Tag: kontratat

  • BE miraton marrëveshjen për ndërprerjen e importit të gazit rus, afati i fundit nëntori i 2027-ës

    BE miraton marrëveshjen për ndërprerjen e importit të gazit rus, afati i fundit nëntori i 2027-ës

    Bashkimi Europian synon t’i japë fund të gjitha importeve të gazit nga Rusia deri në fund të vitit 2027, sipas një marrëveshjeje të arritur në Bruksel midis përfaqësuesve të qeverive të 27 shteteve anëtare dhe Parlamentit Evropian.

    Siç raporton Bloomberg, sipas planit, për kontratat afatshkurtra të nënshkruara para 17 qershorit 2025, ndalimi do të hyjë në fuqi nga 25 prilli 2026 për gazin natyror të lëngshëm dhe nga 17 qershori 2026 për gazin e transportuar përmes tubacioneve.
    Për kontratat afatgjata të furnizimit me gaz të lëngshëm, ndalimi do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, siç parashikohet në paketën e 19-të të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Për kontratat afatgjata të importit të gazit përmes tubacioneve, importet do të ndalohen nga 30 shtatori 2027, në varësi të përmbushjes së objektivave të stokut të gazit, dhe jo më vonë se 1 nëntori 2027.
    Që nga tetori, Rusia ishte burimi i rreth 12% të importeve të gazit të BE-së. Në krahasim, Shtetet Anëtare importonin rreth 45% të gazit që konsumonin para pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022. Hungaria, Franca dhe Belgjika janë ndër Shtetet Anëtare që vazhdojnë të importojnë gaz rus.
    Ndërkohë, katër burime në agjencinë e lajmeve Reuters raportuan dje se Komisioni Evropian synon të paraqesë një propozim zyrtar brenda javës për përdorimin e fondeve të bllokuara ruse për të financuar Ukrainën, gjë që lë të hapur edhe mundësinë e huamarrjes së përbashkët të BE-së nga tregjet financiare ndërkombëtare, ose një kombinim të dy opsioneve.
    Udhëheqësit e BE-së ranë dakord në tetor të mbulojnë “nevojat urgjente financiare” të Ukrainës gjatë dy viteve të ardhshme, por nuk miratuan një plan për të përdorur 140 miliardë euro fonde të ngrira ruse në Evropë për të siguruar një kredi për Kievin, veçanërisht për shkak të shqetësimeve në lidhje me rreziqet ligjore të ngritura nga Belgjika.
    Shumica e fondeve ruse të ngrira në Europë mbahen në depozitën belge të letrave me vlerë Euroclear.
    Sipas propozimit të Komisionit, Ukraina do ta shlyente kredinë vetëm nëse Rusia do t’i ofronte kompensim për dëmet e luftës. Teksti pritet të miratohet të martën, thanë burimet e Reuters.
    Një zëdhënës i Komisionit Europian nuk komentoi mbi përmbajtjen e tekstit kur u pyet për të nga agjencia, duke u kufizuar në deklaratën se komisionerët “do të shqyrtojnë opsionet” për financimin e Ukrainës dhe pritet të “miratojnë” propozimin për këtë.
     

    Top Channel

  • BE finalizon marrëveshjen për ndalimin e importit të gazit rus deri në vitin 2027

    BE finalizon marrëveshjen për ndalimin e importit të gazit rus deri në vitin 2027

    Këshilli Evropian tha të mërkurën se arriti një marrëveshje me Parlamentin Evropian për heqjen graduale të importeve të gazit rus deri në vitin 2027, si pjesë e një përpjekjeje për t’i dhënë fund varësisë nga energjia ruse.
    Marrëveshja do të përfshijë një ndalim të gradual dhe ligjërisht të detyrueshëm për importet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe gazit të tubacioneve nga Rusia, me një ndalim të plotë përkatësisht me dy faza.
    Bashkëligjvënësit konfirmuan se importet e gazit rus të tubacioneve dhe LNG-së do të ndalohen gjashtë javë pas hyrjes në fuqi të rregullores, duke ruajtur një periudhë tranzicioni për kontratat ekzistuese.
    Sipas planit, për kontratat afatshkurtra të nënshkruara para 17 qershorit 2025, ndalimi do të hyjë në fuqi nga 25 prilli 2026 për gazin natyror të lëngshëm (LNG) dhe nga 17 qershori 2026 për gazin e transportuar përmes tubacioneve.
    Për kontratat afatgjata të furnizimit me LNG, ndalimi do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, siç parashikohet në paketën e 19-të të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Për kontratat afatgjata të importit të gazit përmes tubacioneve, importet do të ndalohen nga 30 shtatori 2027, në varësi të përmbushjes së objektivave të stokut të gazit, dhe jo më vonë se 1 nëntori 2027.
    Rreth 19 përqind e gazit të Evropës ende vjen nga Rusia, nëpërmjet tubacionit TurkStream dhe dërgesave të LNG-së, nga afërsisht 45 përqind para vitit 2022.
    Për të zëvendësuar furnizimet ruse, BE ka sinjalizuar se do të zgjerojë energjinë e pastër dhe mund të importojë më shumë LNG amerikane.
    Spanja, Belgjika, Holanda dhe Franca importojnë LNG ruse, por të gjitha kanë thënë se e mbështesin plotësisht ndalimin, duke theksuar se ai duhet të jetë mjaftueshëm i fuqishëm ligjërisht për të shmangur ekspozimin e kompanive ndaj gjobave ose arbitrazhit.

  • Kontratat koncesionare/ Sterilizimi dhe dializa përfundojnë më 2026, ja sa do të jenë pagesat

    Kontratat koncesionare/ Sterilizimi dhe dializa përfundojnë më 2026, ja sa do të jenë pagesat

    Financimi i kontratave koncesionare në sektorin e shëndetësisë hyn në një fazë të re vitin që vjen. Sipas projektbuxhetit, dy nga kontratat më të rëndësishme dhe më të kushtueshme të sistemit, ajo e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale dhe ajo e ofrimit të shërbimit të dializës përfundojnë në 2026.
    Të dhënat tregojnë se pagesat për sterilizimin arrijnë kulmin në vitin 2025 me rreth 1.9 miliardë lekë, përpara se të bien ndjeshëm në 2026 në vetëm 500 milionë lekë, për t’u mbyllur më pas plotësisht.
    E njëjta prirje vërehet edhe për kontratën e dializës, ku fondet nga 960 milionë lekë në 2025 arrijnë në 815 milionë lekë në 2026, për t’u mbyllur në fund të vitit tjetër.
    Shifrat tregojnë se buxheti i shtetit do të çlirohet gradualisht nga dy angazhimet më të rënda financiare në sistemin shëndetësor, të cilat ishin të debatueshme për kosto të larta.
    Vlera e përafërt për financimin buxhetor për dy kontratat e sterilizimit dhe dializës në total arriti rreth 250 milionë euro përgjatë 2016-2026.
    Kontrata e Laboratorëve, që është planifikuar të zgjasë deri në vitin 2030, po bëhet boshti kryesor i skemës PPP në shëndetësi.
    Fondet për laboratorët rriten çdo vit, nga 1.8 miliardë lekë në 2024 në 1.9 miliardë në 2025, për të arritur 2 miliardë në 2026 dhe 2.15 miliardë lekë në 2027. Financimet për këtë kontratë janë dyfishuar në raport me parashikimet fillestare.
    Kontratat e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale dhe të dializës, të dyja të nënshkruara në vitin 2016 me afat dhjetëvjeçar, kanë qenë ndër më të kushtueshmet për buxhetin e shëndetësisë.
    Të dyja këto kontrata kanë qenë objekt i hetimeve nga institucionet e drejtësisë dhe janë përmendur shpesh në raportet të Kontrollit të Lartë të Shtetit si shembuj të mungesës së analizës së kostove dhe mbivlerësimit të shërbimeve të ofruara.
    Kontrata e sterilizimit, në veçanti, është shoqëruar me akuza për fryrje të kostove, pagesa të pajustifikuara dhe procedura të dyshimta prokurimi që kanë përfshirë edhe hetime nga SPAK. Edhe marrëveshja për dializën është kritikuar për çmimet më të larta krahasuar me vendet e rajonit dhe për zbatimin e dobët në disa spitale rajonale.
    Kontrata e laboratorëve që mbetet në fuqi po rrit kostot e financimit nga buxheti vit për vit. Edhe ky projekt ka pasur kritika për dobësi në hartimin e kontratës PPP, financimeve të mëdha buxhetore dhe mungesës së transparencës në raportimin e performancës./ Monitor

  • Koncesionet dhe PPP-të “gllabëruan” 100 milionë euro gjatë nëntëmujorit 2025

    Koncesionet dhe PPP-të “gllabëruan” 100 milionë euro gjatë nëntëmujorit 2025

    Gjatë nëntëmujorit të vitit 2025, pagesat për kontratat koncesionare arritën në 9.61 miliardë lekë (rreth 100 milionë euro), që përbëjnë 69% të planit vjetor, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave. Muaji shtator regjistroi nivelin më të lartë të pagesave me 2.14 miliardë lekë, ku kontrata për “Rrugën e Arbrit” zuri pjesën kryesore me rreth 1 miliard lekë, ose 47.1% të totalit të atij muaji.
    Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, pagesat u rritën me 289.5 milionë lekë, ose 3.1% më shumë. Rritja është ndikuar kryesisht nga kontratat e mëdha infrastrukturore “Autostrada Milot–Morinë”, me 277.8 milionë lekë më shumë, dhe “Rruga Porti i Jahteve – By Pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)”, me 171.9 milionë lekë shtesë. Ndërkohë, është vërejtur ulje e pagesave për projektin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë Tiranë, me 347.8 milionë lekë më pak se një vit më parë.
    Për gjithë vitin 2025, fondet e planifikuara për kontratat koncesionare dhe partneritetet publike–private arrijnë në 13.93 miliardë lekë, nga të cilat 8.34 miliardë janë shpenzime korrente dhe 5.59 miliardë për investime. Ky plan rezulton 4.77% më i lartë se pagesat faktike të vitit 2024, që ishin 13.29 miliardë lekë, duke reflektuar një rritje prej rreth 634.6 milionë lekësh.
     

  • Kontratat PPP marrin 120 mln euro në 2026, 10 mln euro për incenetarorin e Tiranës

    Kontratat PPP marrin 120 mln euro në 2026, 10 mln euro për incenetarorin e Tiranës

    Kontratat PPP marrin 120 mln euro në 2026, 10 mln euro për incenetarorin e Tiranës
    Në vitin 2026, financimet për kontratat koncesionare dhe projektet e partneritetit publik-privat (PPP) me mbështetje nga buxheti i shtetit parashikohen të pësojnë një rënie të ndjeshme krahasuar me vitin paraardhës.
    Sipas të dhënave të tabelës, totali i fondeve për këto projekte zbret nga 13.9 miliardë lekë në vitin 2025 në rreth 12.08 miliardë lekë në vitin 2026. Kjo përfaqëson një tkurrje prej afro 1.85 miliardë lekësh, ose rreth 13.3% më pak
    Në Ministrinë e infrastrukturës dhe Energjisë, financimet për projektet ekzistuese mbeten thuajse të pandryshuara. Ndër projektet kryesore, kontrata për ndërtimin dhe operimin e Rrugës së Arbrit ruan nivelin e financimit prej 3.36 miliardë lekësh, ashtu si në vitin 2025, ndërsa shpenzimet për mirëmbajtjen e rrugëve parashikohen 660 milionë lekë.
    Projekti për portin e jahteve në Orikum mbetet në 860 milionë lekë, pa ndryshim nga viti paraardhës.
    Për dy kontrata kryesore pritet të ulen. Programi i check-up-it për popullsinë 35–70 vjeç parashikohet të financohet me 699.8 milionë lekë në vitin 2026, nga 876 milionë lekë në 2025, ndërsa pagesat për shërbimin e doganave ulen lehtë nga 1.52 në 1.5 miliardë lekë.
    Rënia më e madhe regjistrohet në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Projekti i sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë dhe shërbimeve të dezinfektimit pëson një tkurrje drastike, duke zbritur nga 1.9 miliardë lekë në 2025 në vetëm 500 milionë lekë në 2026.
    Koncesioni për shërbimet laboratorike në pesë spitale rajonale arrin në 2 miliardë lekë nga 1,9 miliardë ketë vit.
    Në nivel vendor, projektet e Bashkisë Tiranë, që përfshijnë ndërtimin e shkollave dhe programet për eficiencën e energjisë, pësojnë gjithashtu rënie të moderuar. Financimet për ndërtimin e shkollave ulen nga 707.5 milionë lekë këtë vit në 685.2 milionë lekë./Monitor

  • Kontratat PPP marrin 120 mln euro nga buxheti 2026, 40% e fondit shkon për koncesionet në Infrastrukturë

    Kontratat PPP marrin 120 mln euro nga buxheti 2026, 40% e fondit shkon për koncesionet në Infrastrukturë

    Në pr.buxhetin për vitin 2026 janë është parashikuar që 120 mln euro të shkojnë për kontratat koncesionare. Aktualisht, në pr.buxhet theksohet se janë aktive 11 kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP).
    Financimet për kontratat koncesionare dhe projektet e partneritetit publik-privat (PPP) me mbështetje nga buxheti i shtetit parashikohen të pësojnë një rënie të ndjeshme krahasuar me vitin paraardhës.
    Sipas të dhënave të tabelës në relacionin për buxhetin, totali i fondeve për këto projekte zbret nga 139 milionë euro në vitin 2025 në rreth 120 milionë euro në vitin 2026. Kjo përfaqëson një tkurrje prej afro 18.5 milionë eurosh, ose rreth 13.3% më pak.
    Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mban peshën më të madhe të fondeve për këto kontrata. Rruga e Arbrit është koncesioni me vlerën më të lartë të financimit në vend, koncesion që ruan nivelin e financimit prej 3.36 miliardë lekësh, ashtu si në vitin 2025.
    Gjithashtu, vazhdon subvencionimi i kontratës për autostradën Milot–Morinë, me 660 milionë lekë (rreth 6.6 milionë euro), si dhe financimi 860 mln lekë ose 8.6 mln euro për projektet në Portin e Jahteve në Vlorë dhe Dukat. Në total, Ministria e Infrastrukturës merr 40% të fondit për koncesionet, ose rreth 48.8 mln euro.
    Ministria e financave merr 15 mln euro që shkojnë për koncesionin për shërbimin e skanimit të Doganave.
    Ndërkohë, për herë të fundit qeveria paguan për kontratat koncesionare për shëndetësinë. Kontrata koncesionare e check-up-it për popullsinë 35–70 vjeç parashikohet të financohet me 699.8 milionë lekë (rreth 7 milionë euro) në vitin 2026, nga 876 milionë lekë (rreth 8.7 milionë euro) në 2025.
    Sterilizimi do të financohet me 500 milionë lekë (rreth 5 milionë euro) në vitin 2026, nga 1.9 miliardë lekë (rreth 19 milionë euro) në 2025. Ndërsa kontrata e dializës parashikohet të marrë 815 milionë lekë (rreth 8.1 milionë euro) në 2026, nga 960 milionë lekë (rreth 9.6 milionë euro) në 2025.  Koncesioni për shërbimet laboratorike në pesë spitale rajonale arrin në 2 miliardë lekë (rreth 20 milionë euro) në vitin 2026, nga 1.9 miliardë lekë (rreth 19 milionë euro) këtë vit.
    Në nivel vendor, projektet e Bashkisë Tiranë, që përfshijnë ndërtimin e shkollave dhe programet për eficiencën e energjisë, pësojnë gjithashtu rënie të moderuar. Financimet për ndërtimin e shkollave ulen nga 707.5 milionë lekë (rreth 7 milionë euro) këtë vit në 685.2 milionë lekë (rreth 6.8 milionë euro) në vitin 2026. Ndërsa, 10 milionë euro (rreth 1 miliard lekë) do të shkojnë për inceneratorin e Tiranës.

  • “Po shkelin kontratat”/ Protesta e minatorëve të Spaçit, reagon kompania: Duhet të rikthehen menjëherë në punë

    “Po shkelin kontratat”/ Protesta e minatorëve të Spaçit, reagon kompania: Duhet të rikthehen menjëherë në punë

    Pasi dhjetëra minatorë në Spaç të Mirditës, prej datës 8 tetor kanë pezulluar punën ne galeritë e kromit dhe janë ngritur në një protestë, ka reaguar sërish kompania koncesionare turke TETE Albania. Përmes një njoftimi për mediat, TETE Albania e ka konsideruar protestën e minatorëve si të jashtëligjshme, pasi sipas tyre punonjësit kanë shkelur kontratat individuale të punës dhe legjislacionin në fuqi.
    TETE Albania shton se janë të gatshëm që të dëgjojnë kërkesat e punonjësve dhe i fton për herë të fundit që të rikthehen menjëherë në detyrë. Kompania thekson se kthimi në punë përbën hapin e parë drejt normalizimit të situatës dhe stabilitetit të përgjithshëm.
    “Që nga data 8 tetor 2025, brenda kompanisë TETE ALBANIA TUNNEL AND MINING Sh.A. është zhvilluar një grevë e paligjshme, gjatë së cilës më shumë se 45 punonjës nuk janë paraqitur në vendin e punës.
    Si shenjë vullneti të mirë, TETE Albania ka informuar vazhdimisht punonjësit për shkeljet ligjore që burojnë nga ky veprim dhe u ka bërë thirrje për t’u rikthyer në punë, duke theksuar gatishmërinë e kompanisë për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të zhvilluar dialog të hapur.
    Megjithëse punonjësit në fjalë kanë shkelur kontratat individuale të punës dhe legjislacionin në fuqi, kompania, në frymën e besimit dhe bashkëpunimit, i fton për herë të fundit të rikthehen menjëherë në detyrë.
    TETE Albania nënvizon se çdo çështje mund të trajtohet në mënyrë të hapur dhe ligjore, përmes komunikimit institucional dhe respektimit të rregullave të punës.
    Kompania shpreh gatishmërinë për të mirëpritur rikthimin e të gjithë punonjësve me kontrata të vlefshme pune, duke theksuar se kthimi në punë përbën hapin e parë drejt normalizimit të situatës dhe stabilitetit të përgjithshëm, si për 170 punonjësit e tjerë aktivë, ashtu edhe për qindra punëtorë të kompanive nënkontraktuese që presin rifillimin e aktivitetit.
    Në përfundim, TETE Albania falënderon institucionet shtetërore për vëmendjen e treguar gjatë këtij procesi dhe rikonfirmon angazhimin e saj për dialog, respektim të ligjit dhe bashkëpunim të ndërsjellë në zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje, thuhet në reagimin e TETE Albania.
    Një nga kërkesat kryesore të minatorëve të Spaçit, është njohja e sindikatës së krijuar në muajin gusht dhe nënshkrimi i një kontrate kolektive, që sipas tyre do të garantonte të drejtat dhe sigurinë në punë.

  • Verë zhgënjyese- Çmimet larguan italianët dhe Kosovën, shërbimi Diasporën shqiptare

    Verë zhgënjyese- Çmimet larguan italianët dhe Kosovën, shërbimi Diasporën shqiptare

    FOTO ILUSTRUESE

    TIRANË-Vera e këtij viti është endur mes zhgënjimit të një sezoni turistik, ku zhvillimet reale nuk u përputhën me pritshmëritë e fillimvitit. Strukturat hoteliere në Jug kanë raportuar rënie me 30% të të ardhurave në raport me verën 2024, ndërsa në Veri, kjo rënie ishte 10-15%. Shkak është ndryshimi i target-grupit që po na viziton ku mbizotërojnë masivisht ata me buxhet të ulët. Durrësi ka shfaqur qëndrueshmërinë më të lartë në të gjithë bregdetin.
    Për vitin 2026, kontratat me garanci kanë mbetur njëlloj si në verën 2025 por sinjal pozitiv është hyrja e tregut francez. Për shkak të imazhit të përkeqësuar, agjencitë e huaja kanë shtuar një klauzolë që u jep të drejtën të tërheqin 20% të kontratave deri në fund të vitit nëse shitjet nuk shkojnë siç duhet. Në total, viti 2025, pritet të arrijë shifrat e vitit të shkuar për numrin e të huajve, me pritshmërinë që turet kulturore do të kompensojnë zbehjen e verës.
    “Pas 12 ditësh është momenti të kthehem në Portugali. Shqipëria është një vend i bukur por ende nuk është gati të presë kaq shumë turistë. Vend që mund ta shohësh një herë dhe është e dukshme që të mos vish më.
    PS: Njerëzit janë shumë të mirë”. Ky është komenti i Fernandos nga Portugalia, në ikje pas pushimeve në vendin tonë. Një koment i bukur dhe i trishtë njëkohësisht.
    Kjo verë, ndryshe nga dy të shkuarat, ku mbizotëronte pozitiviteti, është ndarë mes zhgënjimit dhe së bukurës ku balanca ka anuar nga e para. Që turizmi, si çdo sektor do të ketë trajektoren e tij me ulje dhe ngritje nuk është surprizë, por si një vend që me një promovim aktiv në mediat ndërkombëtare, që ende vazhdon vrullshëm, një lëkundje e tillë ishte shumë e shpejtë.
    Arsyet se pse suksesi i turizmit u zbeh që në muajt e parë të këtij viti dhe vijoi edhe më dukshëm gjatë verës janë disa dhe përfshijnë të gjithë palët nga qeveria te biznesi.
    Çmimet larguan italianët dhe Kosovën, shërbimi Diasporën shqiptare
    Në fund të vitit 2024, operatorët turistikë prisnin që viti 2025 të kishte ecuri të ngjashme me vitin e shkuar.
    Promovimi në mediat ndërkombëtare, fuqia e rrjeteve sociale, pjesëmarrja aktive e Shqipërisë në evente ndërkombëtare siç ishte IBT Berlin në të cilin ishim vend nderi, parashikohej që t’i jepte një tjetër shtysë sektorit.
    Por që në muajin shkurt u pa qartë një ngadalësim i turizmit që vazhdoi me një hap pas në mars dhe me rritje modeste në vijim. Në fund të majit, panorama u bë e qartë. Rezervimet individuale për sezonin veror në hotele ishin më të ulëta, një sinjal që tregonte se vera nuk do të ishte ashtu siç pritej.
    Në Jug të vendit, shkak për rënien është bërë paqëndrueshmëria e çmimeve dhe vendosja e një raporti të drejtë çmim/shërbim. Grupet që munguan dhe që kanë bërë diferencën janë italianët, Kosova dhe Diaspora shqiptare në përgjithësi. Arsyeja pse ne nuk kemi pasur një sezon veror më të mirë, siç edhe e prisnim ka të bëjë me tendencat e shfaqura nga grupet kryesore që mbajnë këtë turizëm në vend.
    Së pari kemi një rrjedhje të turistëve nga tregu italian, së dyti një prani më të ulët të shqiptarëve të Kosovës dhe së treti, një numër më të ulët të diasporës shqiptare në Perëndim.
    Dy grupet e para ndikohen nga çmimet dhe kjo është përgjigjja e tyre për luhatjet e çmimeve në vendin tonë, kurse Diaspora ka munguar sepse është e zhgënjyer. Ky grup i shqiptarëve që jetojnë jashtë nuk e kanë pasur çmimin si kriter kryesor, por cilësinë e shërbimit.
    Pas shumë mundësive që i kanë dhënë bregdetit në Shqipëri, ku e dinë që do të paguajnë shtrenjtë, por nuk marrin atë që paguajnë janë zhgënjyer dhe kanë hequr dorë duke kërkuar vende të tjera ku paguajnë por marrin shërbim cilësor” – shprehet Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.
    Shqipërinë po e vizitojnë gjithmonë e më shumë turistët “kopracë”
    Promovimi si një destinacion i lirë, sikurse edhe është Shqipëria, në fakt në raport me vende të tjera në rajon apo në Europë, ka tërhequr pranë vetes ata që duan të eksplorojnë me kosto sa më të ulët.
    Turisti që po viziton Shqipërinë nuk kërkon përvoja luksoze apo pushime verore që mund t’i gjejë në vende si Italia, Spanja, Greqia.
    Ai kërkon të shpenzojë sa më pak në akomodim, në transport, në ushqim dhe të marrë maksimumin nga një vend që e sheh si një aventurë të radhës.
    Pikërisht kjo qasje e Shqipërisë si një vend i lirë ka bërë që të ndryshojë edhe turisti që po e viziton, që është më pak cilësor në aspektin e shpenzimeve sesa turisti tradicional.
    Si pasojë, rezervimet janë më të ulëta në hotele dhe prurjet të larta në apartamente që shiten në platforma Airbnb apo Booking.
    Plazhi është një stacion i shkurtër në ditën e tij dhe alternativat publike pa para janë zgjidhja e preferuar, ndryshe nga lidhja e ditës me një çadër dhe dy shezlone që në disa raste kushtojnë sa një natë akomodim.
    Ushqimet tradicionale të shtëpisë, fast food-i dhe supermarketet janë pjesa që mbizotëron mbi baret dhe restorantet e shtrenjta.
    Transporti publik është një formë e kërkuar sa herë është e lehtë, por mungesa e alternativave ndonjëherë i shtyn drejt marrjes me qira të një mjeti me kohë të kufizuar.
    “Ka një interes të shtuar për turistin individual që parapëlqen rezervimet në Airbnb. Turistët që zgjedhin këtë lloj akomodimi kanë një rritje të jashtëzakonshme.
    Të gjithë apartamentet janë plot ngaqë çmimet janë të ulëta dhe ata që po vizitojnë Shqipërinë janë turistë me buxhet të ulët.
    Edhe nëse marrim si referencë shifrat zyrtare që thonë se jemi me rritje, e sigurt është që turisti që po na viziton ka ndryshuar. Është një turist më pak cilësor duke nënkuptuar që paguan më pak dhe kërkon shërbime të lira”, – pohon z. Kasa.
    Nga infrastruktura, mungesa e ujit e mbetjet, anët negative që zhvlerësojnë turizmin
    Ky vit nuk ka qenë i lehtë për turizmin dhe shumë nga problemet e shfaqura ishin të harruara vitet e fundit, të paktën për zonat bregdetare. Zona të cilësuara elitare, por edhe ato që presin turizëm masiv, kanë pasur mungesë uji. Në zona më rurale ku kanë alternuar qëndrimin turistët e aventurës ka pasur ndërprerje të energjisë.
    “Viti 2025 ka pasur disa problematika që e kanë bërë më të vështirë ecurinë për bizneset e turizmit në rajonin e Golemit. Si fillim, ishte mungesa e ujit për shkak të riparimit që po bëhet në Manskuri; së dyti, shërbimet lënë për të dëshiruar pasi duke qenë një biznes sezonal edhe mungesa e fuqisë punëtore ka sjellë që zëvendësimi të bëhet sipas mundësive dhe jo kudo me staf të kualifikuar. Vlerësimi ynë nga operatorët e huaj turistikë bëhet si destinacion dhe ngërçet që mund të hasen nga subjekti në subjekt mund të penalizojë në zinxhir të gjithë. Edhe për infrastrukturën është bërë shumë punë, por ka ende shumë për t’u bërë”, – tha Fatos Çerenishti, administrator i FAFA Group, struktura me kapacitetin më të madh akomodues në vend.
    Teksa synimi ynë është tërheqja e një turisti sa më cilësor, që paguan më shumë, duket se oferta që ne kemi nuk shkon paralel me këtë pritshmëri.
    Kjo nuk lidhet vetëm me shërbimet pasi hotelet nuk mund të jenë oaze të mbyllura dhe pa ndikim nga ajo çfarë ndodh rrotull, ku shpesh mbetjet e hedhura vend e pa vend, ujërat e ndotura apo kantieret e ndërtimit janë të paperceptueshme për një turist të huaj.
    “Pavarësisht punëve që janë bërë, ne ende kemi probleme të mëdha me infrastrukturën, me trafikun e rënduar, me mbetjet e papastërtitë që hasen kudo, me inerte e kantiere ndërtimi aktivë, në mes të sezonit pranë strukturave akomoduese. Për një pushues europian është e paperceptueshme që aty ku pushon të shohë vinçin e ndërtimit që i kalon mbi kokë në kantierin ngjitur. I gjithë bregdeti është me të tilla ndërtime aktive në Palasë, Dhërmi, Golem, Qerret. Një turist i huaj që vjen të relaksohet në plazh gjatë verës nuk e percepton dot çlodhjen në një zonë ndërtimi. Këto janë minuse që ne po i marrim si destinacion dhe kanë ndikimin e tyre negativ tek ata që mund të duan të vijnë të shohin vendin tonë, por ajo që lexojnë apo iu thuhet nuk është pozitive”, – shprehet z. Kasa.
    Kontratat me garanci të 2026-s pa rritje, shtohet një klauzolë si efekt i imazhit negativ
    Kontratat e parapaguara nga agjencitë e huaja për hotelet shqiptare për verën e ardhshme janë mbyllur në të njëjtat shifra si ato të vitit 2025. Operatorët turistikë shprehen se kjo gjithsesi është pozitive pasi imazhi i Shqipërisë si destinacion është lëkundur disi këtë vit dhe negociatat nuk ishin aq të lehta. Agjencitë gjithsesi kanë shtuar në kontratë një klauzolë që u jep atyre të drejtën të tërhiqen pa penalitet nga 20% e kontratave të rezervuara, nëse shitjet nuk shkojnë siç duhet.
    “Ky vit ka qenë pak më i vështirë për kontratat me garanci. Nuk kemi rritje por kemi arritur të mbajmë me shumë mundim të njëjtat numra në kontratat që nënshkruam në 2024 për 2025-n. Them me shumë mundim, sepse Shqipëria ka pasur përkeqësim të vlerësimit. Pavarësisht se kemi arritur të mbajmë nivelet e njëjta në rezervime në marrëveshje, ka një klauzolë që u jep mundësinë agjencive të reduktojnë me 20% kontratat deri në fund të vitit, për shkak të imazhit të dëmtuar. Agjencitë kanë rënë dakord të shohin sesi do të jenë shitjet deri në fund të vitit dhe nëse vënë re se Shqipëria nuk po tërheq më aq shumë si destinacion mund të bëjnë rishikimet”, tha z. Kasa.
    Ai shtoi se Vlora është sërish pjesë e kontratave me garanci, pavarësisht peripecive të verës 2025 kur transporti i premtuar nga Aeroporti i Vlorës u bë nga Tirana.
    Për verën tjetër, pritshmëria është që të fillojnë realisht fluturimet nga ky aeroport. Në lidhje me kontratat me parapagesë, duket se janë shtuar grupet që kanë interes për bregdetin shqiptar. Tashmë përveç polakëve, çekëve, spanjollëve, izraelitëve e një sërë grupesh të tjera, në listë janë shtuar edhe francezët.
    “Kemi mbyllur kontratat e garancisë me agjencitë e huaja dhe sërish polakët dhe çekët do të jenë dy grupet e rëndësishme që do të vijnë me kontrata garancie.
    Për herë të parë, verën e ardhshme edhe francezët do të vijnë me kontrata garancie. Agjencitë e tyre erdhën disa herë për të parë standardet që ofrojnë strukturat në zonën e Durrësit dhe Golemit, zhvilluan sondazhe dhe në fund vendosën pozitivisht. Këta do të zënë 15% të totalit të kontratave të garancisë që ne kemi aktive”, – pohoi z. Çerenishti./ Monitor