Në një vend ku politika shpesh ngjan me një spektakël, ndoshta është koha që spektakli të bëhet politikë. Dhe çfarë mënyre më therrëse për ta bërë këtë se sa me humor?
Një ide po qarkullon – ironike, por aspak pa kuptim: që nëse do të kemi një kundërpërgjigje publike ndaj “narko regjimit të Edi Ramës” në Tiranë, ajo të vijë nga një figurë që e ka studiuar më mirë se kushdo – imituesi i tij më i njohur.
Ai është i famshëm pikërisht sepse e ka imituar Ramën deri në detaj – në gjestikë, në mendësi, në arrogancë dhe në mënyrën se si e trajton publikun. Dhe nëse do të përballen ndonjëherë, ajo do të ishte ndoshta komedia më e thellë politike që ky vend ka parë.
Por përtej Ramës, kjo është një komedi që i përfshin të gjithë. Disidentë të vetëshpallur që nuk arratisen dot nga hijet e pushtetit, opozitarë që ëndërrojnë të kthehen në të shkuarën, dhe figura publike që janë njëherësh pjesë e sistemit dhe kritikë të tij, sipas rrethanës që u leverdis më shumë.
Në këtë vend ku njerëzit janë lodhur nga gënjeshtra me zë serioz, ndoshta e vërteta do të dëgjohet më mirë me të qeshura. Dhe shqiptarët do të kenë për herë të parë një zgjedhje që, edhe pse është midis origjinalit dhe imituesit, nuk është e rreme – është e vetëdijshme. Dhe kjo është komedia më e madhe e të gjithave.
Sepse në fund të fundit, asgjë nuk është më e rrezikshme për pushtetin sesa të bëhesh objekt humori. Dhe asgjë nuk është më shëruese për një popull sesa të mësojë të qajë me ata që për vite e kanë bërë të qeshë. Dhe anasjelltas.
Ndërsa në horizont flitet për një “përballje” mender politike – qoftë përmes humorit apo seriozitetit – në terren kemi një tjetër skenë groteske: morinë e kandidatëve të vetëshpallur për Tiranën. Një paradë egoje që shpesh më shumë ngjan me “TikTok” politik sesa me përfaqësim real. Secili me një flamur në dorë, shumica pa asnjë mbështetje strukturore, por të gjithë me bindjen se janë “shpëtimtari i kryeqytetit”.
Opozita zyrtare sot nuk arrin dot të gjejë as një emër të vetëm për ta përfaqësuar. Hesht ose përpiqet të arnojë ndonjë emër “kompromisi” si të ishte duke zgjedhur administrator pallati, jo sfidant të qeverisë në zemër të vendit.
Në këtë boshllëk serioziteti, humoristi del të jetë i vetmi që duket se e kupton rregullin e parë të një satire të mirë: është e vërtetë. (DITA)
Tag: komedi
-

Kur origjinali takon kopjen: Një komedi politike shqiptare
-

Matthew McConaughey refuzon 14.5 milionë dollarë për të ndjekur pasionin e tij për dramën
Aktori i njohur amerikan Matthew McConaughey zbuloi se dikur kishte refuzuar një ofertë prej 14.5 milionë dollarësh për të luajtur në një komedi romantike, duke treguar se prioriteti i tij ishte cilësia e rolit dhe jo pagesa. Gjatë një paraqitjeje në podkastin Ditari i një CEO-je, McConaughey rrëfeu se vendimi i tij lidhej me dëshirën për të ndjekur drama serioze, pasi ndjeu se Hollywoodi nuk i ofronte këtë lloj mundësie.
“Po merrja sasi, por jo cilësi. Ajo që dua të bëj është dramë, por Hollywoodi nuk ma ofron atë, pavarësisht se sa ulje page pranoj,” tha aktori. Para këtij vendimi, ai kishte qenë protagonist në komedi romantike të suksesshme si How to Lose a Guy in 10 Days, Failure to Launch, Fool’s Gold dhe Ghosts of Girlfriends Past.
McConaughey bëri një pushim dyvjeçar nga aktrimi dhe refuzoi ofertat e shumta që i erdhën për komedi romantike, duke përfshirë edhe ofertat në rritje prej 8, 10, 12 deri në 14.5 milionë dollarë. Ai tregoi se, megjithëse oferta e fundit ishte më e shkruar mirë dhe më bindëse, përsëri tha “Jo”. Vendimi i tij u bazua mbi dëshirën për të bërë rolin që ai donte dhe për të mos sakrifikuar integritetin artistik.
Sipas aktorit, kjo qasje e vendosur ia vlejti. Kolegët dhe studiuesit e filmit filluan ta marrin më seriozisht, dhe kjo i hapi rrugën për role dramatike që më pas do ta konsolidojnë si një prej aktorëve më të respektuar të Hollywoodit. McConaughey dëshmoi se ndjekja e pasionit mund të jetë më e rëndësishme se paratë. -

Teatri “Bylis” nis sezonin e ri artistik me një komedi, tre premiera do të jenë në skenën teatrore
Nga Julia Vrapi
Sezoni i ri artistik sjell në skenën e teatrit “Bylis” drama dhe komedi. Institucionet teatrore në vend këtë sezon artistik do të sjellin në skena shfaqje të ndryshme me regji nga regjisorë shqiptarë dhe të huaj, ku edhe teatri “Bylis” sjell në skenë shfaqjen e parë këtë sezon. Teatri “Bylis” në Fier hap sezonin e ri artistik këtë shtator me komedinë “Pleqëri me kusure”. Një produksion i teatrit të Fierit, që mbrëmjen e datës 18 shtator do të jetë në skenë për publikun. Komedia “Pleqëri me kusure” e autorit Odise Plaku vjen në skenë me regji nga Eliona Thomaraj. Produksion i teatrit “Bylis” shfaqja do të vijojë edhe në19 shtator dhe në role janë aktorët Astrit Hasani, Miola Seitaj dhe Klajdi Marku. Në sezonin e ri teatror shtator-dhjetor 2025 në këtë teatër të qytetit të Fierit në program janë parashikuar premiera: “Metoda Gronholm”, dramë, regjia Katerina Polikronopulu; “Foleja e ndrikullave” komedi, regjisore Miola Seitaj; “Çdo gjë e shkëlqyer” komedi, regjia Altin Basha. Të tre këto shfaqje që do të vijnë në sezonin artistik janë në vijim dhe të premierave të tjera më parë. Ndërsa shfaqje teatrore rivënie në skenë këtë sezon do të jenë: “Një martesë, një divorc, një funeral” komedi, regjia Rovena Lule; “Amour” dramë, regjia Besmir Bitraku; “Kurrë një herë tjetër” komedi, regjisor Astjano Shehaj. Sezoni artistik janar-qershor më parë u mbyll në teatrin e qytetit e Fierit me shfaqjen premierë “Testamenti i ri” autorit Sacha Guttry dhe me regji nga Violeta Trebicka.
Aktiviteti artistik në teatër
Në skenën e teatrit “Bylis” përgjatë vitit veç shfaqjeve teatrore që vijnë në skenë për publikun herë pas here zhvillohen edhe aktivitete të ndryshme, mes tyre dhe ato që janë për të rinjtë. Në aktivitetet artistike dhe kulturore është dhe festivali “Rin’ Fest’ Teatër” në teatrin “Bylis”. Në qytetin e Fierit “Rin’ Fest’ Teatër” është një projekt teatror me shkollat e mesme, ku regjisorë të ekipeve teatrore janë aktorët e teatrit “Bylis”. Por shfaqjet dhe premierat teatrore këtë sezon artistik vijnë pas thirrjes për projektet, që u hap më parë. Sipas njoftimit nga Bashkia e Fierit produksionet teatrore do të pasuronin jetën kulturore për vitin 2025. Teatri “Bylis” u krijua në vitin 1971 nga bashkimi i trupës amatore të teatrit dramatik me një grup aktorësh të rinj të sapo diplomuar, të cilët u emëruan në Fier nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës. Teatri “Bylis” përfshinte në vetvete dy trupa teatrore: Teatrin Dramatik dhe Teatrin e Estradës. Ai e nisi veprimtarinë në godinën e ndërtuar enkas për këtë qëllim (teatri i sotëm) me kapacitet spektatorësh prej 480 vendesh. Teatri “Bylis” në Fier disa vite më parë iu nënshtrua edhe rikonstruksionit të plotë nga Bashkia e Fierit. Në skenën e tij në vite janë ngjitur trupa teatrore vendase dhe të huaja. -

Komedia “Vendi më i humbur në Shqipëri” pas skenës së Teatrit Kombëtar në “Koko Fest”
Nga Julia Vrapi
“Vendi më i humbur në Shqipëri”, një komedi që përmes lojës së aktorëve përcjell edhe mesazhe për publikun do të ngjitet në skenën e teatrit të Korçës. Pas skenës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, komedia e shkruar nga Jean Pierre Martinez dhe me regji nga Andia Xhunga këtë mbrëmje do të shfaqet në festivalin “Koko Fest”, që ka nisur në qytetin e Korçës. Komedia që është produksion i teatrit “Aleksandër Moisiu” më parë u shfaq premierë në amfiteatrin antik në Durrës dhe vijoi edhe në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë, ku u mirëprit nga publiku. Një fshat i harruar rrezikon të fshihet nga harta!
Banorët janë të gatshëm të bëjnë gjithçka që fshati të jetojë, por ngjarjet marrin një rrjedhë të papritur dhe të pazakontë, kur në fshat vjen një gazetare e famshme. A do munden dot banorët, ta shndërrojnë vendin më të humbur të Shqipërisë, në atraksionin turistik më të vizituar? Një vepër që është e përkthyer nga Anxhela Çikopano dhe rolet luhen nga aktorët Gentian Zenelaj, Romir Zalla, Mimoza Marjanaku, Alex Seitaj, Ervin Doko, Alesia Xhemalaj, Adelina Muça, Amos Zaharia, Xheini Fama dhe Jaho Guma.
Skenografe e kostumografe Alketa Tragaj dhe muzika mban emrin e kompozitorit Endri Sina. Prej 17 vitesh Andia Xhunga është aktore dhe regjisore e teatrit “Aleksandër Moisiu” me shfaqje që janë mirëpritur nga publiku si “Andi, Norman dhe Sofi”, “Dashuri me çdo kusht’, “3 femra, 3 divorce dhe 1 shtëpi”, “Gratë e Kazanovës”, “10 vjet martesë”, “Edmond”, “Familja Tot”, etj. Jean Pierre Martinez është një dramaturg francez me prejardhje spanjolle. Përmes 114 veprave teatrale që ka shkruar deri më sot, Jean Pierre Martinez thur një univers të veçantë dhe bindës. Duke përdorur me mjeshtëri të gjitha mjetet e komedisë, ai eksploron një gamë të gjerë zhanresh.
Një festival për komedinë
Festivali ndërkombëtar i komedisë “Korça Komedi Festival” këtë vit shënon edicionin e tij të 12-të dhe është një festival garues, ku në fund të tij ndahen edhe çmimet ashtu si dhe edicionet më parë. Këtë edicion në skenë vijnë komedi, që do të interpretohen nga aktorë të njohur, por dhe të rinj në role. Festivali mbrëmjen e datës 31 gusht në teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës u hap me komedinë “Një martesë, një divorc, një funeral” me regji nga Rovena Lule teatri “A. Z. Çajupi” për të vijuar dhe me të tjera shfaqje deri më datë 6 shtator. Vepra të autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj janë këtë vit pjesë e festivalit, ku për publikun do të shfaqen komedi që janë produksione të teatrit në Shqipëri, Kosovë dhe Itali. Festivali ndërkombëtar i komedisë “Korça Komedi Festival” (Koko Fest), i cili zhvillohet prej vitesh në këtë qytet ka sjellë për publikun një sërë shfaqjesh, e mes tyre nuk kanë munguar dhe premierat teatrore. Festivali mbarëkombëtar i komedisë “Koko Fest” në Korçë një vit më parë shënoi edicionin e tij të 11-të.
-

Sezoni artistik shtator-dhjetor, një dramë dhe dy komedi do të jenë premiera në skenën e teatrit “Bylis”
Nga Julia Vrapi
Vepra premierë, dramë dhe komedi në sezonin e ri artistik shtator-dhjetor në skenën e teatrit “Bylis”, por edhe shfaqje rivënie. Këtë sezon pritet që të jenë në skenë për publikun tre shfaqje premierë, vepra që janë miratuar më parë edhe nga këshilli artistik. Programi i teatrit “Bylis” në Fier përgjatë një viti ka vepra të ndryshme teatrore, pjesë shqiptare dhe të huaja, ku dhe sezoni që do të nisë sjell të tjera produksione të tij në skenë për publikun. Teatri “Bylis” në Fier bën me dije se sezonin e ri që pritet të nisë në shtator deri në fund të tij do të jenë tre shfaqje teatrore premierë. “Rikthehemi në shtator. Teatri “Bylis”, pasi ka përfunduar me sukses sezonin e parë teatror, me 3 shfaqje premierë dhe 2 rivënie, ju njeh me shfaqjet teatrore të sezonit të ri teatror! Eja në teatër!”, shprehet teatri i Fierit.
Në sezonin e ri teatror shtator-dhjetor: Premiera: “Metoda Gronholm”, dramë, regjia Katerina Polikronopulu; “Foleja e ndrikullave” komedi, regjisore Miola Seitaj; “Çdo gjë e shkëlqyer” komedi, regjia Altin Basha. Rivënie do të jenë: “Një martesë, një divorc, një funeral” komedi, regjia Rovena Lule; “Amour” dramë, regjia Besmir Bitraku; “Kurrë një herë tjetër” komedi, regjisor Astjano Shehaj. Sezoni artistik më parë u mbyll në teatrin e qytetit e Fierit me shfaqjen premierë, “Testamenti i ri”. Një komedi nga Violeta Trebicka, që përcolli emocione te artdashësit fierakë. Historia e një testamenti të harruar shërben si pretekst për të zbuluar problemet e thella në çift. Një martesë e bazuar në shtirje, keqkuptime, gënjeshtra dhe tradhti. Pas situatave sa komike aq edhe njerëzore lind pyetja: Kur dy njerëz nuk duhen më, a duhet të jetojnë së bashku?! Vepra e autorit Sacha Guttry me interpretimin e aktorëve të njohur pas skenës së teatrit të Fierit erdhi edhe në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në mbrëmjet e para të muajit korrik. Në skenën e teatrit “Bylis” përgjatë vitit veç shfaqjeve teatrore herë pas here zhvillohen edhe aktivitete të ndryshme, mes tyre dhe ato që janë për të rinjtë.
Sezoni i kaluar artistik
Gjatë sezoni artistik të kaluar në teatrin “Bylis” në skenë për publikun ishin tre shfaqje teatrore premierë dhe dy shfaqje rivënie. Në sezonin e kaluar artistik veprat teatrore premiera në skenën e teatrit “Bylis” në Fier ishin “Pleqëri me halle ” (“Banja”) – komedi, regjisore Eljona Thomaraj; “Testamenti i ri” – komedi, regjisore Violeta Trebicka; “Një mbrëmje në teatër” – komedi, regjisor Xhuljano Brisku. Ndërsa shfaqje rivënie në teatër në skenë ishin “15 ditë Prilli”, dramë satirë, regjisore Driada Dervishi; “Klani i të divorcuarve”, komedi, regjisore Andia Xhunga. Në muajin mars këtë vit u hap dhe thirrja për aplikim për projektet teatrore për teatrin e Fierit, ku sipas njoftimit më parë nga Bashkia e Fierit produksionet teatrore do të pasuronin jetën kulturore për vitin 2025.
-

“Pallati 176 i mbijetoi dekadave për shkak të humorit të pastër”/ ‘Elsa’ dhe ‘Marjeta’ kujtojnë vlerësimet dhe kritikat për komedinë kult: Futëm elementë nga vetja, por…
40 vite më parë, në skenën e teatrit u vendos komedia “Pallati 176”, shfaqja që rrëmbeu menjëherë interesin e publikut, që ende sot qesh me batutat epike.
Autorja Adelina Balashi vendos në qendër të veprës familjen shqiptare. E vënë në skenë nga regjisorët Andon Qesari dhe Alfred Bualoti, Pallati hodhi themele të forta në artin skenik shqiptar.
“Nuk është ndonjë shfaqje e përmasave të mëdha, por në fund të ditës, për popullin tonë është Shekspir. Është arti jonë, jeta jonë e përditshme. Një arsye pse i ka mbijetuar kohës është humori i pastër“, u shpreh Elida Janushi, që në komedi luan rolin e Marjetës.
Kjo komedi kult u shfaq mbrëmjen e kaluar në Kinemanë Verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, që u mbush me dashamirësi si asnjëherë tjetër, në praninë e disa aktorëve që kujtojnë bashkëpunimin me aktorët e mëdhenj si Roland Trebicka e Violeta Manushit si dhe mënyrës si u prit shfaqja, mes vlerësimeve e kritikave.
“Në kohën që e kemi luajtur kishte skeptikë, e quanin pa nivel. Por ndonjëherë është edhe diçka e thjeshtë, e rëndësishme është që të luhet bukur dhe ne e kemi luajtur me shumë dashuri, që nga Rolandi, Violeta dhe aty ndihet”, kujtoi Eva Alikaj, që luan rolin e Elsës te “Pallati 176”.
“Puna me ta ishte e jashtëzakonshme. Po shikoj tani dhe më duket sikur janë akoma, këtë të bën arti. Të përjetëson”, u shpreh Janushi.
Edhe më të veçantë e bënë veprën elementët e veçantë të shtuar nga vetë aktorët, që dhanë gjithçka nga vetja.
“E ndieja që kur reagoja dhe zgjidhja mënyrën e interpretimit, këta mezi mbanin gazin. Shikoja që entuaziazmoheshin. Mua për shembull më pëlqenin pantallonat dhe kjo ishte një lloj thyerje”, tregoi Alikaj.
Aq popullore mbeti kjo komedi, saqë emri i personazhit i ndjek edhe sot, pas katër dekadash.
“Kur më thërrasin Elsa nuk e kam problem, përkundrazi është kënaqësi. Edhe sot kur po vija me taksistin, ai më thoshte Elsa gjithë rrugës”, tha Eva Alikaj.
“Shpeshherë më harrojnë emrin. Mua më bëhet jashtëzakonisht qejfi se nuk ka më mirë se sa të thërrasin me emrin e personazhit që ti ke luajtur dhe përjetuar”, u shpreh Elida Janushi.
Ndërkohë Kinemaja Verore e DPA-së do të vijojë gjatë kësaj vere me transmetimet e komedive shqiptare, duke vlerësuar artistët, krijimet e të cilëve i kanë rezistuar kohës.Top Channel