Tag: krastë

  • Punëtori humb krahun në fabrikën e kromit në Krastë, procedohet administratori

    Punëtori humb krahun në fabrikën e kromit në Krastë, procedohet administratori

    Një punëtor i fabrikës së pasurimit të kromit në Krastë të Dibrës humbi krahun pas një aksidenti të rëndë në punë. Policia njoftoi procedim penal për administratorin e kompanisë.
    Një aksident i rëndë u shënua këtë të enjte në Fabrikën e Pasurimit të Kromit në zonën e re në Krastë, ku punëtori 27-vjeçar, identifikuar si Ismail Kola, humbi krahun gjatë punës. Ai ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.
    Policia e Dibrës njoftoi se për këtë ngjarje kishte proceduar penalisht administratorin e subjektit. “Specialistët për Hetimin e Krimeve referuan materialet në Prokurori, në ngarkim të shtetasit B.L., 64 vjeç, banues në Burrel, me detyrë administrator i fabrikës së pasurimit të kromit në Bulqizë, pasi gjatë punës është aksidentuar shtetasi I.K., 27 vjeç.”
    Sipas burimeve të BIRN, aksidenti ka ndodhur pasi punëtori i fabrikës ishte tërhequr nga pulexhat (rul transportues) e makinerisë së transportimit të mineralit, çka çoi në dëmtimin e rëndë dhe humbjen e krahut. Mësohet se 27-vjeçari ishte me detyrën e fadromistit. Fabrika ku ndodhi ngjarja kishte rifilluar punën vetëm pak ditë më parë, pas një ndërprerjeje pesëmujore të aktivitetit.
    Ky nuk është rasti i parë kur kjo fabrikë bëhet objekt raportimi nga Policia e Shtetit. Në dhjetor 2021, Policia e Dibrës procedoi penalisht të njëjtin administrator, Bashkim Lala, pasi dyshohej se kishte ndotur mjedisin duke derdhur mbetje dhe ujëra të ndotura nga procesi i pasurimit të kromit në përroin e Batrës, në Martanesh.
    Fabrika e pasurimit të kromit në zonën e re në Krastë ka nisur aktivitetin që në nëntor 2007 dhe operon si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, me pronësi të përbashkët shqiptare dhe të huaj. Objekti i aktivitetit të saj është përpunimi dhe pasurimi i mineralit të kromit, duke përfshirë proceset e ndarjes së mineralit nga materiali inert dhe përgatitjen e tij për treg. Ky subjekt është një nga pikat kryesore të përpunimit të kromit në zonën e Martaneshit, i cili prej dekadash mbetet një nga rajonet me rezerva të konsiderueshme minerare në Shqipëri.
    Ngjarja e fundit vjen në një periudhë me bilanc të rëndë në sektorin minerar. Vetëm gjatë vitit 2025, 5 minatorë kanë humbur jetën në zonën e Bulqizës dhe Klosit. Rasti i fundit ishte një javë më parë kur një 38-vjeçar u aksidentua për vdekje në një nga galeritë e kromit në Bulqizë. Referuar të dhënave zyrtare, sektori i minierave dhe karrierave përbën rreth 18% të aksidenteve të raportuara në punë për vitin 2024, duke e renditur atë ndër më të rrezikshmit në vend. Shumë punëtorë, të aksidentuar në sektorin minerar, kanë mbetur me paaftësi të pjesshme ose të përhershme për të vijuar punën./BIRN

  • Mbante armë zjarri në makinë, arrestohet i riu në rrugën Krastë–Bulqizë

    Mbante armë zjarri në makinë, arrestohet i riu në rrugën Krastë–Bulqizë

    Një 20-vjeçar është arrestuar në flagrancë në aksin rrugor Krastë–Bulqizë, pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri në automjetin që drejtonte.
    Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj një automjeti tip “Benz”, kamionçinë, u zbulua një armë zjarri pistoletë e tipit “Zastava”, e fshehur në mjet, së bashku me një krehër që kishte 10 fishekë luftarakë.
    I riu, banues në fshatin Peshk, Njësia Administrative Martanesh, u ndalua menjëherë dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit, municioni si dhe automjeti.
    Materialet procedurale u referuan pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme hetimore.
    Arrestimi vjen si pjesë e një fushate të intensifikuar për identifikimin dhe ndalimin e personave që qarkullojnë të armatosur, duke rrezikuar sigurinë publike.

  • Stakohet linja Bulqizë-Krastë, Balluku: Dëme të konsiderueshme në sistemin energjetik nga zjarret

    Stakohet linja Bulqizë-Krastë, Balluku: Dëme të konsiderueshme në sistemin energjetik nga zjarret

    Linja e transmetimit të energjisë Bulqizë-Krastë është stakuar për arsye sigurie për shkak të përhapjes së flakëve në afërsi të saj.Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi sot se “për arsye sigurie kemi qenë të detyruar të stakojmë nënstacione apo linja transmetimi, në afërsi të vatrave të zjarrit, por duke u kujdesur edhe për shërbim të pandërprerë për të gjithë qytetarët”.

    Balluku tha se “rasti më i fundit është në zonën e Bulqizës, ku zjarri i është afruar linjës 35 kV Bulqizë – Krastë. Për efekt sigurie u stakua linja”.
    Sipas Balluku pa tension janë nënstacionet Krastë, Batër dhe HEC-et e zonës në fjalë.
    Balluku nënvizoi se “dëmet e shkaktuara në sistemin energjetik nga situata e zjarreve në të gjithë territorin, deri tani janë të konsiderueshme, por të përballueshme nga operatorët në terma të shërbimit”.

  • Krujë/ Kultivonin bimë narkotike në fshatrat Krastë dhe Brret, 2 në pranga

    Krujë/ Kultivonin bimë narkotike në fshatrat Krastë dhe Brret, 2 në pranga

    Vijon plani operacional anticannabis, i koduar “Koordinata”, ku janë arrestuar në flagrancë 2 persona për kultivimin e bimëve narkotike në fshatrat Krastë dhe Brret të Krujës.
    “Në vijim të kontrolleve sistematike dhe atyre të bazuara te informacionet e siguruara në rrugë operative, që po kryhen me objektiv konstatimin e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë goditën 2 raste të tjera në këtë fushë. Konkretisht:
    -u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. I., 67 vjeç, pasi kishte kultivuar në fshatin Krastë, bimë narkotike;
    -u arrestua në flagrancë A. K., 62 vjeç, pasi kishte kultivuar në fshatin Brret, bimë narkotike.
    Një pjesë e vogël e bimëve u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies”, thuhet në njoftimin e policisë. Kontrollet kundër kësaj veprimtarie kriminale, vijojnë.  Ndërkohë materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./ opinion.al
     

  • Zjarri në Krastë, flakët janë vënë nën kontroll

    Zjarri në Krastë, flakët janë vënë nën kontroll

    Pas disa orësh, është arritur të vihet nën kontroll zjarri në malin e Krastës në Elbasan. Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e përfshira në operacion vazhdojnë punën intensive për izolimin e plotë dhe shuarjen përfundimtare të vatrave të mbetura. Vijon monitorimi i terrenit për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm për shkak të erës. Në këtë aksion u përfshinë 12 efektivë të FA dhe një mjet zjarrfikës nga Detashmenti i Mbrojtjes Rajonale Mengël, Elbasan.

  • Zjarri në Krastë të Elbasanit, reagon Ministria e Mbrojtjes: Flakët janë nën kontroll

    Zjarri në Krastë të Elbasanit, reagon Ministria e Mbrojtjes: Flakët janë nën kontroll

    Pas një pune të pandërprerë të Forcave të Armatosura është arritur të vihet nën kontroll zjarri në malin e Krastës në Elbasan.
    Aktualisht, forcat zjarrfikëse dhe strukturat e përfshira në operacion vazhdojnë punën intensive për izolimin e plotë dhe shuarjen përfundimtare të vatrave të mbetura. Po ashtu, vijon monitorimi i terrenit për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm për shkak të erës.
    Në këtë aksion u përfshinë 12 efektivë të FA dhe një mjet zjarrfikës nga Detashmenti i Mbrojtjes Rajonale Mengël, Elbasan.