes së stokut të kredive me probleme dhe rritjes së stokut të përgjithshëm të kredisë. Bankat kanë raportuar rritje të cilësisë së kredisë kryesisht për kredinë me maturitet afatshkurtër, kredinë për bizneset dhe kredinë në valutë.

    Stoku i kredive me probleme në fund të 2024 ishte rreth 35 miliardë lekë, në rënie të lehtë vjetore, me 1%. Në këtë ecuri ka ndikuar kalimi i disa kredive “nënstandard” dhe “të dyshimta” drejt klasave performuese, si pasojë e ritmit më të shpejtë të shlyerjes së kredive me probleme.

    Gjatë periudhës, kreditë me probleme të klasifikuara “të humbura” u zgjeruan me 3.5 miliardë lekë. Peshën kryesore në portofolin e kredive me probleme vijojnë ta mbajnë pikërisht kreditë e humbura dhe pesha e tyre arriti në 62% në fund të periudhës, nga 56% që zinte një vit më parë.

    Mbulimi me kolateral i kredisë mbetet në nivele të larta dhe gjatë periudhës ky raport u rrit me 1 pikë përqindje, në 76%. Kreditë me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme zënë peshën kryesore ose rreth 61% të kredisë së kolateralizuar dhe 46% të tepricës së kredisë.

    Stoku i kredisë së kolateralizuar me pasuri të paluajtshme është zgjeruar me 9% në krahasim me një vit më parë, si rezultat i rritjes së kredisë së kolateralizuar me pasuri të paluajtshme rezidenciale. Edhe portofolet e kredive të kolateralizuara me kolateral tjetër kanë shënuar rritje.

    Raporti i mbulimit me provigjione për rrezikun e kredisë është rritur, duke qenë se është rritur pesha e kredive të klasifikuara “të humbura” në strukturën e kredive me probleme, për të cilat kërkohet provigjionim i plotë. Në dhjetor 2024, raporti i mbulimit të kredive me probleme me provigjione prej 76% ishte më i lartë se niveli 67% i regjistruar në fund të gjysmës së parë të vitit 2024 dhe më i lartë se niveli prej 71% i një viti më parë./ Monitor

  • Rritja e kredisë nuk ndalet, 17% më shumë për tremujorin e parë të vitit

    Rritja e kredisë nuk ndalet, 17% më shumë për tremujorin e parë të vitit

    Kreditimi i ekonomisë u rrit përsëri në muajin mars dhe ndodhet në nivelet më të larta historike për tremujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, sektori bankar për muajin mars disbursoi 36.2 miliardë lekë kredi të reja, shifër kjo 20.3% më e lartë krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Për të gjithë tremujorin e parë, vlera e kredisë së re të disbursuar arriti vlerën e 96.8 miliardë lekëve, në rritje me 17% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
    Ajo që vërehet gjatë muajve të parë të këtij viti është një rikthimi i ritmeve të shpejta të rritjes në segmentin e individëve. Kredia e re për individët arriti në 30.5 miliardë lekë, në rritje me 24% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Shifrat tregojnë një rritje të kredisë si për blerjen e pasurive të paluajtshme, ashtu edhe për financimin e konsumit.
    Kredia për biznesin, që dha kontributin kryesor në rritjen e kredisë gjatë vitit 2024, këtë vit po rritet me ritme më të ngadalta. Kredia e re për bizneset për periudhën janar-mars 2025 arriti në 62.8 miliardë lekë, në rritje me 8% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Kreditimi i ekonomisë vazhdon të dominohet nga monedha vendase, por megjithatë në tremujorin e parë të vitit vërehet një rritje e lehtë e peshës së kredisë në valutë të huaj.
    Kredia në lekë përbënte 60% të huadhënies në re, por në rënie nga niveli prej 62.4% i një viti më parë. Ndërkohë, kredia në valutë ka arritur në 40% të totalit, nga 37.6% një vit më parë. Rritja e kredisë është shumë e dukshme edhe në ecurinë e portofolit total ose tepricës së saj. Në fund të muajit mars, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 865 miliardë lekëve, me një rritje prej 17.5 miliardë lekësh krahasuar me shkurtin.
    Me bazë vjetore, kredia për ekonominë rezulton në rritje me 13.3%, duke qëndruar në nivele të përafërta me fundin e vitit të kaluar. Në segmentin e ndërmarrjeve private, portofoli i kredisë është në rritje me 14.2% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, për individët portofoli i kredisë është në rritje me 13.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. I vetmi segment që po jep një efekt negative mbi rritjen e portofolit të kredisë për kredinë është huadhënia për ndërmarrjet shtetërore, që edhe këtë vit paraqitet në rënie.
    Të dhënat e vrojtimit të aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë treguan se kërkesa për kredi vazhdoi të rritej në tremujorin e parë të vitit. Megjithatë, sipas raportimeve të bankave, shkalla e refuzimit të kredive është rritur, duke reflektuar një shtrëngim të ofertës dhe një qasje më të kujdesshme të sektorit bankar. Pavarësisht kësaj, statistikat tregojnë se kreditimi i ekonomisë vazhdon të rritet me ritme të shpejta./ Monitor

  • Sektori bankar, a ka rrezik nga euforia?

    Sektori bankar, a ka rrezik nga euforia?

    Megjithatë, për momentin, sektori bankar nuk duket shumë i shqetësuar për këto sinjale dhe bankierët parashikojnë një tjetër vit me rritje ambicioze të kreditimit dhe konkurrencë të lartë mes bankave.

    Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

    Asetet u rritën me 6.4%

    Madhësia e sektorit bankar, e matur sipas totalit të aktiveve, u rrit me 6.4% vitin e kaluar.

    Sipas të dhënave paraprake dhe të paaudituara të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), totali i aktiveve të sistemit bankar në fund të vitit 2024 arriti në 2.095 trilionë lekë, në rritje me afërsisht 126 miliardë lekë krahasuar me vitin 2023.

    Rritja ishte më e lartë krahasuar me atë prej 5.1% të vitit 2023, megjithëse forcimi i Lekut vazhdoi të ndikojë negativisht vlerën statistikore të aseteve në valutë të huaj. Krahasuar me fundin e vitit 2023, kursi i këmbimit të Euros me Lekun ka rënë me 5.5%.

    Të dhënat sipas IFRS tregojnë se investimet në letra me vlerë ishin më i madhi ndër grupet kryesore të aktiveve të sektorit bankar edhe për vitin 2024.

    Sipas shifrave të Shoqatës së Bankave, këto investime në fund të vitit të kaluar arritën në 866 miliardë lekësh, në rritje me 10% krahasuar me një vit më parë. Letrat me vlerë përbëjnë 41.3% të totalit të aktiveve të sektorit bankar, nga afërsisht 40% që zinin në fund të vitit 2023.

    Investimet në letra me vlerë përbëhen në masën më të madhe nga instrumentet e borxhit në Lek dhe në valutë të huaj të qeverisë shqiptare, si dhe nga tituj të emetuesve të huaj publikë dhe privatë.

    Zëri i dytë më i madh në bilancin e sektorit bankar është kredia, por huaja ka shënuar rritjen më të lartë në terma relativë, në strukturën e aktiveve. Portofoli i kredisë prej 812.2 miliardë lekësh përbën 38.8% të totalit të aktiveve. Pesha e tij është në rritje nga niveli prej 36.5% i vitit 2023.

    Zëri i tretë më i madh i aktiveve në bilancet e bankave, vendosjet me bankat dhe institucionet e tjera financiare, vitin e kaluar pësoi rënie të mëtejshme, në 162.8 miliardë lekë, 3% më pak krahasuar me një vit më parë.

    Pesha e vendosjeve në strukturën e bilancit të sektorit ka rënë në 7.8% të totalit të aktiveve, nga 8.5% që kishte qenë një vit më parë.

    Pas rritjes së normave të interesit, në vitin 2022, bankat kanë pasur më shumë incentiva për t’i investuar fondet e lira në kredi dhe letra me vlerë.

    Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

    Kredia me rritjen më të lartë në 16 vjet

    Kreditimi u përshpejtua ndjeshëm vitin e kaluar dhe shënoi rritjen më të lartë në 16 vitet e fundit.

    Statistikat e Shoqatës së Bankave tregojnë se portofoli i kredisë për ekonominë në fund të vitit të kaluar arriti në 812 miliardë lekë, në rritje me 13.1% krahasuar me një vit më parë.

    Megjithatë, vazhdimi i mbiçmimit të Lekut ushtroi një efekt negativ edhe vitin e kaluar dhe në mungesë të tij, rritja e kredisë do të kishte qenë më e lartë, duke qenë se rreth 45% e portofolit të kredisë së sektorit bankar është në valutë të huaj dhe kryesisht në Euro.

    Të dhënat sipas IFRS nuk ofrojnë të dhëna më të detajuara për ndarjen e kredisë sipas valutave dhe segmenteve të klientëve.

    Kredia e re për ekonominë arriti një rekord të ri historik vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e kredisë së re të disbursuar arriti në 379.8 miliardë lekë, në rritje me 19% krahasuar me vitin 2023.

    Rritja e kredisë së re ishte edhe më e lartë krahasuar me nivelin prej 14.5% të vitit 2023.

    Shifrat e kredisë së re, megjithatë, përfshijnë edhe rifinancime të kredive të maturuara ose zhvendosje të kredive ekzistuese në banka të tjera, por megjithatë edhe këto të dhëna tregojnë se kreditimi e mbylli vitin e kaluar me ecuri befasuese.

    Shtysa kryesore për rritjen e kredisë gjatë 2024 erdhi nga segmenti i biznesit. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia e re për bizneset vitin e kaluar arriti shumën e gati 269 miliardë lekëve, me një rritje prej 24% krahasuar me një vit më parë.

    Kredia për biznesin ka shfaqur rritje pozitive në të gjitha segmentet, por ritmet më të larta janë shënuar në kredinë për pasuri të paluajtshme.

    Edhe segmenti i individëve sidoqoftë vazhdoi rritjen me ritme të larta dyshifrore. Vitin e kaluar, sektori bankar disbursoi pothuajse 107 miliardë lekë kredi të re për individët, në rritje me 16.1% krahasuar me një vit më parë.

    Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

    Ekspozimi te kreditë për prona, më shumë se 4 miliardë euro

    Ekspozimi i sektorit bankar në kredi për pasuri të paluajtshme arriti në 398 miliardë lekë, ose më shumë se 4 miliardë euro në fund të vitit të kaluar.

    Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera totale e kredisë për pasuri të paluajtshme u rrit me më shumë se 16% gjatë vitit 2024. Kjo shifër përfshin të dyja segmentet e klientëve, biznese dhe individë.

    Pjesa më e madhe e portofolit u takon individëve, me afërsisht 52% të ekspozimit total në hua për pasuri të paluajtshme, ndërsa diferenca prej 48% është kredi e dhënë për bizneset.

    Aktualisht, kredia për pasuri të paluajtshme përbën gjysmën e portofolit total të kredisë së dhënë për sektorin privat të ekonomisë.

    Në vitet e fundit, sektori bankar ka rritur ndjeshëm portofolin e kredisë për prona, si për bizneset, ashtu edhe për individët. Krahasuar me periudhën përpara pandemisë, portofoli i kredisë për pasuri të paluajtshme është rritur me 93%.

    Vlerësohet se kreditimi ka qenë faktor shumë i rëndësishëm në mbështetjen e kërkesës në tregun e pasurive të paluajtshme. Por, nga ana tjetër, kjo ka rritur edhe ekspozimin e sektorit bankar kundrejt ecurisë së tregut të pasurive të paluajtshme.

    Në shumicën dërrmuese të rasteve, kreditë për pasuri të paluajtshme janë të siguruara me prona të lëna si kolateral në favor të bankave (në rastin më të zakonshëm, vetë prona e blerë me kredi).

    Një krizë e mundshme në tregun e pasurive të paluajtshme do të ulte vlerën e kolateralit dhe do të ekspozonte bankat ndaj rreziqeve për humbje nga kreditë.

    Sipas të dhënave më të fundit, të mesit të vitit 2024, kreditë me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme zinin 45% të tepricës së kredisë, ose rreth 61% të kredisë së kolateralizuar.

    Burimi: Banka e Shqipërisë

    Bankat po joshen përsëri nga kredia për biznesin e madh

    Huadhënia për pasuritë e paluajtshme duket të jetë segmenti më aktiv i huadhënies, por nga ana tjetër, një tregues i faktit se sektori bankar po shfaq oreks në rritje për rrezik është rritja e financimeve në segmentin e korporatave.

    Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia për biznesin e madh në fund të vitit 2024 arriti vlerën e 252.2 miliardë lekëve, në rritje me 23.1% krahasuar me një vit më parë.

    Kjo normë rritje është dukshëm më e lartë krahasuar me rritjen mesatare të portofolit të kredisë për ekonominë (12.3%) dhe me rritjen mesatare të portofolit të biznesit (11.4%).

    Të dhënat e detajuara tregojnë se norma më e lartë e rritjes së kredisë për biznesin e madh regjistrohet në segmentin e kredive afatgjata, që zakonisht kanë si qëllim financimin e projekteve të reja të investimit.

    Kredia afatgjatë në fund të korrikut rezultonte në rritje vjetore me afërsisht 31%.

    Në fund të vitit 2024, kredia për biznesin e madh përbënte 30.7% të kredisë për ekonominë, nga 28% që përbënte një vit më parë. E matur si peshë specifike, në fakt, kredia për biznesin e madh është ende larg niveleve të shënuara një dekadë më parë, kur kredia për biznesin e madh përbënte më shumë se 40% të kredisë për ekonominë.

    Ekspozimet e mëdha në segmentin e korporatave dhanë ndikimin kryesor në krizën e kredive me probleme, që kulmoi në vitin 2015. Edhe për këtë arsye, në dekadën e fundit, bankat janë përpjekur të ulin gradualisht ekspozimet e mëdha, duke vendosur fokus në rritjen e kreditimit në segmentin me pakicë.

    Megjithatë, në dy vitet e fundit po vërehet një tendencë në rritje për të marrë përsipër ekspozime në vlera të mëdha te klientët korporativë.

    Rritja e kredisë për korporatat përfshin edhe ekspozime në vlera mjaft të mëdha te huamarrës të veçantë, që në disa raste po jepen në bashkëpunim mes bankave, duke përdorur instrumentin e kredive sindikale.

    Verën e kaluar, katër banka tregtare shqiptare kanë firmosur me kompaninë Ayen AS Energji kontratën e kredisë më të madhe sindikale në historinë e sektorit bankar shqiptar.

    Raiffeisen Bank (banka udhëheqëse e sindikatës), Banka OTP Albania, Banka Intesa Sanpaolo Shqipëri dhe Tirana Bank ranë dakord të disbursojnë një kredi në vlerën e 110 milionë eurove në favor të kompanisë koncesionare të sektorit energjetik.

    Qëllimi i kredisë do të jetë rifinancimi i një kredie ekzistuese që kompania në fjalë ka marrë nga banka turke Türkiye İş Bankasi (İş Bank).

    Banka Intesa Sanpaolo gjithashtu ka vendosur të financojë e vetme një kredi prej 26 milionë eurosh për grupin BALFIN, me qëllim ndërtimin e MGallery Hotel në Palasë.

    Projekti do të mbështetet megjithatë edhe nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që ka marrë përsipër ndarjen e riskut me bankën huadhënëse, deri në 50% të shumës së investimit.

    Në fund të 2023, Banka Amerikane e Investimeve, Tirana Bank dhe Union Bank miratuan një linjë kredie të përbashkët me shoqërinë Dragobia Energy, në pronësi të Gener 2, subjekti kontraktor për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.

    Kredia kishte fillimisht vlerën e 26 milionë eurove, ndërsa në mars të këtij viti palët nënshkruan edhe një shtesë prej 4 milionë eurosh në kontratën e huasë. Dragobia Energy do t’i përdorë fondet e kredisë si borxh për aksionerin e vet, me qëllim financimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.

    Në vitin 2021, Intesa Sanpaolo Bank Albania, OTP Albania dhe Tirana Bank financuan me një kredi të përbashkët prej 26 milionë eurosh shoqërinë koncesionare “Orikum-Llogara”.

    Edhe në rastin kur kreditë shërbejnë për të financuar projekte të Partneritetit Publik-Privat (PPP-ve), qeveria shqiptare nuk ofron garanci sovrane, ndaj bankat duhet ta marrë vetë përsipër rrezikun e kredisë.

    Tregtia ngelet sektori më i kredituar, rriten pasuritë e paluajtshme

    Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, kredia e re për biznesin u rrit me 24% vitin e kaluar dhe arriti në 269 miliardë lekë.

    Tregtia mbetet dominuese në strukturën e kredisë për ekonominë, me 35.6% të volumit total të disbursimeve të reja. Megjithatë, pesha e tregtisë në portofolin e kredisë për biznesin ka rënë nga niveli prej 37.2% i një viti më parë.

    Në vlerë, kredia e re për tregtinë në 2024 arriti në 95.6 miliardë lekë, në rritje me 19.5% krahasuar me vitin 2023.

    Megjithëse kërkesa e brendshme ka shfaqur sinjale dobësie, edhe për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve pas vitit 2022, shtimi i numrit të turistëve të huaj duket se e ka kompensuar pjesërisht këtë efekt.

    Sektori i dytë më i kredituar i ekonomisë edhe vitin e kaluar ishte ndërtimi, me një vlerë kredie të re prej 46.9 miliardë lekësh, 18.5% më shumë krahasuar me vitin 2023.

    Megjithatë, për shkak se rritja ishte më e ulët se mesatarja e kredisë, pesha specifike e huasë së re për ndërtimin ra në 17.5%, nga 18.2% që kishte qenë një vit më parë.

    Kredia për ndërtimin po përjeton një cikël të ri rritjeje, i nxitur nga zhvillimet në sektorin e pasurive të paluajtshme, sidomos në kryeqytet dhe bregdet.

    Rritja e çmimeve të pronave në vitet e fundit ka nxitur edhe sektorin bankar të mbështesë investimet në këtë sektor, megjithëse një pjesë e portofolit mund të jetë e lidhur edhe me kredinë për firmat kontraktore të investimeve në infrastrukturë.

    Sektori i tretë më i kredituar i ekonomisë ishte industria përpunuese, me 27.7 miliardë lekë, 12% më shumë krahasuar me një vit më parë.

    Edhe për industrinë, pesha specifike ndaj kredisë totale për biznesin zbriti në 10.3%, nga 11.4% një vit më parë.

    Rritje të lartë të kreditimit vitin e kaluar shënoi veçanërisht sektori energjetik.

    Portofoli i kredisë në këtë sektor arriti në 24.3 miliardë lekë, në rritje me 106% krahasuar me 2023. Kjo solli edhe një rritje të ndjeshme të peshës në strukturën e financimeve të reja për bizneset, në 9.1%, nga 5.5% një vit më parë.

    Sektori i transportit dhe magazinimit shënoi përsëri rritje të peshës në kredinë për biznes dhe arriti në 5% të financimeve të reja, nga 4.8% që kishte qenë një vit më parë. Financimet e reja në këtë sektor arritën në 13.5 miliardë lekë, 30% më shumë krahasuar me një vit më parë.

    Peshë në rritje edhe për vitin e kaluar fitoi sektori i hotelerisë, duke reflektuar kërkesën e lartë për investime të reja në këtë sektor. Kredia e re arriti në 12.9 miliardë lekë, në rritje vjetore me 26.5%. Pesha në strukturën e kredisë për biznes u rrit në 4.8%, nga 4.7% një vit më parë.

    Sektori i bujqësisë edhe vitin e kaluar shënoi kreditim në vlera modeste, me 2.7 miliardë lekë në total, vlerë kjo pothuajse e njëjtë me një vit më parë. Bujqësia ngelet dukshëm e nënkredituar, pavarësisht aplikimit të skemave të ndryshme të lehtësimit të financimit.

    Sipas ekspertëve të bankave tregtare, problemet më të mëdha me kreditimin e bujqësisë lidhen me mungesën e garancive dhe kolateraleve për huatë, mungesën e informacionit, njohurive teknike dhe aftësive menaxheriale të fermerëve, fragmentimi i lartë i tokës (fermat e vogla) e si pasojë, mungesa e ekonomive të shkallës dhe mungesa e kooperimit mes fermerëve për të siguruar kontrata të mëdha porosie, shfrytëzimit të përbashkët të magazinave, etj.

    Nga ana tjetër, sipas drejtuesve të institucioneve financiare, pakësimi i popullsisë në zonat rurale dhe vështirësitë e prodhimit bujqësor vendas për të qenë konkurrues duket se kanë tkurrur edhe kërkesën për kredi në sektorin e bujqësisë.

    Burimi: Banka e Shqipërisë

    Raporti i kredive me probleme ra për të tetin vit radhazi

    Raporti i kredive me probleme ra për të tetin vit radhazi në 2024. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme zbriti në 4.17%, nga 4.74% një vit më parë. Ky tregues ka arritur nivelin më të ulët që prej shtatorit të vitit 2008.

    Zmadhimi i portofolit total të kredisë ka pasur një rol të rëndësishëm në uljen e raportit të kredive me probleme vitin e kaluar. Portofoli i kredisë për ekonominë në fund të vitit 2024 shënoi rritjen më të lartë në 16 vitet e fundit.

    Ekonomia shqiptare vitin e kaluar u karakterizua nga ritme relativisht të larta të rritjes, e mbështetur sidomos nga ecuria e mirë e sektorëve të lidhur me turizmin dhe pasuritë e paluajtshme.

    Vitin e kaluar, raporti i kredive me probleme ka pësuar rënie të lehtë edhe në vlerë absolute.

    Totali i kredive me probleme në fund të 2024 vlerësohet në afërsisht 34.8 miliardë lekë, nga rreth 35.3 miliardë lekë një vit më parë. Në vlerë absolute, kreditë e këqija kanë rënë me afërsisht 0.5 miliard lekë, ose 1.4% krahasuar me një vit më parë.

    Edhe viti 2024 solli vazhdimësi të tendencës disavjeçare rënëse të raportit të kredive me probleme, por megjithatë, rritja e shpejtë e kredisë, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, ka ngjallur shqetësim te Banka e Shqipërisë.

    Vitin e kaluar, portofoli i kredisë për pasuri të paluajtshme të individëve dhe bizneseve u rrit përkatësisht me 15.5% dhe 17.4%.

    Të marra së bashku, këto portofola përbëjnë afërsisht gjysmën e vlerës totale të kredisë së dhënë nga sektori bankar vend.

    Burimi: Banka e Shqipërisë, sipas standardeve lokale

    Banka e Shqipërisë shton më shumë kërkesat për kapital

    Pikërisht për shkak të rritjes së shpejtë të kredisë për pasuri të paluajtshme, Banka e Shqipërisë aplikoi për herë të parë vitin e kaluar një shtesë të posaçme në kërkesat për kapital ndaj sektorit bankar. Shtesa kundërciklike e kapitalit u vendos për herë të parë në qershor, në masën 0.25% dhe u rrit në dhjetor, në nivelin 0.5%.

    Aplikimi i një shtese kundërciklike të kapitalit është i parashikuar në rregulloren e vitit 2018 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”.

    Një shtesë e tillë ka si qëllim ngadalësimin e kreditimit, në rast se Banka Qendrore vlerëson se po ndodh një rritje me ritme tepër të shpejta.

    Në analizën e Bankës së Shqipërisë, prej disa tremujorësh, ekonomia shqiptare po përjeton një cikël financiar pozitiv të mbështetur mbi rritjen e përshpejtuar të kredisë bankare dhe periudha të tilla shoqërohen me nivele të mira të performancës financiare për agjentët e ekonomisë reale dhe për sistemin financiar.

    Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, këto periudha shoqërohen edhe me fillimin e rreziqeve të caktuara, që mund të lidhen me rënie të standardeve të kreditimit, rritjen e niveleve të përqendrimit të saj në sektorë apo tregje të caktuara, rritjen e niveleve të borxhit për agjentët e ekonomisë reale përtej niveleve të shëndetshme.

    Këto situata, nëse lejohet të zhvillohen, mund ta bëjnë ekonominë dhe sistemin financiar më të ndjeshëm ndaj goditjeve të ndryshme, duke cenuar kështu stabilitetin financiar.

    Për këto arsye, në këto raste sugjerohet përdorimi i instrumenteve makroprudenciale që veprojnë në mënyrë kundërciklike dhe parandalojnë zhvillimin e pakontrolluar të këtyre rreziqeve.

    Për bankat, kapitalizimi është i lartë…ndoshta tepër

    Kapitalizimi i sektorit bankar u rrit më tej vitin e kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të vitit 2024 arriti në 19.82%, nga 19.42% në fund të vitit 2023.

    Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut.

    Vlera e kapitalit rregullator të sektorit bankar në fund të vitit 2024 arriti në 207.2 miliardë lekë, në rritje me 10.7% krahasuar me një vit më parë. Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar në pjesën dërrmuese është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksioner, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara.

    Faktori me ndikimin kryesor në rritjen e kapitalit rregullator të sektorit ka qenë rezultati i lartë financiar i vitit 2024.

    Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2024, fitimi neto i sektorit bankar me standardet lokale arriti në 37.4 miliardë lekë, në rritje me 15% krahasuar me vitin 2022.

    Nga ana tjetër, vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku në fund të vitit 2024 arriti në 1045 miliardë lekë, me 8.5% me bazë vjetore.

    Grupi kryesor i aktiveve me rrezik në bilancet e bankave janë kreditë për sektorin privat. Rritja e aktiveve me rrezik gjatë vitit të kaluar i detyrohet kryesisht rritjes së kreditimit të ekonomisë.

    Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar në Shqipëri ndodhet pranë niveleve më të larta historike. Rritja e këtij treguesi gjatë viteve të fundit ka ardhur sidomos për shkak të rritjes së fortë të kërkesave minimale rregullatore nga Banka e Shqipërisë.

    Kërkesat për një kapitalizim më të lartë të bankave janë në linjë me masat e marra nga institucionet mbikëqyrëse homologe në Europë pas krizës financiare dhe synojnë të rrisin rezistencën e bankave tregtare kundrejt rreziqeve të mundshme në të ardhmen.

    Pragu minimal i kërkuar është 12%, ndërsa për banka të veçanta, kërkesa gjatë dekadës së fundit ka qenë edhe më e lartë. Me hyrjen në fuqi të shtesave makroprudenciale të kapitalit, nivelet minimale të kërkuara të kapitalizimit janë rritur edhe më shumë.

    Duke shtuar edhe shtesën konservuese të kapitalit, prej 2.5%, raporti total i mjaftueshmërisë së kapitalit arrin në 14.5%.

    Ndërsa duke llogaritur edhe shtesat kundërciklike të miratuara deri tani nga Banka e Shqipërisë, deri në fund të vitit 2025, raporti minimal i mjaftueshmërisë së kapitalit për të gjitha bankat do të arrijë në 15%.

    Ndërkohë, kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të klasifikuara me rëndësi sistemike.

    Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Credins, Banka Raiffeisen dhe Banka OTP Albania kanë shtesa të tjera në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit, në masën midis 0.5% dhe 1.5%.

    Bankat me rëndësi sistemike dhe Banka Intesa Sanpaolo Shqipëri që nga 1 janari 2024 duhet të plotësojnë edhe shtesën e parë të kërkuar të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit që lidhet me kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL).

    Rritja e kërkesave për kapital i bën bankat më të sigurta ndaj humbjeve të mundshme në të ardhmen. Por, nga ana tjetër, nivelet e larta dhe në rritje të mjaftueshmërisë së kapitalit në parim ndikojnë në uljen e rentabilitetit dhe në rritjen e kostove që i përcillen publikut.

    Sot sektori bankar për çdo 100 lekë kredi të dhënë ka afërsisht 20 lekë kapitale të vetat. Nevoja për rritje të kapitalit dikton marzhe dhe kosto fikse më të larta për huamarrësit dhe publikun shqiptar në përgjithësi.

    Sektori bankar ka kërkuar me këmbëngulje prej vitesh që së paku kërkesat shtesë për kapital të aplikohen sipër një pragu minimal prej 8%, siç ndodh në Eurozonë.

    Por, sipas Bankës së Shqipërisë, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm pas certifikimit të ekuivalencës së mbikëqyrjes bankare në Shqipëri.

    Burimi: Banka e Shqipërisë, sipas standardeve lokale

    Depozitat u rritën me 5.7%

    Depozitat në sektorin bankar shqiptar u rritën për të gjashtin vit radhazi në 2023. Statistikat e Shoqatës së Bankave tregojnë se në fund të vitit të kaluar, vlera totale e depozitave arriti në 1.74 trilionë lekë, në rritje me 5.7% krahasuar me një vit më parë.

    Rritja e depozitave ishte pak më e lartë se niveli prej 5.4% i një viti më parë, pavarësisht efektit të fortë negativ të kursit të këmbimit mbi depozitat në valutë të huaj.

    Të dhënat sipas IFRS nuk japin informacion më të detajuar për strukturën e rritjes së depozitave.

    Megjithatë, po t’u referohemi statistikave paralele të Bankës së Shqipërisë, rritja e depozitave të sektorit në 2024 ishte pak më e ulët, me 4.9%.

    Në segmentin e individëve, rritja shënoi nivelin 5.9%, ndërsa për bizneset, rritja ishte ndjeshëm më e ulët, me 1.1% krahasuar me një vit më parë.

    Të ndara sipas valutave, rritja ishte pak më e lartë për Lekun, me 7.2% krahasuar me një vit më parë, depozitat në valutë të huaj (të raportuara në Lek) shënuan rritje më të ngadaltë, me 3.4%.

    Kjo rritje është sidoqoftë e tkurrur ndjeshëm nga efekti negativ i kursit të këmbimit.

    Nëse shohim statistikat për depozitat në Euro (të raportuara pa u konvertuar në Lek), rritja e tyre gjatë vitit 2024 arriti në 10.2%.

    Pavarësisht se, e zhveshur nga efekti i kursit të këmbimit, rritja e depozitave në Euro ishte më e lartë, kjo rritje u ngadalësua nga niveli prej afërsisht 16% i një viti më parë.

    Ndërkohë, rritja e depozitave në Lek ishte pothuajse dy herë më e lartë se në vitin 2023.

    Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

    Numri i degëve, me rritjen më të lartë në 16 vjet

    Pavarësisht rritjes së peshës së operacioneve në kanalet dixhitale, bankat tregtare i janë kthyer edhe zgjerimit të rrjeteve të tyre të pranisë fizike. Vitin e kaluar, numri i degëve të sektorit bankar iu kthye rritjes.

    Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të vitit 2024, bankat raportuan 405 degë, nga 385 që kishte qenë numri i tyre në fund të vitit 2023. Pas një rritjeje të vogël në vitin 2021, viti 2024 shënoi edhe rritjen më të madhe të numrit të degëve të bankave që prej vitit 2008.

    Në vitet e fundit, disa prej bankave të sektorit kanë nisur një cikël të zgjerimit të degëve, që lidhet me strategjitë e tyre të rritjes, veçanërisht në segmentin retail.

    Kontributin kryesor në rritjen e numrit të degëve në vitin 2024 e kanë dhënë Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), me 16 degë të reja dhe Banka Amerikane e Investimeve, me 6 degë.

    Pas marrjes së kontrollit nga grupi i sigurimeve Eurosig, banka më e vogël e sistemit, UBA, nisi një strategji të zgjerimit të shpejtë të rrjetit, me qëllim për të rritur pjesën e saj në treg.

    Ndërkohë, ABI Bank, që historikisht ka qenë e orientuar kryesisht në segmentin e biznesit, po tenton të rritet edhe në produktet retail, me interes të veçantë sidomos te depozitat.

    Në përgjithësi, rritja e numrit të degëve është e lidhur me momentin pozitiv të sektorit bankar në periudhën pas pandemisë.

    Performanca e mirë financiare e sektorit bankar në vitet e fundit ka nxitur banka të veçanta të investojnë edhe në zgjerimin e rrjetit të degëve, si pjesë e strategjisë së tyre të ekspansionit.

    Numri i degëve dhe agjencive bankare në Shqipëri shënoi nivelin më të lartë në vitin 2012, me 556 degë dhe agjenci. Nga ai moment, numri i njësive bankare të shërbimit nisi të pakësohet, edhe për faktin e thjeshtë se sektori bankar nuk ishte më në fazë ekspansioni.

    Efektet e krizës dhe nevoja për një kontroll më rigoroz të shpenzimeve bëri që shumica e bankave të frenonin zgjerimin e rrjetit dhe të mbyllnin një pjesë të degëve ekzistuese.

    Procesi u theksua më shumë pas vitit 2015, nga procesi i konsolidimit të sektorit bankar dhe ulja e numrit të bankave tregtare.

    Numri i bankave tregtare ra nga 16 në 11 dhe si rezultat i bashkimeve mes bankave ekzistuese, një pjesë e mirë e degëve të bankave të përthithura u mbyllën.

    Një faktor tjetër me ndikim të rëndësishëm në lidhje me numrin e degëve të bankave është edhe dixhitalizimi dhe automatizimi i ofrimit të shërbimeve dhe produkteve bankare.

    Sot, pjesa më e madhe e shërbimeve bankare mund të ofrohen nëpërmjet kanaleve dixhitale dhe kjo e ka ulur nevojën për praninë fizike të degëve dhe të stafit. Pavarësisht kësaj, për arsye të lidhura me konkurrencën, disa prej bankave po e zgjerojnë rrjetin e tyre.

    Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

    Rritet punësimi dhe pagat

    Punësimi në sektorin bankar arriti numrin më të lartë historik vitin e kaluar. Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në fund të vitit 2024, bankat tregtare në vend raportuan 7154 të punësuar, në rritje me 1.9% krahasuar me një vit më parë.

    Punësimi në sektorin bankar është rritur për të pestin vit radhazi. Që në vitin 2023, numri i të punësuarve në banka e kishte kaluar nivelin e vitit 2016. Në atë periudhë, nisi cikli i shitblerjeve dhe i bashkimeve mes bankave tregtare, që solli shkurtimin e rreth 300 vendeve të punës gjatë tre viteve në vazhdim.

    Përqendrimi solli dublime të pozicioneve të punës, por edhe të rrjetit të degëve, duke çuar në mënyrë të pashmangshme shkurtime të stafit. Por, pasi konsolidimi i sektorit bankar e kaloi fazën kryesore, punësimi në sektorin bankar iu kthye rritjes, duke filluar nga viti 2020.

    Megjithëse numri i bankave është ulur pas vitit 2018 dhe tashmë ka zbritur në 11, bankat që kanë dalë nga procesi i konsolidimit duken më konkurruese dhe me një fokus më të madh në zgjerimin e aktivitetit.

    Rritja e dixhitalizimit po sjell më pak nevojë për punonjës në degë, por ajo po kompensohet nga zgjerimi i stafeve të lidhura me shërbimet që mbështeten te teknologjia, si dhe rritja e punësimit në pozicionet administrative, duke ndjekur edhe një cikël të natyrshëm të rritjes së biznesit.

    Gjithashtu, rritja e aktivitetit, performanca e mirë financiare dhe rezultatet fitimprurëse po mbështesin zgjerimin e vazhdueshëm të punësimit.

    Rritja e punësimit, së bashku me presionet e tregut për rritjen e pagave, sollën edhe rritjen e mëtejshme të shpenzimeve për personelin. Sipas të dhënave paralele të publikuara nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2024, shpenzimet e bankave tregtare për personelin arritën në afërsisht 17.8 miliardë lekë, në rritje me 13.3% krahasuar me një vit më parë.

    Paga mesatare në sektorin financiar u rrit me pothuajse 12% në fund të vitit të kaluar.

    Sipas të dhënave nga INSTAT, paga mesatare bruto në grupin aktiviteteve financiare dhe të sigurimit arriti në 166,223 lekë në muaj, në rritje me 12% krahasuar me një vit më parë.

    Tendencat më afatgjata dëshmojnë një rritje me ritme të shpejta të pagës mesatare në sektorin financiar. Që nga fundi i vitit 2020, paga mesatare mujore bruto në këtë sektor është rritur me pothuajse 42%.

    Sidomos në tre vitet e fundit, ekonomia shqiptare është përballur me vështirësi për të siguruar forcë pune të specializuar dhe rrjedhimisht me rritje të kostos së punës.

    Tendenca mund të shpjegohet me tendencat negative demografike, konkurrencën në rritje nga tregu i punës në Europë dhe emigracionin e lartë mes të rinjve, përfshi ata të arsimuar.

    Edhe sektori financiar është përballur me një trysni në rritje nga tregu i punës, sidomos në pozicionet e nivelit të ulët dhe të mesëm. Lëvizjet e mëdha të stafit në këto pozicione kanë diktuar nevojën për të rishikuar pagat. Trysnia u nxit edhe më shumë nga rritja e fortë e inflacionit, në vitin 2022.

    Euroizimi i kredisë dhe depozitave pësoi rënie

    Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2024, kredia në valutë të huaj përbënte 45.3% të portofolit total të sektorit bankar. Krahasuar me një vit më parë, pesha e kredisë në valutë të huaj ka rënë me pothuajse dy pikë përqindje.

    Gjatë kësaj periudhe, kreditë në valutë shënuan rritje, por rritja në tepricën e përgjithshme të kredisë ishte disi më e lartë si pasojë e rritjes më të shpejtë të kredisë në Lek.

    Treguesi i kredive në valutë në raport me totalin e kredive ka shënuar rënie për 9 nga 11 banka të sektorit. Krahasuar me fundin e dhjetorit 2016, ky tregues është ulur për 10 nga 11 bankat e sistemit.

    Nga ana tjetër, teprica e kredive në valutë të pambrojtura nga kursi i këmbimit (ku kreditë në Euro zënë rreth 93%) ka shënuar rënie të mëtejshme të peshës së saj ndaj totalit të kredive në valutë. Në fund të dhjetorit 2024, këto kredi shënuan 22.83% të kredive në valutë, ose 10.7% të totalit të kredisë.

    Në terma absolutë vërehet një rënie me 5.95% dhe 11% e kredive të pambrojtura ndaj kursit të këmbimit krahasuar përkatësisht me fundin e gjashtëmujorit të mëparshëm dhe me një vit më parë.

    Kjo rënie e ndjeshme dhe e shpejtë reflekton gjithashtu disa ndryshime strukturore në klasifikim nga një numër i vogël bankash.

    Kreditë e ekspozuara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, domethënë rastet kur të ardhurat e subjektit huamarrës janë në monedhë të ndryshme nga monedha e dhënies së kredisë, janë ato me profilin më të lartë të rrezikut.

    Për këtë arsye, ky tregues mbart një rëndësi të veçantë në monitorimin e masave të uljes së euroizimit.

    Në fund të vitit 2024, treguesi që mat peshën e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave shënoi nivelin 52.1%. Niveli i raportit u ul me 2.2 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

    Sipas Bankës së Shqipërisë, niveli aktual i depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave mbetet mbi pragun e synuar prej 30%, por tendenca e përgjithshme tregon ngadalësimin e përdorimit të valutës në kursime.

    Rezulton se 9 nga 11 bankat që operojnë në sistemin bankar regjistrojnë një vlerë të këtij treguesi mbi 50%, e cila potencialisht i bën ato subjekt të normës së rezervës së detyrueshme prej 20%.

    Në analizën periodike të ecurisë së treguesve, që janë objekt i strategjisë së deeuroizimit, Banka e Shqipërisë vlerëson se ecuria e treguesve që monitorohen për të vlerësuar efektet e masave të deeuroizimit ka qenë përgjithësisht në përputhje me objektivat e synuar.

    Megjithatë, ndryshimet strukturore në ekonomi gjatë viteve të fundit, ku veçohet rritja e fortë e të ardhurave nga turizmi, janë shoqëruar me ndryshime të politikave ekonomike dhe monetare, si dhe të sjelljes së agjentëve të ekonomisë reale.

    Për këto arsye, Banka e Shqipërisë vlerëson se dallimi i efekteve që lidhen ngushtë me masat e deeuroizimit, mbetet një proces i vështirë.

    Banka Qendrore vlerëson se këto masa ruajnë efektin frenues në ecurinë e euroizimit dhe në mungesë të tyre, madhësia e lëvizjes së ndonjërit prej treguesve, apo edhe kahu i saj, do të ishte i ndryshëm.

    Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë nënshkroi një memorandum me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, me qëllim zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare.

    Deri tani, vetëm Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa rregullatore konkrete, që tentojnë të rrisin përdorimin e monedhës vendase në sektorin bankar.

    Këto masa tentojnë të rrisin kostot e ndërmjetësimit financiar në valutë dhe paralelisht t’i ulin ato për Lekun.

    Ekuivalenca e mbikëqyrjes mund të “gjallërojë” bankat e BE-së

    Banka e Shqipërisë ka nisur në fund të vitit të kaluar procesin e vlerësimit të ekuivalencës së mbikëqyrjes me Bashkimin Europian (BE).

    Ky proces kryhet nga Autoriteti Bankar Europian dhe ka si qëllim të certifikojë që kuadri i mbikëqyrjes bankare në Shqipëri është i barasvlefshëm me atë të BE-së.

    Që pas krizës financiare që nisi në vitin 2008, autoritetet rregullatore të Bashkimit Europian nisën një shtrëngim të kuadrit rregullator për bankat dhe veçanërisht adoptoi një qasje më konservatore në vlerësimin e aktiveve që këto grupe bankare kishin jashtë Eurozonës.

    Vlerësimi i aktiveve jashtë Eurozonës me koeficientë më të lartë rreziku u përkthye në kërkesa më të larta kapitalizimi për grupet dhe ishte një ndër faktorët përcaktues që solli largimin e disa prej grupeve të rëndësishme bankare europiane prej shumë tregjeve të Europës Lindore.

    Një tendencë e tillë e largimit të grupeve bankare europiane preku pjesërisht edhe tregun shqiptar.

    Kuadri rregullator parashikon që aktivet e grupeve bankare të BE-së në vendet jashtë hapësirës komunitare do të trajtohen në këtë mënyrë, deri në momentin kur për secilin treg të jetë certifikuar ekuivalenca e plotë e mbikëqyrjes me kuadrin e BE-së.

    Për rrjedhojë, njohja dhe ekuivalentimi i kuadrit rregullator mbikëqyrës siguron avantazhe të përbashkëta jo vetëm për institucionet bankare e financiare që veprojnë në BE, por edhe për institucionet bankare e financiare në vende të tjera jashtë saj.

    Për Shqipërinë, procesi i certifikimit nisi vetëm në fund të vitit të kaluar, megjithëse që prej vitit 2022, Banka e Shqipërisë e ka kërkuar një gjë të tillë pranë Komisionit Europian.

    Megjithatë, në vitin 2021, Banka e Shqipërisë ka kryer një vlerësim të pavarur të ekuivalencës së kuadrit mbikëqyrës dhe rregullator, sipas metodologjisë së publikuar nga Autoriteti Bankar Europian (EBA).

    Me asistencën teknike të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe PricewaterhouseCooper (PwC), u krye një vlerësim i pavarur i kuadrit mbikëqyrës aktual nën një qasje gjithëpërfshirëse, duke u mbështetur në metodologjinë dhe pyetësorin e hartuar nga EBA për këtë qëllim.

    Kjo analizë doli në përfundimin se kuadri rregullator e procedural, si dhe praktikat mbikëqyrëse janë në një nivel të lartë, ekuivalente (pranë nivelit 85%) dhe të përafruara me standardet e aplikueshme në vendet e BE-së.

    Ky përafrim vlerësohet veçanërisht i lartë në drejtim të kërkesave për kapital, teknikave të zbutjes të aplikuara, ekspozimeve të mëdha, të likuiditetit, levës financiare, të mbikëqyrjes makroprudenciale, sekretit profesional dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

    Certifikimi i ekuivalencës së mbikëqyrjes në teori mund ta bëjë më tërheqës tregun shqiptar për investime të reja nga grupet bankare të Eurozonës, por mund të ndikojë pozitivisht edhe strategjitë e biznesit të grupeve bankare ekzistuese në treg.

    FMN kërkon kujdes me kredinë te huamarrësit e mëdhenj

    Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kërkoi në fillim të këtij viti nga sektori bankar shqiptar një kujdes më të madh lidhur me ekspozimet te huamarrësit e mëdhenj. Në raportin e muajit janar për Shqipërinë, stafi i FMN-së e ilustronte këtë shqetësim me rezultatet e provave të rezistencës (stres-testeve).

    Sipas FMN-së, një bankë tregtare në vend nuk do të përmbushte kërkesat minimale të kapitalit rregullator, në skenarin e falimentimit të huamarrësit më të madh të çdo banke.

    Në një skenar më të rënduar, që mbështetet në supozimin e falimentimit të dy huamarrësve më të mëdhenj, disa prej bankave të sektorit do të binin poshtë nivelit minimal të kërkuar të kapitalit rregullator.

    Rritja e kredisë për korporatat përfshin edhe ekspozime në vlera mjaft të mëdha te huamarrës të veçantë, që në disa raste po jepen në bashkëpunim mes bankave, duke përdorur instrumentin e kredive sindikale.

    Në të njëjtën linjë, FMN nënvizon edhe nevojën për më shumë kujdes të lidhur me ekspozimin e lartë në financimin e borxhit publik të vendit, ekspozim që në rrethana të caktuara mund të sjellë rreziqe të shtuara të likuiditetit.

    Sektori bankar në Shqipëri është ndër të parët në Europë për shkallën e zotërimit të letrave me vlerë të qeverisë.

    Një skenar i tillë krijon rreziqe për likuiditetin, veçanërisht në kushtet e mungesës së një tregu dytësor të zhvilluar.

    Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të nëntorit 2024, investimi në letrat me vlerë të qeverisë shqiptare përbënte më shumë se 27% të aktiveve totale të sektorit bankar në vend.

    Provat e rezistencës tregojnë se aftësia e bankave për të gjeneruar likuiditet të mjaftueshëm varet nga aksesi në instrumentet e likuiditetit të Bankës së Shqipërisë.

    Në pamundësi për të përdorur të tilla instrumente (për shembull, në skenarin kur banka përballet njëkohësisht me probleme të likuiditetit dhe aftësisë paguese), disa banka do të rezultonin me mungesa të konsiderueshme likuiditeti.

    FMN gjithashtu ka përsëritur edhe një herë shqetësimin në lidhje me rritjen e shpejtë të kredisë për pasuri të paluajtshme, i shprehur në disa raste që vitin e kaluar.

    Sipas FMN-së, rritja e shpejtë e kreditimit të bankave për sektorin e pasurive të paluajtshme, që përbën edhe dy të tretat e kredisë së ekspozuar ndaj lëvizjeve të kursit të këmbimit, paraqet rreziqe për stabilitetin financiar të vendit.

    Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë ka reaguar vitin e kaluar duke aplikuar shtesën kundërciklike të kapitalit për bankat tregtare.

    Megjithatë, FMN rekomandon edhe aplikimin e kërkesave shtesë të administrimit të rrezikut, si vendosjen e disa nivele maksimale të lejuara për raportin mes kredisë dhe vlerës së pronës që financohet, si edhe të një raporti maksimal të shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave të huamarrësve (DTI).

  • Kredia e institucioneve të mikrofinancës u rrit me ritme dyshifrore edhe në 2024

    Kredia e institucioneve të mikrofinancës u rrit me ritme dyshifrore edhe në 2024

    Kredia e dhënë nga institucionet financiare jobanka u rrit përsëri me ritme dyshifrore vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i huasë i institucioneve financiare jobanka në fund të vitit 2024 arriti në 61.5 miliardë lekë ose pothuajse 627 milionë euro.Portofoli i kredisë i dhënë nga këto institucione është rritur me 10.3% krahasuar me një vit më parë.Në pjesën dërrmuese, portofoli kredisë së institucioneve financiare jobanka u takon institucioneve financiare jobanka të kredidhënies dhe të mikrofinancës. Kredia e dhënë nga mikrofinanca përbën rreth 6.9% të portofolit të total të kredisë për ekonominë shqiptare.Kredia e institucioneve financiare jobanka jepet kryesisht në monedhën vendase dhe kjo ka bërë që efekti i forcimit të Lekut në kursin e këmbimit të jetë më i vogël krahasuar me sektorin bankar. Në fund të vitit 2024, kredia në Lekë përbënte rreth 70% të vlerës totale të portofolit të kredisë.Mikrofinanca në Shqipëri përmbush kryesisht nevojat konsumatore të individëve dhe aktivitetin e bizneseve të vogla dhe mikro. Ajo ka si objektiv kryesisht atë segment që ka vështirësi për të siguruar akses për financim nga sektori bankar, duke përfshirë subjektet me të ardhura më pak të formalizuara dhe fermerët.Institucionet e mikrofinancës kanë kosto më të larta të fondeve, marrin përsipër rreziqe më të mëdha dhe japin kredi në vlera mesatarisht të vogla. Të gjithë këta faktorë përcaktojnë një çmim më të lartë të kredisë.Megjithatë, rritja e kreditimit nga sektori financiar jobankar dhe veçanërisht nga segmeti i produkteve të mikrofinancës mund të ndikohet nga masat e reja rregullatore që ka miratuar Banka e Shqipërisë dhe që kanë hyrë në fuqi këtë vit. Këto ndryshime do të prekin kryesisht atë segment të tregut që është rritur me ritme më të larta vitet e fundit, mikrokredinë konsumatore.Mbështetur në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”, që ka hyrë në fuqi në fillim të 2025, pritet një shtrëngim në hapësirat kredituese të institucioneve financiare jobanka.Një institucion financiar jobankë nuk do të lejohet të japë në të njëjtën kohë më shumë se dy kredi konsumatore për të njëjtin huamarrës. Gjithashtu, është përcaktuar edhe një nivel tavan në raportin e shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave (DSTI), që do të llogaritet si vlera e totalit të kësteve mujore të kredive ekzistuese, duke përfshirë edhe kredinë për të cilën po aplikohet, të pjesëtuar me të ardhurat neto të të gjithë bashkëkredimarrësve.Vlera e raportit të shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave nuk duhet të tejkalojë vlerën prej 60%. Kjo vlerë mund të jetë më e lartë vetëm në rastet kur kredimarrësi ka evidenca të mjaftueshme dhe të provuara se niveli më i lartë i raportit DSTI nuk cënon shpenzimet e zakonshme të jetesës dhe rrjedhimisht pagesën e detyrimeve të kredisë.Rregullorja e re gjithashtu përcakton se institucioni financiar, përpara se të lidhë një kontratë kredie dhe gjatë procesit të monitorimit të kredisë në kohëzgjatjen e saj, duhet të vlerësojë aftësinë paguese dhe profilin e rrezikut të kredimarrësit, bazuar në të dhëna të mjaftueshme, të sakta dhe të përditësuara./ E.ShehuBurimi: BSHKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.