Fushata për zgjedhjet e 11 majit ka hyrë në fazën e saj më të zjarrtë, me liderët kryesorë që po godasin fort kundërshtarët dhe po shpalosin mesazhe të forta politike. Sali Berisha ka dalë hapur në mbrojtje të kontratës së shumëpërfolur të lobimit 6 milionë dollarë në SHBA, ndërsa ka kërcënuar patronazhistët e PS me ndjekje penale si “terroristë elektoralë”.
Nga ana tjetër, Lulzim Basha ka akuzuar qeverinë se ka përpirë fondet e minatorëve, pensionistëve dhe ish-të përndjekurve politikë. Ndërkohë, Edi Rama ka zhvilluar takime në terren, ku ka paralajmëruar qytetarët se çdo votë kundër PS është një kthim pas dhe një rrezik për Shqipërinë. Pra kjo tregon se petorika politike po ashpërsohet ndërsa afron dita e zgjedhjeve, me secilin kamp që e sheh rezultatin si përcaktues për fatin e vendit.
Qëndrimi i Ramës
Konkretisht kryeministri dhe njëkohësisht kryesocialisti Edi Rama zhvilloi dje një takim me qytetarët në Dimal, në kuadër të fushatës elektorale. Rama u ndal tek arritjet kyçe për sektorët më të rëndësishëm dhe sfidat e Shqipërisë 2030 në BE. Kreu i Partisë Socialiste tha se çdo alternativë tjetër, çdo forcë tjetër politike është alternativë e rrezikut, për t’u kthyer drejt të njëjtës humnerë. Rama gjithashtu deklaroi se të ardhurat për frymë sot janë 10 300 euro, dhe në Shqipërinë 2030 do të shkojnë në 15 mijë euro. “Shqipëria është në vendin e parë me rritjen më të lartë të PBB në dekadën e fundit Të ardhurat për frymë sot janë 10 300 euro, dhe në Shqipërinë 2030 do të shkojnë në 15 mijë euro.
Nuk kemi një program dëshirash as manifest ëndrrash, janë projeksione të bëra nga ekspertë sepse kemi një program qeverisës deri në 2030. Shqipërinë e morëm me një borxh nga më të lartët në rajon, gjetëm edhe një borxh të fshehur prej 700 milionë euro. Qeveria më parë kishte lënë pa paguar kompanitë e rrugëve, dhe shërbimeve. Spitalet nuk shërbeheshin me ilaçe, I shlyem të gjitha borxhet, sot nuk i kemi borxh asnjë kompanie. Projeksioni është që në Shqipërinë 2030 kur të jemi edhe anëtarë të BE, ta çojmë nën 50 përqind. Çdo alternativë tjetër është alternativë e rrezikut, për t’u kthyer drejt të njëjtës humnerë. Barazia në të ardhura, raporti është përmirësuar dhe Shqipëria ka hyrë në tjetër kategori. Tregu i punës, kemi sot papunësinë më të ulët historike, për herë të parë e kemi ulur nën 10 %, pra e kemi bërë një shifrore. Ka shumë që thonë se është ulur se kanë ikur njerëzit, një nga shpifjet e kënetës. Shifra e regjistrit 1 milionë e 327 mijë. Se tani kemi problem edhe me aritmetikën e nisën 7×7 bëjnë 42 tani e çuan në 6 milionë”, deklaroi ai.
Më tej kryeministri Rama ka sulmuar partitë e vogla duke i krahasuar me ish-LSI-në. Ai tha se janë të rinj vetëm në moshë e fytyrë por jo në çështjet e politikës. “E kishim ndjesë pastë një LSI që na u ngatërrua nëpër këmbë dhe u kthye në nyje në fyt për shqiptarët”, tha Rama gjatë një takimi në Dimal. Po ashtu, kryeministri Rama sulmoi gjithashtu edhe kreun e PD Sali Berisha, i cili tha se shkrirja e SPAK do të thotë të kthehet drejtësia në “kënetën e bufit”. “Ne duam të hyjmë në BE, ata thonë do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. E kishim ndjesë pastë një LSI që na u ngatërrua nëpër këmbë dhe u kthye në nyje në fyt për shqiptarët, tani në vend që ta kujtojmë për 1 Maj, edhe te themi shyqyr shpëtuam nga pengmarrësit e vegjël, tani thonë do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. E kuptoni? Të rinj? Në moshë dhe fytyrë po, por në program s’kanë lidhje fare që kur thonë do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, nënvizoi Rama.
Qëndrimi i Bashës
Ndërkohë drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha zhvilloi dje takime me qytetarë dhe biznese në Njësinë 5 në Tiranë. Gjatë takimeve në rrugët e kësaj zone, Bashën e ndaluan qytetarë për të shprehur shqetësimet që nga ish-minatorë, ish-të përndjekur e deri tek pensionistë që përballen me kostot e larta të jetesës. Një nga banorët tha se edhe pse kishte punuar për 18 vite në minierë, pensioni i vogël që merr sot e detyron të bëjë punë si roje. Megjithatë pasi dëgjoi shqetësimet e tyre Basha tha se paratë e statusit të minatorit që nuk miratohet dhe dëmshpërblimet për ish-të përndjekurit po vidhen nga Edi Rama dhe shokët e tij tek 7×7=313. Ai tha se me programin e Koalicionit Euroatlantik dhe dhënies fund të korrupsionit, çështja e minatorëve do të adresohet përmes statusit të minatorit.
Ndërsa për ish-të përndjekurit, tha se përveç shpërblimit financiar që ka munguar në këto 35 vite, ata do të trajtohen të barabartë si personat me statusin e ish-ushtarakut. “Po pra, paratë për statusin i kanë vjedhur. Se duhej të ishte bërë prej kohësh, por i vjedhin për vete. Ne duhet t’i japim fund korrupsionit në mënyrë që të kemi mundësinë që të rrisim pensionet në tërësi e të adresojmë çështjen e punëve të vështira të minatorëve. Shtresa e ish-të përndjekurve, i kemi hyrë në hak 35 vite. Ka ardhur në fushatë e në fushatë tek ju, kemi ardhur në qeveri ju kemi harruar. Ata që kanë vuajtur meritojnë në radhë të parë dëmshpërblimin financiar dhe dëmshpërblimin moral. Përfshirë statusin me vlerë financiare të barabartë si statusi i ish-ushtarakut. Tani më 11 maj mundësinë për të votuar Euroatlantikët i ke”, deklaroi dhe Basha.
Qëndrimi i Berishës
Nga ana tjetër, për herë të parë Sali Berisha në një konference për mediat foli për kontratën e lobimit 6 mln dollarë, që pasi ajo u publikua në media. Në një konferencë me gazetarët, Berisha mori dje në mbrojtje kontratën e lobimit duke thënë se gjithçka është transparente, ndërsa pretendoi se kontrata me shifrën e kamur nuk ka të bëjë fare me fushatën zgjedhore. Por, në fakt e vërteta është se Flamur Noka e ka firmosur kontratën si Shqipëria Madhështore që është një koalicion me 25 parti. “Nuk ka të bëjë me zgjedhjet, fare! Ka një nen, 21 i ligjit të Partive Politike, nen që autorizon partitë që të marrin ndihma, mbështetje financiare, nga forcat e tjera politike, organizata ndërkombëtare politike dhe fondacione. Pra kontrata është 100% e bazuar në ligj. Ndaj s’mund të flasësh as për 6 milionë as për 200 apo 600 mijë.
Sipas Berishës, PPE-të denoncuan dhe dënuan përdorimin e pushtetit të qeverisë së Ramës në procesin zgjedhor, kapjen e institucioneve dhe të drejtësisë. Kontrata varet sipas kërkesave të palëve, objektivave të palëev, ndaj një gjë është e sigurt, populli opozitar nuk është jetim, kauzat do mbrohen nga një avokat që do mbrojë kauzën opozitare”, deklaroi ai. Më tej para gazetarëve, Berisha pretendoi se PD nuk është partner kontraktual i kontratës së lobimit, pasi sipas tij PD ka pranuar vetëm shërbimin. Por në fakt e vërteta është se në kontratë Partia Demokratike përcaktohet qartë si Klient, ndërsa garantuesi është Nuredin Seci. Sali Berisha thotë se PD nuk ka dhënë asnjë qindarkë për kontratën, por është komuniteti shqiptaro amerikan që po e paguan. Sa i takon fondacionit ‘Maga’ në SHBA, Berisha tha se u themelua nga patriotë, por në fakt mediat kanë zbuluar se fondacioni ka në përbërje vetëm familjen e Nuredin Secit. “PD nuk është palë kontraktuese, ne vetëm kemi pranuar shërbimin, janë fondacioni kontraktues.
PD nuk ka dhënë asnjë qindarke, edhe sikur ti kishim dhënë për kauzën qe është kontrata janë vlen 100 here. Edi Rama vjedh 130 mln euro me djegësin, dhe vazhdon të thuhet që është udhëheqës i shquar. Çdo gjë është e vlefshme për të demaskuar narkodiktatori”, u shpreh ai. Sakaq Berisha tha se nuk mund të flitet për 6 mln dollarë, duke thënë se kontrata ka një nen sipas të cilit palët mund ta ndërpresin kontratën. Por, në fakt tashmë PD i ka paguar 750 mijë dollarë kompanisë amerikane Continetal Strategy. “Kontrata ka një nen, sipas të cilit palët në çdo rrethanë që ta konsiderojnë të dobishme për veten e tyre ndërpresin kontratën. As mund të flasësh për 6 mln, as për 100 apo 200 mijë. Kontrata është sipas kërkesave të palëve”, tha ai.
Kreu i PD kërcënon PS
Ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi dje kandidatët “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për Librazhdin dhe Përrenjasin. Në fjalën tij kreu i PD-së tha se u del në mbrojtje banorëve të Hotolishtit të cilët kanë kërkuar ndryshimin e gjurmës së autostradës Elbasan-Qafë-Thanë e cila sipas projektit kalon mes për mes fshatit të tyre. “Banorëve të Hotolishtit iu jap fjalën se asgjë nuk do bëhet në kundërshtim me vullnetin e tyre. Se zgjidhja do jetë ajo që ata meritojnë dhe kërkojnë. Dhe ata kanë të drejtë në çdo ligj kombëtar dhe ndërkombëtar të përfillen dhe të vendosin për fatin e tyre”, tha Berisha. Berisha iu bëri thirre anëtarëve të forcave të policisë të mos shkelmojnë mbi djersën, mbi mundin e mbi sakrificat e tyre duke u garantuar se pas 11 majit çdo orë e tyre pune jashtë orarit do paguhet e do të ketë trajtim i ri për çdo polic.
“Por mos zbatoni urdhra kriminelësh, komisarë kriminelësh që bashkëpunojnë me bandat, zbatoni ligjin, jini shërbëtorë të vërtetë të ligjit dhe qytetarëve”, tha Berisha. Berisha bëri edhe për punonjësit e administratës për të qëndruar të palëkundur besnikë të ligjit. “Mos u bëni terroristë patronazhistë sepse ju garantoj se patronazhistët do ndiqen si terroristë elektoralë gjithë jetën e tyre”, nënvizoi dje Berisha