Tag: korrupsionit

  • Altin Dumani dhe prokurorët e SPAK për “retreat” në Gjirokastër

    Altin Dumani dhe prokurorët e SPAK për “retreat” në Gjirokastër

    Altin Dumani dhe disa prokurorë të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kanë zgjedhur Gjirokastrën për dy ditë për një “retreat”. Bashkë me ta kanë qenë dhe një pjesë e stafit administrativ të SPAK.
    Së bashku ata darkuan dje në një nga restorantet e zonës së Pazarit ndërsa sot ishte parashikuar një takim pune në formën e trajnimit në ambientet e një prej hoteleve të qytetit. Nuk dihet më tepër informacion rreth tematikës së këtij trajnimi.
    SPAK vijon të jetë në qendër të vëmendjes për shkak të goditjeve të korrupsionit në nivele të larta të politikës dhe krimit të organizuar, por edhe të kritikave nga opozita dhe një pjesë e opinionit publik për dosje të caktuara.
    Kohët e fundit fokusi ka qenë te krimet zgjedhore, për të cilat opozita pretendon se SPAK nuk ka vepruar për të parandaluar shit-blerjen e votave dhe influencën e grupeve kriminale në procesin zgjedhor. ©Argjiroja.net

  • “Le ta provojnë fatin pastaj me fondet”/ Kryetari i LDK, Abdixhiku: Duhet të ngremë SPAK në Kosovë

    “Le ta provojnë fatin pastaj me fondet”/ Kryetari i LDK, Abdixhiku: Duhet të ngremë SPAK në Kosovë

    Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku theksoi se shpërndarja e burimeve publike në Kosovë po ndikohet nga lidhjet familjare dhe klienteliste të zyrtarëve të pushtetit aktual. “Le ta provojnë fatin. Se në Kosovë, fatin nuk e provojnë më qytetarët, por familjarët e pushtetarëve. Edhe në subvencione, edhe në grante, edhe në shitblerje të megavatëve. Fat familjarëve. Kosovës ndërsa i duhet një ‘SPAK’. Le ta ‘provojnë fatin’ aty më pas. Do ta bëjmë!”, ka shkruar Abdixhiku.
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ngritur sërish alarmin për nivelin e korrupsionit në vend, duke propozuar krijimin e një institucioni të specializuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të ngjashëm me SPAK-un në Shqipëri.
    Sipas Abdixhikut, një strukturë e tillë do të ishte mekanizmi i duhur për të adresuar abuzimin me fondet publike dhe për të garantuar llogaridhënie për të gjithë.
    Propozimi i Abdixhikut u prit me ironi nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet. Deputetja Fitore Pacolli e quajti idenë të pavend, duke e krahasuar me propozime të mëhershme të LDK-së.
    “Pas termocentralit me gaz, LDK tani po na ‘befason’ me SPAK-un. Pikërisht ata që tentuan të bllokojnë Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë, tani po flasin për drejtësi”, shkroi ajo. Megjithatë, është fakt se LDK-ja e kishte përkrahur themelimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë në votimin e parë parlamentar.
    Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri u themelua në vitin 2019 si pjesë e reformës në drejtësi, me mbështetje të fuqishme ndërkombëtare nga BE-ja dhe SHBA-ja. Në pak vite, SPAK ka ndërmarrë hetime ndaj figurave të larta politike, përfshirë ish-kryeministra, ish-presidentë, ministra dhe zyrtarë të nivelit të lartë.

  • Operacioni ndërkombëtar “Ura”, GJKKO lë në burg 11 të arrestuarit

    Operacioni ndërkombëtar “Ura”, GJKKO lë në burg 11 të arrestuarit

    Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin për verifikimin e masave të sigurimit për 14 të arrestuarit e operacionit ndërkombëtar “Ura”.
    Mësohet se gjyqtarja Rudina Palloj la në fuqi masat “arrest në burg” për 11 të dyshuarit, ndërsa për avokatin Armand Tragaj vendosi “detyrim paraqitje”.
    Masa e “detyrimit për paraqitje” është caktuar edhe për dy persona të tjerë, Ervis Deti dhe Bexhet Mema.
    Kujtojmë se ditën e sotme 14 persona u përballën me togat e zeza për t’u njohur me masat e sigurimit.
    Ata janë Orgest Molla, Armand Tragaj, Altin Morina, Akil Ndrejaku, Musa Koça, Rando Aliu, Sokol Isteri Tatani, Bexhet Mema, Ervis Deti, Ligor Çombashi, Altin Pjetri, Ervin Zeqiri, Gezim Thartori, Alfred Hysa.
    Pesë të tjerëve, masa e sigurisë u është komunikuar në gjykatat e zakonshme me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
    Kujtojmë se mega-aksioni “Ura” u zhvillua nga Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në bashkëpunim me Antimafian italiane.

  • 100 vjetori i krijimit të KLSH, Spiropali: Të angazhuar në luftën ndaj korrupsionit

    100 vjetori i krijimit të KLSH, Spiropali: Të angazhuar në luftën ndaj korrupsionit

    Në 100 vjetorin e krimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, ka deklaruar se “Pavarësi, mbështetje, partneritet” janë tre fjalët kyçe dhe parimet në marrëdhënien mes Parlamentit dhe institucioneve, përfshirë dhe KLSH.
    Spiropali u shpreh gjithashtu se Kuvendi është i angazhuar në luftën ndaj korrupsionit, ndaj ka kërkua bashkëpunimin e KLSH dhe institucioneve të tjera.
     “Kuvendi do të vijojë të mbështesë të gjithë institucionet. Pavarësia e institucionet, përmasë për mirëfunksionim, njëlloj me llogaridhënien. Pavarësi, mbështetje, partneritet me KLSH. Sinergjia mes parandalimit dhe ndëshkimit ishte që në gjenezë, edhe atëherë kur përvoja dhe burimet njerëzore ishin inekzistete. Kuvendi i angazhuar në luftën ndaj korrupsionit ndaj kërkon bashkëpunimin tuaj”, tha mes të tjerash kryetarja e Kuvendit, Spiropali.
    Fjala e plotë:
    I nderuar Kryetar Shehu,
    I nderuar Ambasadori Gonzato, i dashur Silvio,
    Të nderuar zonja e zotërinj ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik,
    Të nderuar drejtues të Organizatës Europiane, Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve të Larta Audituese dhe drejtues të institucioneve të larta audituese nga vendet mike e partnere,
    Të nderuar deputete e deputetë,
    Zonja e zotërinj,
    Mirë se keni ardhur në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Sot Kontrolli i Lartë i Shtetit mbush një shekull jetë.
    As jam historiane, as kam për qëllim të bëj histori. Por dëshiroj të them dy fjalë për rrugëtimin njëqindvjeçar të këtij institucioni të rëndësishëm të shtetit shqiptar. Menjëherë pas themelimit, shteti i pavarur shqiptar bëri përpjekje të krijonte institucionin që do të merrej me kontrollin e financave të tij. Kuptohet, me atë vizion, perceptim e funksion që mundësonte koha. Por qeveritë e para nuk ia dolën ta ndërtonin këtë institucion me formatin dhe përmbajtjen e vet si një institucion kushtetues. Kjo ishte e kuptueshme, nëse mbajmë parasysh kontekstin historik dhe furtunat e kohës që rrezikonin mbijetesën e Shqipërisë dhe shtetit të saj të ri. Vetëm në Republikën e vitit 1925, pra 13 vjet pas themelimit të shtetit shqiptar, Këshilli Kontrollues i Financave u krijua dhe funksionoi si institucion kushtetues. Nuk është një vonesë e madhe në kohë, nëse konsiderojmë historinë e shtetformimit në vende të tjera dhe kushtet historike e gjeopolitike gjatë dekadës së parë të jetës së Shqipërisë së pavarur.
    Pra, ndërsa shteti bëri si bëri pa institucionin e kontrollit për më shumë se një dekadë, Republika si formë qeverisjeje e kërkoi dhe e realizoi atë si një institucion kushtetues menjëherë pas krijimit të saj.
    Edhe Kushtetuta e Mbretërisë shqiptare e sanksionoi Këshillin Kontrollues si organ të pavarur. Gjatë regjimit komunist, organet e kontrollit të shtetit funksionuan si instrumente të forta audituese, kontrolluese e politike të pushtetit popullor dhe në shërbim të tij. Në sistemin demokratik, me ulje-ngritje jo të vogla e të pakta, Kontrolli i Lartë i Shtetit u bë organi më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar dhe pavarësia e depolitizimi i këtij institucioni është sanksionuar në Kushtetutë dhe ligjin organik.
    II.
    Kuvendi do të vazhdojë të mbështesë Kontrollin e Lartë të Shtetit si një institucion kushtetues, një partner në përpjekjet tona për zhvillimin dhe rritjen ekonomike, për të rritur performancën financiare, për mbështetjen e sundimit të ligjit, mirëqeverisjes dhe për të përshpejtuar ritmet e integrimit europian të Shqipërisë. Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, për të cilin kemi tashmë një plan të dakordësuar me institucionet europiane, është jo vetëm kurorëzimi i një procesi të nisur 35 vjet më parë, por edhe starti i një rrugëtimi të ri, kur të gjitha institucionet e Republikës do të jenë institucione të një vendi anëtar të Bashkimit Europian.
    Gjej rastin të nënvizoj se Kuvendi do të vijojë të mbështesë të gjitha institucionet kushtetuese dhe të krijuara me ligj dhe pavarësinë e tyre, për të përmbushur misionin si roje te interesit publik e qytetar. Pavarësia e institucioneve është një përmasë jetike e mirefunksionimit të pushteteve në sistemin demokratik, po aq sa edhe përgjegjësia, trasparenca dhe llogaridhënia e tyre. Prandaj deviza e bashkëpunimit tonë përmblidhet në tre fjalë: pavarësi, mbështetje, partneritet.
    Ne vlerësojmë përpjekjet tuaja për forcimin e pavarësisë dhe profesionalizmit institucional, si një institucion kushtetues, që udhëhiqet nga parimet e shtetit të së drejtës, vlerësime këto edhe të raporteve më të fundit të monitorimit të Shqipërisë nga OECD dhe BE.
    Megjithatë, Kuvendi, por mendoj edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, ndajmë të njëjtin vlerësim se është i nevojshëm forcimi i mbikëqyrjes parlamentare, për ta bërë veprimtarinë tuaj më efektive, për të rritur transparencën dhe ndikimin e auditimeve në përmirësimin e menaxhimit të financave publike.
    Bashkëpunimi ynë më i ngushtë e më i hapur si edhe komunikimi më intensiv do të fuqizojnë dimensionin parandalues të veprimtarisë së Kontrollit dhe harmonizimin më të mirë me masat ndëshkimore. Sinergjia midis parandalimit dhe ndëshkimit nuk është vetëm një kërkesë e Kuvendit, as vetëm e kohës sonë. Ka qenë e tillë edhe në hapat e parë të funksionimit të këtj institucioni, kur burimet e shtetit shqiptar për ta mbajtur atë ishin të kufizuara, përvoja mungonte dhe kapacitet institucionale e burimet njerëzore po ashtu ishin modeste. Është e tillë edhe në institucionet homologe të vendeve të Bashkimit Europian dhe të shteteve të tjera demokratike. Kuvendi është i angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe për këtë ka kërkuar dhe do të vijojë të kërkojë kontributin tuaj.
    Por lufta korrupsionit nuk synon goditjen e punonjësve publikë si një qëllim në vetvete, por edhe mbështetjen e tyre për të menaxhuar më mirë burimet e shtetit, si dhe mbylljen e shtigjeve ligjore dhe institucionale për abuzim.
    Lufta jonë e përbashkët e pakompromis, e vendosur dhe me temp në rritje kundër korrupsionit, shpërdorimit të posteve dhe abuzimeve me financat publike, nuk duhet të na stepë të dallojmë shpërdoruesit, abuzuesit dhe krimet në menaxhimin e financave, programeve e projekteve publike, nga shërbyesit korrektë, të ndershëm dhe dinjitozë të shtetit, të cilët kanë kontribuar e kontribuojnë për zhvillimin e vendit. Shqipëria është sot para dyerve të Bashkimit Eyropian edhe në saj të kontributit të tyre.
    Në vijim edhe të zbatimit të rekomandimeve të Raporteve të Progresit të Komisionit Europian, ne po punojmë për forcimin e mekanizmit të zbatimit të rekomandimeve, përmes dialogut dhe bashkëpunimit më të strukturuar të Kuvendit me Kontrollin e Lartë të Shtetit.
    Ky bashkëpunim ka marrë një dimension të ri pas ngritjes së Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, një strukturë që synon të sigurojë një ndërlidhje më të ngushtë dhe më efektive ndërmjet funksionit kontrollues të Kuvendit dhe veprimtarisë audituese të KLSH-së.
    Ky Nënkomision përfaqëson një mekanizëm të rëndësishëm për mbikëqyrjen parlamentare të menaxhimit të financave publike dhe që në themelimin e tij ka dëshmuar potencialin për të sjellë një frymë të re përgjegjshmërie, transparence dhe dialogu institucional. Konstatoj se edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka treguar angazhim për thellimin e këtij bashkëpunimi, duke marrë hapa konkretë, përfshirë krijimin e një drejtorie të posaçme të dedikuar për komunikimin me Kuvendin dhe me Nënkomisionin, në mënyrë që shkëmbimi i informacionit, trajtimi i raporteve dhe ndjekja e rekomandimeve të bëhen në mënyrë më efikase dhe të strukturuar.
    Ky është një zhvillim që duhet përshëndetur dhe inkurajuar, pasi po rrit cilësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, forcon kontrollin demokratik mbi administratën publike dhe përmirëson kulturën e llogaridhënies në të gjitha nivelet e qeverisjes. Kuvendi mbetet i përkushtuar për ta çuar përpara këtë partneritet të rëndësishëm, në funksion të interesit publik dhe të ndërtimit të institucioneve më të forta, më transparente dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve.
    Në këtë frymë bashkëpunimi të konsoliduar, Kuvendi i Shqipërisë është plotësisht i angazhuar për të fuqizuar më tej mjetet dhe mekanizmat inovative që i shërbejnë rritjes së transparencës dhe ndjekjes efektive të rekomandimeve të auditimit. Një nga iniciativat më të rëndësishme në këtë drejtim është rikonfigurimi i Platformës Ndërinstitucionale Online, një instrument modern dhe gjithëpërfshirës, që synon të mundësojë një ndërlidhje më efikase ndërmjet institucioneve që prodhojnë, trajtojnë dhe zbatojnë rekomandime audituese dhe Kuvendit si organ mbikëqyrës.
    Duke i dhënë kësaj platforme një dimension të ri funksional dhe strategjik, synojmë jo vetëm të përmirësojmë monitorimin e rekomandimeve të KLSH-së dhe audituesve të tjerë publikë, por edhe të nxisim aktivisht institucionet e administratës shtetërore të kontribuojnë në mënyrë të rregullt dhe të përgjegjshme në popullimin e saj.
    Kuvendi do të vijojë të luajë një rol kyç në këtë proces, jo thjesht si mbikëqyrës, por si nxitës i një kulture të re bashkëpunimi e llogaridhënieje në të gjithë spektrin institucional.
    Modernizimi i praktikave, zgjerimi i fushëveprimit, rritja e ndikimit të auditimeve në administratën publike, përmirësimi i transparencës dhe komunikimit me publikun, rritja e kapaciteteve institucionale dhe burimeve njerëzore, vlerësoj se janë disa nga prioritetet tuaja, të cilat mund të rrisin cilësinë e kontrollit dhe auditimit si edhe efektivitetin e punës së Kontrollit të Lartë të Shtetit në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike, për të cilat ndihma e Kuvendit as ka munguar dhe as do të mungojë.
    Ju faleminderit.

  • Arrestimi i babait të kandidates së PSD/ SPAK: I shkoi në banesë një shtetasi dhe i ofroi para

    Arrestimi i babait të kandidates së PSD/ SPAK: I shkoi në banesë një shtetasi dhe i ofroi para

    SPAK ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me arrestimin e babait të kandidates për deputete të PSD në Fier, Limonera Bozha, i cili akuzohet për veprat penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsionit pasiv në zgjedhje”.
    Prokuroria e Posaçme thotë se më datë 8 maj, rreth orës 10:00, Pandeli Bozha është takuar me shtetasin V.L në banesën e këtij të fundit dhe i ka kërkuar mbështetje për vajzën e tij, kandidate për deputete e një subjekti politik në zgjedhjet e 11 Majit 2025.
    Në këmbim të mbështetjes, Bozha i ka ofruar shtetasit V.L një shumë parash dhe një fletë të ngjashme me atë të votimit, ku me ngjyrë portokalli, ishte shënuar emri i kandidates që duhej të votohej.
    Gjatë kontrolleve të kryera është sekuestruar fleta e ngjashme me atë të votimit dhe një kartëmonedhë.
    Njoftimi i SPAK:
    Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 08.05.2025 ka regjistruar procedimin penal nr.60/2025 për veprat penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsionit pasiv në zgjedhje”, të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal.
    Procedimi është regjistruar mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ndërsa hetimet janë zhvilluar me metoda proaktive të hetimit.
    Mbi bazën e hetimeve të kryera, deri tani është krijuar dyshimi i arsyeshëm, se më datë 08.05.2025, rreth orës 10:00,  shtetasi me inicialet P.B. është takuar me shtetasin V.L në banesën e këtij të fundit dhe i ka kërkuar mbështetje për vajzën e tij – kandidate për deputete e një subjekti politik në zgjedhjet e 11 Majit 2025.
    Në këmbim të mbështetjes, shtetasi P.B i ka ofruar shtetasit V.L një shumë parash dhe një fletë të ngjashme me atë të votimit, ku me ngjyrë portokalli, ishte shënuar emri i kandidates që duhej të votohej.
    Gjatë kontrolleve të kryera është sekuestruar fleta e ngjashme me atë të votimit dhe një kartmonedhë.
    Nga hetimi rezulton se shtetasi V.L. ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, ndërsa shtetasi P.B. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.
    Më datë 12.05.2025, në orën 02:00 është ekzekutuar urdhri i prokurorit të posaçëm për ndalimin e shtetasit, P.B, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë shtetasi, V.L.
    Hetimet vijojnë për të verifikuar raste të tjera të shitblerjes së votës nga shtetasi, P.B.

  • Denoncimi i krimeve zgjedhore, SPAK vendos në dispozicion të qytetarëve numrin e gjelbërt

    Denoncimi i krimeve zgjedhore, SPAK vendos në dispozicion të qytetarëve numrin e gjelbërt

    Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar se do të jetë në shërbim të qytetarëve me një numër të gjelbër falas, 0800-04-05, gjatë ditës së zgjedhjeve.
    Ky numër do të jetë aktiv nga ora 07:00 deri në 19:00 dhe do t’u mundësojë qytetarëve të raportojnë çdo rast të dyshuar të korrupsionit zgjedhor apo krimit të organizuar që lidhet me procesin elektoral.
    “Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, gjatë ditës së zgjedhjeve, nga ora 07:00 deri në 19:00, vë në dispozicion të qytetarëve numrin e gjelbër.”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.

  • Kallëzuan kandidaten e PS Zegjine Çaushi për korrupsion zgjedhor, SPAK rrëzon PD: Mungojnë provat

    Kallëzuan kandidaten e PS Zegjine Çaushi për korrupsion zgjedhor, SPAK rrëzon PD: Mungojnë provat

    Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur mosfillimin e procedimit penal për kallëzimin e depozituar nga deputeti Flamur Noka në emër të Partisë Demokratike, ndaj kandidates së Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Zegjine Çaushi.
    Në kallëzimin e PD pretendohej se Çaushi ishte përfshirë në veprat penale të korrupsionit zgjedhor, kanosjes së pjesëmarrësve në zgjedhje, shpërdorimit të detyrës dhe përdorimit të funksionit publik. Megjithatë, SPAK nuk ka gjetur prova që mbështesin këto akuza.
    Vendimi, i firmosur nga kreu i SPAK Altin Dumani dhe marrë nga prokurori i çështjes Sotir Kllapi, thekson se në materialin filmik të dorëzuar – i transmetuar nga televizioni i familjes së Sali Berishës – nuk provohet që Çaushi të ketë kërkuar votën për Partinë Socialiste apo të ketë konsumuar veprën penale të korrupsionit pasiv në zgjedhje.
    Për akuzat e tjera të ngritura, si shpërdorimi i detyrës dhe kanosja, SPAK ka përcjellë materialet për verifikime të mëtejshme në Prokurorinë e Fierit.
    Në përfundimet e aktit zyrtar, Kllapi shkruan se nga denoncimi i datës 5 maj, “nuk gjenden elementë të veprës penale të pretenduar” nga PD dhe Flamur Noka. Ai shton se edhe përmes analizës së bisedës telefonike dhe pamjeve filmike, nuk provohet që Çaushi të ketë ofruar apo kërkuar votën për PS-në.
    zejj

  • “Receta e doktorit kundër korrupsionit është rikthimi i Metës dhe Roshit”, Basha: Është koha për drejtësi, jo riciklim

    “Receta e doktorit kundër korrupsionit është rikthimi i Metës dhe Roshit”, Basha: Është koha për drejtësi, jo riciklim

    Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, zhvilloi një takim në qytetin e Elbasanit. Në fjalën e tij, Basha tha se ka ardhru koha që më 11 maj t’i themi boll korupsionit të 12 viteve, ku ikën një i koruptuar dhe vjen një tjetër. Sipas tij, ata që i kanë future duart në xhepat e shqiptarëve, duhet të shkojnë të gjithë tek 7×7=313.
    Ai me tej tha se edhe doktori që flet për luftë kundër korrupsionit, u ofron shqiptarëve ilaçe të helmatisura, si Edmont Haxhinasto, Ilir Meta dhe Elvis Roshin.
    Basha më tej tha se Koalicioni Euroatlantik, është e vetmja forcë politike që qëndron për luftë kundër korrupsionit dhe mbështetje për SPAK. Sipaas tij, numri 4 në këtë garë qëndron për njerëzit, për qytetarët, për familjarët, për fëmijët, për Elbasanin, për Shqipërinë.
    Pjesë nga fjala e Bashës:
    Boll më me të korruptuar pas të korruptuatish, ik një, arresto një, hajde një tjetër. 12 vite, ku i ka shokët Rama? Me zi paske prit? Tek 7×7=313, dhe me shaka kemi thënë që kur të mbushet, do bëjmë gati 414, po s’ka nevojë se kemi dhë këtu disa facilitate, afër tek Metalurgjiku. Do ti bëjmë gati ato qeli edhe për të korruptuarit e tjerë, shokët e tjerë, shoqet e tjera të Edi Ramës nga Tirana, në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë ata që i kanë future duart në xhepat e shqiptarëve. Sepse sikur për asgjë tjetër, Koalicioni Euroatlantik qëndron për luftë kundër korrupsionit, mbështetje për SPAK, të gjithë shokët tek 7×7=313, vetëm me numrin 4.
    Se të tjerët flasin për të luftuar krimin dhe korrupsionin, po shiko ça bëjnë, shiko ilaçet që shkru doktori tashi, dhe s’ka faj, se mosha bën të vetën. Ilaç kundër korrupsionit, Etmond Haxhinasto! E qeshura e juaj i thotë të gjitha, ka nevojë ta vazhdojë më. Luftë kundër korrupsionit, duke nxjerr Ilir Metën nga burgu! Luftë kundër krimit, Vis Roshin, kryebashkiakun e inkriminuar të Kavajës, për të cilin ligji i dekriminalizimit që ne kaluam, e nxorri nga detyra dhe e bëri shembull në të gjitha raportet. Pra, këto janë ilaçet e helmatisura që ju thash. Dhe dua t’ia them çdo qytetari të Elbasanit, po se po votuesve tanë, mbështetësve tanë që në këto javë të fuqishme të fushatës, janë shtuar e janë rritur kudo anembanë qarkut të Elbasanit e dua t’i falënderoj nga emra për mbështetjen e jashtëzakonshme dfhe të merituar për kandidatët tanë të mrekullueshëm. Se e kanë kuptuar të parët që Koalicioni Euroatlantik është e vetmja forcë politike që është në këtë betejë në këtë garë për ju, për njerëzit, jo për karriget tona, jo për veten tonë, por për njerëzit, për qytetarët, për familjarët, për fëmijët, për Elbasanin, për Shqipërinë.
    Pra, e kanë kuptuar fare qartë se me ta jo vetëm qënuk ka ndryshim, pork jo i vjen në ndihmë Edi Ramës. Se fatkeqësisht, kësaj radhe çdo votë për 1-shin, është votë për Ilir Metën, për Etmond Haxhinaston, për Elvis Roshin, është votë për riciklimin e rrangallave të tranzicionit e të korrupsionit.

  • Lobimi 6 mln dollarë në SHBA, Kokalari: Fondacioni i Nuredin Secit, lavatriçe e korrupsionit të Berishës

    Lobimi 6 mln dollarë në SHBA, Kokalari: Fondacioni i Nuredin Secit, lavatriçe e korrupsionit të Berishës

    Aktivistja Evi Kokalari ka bërë një tjetër reagim lidhur me lobimin 6 milionë dollarësh të PD në SHBA.
    Në një reagim në facebook, ajo shkruan se referencat nga ana e demokratëve se fondacioni i Nuredin Seçit, i cili del si garantor në kontratën lobuese, si një fondacion patriotësh është një ofendim i madh për të gjithë komunitetin shqiptar në SHBA, për mundin dhe djersën që kanë hequr ata atje.
    Sipas saj, në fakt, ky fondacion është një “lavatriçe” e lekut të korrupsionit dhe nuk ka asgjë të përbashkët me shqiptarët në SHBA.
    “T’i referohesh fondacionit të Nuredin Seçit si fondacion ‘patriotësh’ është një ofendim shumë i madh për të gjithë komunitetin tonë në Amerikë, sepse ne të gjithë e kemi vuajtur jetën e emigrantit në kurriz përpara se të çoheshim në këmbë dhe të ishim në gjendje të ndihmonim Shqipërinë.
    Fondacioni i Nuredin Seçit është lavatriçe e lekut të korrupsionit që vjen nga Shqipëria dhe nuk ka asgjë të përbashkët me ne që luftojmë pikërisht këtë absurditet 33 vjeçar!!”, shkruan Kokalari.

  • Basha: Prioriteti i parë dhe kryesor i Koalicionit Euroatlantik mbështetja e SPAK dhe lufta kundër korrupsionit

    Basha: Prioriteti i parë dhe kryesor i Koalicionit Euroatlantik mbështetja e SPAK dhe lufta kundër korrupsionit

    Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin “Review”, tha se prioriteti i parë dhe kryesor i forcës politike që drejton është lufta kundër korrupsionit. Ai tha se ndryshe nga partitë e tjera që e kanë retorikë, Euroatlantikët e kanë me vepra. Sipas tij, ato janë amendamentet e propozuara në Parlament dhe që janë bllokuar prej dy vitesh si mbështetjen financiare dhe burime njerëzore për SPAK, projektligji për vettingun e politikanëve dhe amendamenti për heqjen e imunitetit të parlamentarëve.
    “Mbështetja ndaj SPAK duhet të vazhdojë dhe duhet forcohet. Dhe kjo nuk mund të mjaftohet thjesht dhe vetëm me mbështetjen e partnerëve tanë Euroatlantik, por duhet të jetë dhe mbështetje nga vet qeveria dhe legjislativi shqiptar. Ky është qëndrimi ynë kryesor, mbështetje totale ndaj SPAK. Ka dhe parti të tjera që e kanë këtë retorikë, por Euroatlantikët e kanë me vepra. Prej më shumë se dy vitesh në parlamentin e Shqipërisë ndodhen iniciativat tona për mbështetjen financiare dhe burime njerëzore për SPAK, që jo të frenohet por të vazhdojë luftën kundër korrupsionit, të vazhdojë t’i ojë shokët e korruptuar të kryeministrit dhe shoqet para drejtësisë. Dhe projektligji tjetër i depozituar prej pothaujse dy vitesh po kështu në parlament është projektligji për vettingun e politikanëve, që parashikon kontrollin e imtësishëm të përvitshëm të pasurisë të 140 deputetëve, 61 kryetarëve të bashkive, qeverisë, presidentit, drejtorëve kryesor të shtetit, me të njëjtin parim që është bërë vetingu i gjyqtarëve dhe i prokurorëve. Dhe padiskutuim edhe amendamenti që po kështu ka mbetur i bllokuar prej dy vitesh, për heqjen për imunitetin e parlamentarëve. Ne flasim me vepra kur vjen puna te lufta kundër korrupsionit” – tha ai.
    Basha u pyet për pikën e tij më të dobët si politikan, ku u përgjigj duke thënë se është kur njerëzit i thonë “je më europian seç duhet”. Por sipas tij, këtë e shikon si vlerësim pasi me këtë qytetarët kanë parasysh një kulturë të ndryshme politike nga ajo që ka dominuar vendin dhe sot njihet gjerësisht si Trekëndëshi i Bermudës, nga vendosja me do kusht e interesit, e karrierës, e interesit personal të liderve me kosto të madhe mbi shoqëri dhe nga trajtimi i politikës si një sport mundje.
    “Pika e dobët?! Njerëzit më vënë në pah që je më europian se duhet. Unë nuk e shoh si një pikë të dobët, e shoh si një vlerësim. Kanë parasysh një kulturë të ndryshme politike nga ajo që ka dominuar vendin dhe sot njihet gjerësisht si Trekëndëshi i Bermudës, nga vendosja me do kusht e interesit, e karrierës, e interesit personal të liderve me kosto të madhe mbi shoqëri dhe nga trajtimi i politikës si një sport mundje që bëhet për të fituar njëri e për të humbur tjetri dhe jo si një shërbim ndaj qytetarëve. Ndërkoh që qytetarët i shohin fëmijët e tyre në vendet e Europës ku ka me të vërteë një kulturë europiane si ajo që unë e kam për nder dhe e shoh si vlerësim ta mishëroj në politikën shqiptare, ajo e ballafaqimit të ideve, e debatit thelbësor, e ikjes nga përpjekjet për t’u justifikuar nga përgjegjësitë e papërmbushura dhe e mbajtjes së përgjegjësive të të plota politike dhe përgjegjësive penale që vjen vetëm përmes një drejtësie të pavarur dhe një lufte të vërtetë ndaj korrupsionit” – tha Basha.