Virusi Chikungunya po ngjall shqetësim të madh mes autoriteteve shëndetësore europiane. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lëshuar një alarm global, duke theksuar se mbi 5.6 miliardë njerëz jetojnë në zona potencialisht të rrezikuara.
Në Francë, midis 1 majit dhe 22 korrikut 2025, janë konfirmuar 800 raste, shumë prej të cilave të transmetuara lokalisht në jug të vendit, pa lidhje me udhëtime në zona tropikale. Por epiqendra e shpërthimit mbetet ishulli La Réunion, në Oqeanin Indian, ku që nga mesi i vitit 2024 janë regjistruar mbi 47.500 raste dhe 12 viktima.
Edhe Italia nuk ka mbetur jashtë rrezikut. Rasti i parë i konfirmuar këtë vit u shfaq në Bentivoglio (provinca e Bolognës), ku një person u infektua pas një udhëtimi në një vend tropikal. Autoritetet kanë nisur hetimet për një rast të dytë të dyshuar, në të njëjtin lokalitet. Ndërkohë, është aktivizuar Plani Rajonal i Monitorimit të Arbovirozave, që përfshin hetime, gjurmim kontakti dhe dezinfektim brenda një rrezeje prej 300 metrash nga vendet e frekuentuara nga pacienti.
Çfarë është virusi Chikungunya?
Chikungunya transmetohet nga mushnonja tigër (Aedes albopictus), jo nga njeriu te njeriu. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje të forta artikulare, skuqje të lëkurës, dhimbje koke dhe lodhje ekstreme, ngjashëm me ethet e forta.
Nuk ekziston ende as vaksinë dhe as trajtim antiviral specifik në Europë, ndaj parandalimi është arma më e fortë. Autoritetet rekomandojnë përdorimin e insekticideve, veshje mbuluese, rrjeta kundër insekteve, si dhe eliminimin e ujërave të ndenjura në ambiente shtëpiake.
Me përhapjen e mushkonjës tigër në të gjithë zonat me klimë të ngrohtë e të lagësht në Europë, rreziku rritet ndjeshëm gjatë verës. Përdorimi i masave parandaluese dhe ndërgjegjësimi qytetar janë thelbësorë për të shmangur një krizë të re shëndetësore në kontinent.