Tag: koresë

  • Koreja e Veriut bën rusishten lëndë të detyrueshme në shkolla, forcohet edhe më shumë bashkëpunimi mes vendeve që pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022

    Koreja e Veriut bën rusishten lëndë të detyrueshme në shkolla, forcohet edhe më shumë bashkëpunimi mes vendeve që pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022

    Koreja e Veriut  ka futur zyrtarisht gjuhën ruse si lëndë të detyrueshme në shkolla që nga klasa e katërt.

    Alexander Kozlov, ministër i Burimeve Natyrore dhe Mjedisit dhe bashkëkryetar i komisionit ndërqeveritar të Federatës Ruse dhe Koresë së Veriut, deklaroi në një takim të komisionit në Moskë se aktualisht rreth 600 persona në Korenë e Veriut studiojnë rusisht. Sipas tij, kjo e bën rusishten një nga tre gjuhët më të përhapura në vend.
    Sipas Politico, në Rusi, ndërkohë, 3,000 nxënës shkolle dhe 300 studentë universiteti studiojnë gjuhën koreane.
    Kozlov shtoi se vitin e kaluar 96 qytetarë të Koresë së Veriut u pranuan në universitete ruse, përfshirë MGIMO-n, universitetin që përgatit diplomatët. Po ashtu, 29 të tjerë u regjistruan këtë vit në kurse gjeologjie në Rusi.
    Ai theksoi se të dy vendet po bashkëpunojnë në fushën e arsimit në sektorë si bankat, energjia, mjekësia dhe gjeologjia. Sipas tij, Rusia po ndërton një qendër në Korenë e Veriut që do të ofrojë arsim në gjuhën ruse në Universitetin Normal Kim Chol Ju.
    Lidhjet tradicionalisht të forta mes Rusisë dhe Koresë së Veriut janë forcuar edhe më tej që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
    Koreja e Veriut ka furnizuar Rusinë me armë dhe ka dërguar trupa për të luftuar në vijën e frontit, si dhe për të çminuar rajonin e Kurskut, një territor rus i pushtuar për një periudhë të shkurtër nga Ukraina. Dy nga grupet më të mëdha të krimit kibernetik në botë të lidhura me shtetin, Gamaredon i Rusisë dhe kolektivi Lazarus i Koresë së Veriut, janë parë gjithashtu duke ndarë burime.
    Në gusht të vitit 2025, turistët rusë u dyndën në vendpushimet e Koresë së Veriut, ndërsa linjat ajrore ruse nisën fluturime direkte drejt Phenianit.

    Top Channel

  • SHBA dhe Koreja e Jugut finalizojnë marrëveshjen për ndërtimin e nëndetëseve

    SHBA dhe Koreja e Jugut finalizojnë marrëveshjen për ndërtimin e nëndetëseve

    Qeveria e Koresë së Jugut njoftoi finalizimin e një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara për ndërtimin e nëndetëseve me energji bërthamore, raporton Bloomberg.
    Sipas një dokumenti zyrtar të publikuar të enjten nga Shtëpia e Bardhë, SHBA ka miratuar ndërtimin e këtyre “nëndetëseve sulmuese” dhe ka rënë dakord të bashkëpunojë me Seulin për furnizimin me karburant bërthamor.
    Marrëveshja shënon një avancim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, në një kohë me tensione të larta në Gadishullin Korean, përballë Koresë së Veriut të pajisur me armë bërthamore dhe një Kine me ndikim në rritje në rajon.

  • Ukrainasit shkatërrojnë raketëhedhësin e Koresë së Veriut në Pokrovsk

    Ukrainasit shkatërrojnë raketëhedhësin e Koresë së Veriut në Pokrovsk

    Forcat ukrainase shkatërruan një sistem raketor me lëshim të shumëfishtë (MLRS) të Koresë së Veriut, Tipi 75, të përdorur nga trupat ruse në sektorin Pokrovsk (rajoni i Donetskut).

    MLRS u zbulua dhe u eliminua nga dronë nga njësia Height Predators e Brigadës së 59-të të ushtrisë ukrainase.

    “Pushtuesit menduan se mund të na surprizonin me lodrën e tyre të re, por ne kemi pasur probleme të tilla edhe më parë”, thuhet në mbishkrimin e videos së publikuar nëpërmjet Telegram.

    Trupat ruse kishin tentuar ta fshihnin lëshuesin në një hendek, duke e mbuluar atë me dërrasa dhe degë.

    Sistemi 107 mm Tipi 75 nga Koreja e Veriut, është një kopje e MLRS kineze Tipi 63 dhe mund të qëllojë municione me fragmentim dhe thërrmim të lartë shpërthyes deri në një rreze prej 8.6 kilometrash.

    Sipas medias Militarnyi, forcat ruse po i montojnë lëshuesit edhe në automjete për të përmirësuar lëvizshmërinë dhe shpejtësinë e vendosjes.

    Koreja e Veriut po përgatitet të dërgojë një kontingjent tjetër trupash dhe pajisjesh ushtarake në Rusi për të mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës, tha shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, gjenerallejtënant Kyrylo Budanov, në një intervistë me The Japan Times në mesin e gushtit.

    Sipas Budanov, Pheniani planifikon të vendosë rreth 6,000 personel inxhinierik ushtarak në rajonin Kursk të Rusisë në muajt e ardhshëm, zyrtarisht për punë çminimi dhe rindërtimi.

    Përveç personelit, Koreja e Veriut pritet të dorëzojë midis 50 dhe 100 pjesë të pajisjeve ushtarake, duke përfshirë tanke M2010 (Cheonma-D) dhe transportues të blinduar BTR-80.

    Budanov tha se Koreja e Veriut aktualisht furnizon rreth 40% të kërkesës së ushtrisë ruse për municione 122 mm dhe 152 mm, të cilat po prodhohen “24 orë në ditë”. Moska ka marrë gjithashtu qindra sisteme artilerie, sisteme raketash me shumë lëshues dhe raketa nga Pheniani.

    Budanov shtoi se armët me rreze të gjatë veprimi 170 mm M1989 dhe armë të tjera të Koresë së Veriut, po krijojnë sfida serioze për trupat ukrainase dhe po kontribuojnë në zgjatjen e luftës.

  • Seuli: Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike

    Seuli: Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike

    Koreja e Veriut ka gjuajtur një raketë balistike më 7 nëntor, tha ushtria e Seulit.
    Ky njoftim vjen rreth një javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, miratoi një plan të Koresë së Jugut për të ndërtuar një nëndetëse me energji bërthamore.
    Analistët kanë thënë e plani i Seulit për ndërtimin e një nëndetëseje të tillë me energji bërthamore mund të nxisë një reagim agresiv nga Pheniani.

    Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë në Seul tha se Koreja e Veriut gjuajti një raketë të paidentifikuar balistike drejt Detit Lindor, duke iu referuar trupit ujor që njihet edhe si Deti i Japonisë.
    Raketa ra në det jashtë ujërave të Japonisë dhe nuk është raportuar për ndonjë dëm apo për të lënduar, tha kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi.
    Sipas ushtrisë së Koresë së Jugut, raketa u lëshua në orën 12:35, sipas kohës lokale, nga një zonë në veri të Phenianit dhe fluturoi rreth 700 kilometra.
    Koreja e Veriut ka rritur ndjeshëm testimin e raketave në vitet e fundit. Këto testime, sipas analistëve, kanë për synim përmirësimin e kapaciteteve për goditje precize, sfidimin e Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, si dhe testimin e armëve para se ato potencialisht të eksportohen drejt Rusisë.
    “Nga këndvështrimi i Koresë së Veriut, mundësia për sulme të papritura nga Deti Lindor mund të jetë burim ankthi. Nëse Koreja e Jugut pajiset me nëndetëse me energji bërthamore, ata do të jenë në gjendje të hyjnë në ujërat e Koresë së Veriut dhe të monitorojnë apo pengojnë armë, sikurse janë raketat balistike që lëshohen nga nëndetëset”, tha për AFP-në, Ahn Chan-il, që ka ikur nga Koreja e Veriut dhe që tani udhëheq Institutin Botëror për Studime të Koresë së Veriut.
    Trump kishte njoftuar se Koreja e Jugut do të ndërtonte nëndetësen në SHBA, ku teknologjia bërthamore konsiderohet një nga sekretet më të ndjeshme dhe më të ruajtura ushtarake.
    Për dallim nga nëndetëset që operojnë me dizel, të cilat duhet të dalin rregullisht në sipërfaqe për të mbushur bateritë, nëndetëset me energji bërthamore mund të qëndrojnë nën ujë për shumë më gjatë.

  • Koreja e Veriut ka dërguar 5 mijë trupa në Rusi nga shtatori

    Koreja e Veriut ka dërguar 5 mijë trupa në Rusi nga shtatori

    Rreth 5 mijë ushtarë të Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi që nga shtatori, për të marrë pjesë në rindërtimin e infrastrukturës.
    Lajmi u njoftua nga një ligjvënës i Koresë së Jugut pasi u njoftua nga Inteligjenca e Koresë së Jugut.
    Sipas Inteligjencës së Koresë së Jugut rreth 10 mijë ushtarë të Koresë së Veriut janë aktualisht të vendosur pranë kufirit ruso-ukrainas. Koreja e Veriut po merr pjesë aktive në luftën në Ukrainë, duke dërguar mijëra ushtarë për të sprapsur forcat ukrainase që ishin vendosur në një pjesë të vogël të kufirit rus të provincës Kursk, nga fundi i vitit 2024 deri në pranverën e vitit 2025.

    Rreth 600 ushtarë të Koresë së Veriut u vranë dhe mijëra të tjerë u plagosën në këto beteja, sipas inteligjencës së Koresë së Jugut. Gjithashtu ekspertët thonë se Koreja e Veriut merr ndihmë të konsiderueshme ekonomike, teknologji ushtarake, si dhe ndihmë ushqimore dhe energjetike nga Moska.

  • 5 mijë ushtarë koreano-veriorë në Rusi që nga shtatori, Pheniani kërkon afrimin me Uashingtonin, pretendon Seuli

    5 mijë ushtarë koreano-veriorë në Rusi që nga shtatori, Pheniani kërkon afrimin me Uashingtonin, pretendon Seuli

    Rreth 5,000 ushtarë të Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi që nga shtatori për të marrë pjesë në “rindërtimin e infrastrukturës”, tha të martën një ligjvënës i Koresë së Jugut pasi u informua nga inteligjenca e Koresë së Jugut.

    “Ka indikacione të vazhdueshme për trajnimin dhe përzgjedhjen e personelit për vendosjen e trupave shtesë”, u tha gazetarëve ligjvënësi Lee Song-kwan.
    Sipas inteligjencës së Koresë së Jugut, rreth 10,000 ushtarë të Koresë së Veriut janë aktualisht të vendosur pranë kufirit ruso-ukrainas, shtoi ligjvënësi.
    Koreja e Veriut po merr pjesë aktive në luftën në Ukrainë, duke dërguar mijëra ushtarë për të sprapsur forcat ukrainase që ishin vendosur në një pjesë të vogël të kufirit rus të provincës Kursk, nga fundi i vitit 2024 deri në pranverën e vitit 2025.
    Rreth 600 ushtarë të Koresë së Veriut u vranë dhe mijëra të tjerë u plagosën në këto beteja, sipas inteligjencës së Koresë së Jugut.
    Ekspertët thonë se Koreja e Veriut merr ndihmë të konsiderueshme ekonomike, teknologji ushtarake, si dhe ndihmë ushqimore dhe energjetike nga Moska. Ndihma është mirëpritur nga Pheniani për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj saj për shkak të programeve të saj bërthamore dhe raketore.
    Në të njëjtën kohë, Seuli njoftoi sot se Koreja e Veriut nisi raketa artilerie një orë para vizitës, të hënën, të Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së Pete Hegseth, në kufirin midis dy shteteve koreane.
    Megjithatë, sipas të njëjtit ligjvënës, agjencitë e inteligjencës së Koresë së Jugut besojnë se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un është i hapur për dialog me Shtetet e Bashkuara dhe “do të kërkojë të krijojë kontakt kur kushtet të jenë të përshtatshme”.
    “Ka shumë indikacione” se Pheniani po “përgatitet prapa skenave për bisedime të mundshme me Shtetet e Bashkuara”, tha një ligjvënës i Koresë së Jugut.
    Vizita e Hegseth vjen pas një serie propozimesh nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump drejtuar Kim Jong Un, të cilin ai e takoi tre herë gjatë mandatit të tij të parë.
    Megjithatë, analistët i kanë thënë AFP-së se Kim, i forcuar nga lidhjet e tij me Moskën dhe Pekinin, ka pak interes të takohet me Trump.

    Top Channel

  • Hegseth viziton zonën e demilitarizuar me Koresë se Jugut dhe asaj të Veriut, ministria koreanojugore e Mbrojtjes: Riafirmojmë bashkëpunimin me SHBA

    Hegseth viziton zonën e demilitarizuar me Koresë se Jugut dhe asaj të Veriut, ministria koreanojugore e Mbrojtjes: Riafirmojmë bashkëpunimin me SHBA

    Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, vizitoi zonën e demilitarizuar në kufirin midis Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut më 3 nëntor, vizita e parë e një sekretari të mbrojtjes të SHBA-së në rajon në tetë vite.

    Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Ahn Kyu-bak, shoqëroi homologun e tij amerikan në Panmunjom, vendi i vetëm ku ushtarët e Koresë së Jugut dhe të Koresë së Veriut përballen me njëri-tjetrin.
    Të dy ministrat “riafirmuan forcën e pozicionit të tyre të përbashkët mbrojtës dhe bashkëpunimin e ngushtë midis Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut në një deklaratë.
    Ahn dhe Hegseth janë planifikuar të diskutojnë gatishmërinë mbrojtëse kundër Koresë së Veriut dhe bashkëpunimin Uashington-Seul mbi sigurinë rajonale dhe mbrojtjen kibernetike, tha ministria.
    Në të njëjtën kohë, ata pritet të përmendin planet dypalëshe për të adresuar “mjedisin e sigurisë në ndryshim dhe kërcënimet” duke forcuar lidhjet midis dy vendeve.
    Uashingtoni po shqyrton mundësinë e bërjes më fleksibël të rolit të 28,500 trupave amerikane të stacionuara në Korenë e Jugut, me qëllim ruajtjen e ekuilibrit të fuqisë në Azi mes shqetësimeve rreth veprimeve kineze në Detin e Kinës Jugore dhe rreth Tajvanit.
    Zyrtarët amerikanë kanë treguar se ekziston një plan për t’i bërë forcat amerikane më fleksibile në mënyrë që ato të mund të veprojnë potencialisht jashtë gadishullit Korean, duke iu përgjigjur një game më të gjerë kërcënimesh, siç është mbrojtja e Tajvanit dhe kontrollimi i ndikimit ushtarak në rritje të Kinës.
    Vizita e Hegseth vjen pas turneut të Presidentit të SHBA-së Donald Trump në Azi javën e kaluar, gjatë të cilit republikani përsëriti se “do të donte” të takohej me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un.
    Trump u takua me Kim në qershor 2019 në Panmunjom, gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë. Në atë kohë, Trump u bë presidenti i parë në detyrë i SHBA-së që shkeli në Korenë e Veriut, duke kaluar shkurtimisht kufirin përpara se të kthehej në zonën e demilitarizuar.
    Para këtij takimi, Sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes i SHBA-së, James Mattis, kishte vizituar zonën e demilitarizuar në tetor 2017.

    Top Channel

  • Trump merr dhuratë një kurorë në Korenë e Jugut, zotohet të ulë tensionet mes Seulit dhe Phenianit

    Trump merr dhuratë një kurorë në Korenë e Jugut, zotohet të ulë tensionet mes Seulit dhe Phenianit

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump , tha se pret të ketë një “takim të shkëlqyer” me homologun e tij kinez Xi Jinping, pak para se të mbërrijë sot në Korenë e Jugut, ku do të ketë një drekë pune me Presidentin Lee Jae-myung.

    Trump u nis nga Tokio, ku ndodhej për një vizitë dy-ditore, dhe mbërriti sot në qytetin e Koresë së Jugut, Gyeongju, për të marrë pjesë në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
    Duke folur nga Air Force One, Trump tha se priste të kishte një “takim të shkëlqyer” me Xi të enjten, gjatë të cilit “do të zgjidhen shumë çështje”.
    “Kemi folur me ta dhe nuk do të improvizojmë në këtë takim (…) Mendoj se do të arrijmë një rezultat shumë të mirë për vendin tonë dhe për botën, me të vërtetë”, tha presidenti amerikan nga Air Force One.
    Trump la të kuptohej se do të ulte tarifat që i ka vendosur Kinës në hakmarrje për mënyrën se si e ka trajtuar krizën e fentanilit në SHBA.
    Edhe pse negociatorët në Pekin dhe Uashington pretendojnë se kanë arritur një “kornizë” për një marrëveshje, mbetet për t’u parë nëse Trump dhe Xi, të cilët nuk janë takuar ballë për ballë në gjashtë vjet, do të finalizojnë një armëpushim në luftën tregtare dypalëshe që ka bërë që tregjet të bien ndjeshëm dhe të ndërpresin zinxhirët e furnizimit.
    Megjithatë, presidenti amerikan ka lënë të kuptohet se “nuk është i sigurt” nëse do të diskutojë me Xi çështjen delikate të Tajvanit, një ishull i pretenduar nga Pekini.
    “Shumë shpejt”
    Duke folur në një konferencë të liderëve të biznesit nga vendet e ASEAN-it para se të takohej me Lee-n, Trump tha se një marrëveshje tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut do të finalizohej “shumë shpejt”, megjithëse zyrtarët nga të dyja palët ishin më të kujdesshëm.
    Të dy aleatët njoftuan një marrëveshje në fund të korrikut që i lejoi Seulit të shmangte tarifat më të larta të SHBA-së, pasi ranë dakord të bënin 350 miliardë dollarë investime të reja në Shtetet e Bashkuara. Por bisedimet mbi këto investime kanë ngecur.
    Presidenti amerikan u takua më pas me Lee-n në Muzeun Kombëtar, ku iu dha një kurorë ari dhe “Urdhri i Madh i Mugunghwa-s”, dekorata më e lartë e vendit që mbahet si një brez i zbukuruar dhe medalje. “Do të doja ta mbaja atë tani”, tha Trump me shaka.
    Në fillim të drekës së punës, e cila përfshinte një “ëmbëlsirë të artë”, presidenti i Koresë së Jugut u zotua se vendi i tij do të shpenzonte më shumë për mbrojtje.
    Nga ana e tij, Trump premtoi të ndihmonte në “zgjidhjen” e problemeve të Koresë së Jugut me fqinjin e saj verior. Të dy Koretë janë teknikisht në luftë që kur nënshkruan një armëpushim në vitin 1953, jo një traktat paqeje.
    “Ne do të punojmë shumë me Kim Jong Un-in dhe të gjithë për të zgjidhur problemet, sepse kjo ka kuptim”, theksoi presidenti amerikan, duke shpjeguar se nuk kishte arritur të “gjente kohën e duhur” për t’u takuar me udhëheqësin e Koresë së Veriut.

    Top Channel