Tag: kostani

  • Rozi Kostani: Komedia “Shumë pak vrasës”, sarkazma e ditëve që jetojmë

    Rozi Kostani: Komedia “Shumë pak vrasës”, sarkazma e ditëve që jetojmë

    Nga Julia Vrapi
    Komedia “Shumë pak vrasës” me ngjarje që vendosen në një sallon bukurie, premierë në teatrin “Skampa”. Komedia me regji të Rozi Kostanit solli në skenë situata enigmatike dhe surprizuese për publikun. Shfaqja teatrore e bazuar mbi motivet e autorit Paul Portner është dhe një ndër premierat e reja këtë sezon artistik në teatrot tonë, ku kjo komedi në skenën e Elbasanit shënoi një sukses. Ngjarjet në komedi vendosen në një sallon bukurie, ku ndodh një vrasje, ndërkohë që dëshmitarët përpiqen ta hedhin fajin tek njëri-tjetri, ndërsa një dedektiv kërkon ndihmën e publikut për të zgjidhur çështjen. Për regjisoren nga Rozi Kostani komedia me pritjen që i bëri publiku i kaloi pritshmëritë e saj. Rozi Kostani është një nga zërat e veçantë të regjisë teatrore shqiptare, e njohur për qasjen e saj të thellë, të ndjeshme dhe moderne ndaj materialit dramatik. Edhe më parë me pjesët teatrore që ka vënë në skenë ka përcjellë dhe mesazhe të publiku dhe për këtë komedi, që shënoi premierën në teatrin “Skampa” të qytetit të Elbasanit, regjisorja Kostani thotë se është sarkastike ndaj fenomeneve që ne po kalojmë.
    “Premiera e komedisë “Shumë pak vrasës” në teatrin “Skampa” u prit jashtëzakonisht mirë, madje i ka kaluar pritshmëritë e mia. Ajo pse unë e kam zgjedhur këtë vepër pikërisht për kohën që ne jemi. Një titull i goditur për kohën, sepse komedia vë gishtin në plagë. Është sarkastike ndaj fenomeneve që ne po kalojmë, ndaj fenomeneve të shoqërisë që po kalon tani”, thotë regjisorja Rozi Kostani ndër të tjera për këtë shfaqje që solli në skenë këtë nëntor. Deri tani në skenën e teatrit “Skampa” janë dhënë tre shfaqje, ndërsa do të vijojë sërish për publikun dhe në datat 29 dhe 30 nëntor, si dhe 1 dhjetor.
    E veçanta e veprës teatrore
    Komedia “Shumë pak vrasës” vjen në skenë si produksion i teatrit “Skampa” të Elbasanit dhe është në vijim të aktivitetit artistik në këtë teatër. Komedia pasuron dhe kalendarin artistik të këtij teatri këtë sezon vjeshte. Shfaqja teatrore e bazuar mbi motivet e autorit Paul Portner është me përkthim nga Maklena Nika. Një vepër teatrore që është në një stilistikë të veçantë, ndryshe nga dramaturgjia klasike. Rozi Kostani një regjisore që i jep skenës zë, gjuhë dhe emocion tregon se është përpjekur për ta sjellë këtë vepër me problematikat që ka shoqëria jonë. “Jemi përpjekur për ta sjellë te publiku me problematikat tona. Komedia “Shumë pak vrasës”, sarkazma e ditëve që jetojmë, sepse ajo çfarë vepra ka në thelb të saj është që publiku duhet ta gjejë vrasësin dhe publiku vetë voton kush është vrasësi. Unë këtë e kam bërë që ne jemi të gjithë vrasës dhe të gjithë të vrarë. Ne vrasim me sjellje, vrasim me një fjalë, vrasim me ato shkopinjtë që i fusim tjetrit nën rrota. Vrasja merr dimension më të madh.E veçanta e veprës është që ka interaktivitet me publikun. Pra publiku voton edhe flet me spektatorin, me dedektivin për të gjetur vrasësin, pra e gjen publiku. Asnjëherë në Shqipëri nuk është vënë kështu një vepër”, thotë regjisorja Rozi Kostani. Në rolet e komedisë interpretojnë aktorët e njohur të teatrit Helidon Fino, Ola Harizaj, Marin Orhanasi, Vin Bejleri, Erli Fortuzi, Elona Mamo, Marsias Lila, Rudi Koçibelli. Nën regjinë e Rozi Kostani, aktorët sollën me mjeshtëri në skenën e “Skampas” komedinë misterioze “Shumë pak vrasës”, duke rrëmbyer duartrokitjet e publikut. Rozi Kostani ka sjellë në skenë vepra të ndryshme teatrore drama dhe komedi, por në vijim të aktivitetit të saj artistik premiera e re me regji prej saj u shfaq në teatrin “Skampa”.
    Në shfaqjen teatrore
    Një pianiste e moshuar, Izabela, jeton e vetmuar në katin e dytë të një ndërtese të vjetër. Ajo i ka dhënë me qera katin e parë Tonit, një burrë ambicioz që ka hapur aty një sallon bukurie ku punon me asistenten e tij, Sofi. Toni ka një synim të fshehtë: të fitojë trashëgiminë e Izabelës, të cilën e sheh si pengesë për pasurinë që ëndërron. Por gjërat ndryshojnë kur Izabela, në vend që të mbyllet në vetmi, afrohet me Sofinë. Ajo e sheh tek vajza një ndjenjë të ngrohtë dhe e zgjedh si shoqe të re, duke organizuar madje një festë me të. Kjo gjallëri e papritur, dashuria për pianon dhe dëshira për të bërë sërish një turne muzikor, e ringjallin shpirtin e Izabelës, por zgjojnë zilinë dhe nervozizmin e Tonit. Ndërkohë, Sofi njihet me një biznesmen të dyshimtë, Leon, që shet antikuare. Ai përpiqet të përfitojë përmes saj, duke e shtyrë të bindë Izabelën t’i shesë pianon dhe orenditë e vjetra të vlefshme.Të tre, Toni, Sofi dhe Leo fillojnë të mendojnë për vrasjen e Izabelës dhe hartojnë një plan. Sipas planit, Sofi duhet t’i thotë Izabelës se Leo ka qëllim ta sulmojë, që ajo të lajmërojë policinë. Kur Izabela njofton forcat e rendit, mbërrin detektivi Robert, i shoqëruar nga dy policë të maskuar si klientë të sallonit: Andrea dhe Niku. Roberti heton fshehurazi, ndërsa Andrea vjedh një paruke që më vonë detektivi e përdor si maskim. Në sallon mbërrin edhe Zonja Hubert, një kliente e pasur dhe e zhurmshme që po përgatitet të udhëtojë për në Bali. Ajo kërkon të krehë flokët, ndërsa nga kati i sipërm dëgjohet muzika e Izabelës që luan në piano. Kur Zonja Hubert pyet se kush po luan kaq bukur, Toni dhe Sofi i përgjigjen me bezdi: “Plaka e katit të dytë- Izabela”. Zonja Hubert kujton me admirim kohën kur ajo ishte pianiste e famshme, ndërsa Toni fillon të humbasë durimin dhe kontrollin.Gjatë kësaj kohe, Leo ngjitet fshehurazi lart në apartamentin e Izabelës, me pretekstin se po shkon në banjë. Ndërkohë, muzika nga sipër acaron Tonin, që godet në qafë detektivin Robert, i cili është ende nën mbulesën e klientit të thjeshtë. Gjaku dhe reagimet e tepruara të personazheve kthejnë skenën në një përzierje trilleri dhe satire. Nga tualeti dëgjohet zhurma e ujit që derdhet. Leo kthehet, Sofi trembet. Çdo veprim bëhet i dyshimtë, çdo fjalë fsheh një frikë. Në mes të tensionit, Sofi del nga salloni duke mbajtur një qese plehrash, brenda së cilës ka fshehur një palë gërshërë. Pak më vonë, ajo kthehet e tronditur dhe e mbuluar me gjak, duke ulëritur: “Ndihmë! Ka vdekur! Lart… lart! Izabela është vrarë!”.
    Policia ndërhyn. Detektivi Robert zbulon identitetin e tij të vërtetë dhe fillon hetimin. Ai shpall se vrasësi është një nga personazhet në sallon, dhe se asnjëri nuk duhet të largohet. Në versionet e ndryshme të shfaqjes, publiku luan rolin e dëshmitarit: në natën e parë, fajtor del Leo, në të dytën, Sofi, në të tretën, Toni. Por në çdo rast, faji mbetet i përbashkët. Çdo personazh ka vrarë me mënyrën e vet me veprim, me qëllim, ose me heshtje. Në fund, kur të gjithë mendojnë se gjithçka ka përfunduar, Izabela del në skenë nëpërmjet një videomesazhi. Ajo i drejtohet publikut me një monolog përfundimtar me video mesazh, që shërben si pasqyrë e ndërgjegjes njerëzore, duke thënë: të gjithë jemi vrasës dhe të gjithë të vrarë…

  • Rozi Kostani: Edukimi bashkëkohor i aktorit duhet të zhvillohet si një strukturë, që u përgjigjet nevojave të tregut

    Rozi Kostani: Edukimi bashkëkohor i aktorit duhet të zhvillohet si një strukturë, që u përgjigjet nevojave të tregut

    Nga Julia Vrapi
    Diskutime, prezantime dhe shkëmbime idesh në Konferencën e Parë Ndërkombëtare mbi Artet dhe Edukimin, e cila u mbajt në Universitetin e Arteve. Kjo konferencë mblodhi së bashku studiues, pedagogë, artistë, studentë dhe përfaqësues të institucioneve arsimore dhe kulturore brenda dhe jashtë vendit. Prof. asoc. Dr. Rozi Kostani referoi me temën “Aktrimi, nga teoria në praktikë. Hulumtimi e zbatimi i metodologjive në shkollën e aktrimit shqiptar”, ku sipas saj edukimi bashkëkohor i aktorit duhet të zhvillohet si një strukturë, që u përgjigjet nevojave të tregut, ndërsa vë në dukje gjithashtu se është nevoja dhe për rishikim të thellë të kurrikulës.
    Në këtë konferencë që u mbajt dy ditë në qershor morën pjesë mbi 100 referues nga brenda dhe jashtë vendit, qëllimi i saj ishte të nxiste reflektimin dhe debatin për aspekte të ndryshme në fushën e artit pamor, artit muzikor, artit skenik dhe edukimit. Kostani shprehet se në Shqipëri, sistemi i formimit profesional të aktorëve filloi institucionalisht me hapjen e kursit të parë të aktrimit pranë Teatrit Popullor në vitin 1956, i ndjekur më vonë nga themelimi i Institutit të Lartë të Arteve në vitin 1959, sot Universiteti i Arteve. “Kjo shkollë shënoi fillimin e edukimit të strukturuar të aktorëve shqiptarë sipas modeleve pedagogjike të kohës, kryesisht të influencuara nga sistemi sovjetik dhe metoda e Stanislavskit. Që nga ajo kohë, edukimi i aktrimit në Shqipëri ka ndjekur një trajektore të ndërthurur midis traditës lokale dhe ndikimeve ndërkombëtare, duke kaluar në faza transformuese që reflektojnë jo vetëm zhvillimet teorike në teatrin evropian, por edhe nevojat konkrete të skenës shqiptare”, vijon Prof. asoc. Dr. Rozi Kostani në punimin e saj.
    Shkolla shqiptare pas viteve ’90-të
    Pas viteve ’90 dhe veçanërisht në dy dekadat e fundit, Prof. asoc. Dr. Rozi Kostani shprehet se shkolla shqiptare me shumë vështirësi ka filluar të hapet ndaj ndikimeve të metodave amerikane dhe përvojave evropiane, kjo vetëm në mënyra individuale dhe shumë spontane. Kostani regjisore, aktore dhe pedagoge në UA thotë se ata artistë shqiptarë që u përballën me shkollat interpretative konteporane në trajnime jashtë vendit kanë sjellë qasje më fleksibël, duke e pasuruar praktikën laboratorike me metoda dhe teknika që i përgjigjen kohës por fatkeqësisht të pa dokumentuara të mbetura vetëm si sprova personale.
    “Kjo ka prodhuar një diversitet në qasjen pedagogjike, duke kaluar nga një sistem unifikues në një ambient më të hapur e pluralist por që vihet re mos organizim njohurish, duke i zhvilluar ato vetëm në rrafshin praktik. Kjo vihet re në kapacitetin e të shprehurit teorik të sylabusave nga pedagogët e shkollës sonë”, shprehet Kostani. Në referimin e saj me temën “Aktrimi, nga teoria në praktikë. Hulumtimi e zbatimi i metodologjive në shkollën e aktrimit shqiptar” thuhet se të përbashkëtat janë: Të tria shkollat mbështeten në analizën e karakterit dhe në përjetimin emocional si bazë e ndërtimit të rolit; Vlerësojnë procesin e punës së brendshme dhe kërkojnë një aktor të ndjeshëm e të përfshirë emocionalisht; Përdorin si bazë për referencë sistemin e Stanislavskit, qoftë për ta ndjekur apo për ta transformuar.
    Dallimet sipas Kostanit: Shkolla ruse ka strukturë të disiplinuar dhe qasje sistematike, me theks te puna parapërgatitore; shkolla amerikane favorizon spontanitetin dhe përvojën personale si burim për rolin; shkolla shqiptare ka kaluar nga një model rigid drejt një metode hibride, që përpiqet të ndërthurë traditën me elemente bashkëkohore. “Ky krahasim tregon se edukimi bashkëkohor i aktorit shqiptar nuk mund të mbështetet vetëm në një traditë të vetme, por duhet të zhvillohet si një strukturë elastike, që u përgjigjet nevojave të tregut, sfidave estetike dhe kërkesave shoqërore të kohës. Disa nga pengesat kryesore janë: Kurrikula të vjetruara që nuk pasqyrojnë zhvillimet më të fundit në artin skenik; Mungesa e partneriteteve ndërkombëtare për shkëmbime të rregullta; Shkëputja e thellë midis diplomimit dhe punësimit real në fushën e artit”, thotë ajo, ndërsa vijon se këto sfida krijojnë një ambient ku aktorët e rinj, edhe pse të trajnuar, nuk e gjejnë terrenin e duhur për zhvillim profesional, çka ndikon në motivimin e tyre.
    Pedagogët themelues dhe ngritja e shkollës shqiptare të aktrimit
    Për pedagogët themelues dhe ngritjen e shkollës shqiptare të aktrimit, Prof. asoc. Dr. Rozi Kostani sjell në vëmendje se formimi institucional i aktorit në Shqipëri nisi në vitin 1956 me hapjen e kursit të parë të aktrimit pranë Teatrit Popullor, si një përpjekje për të ndërtuar një strukturë kombëtare të edukimit skenik. Në vitin 1959 u themelua Instituti i Lartë i Arteve, i cili institucionalizoi arsimin e lartë artistik në vend dhe u bë vendi qendror i përgatitjes së aktorëve, regjisorëve dhe profesionistëve të tjerë të artit skenik. “Kjo shkollë, që më vonë do të shndërrohej në Universitetin e Arteve, mbajti emrin e aktorit me famë ndërkombëtare Aleksandër Moisiu, duke simbolizuar qëllimin për të ndërtuar një traditë serioze dhe konkurruese në fushën e teatrit”, vijon Prof. asoc. Dr. Kostani.
    Disa nga pedagogët themelues që hodhën themelet e kësaj shkolle ishin figura me formim të lartë profesional dhe përkushtim ndaj artit, ku Kostani  shprehet për Varvara Cerfanovan, pedagoge ruse, solli për herë të parë metodën e Stanislavskit në Shqipëri dhe trajnoi brezat e parë të aktorëve sipas sistemit të realizmit psikologjik; Pandi Stillu dhe Sokrat Mio, aktorë të përkushtuar që ndihmuan në ndërtimin e kurrikulës fillestare dhe në përhapjen e teknikave të të folurit dhe ndërtimit të rolit dhe Kujtim Spahivogli, një nga figurat më të rëndësishme të teatrit shqiptar, kontribuoi me përvojën e tij si regjisor, pedagog dhe krijues i metodave që ndërthurnin fjalën, trupin dhe mendimin estetik. Sipas saj, këta pedagogë vendosën themelet jo vetëm të teknikës së aktrimit, por edhe të një filozofie të edukimit që e shihte aktorin si intelektual të skenës dhe qytetar aktiv në jetën kulturore të vendit. Në studimin e saj, Prof. asoc. Dr. Kostani shprehet dhe për një kronologji të zhvillimit të edukimit të aktrimit në Shqipëri. 1956 – Kursi i parë i aktrimit pranë Teatrit Popullor; 1959 – Themelimi i Institutit të Lartë të Arteve; 1970 – 1980 – Konsolidimi i metodave realiste dhe sovjetike; 1991+  – Tranzicioni drejt qasjeve të reja; 2000+ – Integrimi i praktikave bashkëkohore dhe masterklasave; 2020+ – Qasje hibride, ndërkombëtarizim dhe përpjekje për digjitalizim.
     Aktori si intelektual i skenës
    Ky punim i Prof. asoc. Dr. Rozi Kostanit është zhvilluar përmes një qasjeje teoriko-analitike të kombinuar me reflektim pedagogjik të drejtpërdrejtë mbi procesin e edukimit të aktorit në Shqipëri. Metodologjia sipas saj përfshin: Analizë krahasuese të metodave ndërkombëtare në raport me praktikën vendase; Rishikim të literaturës shkencore, historike dhe didaktike që lidhet me shkollën shqiptare të aktrimit; Përvojë personale si pedagoge në Fakultetin e Artit Skenik për më shumë se 25 vite; Vëzhgime të drejtpërdrejta të procesit të ndërtimit të rolit në mjedise pedagogjike, përfshirë ushtrime, analiza të veprave klasike dhe moderne, improvizim në skenë dhe punë mbi tekstin dramatik; Konsultim me dokumentacion institucional (syllabuset e viteve të ndryshme, procesverbalë trajnimesh), intervista me pedagogë të brezit të parë dhe të tretë, si dhe reflektime të mbledhura nga studentët gjatë dhe pas studimeve, etj. Kostani thotë se aktori nuk duhet parë thjesht si zbatues teknik të një metode, por si intelektual i skenës, një njeri që mendon, reagon, kupton tekstin, kontekstin dhe përgjegjësinë e fjalës ne publik.
     Nevoja për rishikim të thellë të kurrikulës
    Prof. asoc. Dr. Rozi Kostani referoi në këtë konferencë me “Aktrimi, nga teoria në praktikë. Hulumtimi e zbatimi i metodologjive në shkollën e aktrimit shqiptar”, studim që tregon se shkolla shqiptare e aktrimit është formësuar nga një ndërthurje komplekse ndërmjet metodave klasike, veçanërisht sistemit të Stanislavskit, ndikimeve bashkëkohore dhe kushteve të veçanta sociale e kulturore të vendit. “Mësimdhënia teatrore në Shqipëri ka trashëguar një bazë të fuqishme realiste dhe psikologjike, por njëkohësisht ndodhet përballë sfidës së modernizimit, hapjes dhe integrimit të metodologjive të reja që i përgjigjen skenës bashkëkohore. Nga hulumtimi del se figura e aktorit është trajtuar tradicionalisht si përfaqësues emocional i rolit, me theks të veçantë në përjetimin e brendshëm.
    Por sot është e domosdoshme që ai të formohet gjithashtu si një trup i vetëdijshëm, si një mendje interpretuese dhe si një komunikues social. Ky është tranzicioni i domosdoshëm nga modeli i aktorit-imitues te ai i aktorit-krijues, i cili kërkon një reformim të qasjes metodologjike dhe pedagogjike”, thotë Prof.asoc. Dr. Rozi Kostani. Prof. asoc. Dr. Kostani shprehet dhe për nevoja për rishikim të thellë të kurrikulës. “Kurrikula aktuale duhet të zhvillohet në drejtim të balancimit të teorisë me praktikën skenike”, shprehet ajo. Në përfundime dhe rekomandime, Prof. asoc. Dr. Rozi Kostani vijon se duke u mbështetur në trashëgiminë e figurave themeluese, duhet të ndërtohet një metodologji shqiptare e aktrimit që bashkon mendimin, ndjesinë dhe trupin.
    Rozi Kostani, aktore, regjisore dhe pedagoge në Universitetin e Arteve në Tiranë ka folur dhe më parë mbi zhvillimet dhe problemet në aktivitetin artistik teatror në vend. Një nga zërat që ka sjellë në vëmendje edhe që duhet bërë më shumë mbi vlerësimin e artistëve. Sa i takon jetës artistike, Rozi Kostani si aktore ka sjellë në skenë personazhe nga më të ndryshmet në shfaqje, që janë vënë në skenë nga regjisorë shqiptarë dhe të huaj. Por dhe në aktivitetin si regjisore, veprat teatrore nga Kostani janë shfaqur në skena të ndryshme dhe pjesëmarrëse në festivale të teatrit.
     
     
     

  • “Kujtesa e ujit” në skenën teatrore me interpretimin e të rinjve, komedia e zezë vepër e autores Sheila Stefenson

    “Kujtesa e ujit” në skenën teatrore me interpretimin e të rinjve, komedia e zezë vepër e autores Sheila Stefenson

    Nga Julia Vrapi
    “Kujtesa e ujit” komedi e zezë, që erdhi me interpretimin e të rinjve në skenën teatrore. “Kujtesa e ujit” shkruar nga autorja Sheila Stefenson përmes ngjarjeve të saj erdhi në skenë si një vepër që i flet realitetit. “Kujtesa e ujit” u shfaq në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” për dy mbrëmje me radhë, por prof. asoc. dr. Rozi Kostani pedagoge udhëheqëse tregon për punën e të rinjve të arteve, që sollën në skenë këtë vepër teatrore në datat 28 dhe 29 qershor. Shkruar nga autorja Stefenson te “Kujtesa e ujit” një vepër që i flet realitetit në qendër janë tre motra, tre karaktere shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Prof. asoc. dr. Rozi Kostani tregon se dhjetë studentë punuan për këtë shfaqje.“Janë viti i tretë Bachelor dhe ishte diploma e Bahcelorit. Dhjetë studentë dhe ishin dy grupe nga pesë studentë secili grup, ishin dublantë të njëri- tjetrit, një grup në datë 28 dhe një grup datë 29 qershor me shfaqjen në teatër. Është një kohë në shkollë, diku 2-3 javë që bëhet përzgjedhja e veprës.
    Janë vepra që nga studentët lexohen edhe në klasë dhe pastaj në bazë të peshës dhe ngarkesës së roleve ne vendosim për veprën që do jetë në skenë”, shprehet prof. asoc. dr. Rozi Kostani për këtë shfaqje që erdhi nga studentët e Fakultetit të Artit Skenik. Në rolet e veprës ishin Maria Brokshi, Keida Shqefni, Dejna Mataj, Gejson Selfo, Muhamed Babamusta, Amela Rrukaj, Denada Bixhaku, Livia Lozi, Rigers Kuri, Ronaldo Kolgjokaj, të cilët nën udhëheqjen e pedagoges së tyre Rozi Kostani sollën “Kujtesa e ujit”, duke marrë dhe duartrokitjet e të pranishmëve në sallën e teatrit. “Kujtesa e ujit” u shfaq për dy mbrëmje me radhë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, por prof. asoc. dr. Rozi Kostani pedagoge udhëheqëse thotë  se kushtet për të punuar nuk ishin të duhurat. “Ne shkojmë atje bëjmë dhe prova, por te teatri nuk kanë  kondicioner, sistemi i ftohjes është i prishur. Nëse dikur jemi ankuar te Teatri Kombëtar që është ftohtë në dimër, ne vazhdojmë traditën për t’i lënë aktorët dhe gjithë trupën për teatrin në skamje”, shprehet prof. asoc. dr. Kostani, e cila thotë se duhet bërë më shumë për artistët në aktivitetin e tyre.
     Vepra në skenë
    Në qendër të veprës janë tri motra, tri karaktere shumë të ndryshme nga njëra-tjetra: Tereza, Meri dhe Katerina. Pas shumë vitesh ndarjeje, ato takohen së bashku në funeralin e së ëmës, që ka qenë e sëmurë me Alzheimeri. Vepra shpërfaq problematika familjare, të cilat zbulohen pas humbjes së mamasë, kjo humbje që i risjell në shtëpi tre motrat duke risjellë njëkohësisht dhe luftën për kujtesat e tyre për të njëjtat ngjarje, por secila ndryshe nga tjetra përpiqet për të gjetur kujtimet individuale. Tereza motra e madhe, e cila është kujdesur për mamanë derisa vdiq, është kthyer në një elefant i nevrikosur qe nuk harron kurrë. Meri, motra e dytë ishte e preferuara e mamasë, por ngeli peng e një lidhje me një burrë të martuar dhe e treta Katerina, fëmija më fatkeq, e lënë totalisht pasdore. Marrëdhëniet e mamasë me tre vajzat dhe marrëdhëniet e saj me babain e tyre na jep një portret familjar, të cilin e gjejmë në çdo kohë, duke qenë se proceset njerëzore nuk mund ti ndryshojë koha. “Kujtesa e ujit” që erdhi në skenë si një komedi e zezë u shfaq tek Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” edhe në kuadrin e “Paktit për Universitetin” ku më parë është nënshkruar një marrëveshje ndërmjet Universitetit të Arteve, Fakultetit të Artit Skenik dhe institucioneve të kulturës në varësi të Ministrisë së Kulturës.