Delegacioni i Komitetit të Kontrollit Buxhetor të Parlamentit Evropian (CONT) zhvilloi në muajin shtator një seri takimesh në Tiranë me Ministrinë e Financave, SASPAC dhe Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Përmes një raporti, CONT-i ka paraqitur të enjten një vlerësim të detajuar mbi progresin e Shqipërisë në menaxhimin e fondeve të BE-së, reformat ekonomike dhe luftimin e korrupsionit.
Përfaqësuesit evropianë pranuan se Shqipëria ka bërë hapa përpara në modernizimin ekonomik dhe absorbimin e fondeve evropiane, por paralajmëruan se dobësitë në drejtësi dhe presioni politik vazhdojnë të jenë pengesa serioze për integrimin.
Delegacioni e vlerësoi SPAK-un si një nga institucionet më të besuara në vend, me 70-80 për qind mbështetje publike.
Me 40 prokurorë aktivë dhe një rritje të re prej 20 prokurorësh të specializuar në hetime financiare, SPAK raportoi hetime ndaj ish-ministra, zyrtarëve të lartë dhe raste të rëndësishme të korrupsionit.
Përfaqësuesit konfirmuan se po hetohen disa çështje që prekin drejtpërdrejt fondet e BE-së.
“Veçanërisht, SPAK po heton aktualisht raste që përfshijnë keqpërdorim të fondeve të BE-së, duke përfshirë akuza për mashtrim në tetë procedura të prokurimit publik të lidhura me stafin e SASPAC-ut, dhe dy tendera publikë me vlerë mbi 1 milion euro secili që përfshijnë kompani dhe shtetas belgë”, shkruhet në raport.
Një rast tjetër lidhet me korrupsionin në ndarjen e fondeve IPARD nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit Rural, për të cilin ka raportuar më herët Albanian Post.
Tabloja e Ministrisë së Financave
Në takimin me Ministrin e Financave, Petrit Malaj, delegacioni i PE-së u informua për një tablo të fortë makroekonomike.
Në procesin e integrimit, ministria raportoi një normë të lartë thithjeje prej 82 për qind për fondet IPA dhe një mekanizëm të konsoliduar kontrolli financiar, që përfshin auditime të brendshme, bashkëpunim me OLAF-in për çështjet e mashtrimit, njësi harmonizimi dhe një rrjet prej 21 zyrtarësh që përdor sistemin IMS për raportimin e parregullsive.
Megjithatë, delegacioni vuri në dukje se dhe pse sistemi mbikëqyrës është i strukturuar mirë, efektiviteti i tij mbetet i varur nga kapacitetet njerëzore, stabiliteti institucional dhe transparenca e plotë në rastet e dyshuara për abuzime.
SASPAC: rezultate të prekshme, por probleme me zbatimin në terren
Në takimin me drejtuesit e SASPAC, delegacioni u informua se Shqipëria ka përmbushur 38 nga 41 hapat e paketës së parë të Raportit të Reformës së Qeverisjes (RGF), duke kërkuar kështu mbi 204 milionë euro financim të BE-së – 95 milionë për mbështetje buxhetore dhe 109 milionë për projekte infrastrukturore nën WBIF.
Reformat kanë prekur sektorët kryesorë: përmirësimin e klimës së biznesit, liberalizimin e tregut të energjisë, masat kundër pastrimit të parave, përmirësimin e transparencës dhe avancimin në proceset e digjitalizimit, përfshirë përgatitjen për 5G.
Megjithatë, zyrtarët e SASPAC-ut pranuan se shumë projekte infrastrukturore pësojnë vonesa për shkak të mosmarrëveshjeve për pronat, procedurave të zgjatura në parlament për ratifikimin e huave dhe mungesës së koordinimit ndërinstitucional.
CONT-i kërkoi prova më të forta raportimi, auditime të qëndrueshme dhe më shumë burime njerëzore të specializuara në kontrollin e fondeve.
Shoqëria civile nën presion
Një nga alarmet më të forta të delegacionit lidhet me dobësimin e shpejtë të shoqërisë civile. Sipas gjetjeve të tyre, organizatat e pavarura po përballen me mungesë fondesh, presione të vazhdueshme dhe mungesë qasjeje në proceset vendimmarrëse.
Delegacioni paralajmëroi se pa një sektor civil aktiv dhe të mirë-financuar, transparenca e reformave dhe kontrolli demokratik do të dobësohen ndjeshëm.
Në përfundim, CONT-i vlerësoi progresin e dukshëm ekonomik dhe përmirësimin e strukturave të mbikëqyrjes së fondeve, por theksoi se korrupsioni, politizimi dhe dobësitë në drejtësi mbeten pengesa serioze.
Besimi dhe qëndrueshmëria, sipas tyre, janë kushtet kryesore për të avancuar në procesin e integrimit evropian.









