Në qytetin e Korçës është çelur ekspozita kostumografike “Na ishte dikur”, nisma e dytë artistike e Lirika Pojanit, realizuar në bashkëpunim me Vasil Mihon. Përmes butaforisë dhe punës së kujdesshme artizanale, autorët kanë sjellë në jetë figurat historike të Themistokli Gërmenjit dhe komandantit francez që shpalli Korçën krahinë autonome, duke e ndërthurur historinë me elementet e pasura të veshjeve tradicionale të juglindjes shqiptare.
Nëpërmjet kësaj ekspozite, vizitorët udhëtojnë ndër shekuj për të zbuluar larminë e kostumeve të komuniteteve maqedonase, rome, si edhe të figurave të njohura të teatrit e muzikës korçare, që kanë lënë gjurmë në kujtesën kulturore të qytetit.
Më shumë se 25 kostume autentike përfaqësojnë trashëgiminë dhe identitetin e trevave juglindore, ndërsa qëllimi i Pojanit mbetet i qartë: ruajtja dhe përcjellja e traditës së veshjeve popullore shqiptare tek brezat e rinj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun edhe gjatë javës së ardhshme, duke ftuar çdo vizitor të prekë nga afër hijeshinë e historisë së dikurshme./vizionplus.tv
