Tag: kramnik

  • Mjeshtri rus i shahut do të hetohet pas vdekjes së papritur të rivalit amerikan

    Mjeshtri rus i shahut do të hetohet pas vdekjes së papritur të rivalit amerikan

    Federata Ndërkombëtare e Shahut (FIDE) ka hapur një hetim ndaj mjeshtrit të madh rus, Vladimir Kramnik, pas vdekjes së papritur të mjeshtrit amerikan Daniel Naroditsky, 29 vjeç.
    Lajmi për ndarjen nga jeta të Naroditskyt u bë publik të hënën nga Klubi i Shahut të Charlotte-s, duke tronditur komunitetin ndërkombëtar të shahut. Vdekja e tij erdhi pas një periudhe të gjatë përplasjesh publike me ish-kampionin botëror Kramnik, i cili e kishte akuzuar atë dhe disa shahistë të tjerë për përdorim të “motorëve të shahut”, programe kompjuterike që gjenerojnë lëvizjet më të forta në një ndeshje, shkruan A2.
    Kramnik, që mbajti titullin e kampionit botëror nga viti 2000 deri në 2006, kishte sulmuar publikisht Naroditskyn në mënyrë të përsëritur gjatë vitit të fundit. Pas vdekjes së tij, presidenti i FIDE-s, Arkady Dvorkovich, njoftoi se do të nisë një hetim të plotë mbi deklaratat e Kramnikut, duke i dërguar ato për shqyrtim në Komisionin e Etikës dhe Disiplinës të FIDE-s.
    “Jeta dhe dinjiteti njerëzor janë vlera themelore që ne ndajmë. Debatet publike në botën e shahut nuk duhet të kalojnë kufijtë e respektit dhe të dëmtojnë mirëqenien e njerëzve”, tha Dvorkovich në deklaratën e tij. Ai shtoi se FIDE do të ndërmarrë masa ndaj çdo rasti ku vërehet mungesë respekti, ngacmim apo bullizëm brenda komunitetit të shahut.
    Naroditsky, që kishte mohuar kategorikisht akuzat e Kramnikut, kishte pranuar se këto sulme kishin ndikuar ndjeshëm në shëndetin e tij mendor. “Që nga historia me Kramnikun, ndjej se sa herë luaj mirë, njerëzit mendojnë menjëherë më të keqen”, kishte thënë ai gjatë një transmetimi në platformën Twitch.
    Shumë shahistë të njohur, përfshirë Hikaru Nakamura dhe Nihal Sarin, kanë dënuar publikisht sjelljen e Kramnikut, duke e akuzuar atë për ngacmim dhe përpjekje për të shkatërruar reputacionin e kolegëve të tij. Edhe kampioni i shumëfishtë botëror Magnus Carlsen e quajti sjelljen e Kramnikut “të papranueshme dhe shqetësuese”.
    Megjithatë, Kramnik ka mohuar çdo akuzë për bullizëm, duke deklaruar për Reuters se “nuk ka bërë kurrë fyerje personale ndaj Naroditskyt” dhe ka kërkuar “qartësim nga presidenti i FIDE-s” për hetimin ndaj tij. Ai gjithashtu pretendoi se ka marrë kërcënime me vdekje pas kësaj ngjarjeje.
    Nuk është hera e parë që Kramnik përballet me akuza të tilla. Në vitin 2023, platforma Chess.com i mbylli blogun për përhapje akuzash të pabazuara kundër dhjetëra lojtarëve. Një vit më vonë, ai publikoi në rrjetet sociale një listë me titullin “Cheating Tuesdays”, ku përfshiu edhe mjeshtrin çek David Navara, i cili më pas pranoi se ishte shtyrë drejt mendimeve vetëvrasëse për shkak të këtyre akuzave.

  • Vdekja e papritur e mjeshtrit 29-vjeçar të shahut, Federata Botërore merr nën hetim ish-kampionin. Ja akuza

    Vdekja e papritur e mjeshtrit 29-vjeçar të shahut, Federata Botërore merr nën hetim ish-kampionin. Ja akuza

    Ish-kampioni botëror i shahut, Vladimir Kramnik, po hetohet për ngacmim dhe bullizëm pas vdekjes së shahistit amerikan Daniel Naroditsky, ka njoftuar organi qeverisës botëror i shahut, FIDE. 
    Naroditsky, mjeshtër i madh amerikan i shahut, i cili kishte fituar një ndjekje të gjerë online përmes transmetimeve “streaming” dhe mësimdhënies, vdiq papritur në moshën 29-vjeçare, sipas një deklarate të publikuar nga familja e tij përmes Qendrës së Shahut të Charlotte-s të hënën. Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur. 
    Kramnik, mjeshtër i madh dhe kampion botëror i shahut midis viteve 2000 dhe 2007, kishte akuzuar në mënyrë të përsëritur Naroditsky-n për “mashtrim në lojërat online”.Naroditsky i kishte mohuar akuzat dhe, gjatë transmetimit të tij të fundit në “Twitch” javën e kaluar, foli për ndikimin psikologjik që kishte pasur ndaj tij fushata e Kramnikut. 
    “Problemi është se, që nga gjithë kjo çështje me Kramnikun, ndjej se sa herë që filloj të luaj mirë, njerëzit supozojnë më të keqen,” tha ai, duke shtuar: “Problemi është efekti që ka lënë kjo gjë pas.”Kramnik i ka mohuar akuzat për sjellje të pahijshme dhe shkroi në platformën “X” të enjten se shpreson që “e vërteta rreth rrethanave dhe shkakut të kësaj tragjedie të zbulohet, pavarësisht të gjitha përpjekjeve për ta fshehur atë.” 
    Duke folur për Jake Tapper në programin “The Lead” të CNN të mërkurën, presidenti i FIDE-së, Arkady Dvorkovich, tha se organizata “mendonte se akuzat e Vladimir-it ishin të pamenduara dhe të pabazuara.”Ai shtoi: “Komisioni ynë i lojës së ndershme po e shqyrton këtë çështje. Dhe unë personalisht, bashkë me bordin tonë drejtues, vendosëm ta kalojmë atë tek komisioni ynë etik për hetim — një hetim të pavarur. Ne besojmë se çdo formë e ngacmimit apo bullizmit është e patolerueshme në çdo aktivitet të jetës — në sport, dhe veçanërisht në shah.” 
    Dvorkovich shpjegoi se “çdo lloj sanksioni është i mundshëm” për Kramnikun, megjithëse vendimi përfundimtar i takon komisionit etik.Në një deklaratë të lëshuar nga FIDE të mërkurën, ai tha: “Kohët e fundit, debati publik brenda botës së shahut ka kaluar shpesh kufijtë e pranueshëm, duke dëmtuar jo vetëm reputacionin e njerëzve, por edhe mirëqenien e tyre.” 
    “Kur ndodh kjo, diskutimet mund të kthehen në ngacmim, bullizëm dhe sulme personale — një shqetësim veçanërisht serioz në mjedisin e sotëm.” 
    “Komuniteti i shahut ka respektuar prej kohësh arritjet e mjeshtrit të madh Vladimir Kramnik, dhe kontributet e tij në sportin tonë janë të pamohueshme. Megjithatë, standardet e larta që shoqërojnë arritjet e mëdha sjellin edhe përgjegjësinë për të mbajtur parimet e ndershmërisë dhe respektit dhe për të qenë ambasadorë të sportit.” 
    Kur u kontaktua nga CNN Sports, Kramnik iu referua intervistës së tij të fundit për median ruse “Match TV”, gjatë së cilës e përshkroi hetimin e FIDE-së si “fyes”, “të padrejtë” dhe si “një fushatë të turpshme ngacmimi kundër meje dhe të dashurve të mi.”Ai shtoi në intervistë: “Fakti që FIDE bën deklarata të tilla është i papranueshëm as nga pikëpamja morale, as nga ajo ligjore.” 
    Sipas Associated Press, Kramnik e kishte akuzuar për herë të parë Naroditsky-n për mashtrim në shah online në tetor të vitit të kaluar, pa ofruar ndonjë provë të rëndësishme.Që pas vdekjes së Naroditskyt, lojtarë të tjerë kanë reaguar kundër Kramnikut, me pesë herë kampionin e botës Magnus Carlsen që e quajti sjelljen e tij “të tmerrshme”, ndërsa lojtari numër dy në botë Hikaru Nakamura e përshkroi fushatën e tij kundër mashtrimit të supozuar si “marrëzi” dhe “çmenduri”. 
    “Është koha të mos kemi më frikë nga reagimet. Unë i bëj thirrje Komisionit të Etikës dhe Disiplinës të FIDE (FIDE EDC) të heqë Vladimir Kramnikun nga librat zyrtarë të FIDE-s, t’i revokojë titullin dhe ta skualifikojë nga kampionati botëror”, shkroi në platformën X transmetuesja dhe mjeshtrja e madhe femër Nemo Zhou. 
    “Shahu është një nga lojërat më të dashura në botë dhe duhet të jetë një vend mirëkuptimi dhe përfshirjeje.” 
    Pa përmendur emrin e Kramnikut, mjeshtri i madh Nihal Sarin shkroi në X se Naroditsky kishte përjetuar “akuza të pandërprera, pa baza dhe pyetje publike poshtëruese”, të cilat i kishin shkaktuar “presion dhe dhimbje të jashtëzakonshme”. “Buzëqeshja e Danielit u venit pasi nisën sulmet,” shtoi ai. 
    Kramnik ka zhvilluar prej kohësh një luftë kundër mashtrimit që, sipas tij, është i përhapur në shah online, duke e përshkruar si një “sëmundje që po përhapet me shpejtësi” në një fushatë për mbledhje fondesh të quajtur “fair play in chess” (lojë e ndershme në shah) të nisur më herët këtë vit. 
    Naroditsky ka lindur dhe është rritur në rajonin e Gjirit të San Franciskos. Pasi mësoi të luante shah në moshën gjashtëvjeçare, ai do të fitonte më vonë titullin “mjeshtër i madh” – titulli më i lartë që jep FIDE – përpara se të mbaronte shkollën e mesme. 
    Një figurë shumë e njohur në internet, ai kishte gjysmë milioni ndjekës në kanalin e tij në YouTube dhe 340 mijë ndjekës në Twitch, si dhe ishte punësuar nga New York Times në vitin 2022 si kolumnist i shahut. 
    Duke folur në programin “The Lead”, presidenti i FIDE-së Arkady Dvorkovich e përshkroi Naroditskyn si “një njeri të ndritur, mjeshtër i madh, edukator dhe komentator. Ai ishte i dashur nga shumë njerëz.”