Tag: kollit

  • Kisha e Shën Kollit në Shelcan, kryevepër e Onufrit që sfidon shekujt

    Kisha e Shën Kollit në Shelcan, kryevepër e Onufrit që sfidon shekujt

    Rreth 7 kilometra larg qytetit të Elbasan, në majën e fshatit Shelcan, i shtrirë në faqe kodrash dhe i përbërë prej disa lagjesh, larg njëra tjetrës, ndodhet Kisha e Shën Kollit, një thesar i rrallë i artit mesjetar.Nga ndërtesa e vjetër në këtë kishë më e rëndësishme mbetet veshja e brendshme me afreskat e piktorëve të mesjetës Onufri dhe Kostandin Shpataraku.Riparimi i fundit mësohet se është bërë në vitin 1988 ku edhe u bë e mundur restaurimi i gungës dhe të hajatit por mbeti pa rindërtuar këmbanorja.Vlen të përmendim se kanalizimet dhe rrethimi i plotë i këtij objekti me rëndësi jo vetëm fetare krijuan një farë mbrojtje.Nga ana arkitekturor e historiani Kreshnik Belegu deklaron se“ kisha është njënefshe me hajate të vona, sot të zbuluara, nga jugu dhe perëndimi. Në anos hyhet nga ana perëndimore, ndërsa dikurë ka pasur edhe një portë në anën jugore, që sot është murosur.Kisha është me dysheme me pllaka guri të çrregullta, ndërsa është e mbuluar me çati me kapriata pa tavan, restaurim i vitit 1969. Naosi ndahet nga ambienti i altarit nga një iconostas prej muri të pikturuar. Ai ka dyer, një në qendër dhe një në anën veriore. Me përjashtim të murit lindor të kishës, muret e tjera janë të suvatuara, kështu që nuk dallohet teknika e ndërtimit të tyre”.Është pikërisht muri lindor që dëshmon se kisha e Shën Kollit ka qenë e ndërtuar përpara pushtimit turk. Muri lindor ka në qendër një apsidë rrethore me një dritare të ngushtë dhe të lartë në mes.Dritarja mbulohet nga një har me tulla radiale rrethuar nga tulla përgjatë harkut. Apsida ka në pjesën e sipërme një dekor tullash të vendosura zigzak, që duhet të jetë e vonë. Si absida ashtu edhe i gjithë muri lindor janë ndërtuar në klausonazhe me dy tulla vertikale apo që kanë nga dy rreshta tullash horizontale. Përsa i përket datimit mendohet se duhet t’i takojë fundit të shekullit të XIV, duke u nisur për këtë nga teknika e ndërtimit, me dy madje dhe me tre rradhë tullash horizontale.
    Vizitori gjen në ikonat e Onufrit të pikturuar nën maskë shenjtorësh banorë të trevave të shpatit gjë që shprehet me gjallërinë dhe sytë shprehës të të pikturuarve, me të kuqen karakteristike të Onufrit.“Ky ikonograf i madh ka nisur të pikturojë në këtë kishë, në vitin 1554, ku ngjyrat ruhen të freskëta edhe sot” , thotë Belegu.

    Mjeshtri Onufri është piktor i lindur, afresket e tij të çudisin me përpjestimet e përsosura, me plastikën në trajtimin e figurës, me elegancën dhe hollësinë e jashtëzakonshme të formës, dhe kjo vërteton më së miri se ai i përket shkollës së Kostandiopojës, tradita e së cilës ka qenë e gjallë në Shqipëri edhe shumë vjet pas rënies së Kostandinopojës.

    Kjo kishë disa herë në vit, por kryesisht në vigjilje të pashkës grumbullon disa qindra besimtarë jo vetëm nga Shelcani, por edhe nga fshatrat përreth që nga Kryezjarthi , Trepshenishti e deri nga fshatra të thella të shpatit.Ndërtesa e vetë kishës është e vogël për të mbajtur në gjirin e saj ata qindra besimtarë të ardhur, kështu që festa vazhdon edhe jashtë mureve të saj. Instituti për mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës e ka ndalur ndezjen e qirinjve jo vetëm në brendësi por edhe në hajatin e kishës për të mbrojtur afresket e rralla.

    Kisha e Shën Kollit si e vetmja që i ka shpëtuar rrënimit të viteve në këtë fshat që ka mbrojtur ortodoksinë e tij gjatë 500 vjetëve të sundimit otoman, vazhdon të shikohet nga shelcanakët si një perlë e ardhur nga lashtësia dhe që duhet mbrojtur nga çdo dëmtim.Është edhe ky interesim i fshatarëve që kjo kishë relativisht e lashtë vazhdon të qëndrojë në këmbë për t’i shërbyer besimtarëve dhe turistëve të shumtë që trokasin çdo vit dyerve të saj. Miranda Sadiku

  • Restaurimi i pikturës murale në Manastiritn e Shën Kollit në Mesopotam, zbatimi i projektit mbledh ekspertët e…

    Restaurimi i pikturës murale në Manastiritn e Shën Kollit në Mesopotam, zbatimi i projektit mbledh ekspertët e…

    Nga Julia Vrapi
    Restaurimi i pikturës murale në Kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam, monument kulture, që ka një arkitekturë tepër të veçantë të stilit bizantin mblodhi ekspertët e trashëgimisë, ku diskutimet ishin për çështjet e reja në zbatimin e këtij projekti. Në Manastirin e Shën Kollit u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të Institutit Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore-së, Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, Qendrës Evropiane për Studime Bizantine dhe Pasbizantine (Selanik), përfaqësuesve të ministrisë Greke të Kulturës dhe ekspertëve të trashëgimisë kulturore. Sipas IKTK-së takimi u mbajt në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Qendrës Evropiane për Monumentet Bizantine dhe Postbizantine, me projekt pilot konservimin dhe restaurimin e pikturës murale dhe elementeve dekorativë në kishën bizantine të Shën Nikollës në Mesopotam.
    “Diskutimet u fokusuan në adresimin e çështjeve të reja të dala gjatë zbatimit të projektit dhe përcaktimin e hapave të mëtejshëm për ruajtjen e kësaj pasurie kulturore unike”, thuhet nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Pikturat murale që u zbuluan më herët në Kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam kishin qenë të mbuluara nga llaçi dhe lyerjet me gëlqere. “Zbulohen piktura murale të mbuluara nga llaçi dhe lyerjet me gëlqere në kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam”, thuhej nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. IKTK vijonte se në kuadër të projektit “Studimi për konservimin e pikturës murale, elementeve dekorative me mermer të arkitekturës dhe dyshemenë e kishës bizantine të Shën Nikollës në Mesopotam”, në zbatim të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Qendrës Europiane për Monumentet Bizantine dhe Post Bizantine, nga data 27 gusht deri në datën 20 shtator 2024, u kryen ndërhyrje konservuese/restauruese në pikturën murale të kësaj kishe.
     Manastiri i Mesopotamit
    Manastiri i Mesopotamit në rrethin e Sarandës, fare pranë qytetit antik të Finiqit, konsiderohet si një nga monumentet e rralla të jugut të Shqipërisë, ku mbivendosen kultura dhe historia, ku simbolet e gdhendura mureve, janë një arsye më shumë për ta vizituar. Manastiri duhet të jetë ndërtuar në vitin 1224. Absida e dyfishtë e bën unike në zhanrin e saj, dhe disa kërkues kanë ngritur hipotezën që ky manastir mund të ketë qenë përdorur për mesha si katolike, ashtu dhe ortodokse. Thuhet se në fillim ka ekzistuar një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ndërtuar kisha e Shën Kollit, e cila mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku. Kisha e Shën Kollit ka një arkitekturë tepër të veçantë të stilit bizantin. Kjo është një ndër kishat më të mëdha dhe më të vjetra të periudhës bizantine që ruan vlera të mëdha. Muret e jashtme janë të ndërtuar nga gurë gëlqerorë të mëdhenj. Dallohet për zbukurimet dhe mozaikët me motive shtazore, gjithashtu dhe për zbukurimet me tulla të mureve të jashtëm.
     
     

  • Ndërhyrja konservuese risjell ngjyrat dhe detajet në afresket e “Shën Kollit” të Voskopojës

    Ndërhyrja konservuese risjell ngjyrat dhe detajet në afresket e “Shën Kollit” të Voskopojës

    Drejtoria rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë njoftoi se ka përfunduar ndërhyrja konservuese në Kishën e “Shën Kollit” në Voskopojë, duke bërë të mundur rikuperimin e ngjyrave, detajeve dhe qartësisë, të afreskeve, që kishin humbur nën shtresat e shkrimeve mbi to.

    “Një dëshmi e fuqishme se sa shumë mund të rikthehet bukuria e trashëgimisë sonë kur kujdesemi për të”, shkroi DRTK Korçë në rrjetet sociale, duke shpërndarë edhe imazhin e rikuperuar të një shenjtori.

    Kisha e “Shën Kollit”, e ndërtuar në vitin 1721, është një nga perlat e Voskopojës. Ajo gjendet vetëm 20 minuta larg Korçës. Afresket origjinale të David Selenicës dhe vëllezërve Zografi, së bashku me arkitekturën postbizantine dhe dekorin unik të hajatit, e bëjnë këtë kishë një ndalesë të domosdoshme për çdo udhëtar që kërkon historinë dhe artin e vërtetë.

    Kisha e “Shën Kollit” në Voskopojë përfaqëson një dëshmi të prekshme të rëndësisë historike të qytetit të dikurshëm. Ajo ndodhet në qEndër të Voskopojës dhe është kisha më e rëndësishme për arkitekturën e saj me të gjitha elementët e tipit bazilikal postbizantin, që ka mbijetuar deri në ditët e sotme. Kjo kishë i ka të gjitha: naosin, narteksin, arkadën dhe këmbanaren. Ikonostasi i kësaj kishe u punua mjeshtërisht nga Kostandin Ieromonaku rreth vitit 1722-1726, një nga mjeshtrat më të mëdhenj të punimit të ikonës në fillim shek. të 18-të. Sot një pjesë të ikonave origjinale janë pjesë përbërëse e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë./atsh/KultPlus.com

  • Afresket e Kishës së Shën Kollit në Voskopojë po pastrohen nga mbishkrimet e dëmshme

    Afresket e Kishës së Shën Kollit në Voskopojë po pastrohen nga mbishkrimet e dëmshme

    Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Korçë ka ndarë së fundmi në rrjetet sociale pamje nga procesi i pastrimit të afreskeve në Kishën e Shën Kollit, që ndodhet në qendër të Voskopojës. Kjo ndërhyrje është pjesë e punimeve restauruese që po zhvillohen në këtë monument të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore.

    Specialistët e DRTK Korçë po angazhohen për të pastruar mbishkrimet e paligjshme dhe të dëmshme të vendosura në afresket e hajatit të kishës. Në një njoftim zyrtar, Drejtoria thekson se:“Këto shkrime jo vetëm që kanë cenuar vlerën artistike të afreskeve, por përbëjnë edhe një formë dëmtimi të trashëgimisë sonë të përbashkët.”

    Kisha e Shën Kollit është një nga objektet më të rëndësishme të kultit në Voskopojë dhe përfaqësuese e denjë e arkitekturës post-bizantine. E ndërtuar midis qershorit 1721 dhe shtatorit 1722, ajo ruan të gjitha elementët tipikë të tipologjisë bazilikale post-bizantine: naosin, narteksin, arkadën dhe këmbanaren — kjo e fundit mendohet të jetë shtuar në një periudhë më të vonë, përcjellë KultPlus.

    Rindërtimi i fundit i saj u realizua rreth vitit 1936. Për vlerat e saj të mëdha artistike dhe arkitektonike, Kisha e Shën Kollit u shpall monument kulture i kategorisë së parë që në vitin 1948.

    Kjo kishë, përveç rëndësisë së saj si vend kulti, mbetet edhe një dëshmi e gjallë e madhështisë historike që ka pasur qyteti i dikurshëm i Voskopojës. Punimet restauruese aktuale janë një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes dhe ruajtjes së kësaj trashëgimie të çmuar për brezat e sotëm dhe ata të ardhshëm./KultPlus.com