I ftuar në edicionin e lajmeve, shefi i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, në një lidhje telefonike foli mbi situatën aktuale të zjarreve në vend. Ai bëri me dije se situata në Palavli është përmirësuar, megjithëse disa shtëpi janë djegur, ato kanë qenë të pabanuara. Forcat zjarrfikëse vijojnë punën në zonën e tunelit të Skarficës dhe në Lurë, ku zjarri mbetet aktiv.
Cara theksoi se temperaturat e larta dhe bimësia e thatë po favorizojnë përhapjen e flakëve, ndaj po punohet intensivisht për t’i vënë nën kontroll. Ai njoftoi se banorët janë evakuuar kur ka pasur nevojë, pavarësisht vështirësive që ata kanë pasur për të lënë shtëpitë e tyre, duke theksuar rrezikun serioz që përbën zjarri për jetën.
Ndërhyrjet ajrore po vazhdojnë falë pranisë së liqeneve, që bën të mundur punën e helikopterëve pa ndalim.
Deklarata:
Po kthehemi nga Palavlia, pas një situate të vështirë që u përballua me sukses mbrëmjen e djeshme. Ka pasur disa shtëpi të djegura, të cilat fatmirësisht kanë qenë të pabanuara. Aktualisht, situata paraqitet e qetë. Në zonat e prekura janë lënë zjarrfikës dhe rreth 35 forca të tjera që po monitorojnë dhe ndërhyjnë sipas nevojës.
Në këto momente, puna po përqendrohet në zonën e tunelit të Skarficës për të vënë nën kontroll flakët. Zona më problematike aktualisht është ajo e Lurës, ku vatra mbetet aktive. Po ashtu, shqetësuese janë edhe zona e Selenicës në Vlorë dhe qarku i Fierit, ku vijojnë të mbërrijnë forca nga e gjithë Shqipëria për të mbajtur nën kontroll zjarret.
Temperaturat janë shumë të larta dhe bimësia është e tharë, çka e bën të lehtë përhapjen e flakëve dhe krijimin e vatrave të reja zjarri. Në çdo rast kur është vlerësuar se banorët duhej të evakuoheshin, kjo është bërë me ndërhyrjen e policisë, pavarësisht kundërshtimeve nga ana e tyre. Shumë banorë e kanë të vështirë të lënë banesat, pa kuptuar që zjarri mund të përbëjë një rrezik të madh për jetën e tyre.
Në çdo situatë ka pasur ndërhyrje nga ajri. Fatmirësisht, prezenca e liqeneve në afërsi ka ndihmuar që helikopterët të punojnë pa ndërprerje.