Tag: konsumojnë

  • Pse italianët konsumojnë shumë makarona dhe nuk shtojnë peshë? Ja shpjegimi

    Pse italianët konsumojnë shumë makarona dhe nuk shtojnë peshë? Ja shpjegimi

    Makaronat janë pa dyshim një nga ushqimet më të dashura në mbarë botën. Por ajo që të bën të mendohesh është fakti që Italia vendi që konsiderohet “nëna” e makaronave – ka ndër përqindjet më të ulëta të mbipeshës në Europë, edhe pse 44% e popullsisë i konsumon pothuajse çdo ditë.

    Ky paradoks ka zgjuar interesin e nutricionistëve, të cilët janë përpjekur të kuptojnë se si italianët arrijnë të përfshijnë një ushqim kaq të pasur me karbohidrate në dietën e tyre të përditshme, pa rrezikuar shtim në peshë. Nutricionistja Julia Fare hedh dritë mbi disa prej zakoneve që, sipas saj, janë çelësi i këtij ekuilibri.

    Një nga gabimet më të zakonshme që bëhet në shumë vende është kombinimi i makaronave me bukën, një kombinim që rrit ndjeshëm vlerën kalorike të vaktit. Italianët, nga ana tjetër, i konsumojnë makaronat si pjatë më vete, pa shoqërim me bukë.

    Gjithashtu, sasitë janë të kontrolluara një porcion mesatar në një familje italiane përmban rreth 80 gram makarona për person  shumë më pak sesa ajo që zakonisht shërbehet në vendet e tjera.

    Salcat? Të lehta, të freskëta dhe natyrale

    Italianët janë gjithashtu shumë të kujdesshëm me përbërësit që përdorin. Në vend të salcave të rënda, me krem apo të skuqura, ata preferojnë salca të thjeshta me përbërës të freskët si perime, domate, hudhër apo vaj ulliri. Këto jo vetëm që e ruajnë shijen autentike të makaronave, por janë edhe shumë më të lehta për organizmin.

    “Përgatitja e shëndetshme është thelbësore, shumë nga salcat industriale kanë sheqer të shtuar dhe yndyra të padëshiruara që e rrisin ndjeshëm rrezikun për mbipeshë.” thekson Fare.

    E ziejnë ‘al dente’  dhe ka një arsye për këtë

    Një tjetër detaj i rëndësishëm është mënyra e gatimit. Italianët preferojnë t’i ziejnë makaronat ‘al dente’, pra t’i lënë pak më të forta se zakonisht. Kjo jo vetëm që i jep një teksturë më të këndshme, por edhe ndikon në mënyrën se si karbohidratet përthithen nga trupi.

    Kur makaronat janë të ziera më pak, ato kanë një indeks glicemik më të ulët, çka ndihmon në kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak dhe në ruajtjen e energjisë për një kohë më të gjatë dhe më e rëndësishmja që nuk e ngarkojnë organizmin me kalori. Syri.net-iefimerida.gr.

  • Produktet e pasura me fosfor kundër lodhjes kronike

    Produktet e pasura me fosfor kundër lodhjes kronike

    Fosfori është një ushqyes thelbësor për funksionin e duhur të qelizave, përthithjen e kalciumit, për kocka dhe dhëmbë më të fortë si edhe për formimin e një molekule të quajtur ATP e cila i jep energji qelizave tona.
    Pamjaftueshmëria e fosforit arrin të ulë oreksin, shkaktojë anemi, dhimbje muskujsh, formim të çrregullt të kockave, mpirje dhe një sistem të dobët imunitar.
    Nga ana tjetër, konsumi i tepërt i fosforit e shtyn trupin të dërgojë më shumë kalcium në kocka dhe në gjak në përpjekje për të rikthyer ekuilibrat.

    Kjo i dobëson kockat dhe shkakton kalcifikim të organeve të brendshme, duke rritur rreziqet e shfaqjes së sëmundjeve të zemrës dhe sëmundjeve të tjera vaskulare. Pra gjithçka duhet me masë.
    Studimet shkencore tregojnë se fosfori përthithet më lehtë nga produktet shtazore ndërkohë që nga ato bimore mund të merrni pothuajse gjysmën e sasisë së fosforit.
    Sasia e fosforit që përthithet nga organizmi është i ndryshëm në varësi të njeriut.
    Megjithatë ushqyesit nga produktet bimore janë të një niveli më optimal për shëndetin.
    Më poshtë do të gjeni një listë të burimeve të fosforit, duke pasur në konsideratë që doza e rekomanduar ditore e fosforit është 1000 mg.
    1.Farat e kungullit dhe kungulleshkave
    2.Djathi
    3.Peshku (kryesisht Salmon)
    4.Arrat
    5.Mishi i viçit dhe lopës
    6.Nënproduktet pa yndyrë të qumështit (kosi pa yndyrë)
    7.Ushqimet me bazë soje
    8.Thjerrëzat dhe fasulet
    Fosforin mund ta gjeni edhe në ushqime të tjera siç janë qumështi, bizelet, vezët, drithi dhe disa lloje të bukës.
    Doza e nevojshme
    Të rriturit kanë nevojë mesatarisht për 700 miligramë fosfor në ditë
    Kini kujdes
    Të rriturit deri në moshën 70 vjeç nuk duhet të konsumojnë më shumë se 4,000 miligramë në ditë.
    Femrat shtatzënë nuk duhet të konsumojnë më shumë se 3,500 miligramë në ditë
    Të rriturit mbi moshën 70 vjeç nuk duhet të konsumojnë më shumë se 3,000 miligranë në ditë.
    Nevojat për fosfor janë në varësi të funksionit të veshkave.
    Të rriturit që vuajnë nga sëmundjet e veshkave nuk duhet të konsumojnë më shumë se 800-1000 miligramë fosfor në ditë. Shumë njerëz që janë të shëndetshëm konsumojnë dyfishin e kësaj sasie.
    Nëse jeni në fazat e para të diagnostikimit të sëmundjeve të veshkave, ose i nënshtroheni dializës, duhet të konsultoheni me mjekun mbi limitin e dozës së fosforit.
    Roli i fosforit: Ndihmon qelizat të funksionojnë siç duhet dhe ndihmon në prodhimin e energjisë dhe rritjen e kockave.

  • Rama në Durrës: Koha për cilësi, duam turistë që konsumojnë më shumë

    Rama në Durrës: Koha për cilësi, duam turistë që konsumojnë më shumë

    Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me turoperatorë, hotelierë dhe profesionistë të turizmit, në Durrës. Rama tha se aktualisht është koka për cilësi dhe jo për sasi, duke kërkuar që të rritet cilësia e shërbimit. Për të Shqipëria tashmë duhet të synojë ata turistë që konsumojnë më shumë.
    ”Nuk është më koha e sasisë, por e cilësisë. Nuk është më koha e hedhjes së parave kuturu, por është koha që çdo qindarkë të investuar ta investojë në cilësi sektori privat, në cilësinë e shërbimeve. Ne nuk duhet të rrisim numrat pafundësisht, por të rrisim numrin e turistëve që konsumojnë më shumë.

    Për të siguruar rritje cilësore dhe të qëndrueshme, duhet të jemi shumë të qartë për çfarë duhet të bëjë sektori privat dhe çfarë duhet të bëjë shteti. Sektori privat duhet të ketë vetëm një fjalë kyçe, me të cilën duhet të zgjohet çdo mëngjes dhe të flejë çdo mbrëmje: cilësia. Cilësia e shërbimit.
    Ka ardhur koha që çdo qindarkë e investuar të shkojë në rritjen e cilësisë. Ka ardhur koha që sektori privat të investojë seriozisht në cilësinë e të gjitha shërbimeve, në mënyrë që Shqipëria të mos jetë vetëm një vend i bukur, por edhe një vend mikpritës, dinjitoz dhe konkurrues në nivel global”.

  • Shqiptarët konsumojnë 2.6 ton mish me salmonelë, AKU nuk gjen asgjë nëpër tregje

    Shqiptarët konsumojnë 2.6 ton mish me salmonelë, AKU nuk gjen asgjë nëpër tregje

    Nuk gjendet asnjë gram nga 2.6 ton mish pule i kontaminuar me salmonelë që përfundoi në treg. Që prej datës 21 Mars kur ISUV konfirmoi praninë e bakterit në ngarkesën prej 7.8 ton fileto pule, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nisi kontrolle në njësitë tregtare me qëllim bllokimin e produktit.

    Të kontaktuar nga Tv Klan, AKU thotë se grupet e inspektimit u shtrinë në 10 qarqet ku ishte shitur mishin madje në të gjitha njësitë tregtare janë vendosur njoftime me foto të produktit për të informuar konsumatorin qe në rast se e kanë blerë këtë mish të mos e konsumojnë.

    Sasia prej 7.8 tonë mish pule e importuar nga Brazili mbërriti në Portin e Durrësit më 11 Mars, dhe pas analizave të kryera pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë më 21 Mars, u konfirmua prania e bakterit të rrezikshëm në mishin e ngrirë të pulës.

    Problemi, sipas AKU, u thellua më tej nga fakti se kompania importuese ka paraqitur fatura fiktive, duke penguar gjurmimin e saktë të produktit të kontaminuar në treg. Prandaj ajo është kallëzuar në prokurori.

    Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim administratorin e kompanisë importuese, Arben Hoxha.

    Gjithashtu në hetim është vënë edhe vëllai i tij, si dhe 3 inspektorë të AKU-së të cilët dyshohen se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të këtij produkt të mbërritur në Portin e Durrësit me 11 Mars.

    Dyshimet e policisë për 3 zyrtarët lidhen me vonesën e përgjigjes së analizave të kryera kampionëve të mishit, që ka marrë rreth 10 ditë, nga 3 ose 4 ditë që duhet zakonisht.

    Mishi i pulës i kontaminuar me salmonelë përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin.

    Infeksioni i salmonelës mund të shkaktojë diarre të rëndë, ethe dhe dehidrim, simptoma që shfaqen brenda 8 deri në 72 orë pas konsumit të mishit të infektuar.

    Vetëm gatimi në temperaturë mbi 70°C mund të eliminojë rrezikun.