Nga Elton Qyno/
Tentativa për të vjedhur një automjet tip “Mercedes-Benz G-Class AMG G-63” me vlerë 180 mijë euro, është bërë shkak për nisjen e një hetimi pasuror ndaj noteres së njohur, Sanja Talhellari, duke çuar në sekuestrimin e 13 pasurive dhe disa llogarive bankare me vlerë të përgjithshme prej gati 3 milion eurove.
Rasti tentativës së vjedhjes së makinës luksoze është shënuar në 24 Gusht 2023, ku ka rezultuar se tek bulevardi “Migjeni” është tentuar të vidhet automjeti i kësaj notere.
Ndërsa për këtë ngjarje është proceduar njëherësh dhe ish-bashkëshorti i noteres Sanja Talhellari, shtetasi nga Burreli Klodian Porja, ndaj të cilit policia ngriti akuzat “Dëmtime të tjera me dashje” dhe Kundërshtim i punonjësit të rendit publik.
Por sipas dosjes hetimore të siguruar nga gazetari Elton Qyno, kjo situatë shërbeu më pas në nisjen e një hetimi pasuror ndaj çiftit të divorcuar Sanja Talhellari dhe Klodian Porja.
Gjatë marjes në pyetje në policinë e Tiranës, noterja Sanja Telhallari ka shtuar se, si juriste, e kupton arsyen e hetimit ndaj saj.
Ajo ka theksuar se ish-bashkëshorti i saj, Klodian Porja, nuk ka qenë i përkushtuar ndaj familjes dhe nuk ka kontribuar në rritjen e fëmijëve, por përkundrazi i ka shkaktuar probleme psikologjike dhe financiare.
Noterja ka deklaruar se ish-burri ka qenë i dënuar në Itali, sipas njohurive të saj, për çështje të lidhura me lëndë narkotike.
Ndërkohë, Sanja ka theksuar se në familjen e saj nuk ka persona të dënuar dhe se të gjitha pasuritë që zotëron burojnë nga puna si notere dhe trashëgimia e përfituar nga nëna birësuese. Ajo është shprehur e gatshme të vërë në dispozicion të organit procedues të gjithë dokumentacionin mbi pasuritë dhe burimin e tyre.
Por nuk është vetëm çështja e drogës, pasi ish-burri i saj është marë dhe me shfrytëzim prostitucioni në Itali. Ky informacion, shtyu hetimin pasur në një hap të mëtejshëm për shkak të një të kaluare të erët që Klodian Porja, kishte pasur me Drejtësinë Italiane.
Kjo pasi në 30 korrik 2013 gjykata e Romës, ka lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar me Nr.9652/12 RGNR-4252/13 RG GIP, për veprat penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”.
Sipas kësaj dosje hetimore, Klodian Porja, është hetuar si pjesë e një rrjeti të trafikimit dhe shfrytëzimit të prostitutave në Itali, vepër penale kjo që parashikon një dënim me 21 vite burgim.
Për shkak të këtij urdhër-arresti, Klodian Porja, rezulton me kartelë të kuqe nga Interpol Tirana, ku njoftohet që: “…ky shtetas Shqiptar të ndalohet dhe të njoftohet menjëherë ZQK Interpol Tirana,me qëllim ekstradimin e tij në Itali…”.
Ndërkohë në lidhje me verifikimin e noteres Sanja Telhallari dhe familjarëve të saj, i është kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, e cila ka dërguar informacion se Sanja Telhallari, ka kryer tre raste procedura doganore importi me deklaratat doganore IM4, në Tiranë, Durrës dhe Kakavijë,
Të gjitha deklarimet doganore janë për automjete, nga ku vihet re zhdoganimi i automjetit tip “Mercedes Benz GLE”, vit prodhimi 2020, me vlerën e faturës 40.000 Euro.
Po kështu, babai i saj Arjan Telhallari ka kryer katër deklarata doganore, nga të cilat vihet re zhdoganimi i një automjeti me vlerë 20.000 Euro, ndërsa rastet e tjera janë automjete me vlera të vogla, rreth 1.000 Euro.
Në përgjigje të Drejtorisë së Doganave, vërehet se edhe ish-bashkëshorti i saj Klodian Porja, ka kryer 85 raste procedura doganore importi, kryesisht për automjete pasi rezulton pronar i kompanisë së tregtisë së makinave “AN&AR”.
Prokuroria thotë në hetimin e saj se:
”…duke marë në konsideratë pasuritë e paluajtshme dhe të paluajtshme që disponon noterja Sanja Telhallari dhe familja e saj, si apartamente banimi dhe automjete luksoze, dyshohet se paratë e fituara mund të vijnë nga aktijvitetij kriminal i ish-bashkëshortit të sa, Klodian Porja…”.
Por nga ana tjetër në 11 dhjetor 2023, ka rezultuan se Banka Kombëtare Tregtare, ka informuar prokurorinë e Tiranës që po kryente hetime pasurore ndaj Sanja Telhallari, se kjo shtetasa ka tërhequr në 10 shkurt 2023 një kredi nga kjo bankë në vlerën prej 700 mijë euro.
Sipas noteres kjo kredi është përdorur për likujdimin e vilës luksoze në “Rolling Hills”.
Kurse për sa i përket biznesit si notere publike, nga viti 2017 deri në qershor 2024, ka rezultuar se Sanja Telhallari ka deklaruar në bilancet tatimore një fitim prej 1 milird e 4 miliokn lekë të vjetra.
Ndërkohë gjatë marjes në pyetje në polici, noterja ka sqaruar se, në lidhje me kontratën e 25 shtatorit 2013, për një apartament në vlerën 80.000 euro, ka kryer vetëm një rezervim, pa bërë ndonjë transaksion bankar ose pagesë kesh, pasi nuk ka pasur mundësi të siguronte fondet. Kontrata është revokuar dhe prona nuk ka kaluar kurrë në emrin e saj.
Gjithashtu për kontratën e 7 Tetorit 2016 me shoqërinë “Akil 2014” në shumën 45,000 euro, ka deklaruar se situata ka qenë e njëjtë, nuk është kryer blerja dhe apartamenti nuk ka qenë asnjëherë në pronësinë e saj.
Në lidhje me kontratën e 13 shkurtit 2017 me shoqërinë “VI&VI”, për shumën 160.000 euro, Sanja ka sqaruar se ka porositur tre apartamente dhe dy garazhe, nga të cilat dy apartamente i ka likuiduar.
Burimi i fondeve ka qenë trashëgimia e përfituar nga halla e saj, Englantina Telhallari, e cila e ka birësuar me vendimin e gjykatës nr. 7927 Akti dhe nr. 5517 Vendimi, datë 13 qershor 2008.
Englantina, kishte qenë e martuar me shtetasin italian Anunziato Petrone, i ndarë nga jeta më 03.07.2003). Meqenëse çifti nuk kishte fëmijë, birësimi është bërë për qëllim trashëgimie.
Telhallari ka deklaruar se pasuria e përfituar është përdorur për shkollim, shpenzime personale dhe blerje pasurish, pa qenë në gjendje të përcaktojë shumën e saktë.
Po ashtu për kontratën e 1 Nëntorit 2017 me shoqërinë “Alb-MS” në vlerën 89.839 euro, ajo ka deklaruar se nuk e mban mend dhe nuk di arsyen e saj.
Në lidhje me deklaratën noteriale 16 nëntor 2018 me shoqërinë “A.M.E.S”, ku ka dhënë hua shumën 50.000 euro, ajo ka sqaruar se e ka dhënë për ndihmë ndaj klientit të saj, Aleksandër Gjonaj, i cili më pas ia ka kthyer. Fondet kanë qenë nga të ardhurat e biznesit dhe trashëgimia nga halla.
Për kontratën e 14 Majit 2019, lidhur me kalimin e të drejtave të një pasurie në vlerën 65.000 euro tek shtetasi Rrushan Bregu, ajo ka deklaruar se kjo pasuri ishte pjesë e tre apartamenteve të porositura tek “VI& VI”, ku njëri është tjetërsuar.
Për kontratën e 1 korrikut 2019, në shumën 103.245 euro, ajo ka sqaruar se është kontrata përfundimtare për një apartament tek “VI& VI”, ndërsa kontrata e 13 shkurt 2017 ishte e porosisë.
Për kontratën e datës 25 qershorit 2019, në vlerën 13.867.200 lekë, me shitës Arjan Haxhiaj, ajo ka deklaruar se pasuria ka qenë një dyqan i blerë më parë nga shtetasi Arben Kosova rreth shumës 50.000 euro dhe është shitur në vlerën e sipërcituar. Burimi i fondeve kanë qenë fitimet nga biznesi dhe trashëgimia.
Për kontratën e 28 korrik 2021, në shumën 150.000 euro me shtetasen Losina Haderaj (motrën e ish-bashkëshortit Klodian Porja), ajo ka deklaruar se fondet kanë ardhur nga fitimet e biznesit.
Për deklaratën noteriale të datës 04.08.2021, ku ka marrë hua shumën 80.000 euro nga shtetasi Bledar Cela, ajo ka sqaruar se e nich prej vitesh si ndërtues dhe klient të saj. Shuma është marrë për blerjen e dyqanit ku ndodhet zyra aktuale. Deri më tani nuk është shlyer, por është shprehur e gatshme ta shlyejë së shpejti.
Gjithashtu për kontratën e 11 qershorit 2022, në shumën 12.187.335 lekë me “VI&VI”, ajo ka deklaruar se është kontrata përfundimtare e një porosie të mëparshme.
Në lidhje me kontratën e 6 Tetorit 2022, në shumën 184.170 euro për tre apartamente me “BULDING”, noterja Telhallari ka deklaruar se burimi i fondeve ka qenë biznesi i saj si notere. Apartamentet më pas janë shitur me çmime më të larta, duke përfituar fitim shtesë.
Për kontratën e 8 nëntorit 2022, për blerjen e një vite në “Rolling Hills” në shumën 872.500 euro nga shoqëria “KUPA”, Sanja ka deklaruar se kontrata është likuiduar.
Fondet kanë ardhur nga një kredi prej 700.000 euro pranë BKT-së, nga biznesi i saj dhe nga fitimet e shitjes së tre apartamenteve në zonën “Don Bosko”.
Për kontratën e datës 23 nëntor 2023, ku i ka shitur shoqërisë “IBA Invest” një automjet “Mercedes Benz G-Class” në shumën 100.000 euro, ajo ka deklaruar se automjetin e kishte blerë më 11.05.2023 nga shtetasi Ilir Isufi në shumën 60.000 euro dhe më pas e ka shitur 100.000 euro. Burimi i fondeve ka qenë biznesi i saj.
Për kontratën e datës 5 qershor 2024, në shumën 104.000 euro, për një pasuri të paluajtshme blerë nga Shkëlqim Kupa dhe Fatime Kupa, ajo ka sqaruar se pasuria ka qenë një dyqan, blerë me të ardhurat e fitimeve të vitit 2024.
Ndërkohë për kontratën e 22 qershorit 2023, në shumën 2.300.000 lekë me shtetasit Alban dhe Lorena Papushi, ajo ka deklaruar se pasuria ka qenë një tokë në lagjen “Ali Demi”, të blerë më parë për 500.000 lekë dhe më pas e shitur në vlerën e sipërcituar.