Tag: koliqi

  • Dita Ndërkombëtare e Maleve, ish- deputetja Koliqi: 5 zona malore të Shkodrës po dhurohen për betonizim…

    Dita Ndërkombëtare e Maleve, ish- deputetja Koliqi: 5 zona malore të Shkodrës po dhurohen për betonizim…

    Kjo ditë, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, që duhet të ishte dita në mbrojtje të bukurive natyrore të Alpeve Shqiptare dhe zonave të tjera malore, e gjen Shkodrën, me efektet shkatërruese të “Paketës së Maleve”.
    Janë 5 zona malore të Shkodrës, që po i dhurohen investitorëve strategjikë, për t’i betonizuar.Ligji, nuk mbron natyren, rrezikon speciet e rralla në rrezik zhdukjeje, lejon që siperfaqe pyjore, kullota, toke bujqësore të kthehen në tokë urbane ne funksion te ndertimit.
    Me tokat e bregdetit, qeveria krijoi konflikte sociale për resorte të ndërtuara në prona private, duke shpronësuar tokën jo me çmim tregu, por me çmim reference të caktuar nga qeveria.
    Në Veri, meqë tokën nuk ia regjistroi asnjëherë banorëve autoktonë, po shpall “Zonat me përparësi zhvillimi të ekonomisë malore” dhe toka po shitet me çmimin simbolik 1 Euro dhe me kusht.
    Janë 4400 ha, në natyren më të lakmueshme të Shkodrës, që po i jepen klientëve të qeverisë për betonizim.
    Pasi e rrafshoi të gjithë Thethin, nga ndërtimet e banorëve autoktonë, po jep 2286 ha për ndërtimet klienteliste.
    E njëjta gjë me 426 ha në fshatin Nderlysaj.Sipërfaqe në fshatrat Rragam, Sheldi, Mazrek–Shpor, e gjitha zonë në breg të liqenit të Vau-t të Dejës ne drejtim te liqenit te Komanit.
    Ky është vizioni për Shkodrën, betonizimi i saj, dëmtimi i natyrës së virgjër, florës dhe faunes së eger dhe për rrjedhojë, dëmtimin e turizmit natyror.E njëjta që po ndodh edhe me qytetin, betonizim në qendër dhe në zonën historike e zonën e mbrojtur, duke i humbur qytetit identitetin, trashëgiminë urbanistike, arkitektonike dhe të peisazhit. /Nga Emilia KOLIQI, ish- deputete e qarkut Shkodër, publikuar në Facebook/

    Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
    Ju mirëpresim!

    Post navigation

  • Ernest Koliqi: Shqiptarve u pëlqen politika e kafehaneve…

    Ernest Koliqi: Shqiptarve u pëlqen politika e kafehaneve…

    Politika e kafehaneve

    Shqiptarve, përgjithësisht, u pëlqen politika. Jo aqë ajo qi me ânë të nji përpjekjeje vepruese ka qellim ndertues, por ajo qi shfren në bisedime tue ndejë në kafehane ase rreth nji tryeze shtrue me pije e meze. Mbush e derdh… Vizató e shlyej situata…

    Nga Ernest Koliqi

    Naltësó e zbrit persona, grupe, shtete, kontinente… Fundi? Sejcili shkon në shtëpí të vet pa ndërrue mendim, i bindun se ai vetëm ká në xhep të vertetën. Deri sa këto bisedime, rëndom të thata e të shtërpëta, janë nji mjet me kalue kohën dhe me hjekë mërzí, hajdedeh!; porsé mjerisht ndodhë shpesh qi aty me pohime të kota e shum lehtësisht cenohen vlera të çmueshme dhe mbillet fara e dyshimit qi pengon nisma të dobishme.

    Fjalë e foli… Dikush hjedh në pije a n’inad e sipër nji mendim të përcipët, nji gjikim të shtrêmbët, nji trillim pá themel: fjala ecë, shtohet e lacarohet dhe hyn në grumbullin e legjendave, qi ndër né zêvendesojnë historín, d.m.th. vargun e ngjarjeve të dokumentueme.

    Kur nji legjendë krijohet, s’ká dokument qi e përgënjeshtron. Fjalë e foli…Dhe kështu ecim, politikisht, në nji tymnajë thânethashash pa krye dhe pa bisht, ku çdo Shqiptar krijon nji Shqipní mbas qejfit të vet, qi s’ka kurrnji lidhje me botën reale.

    E kënaqet sepse në kët Shqipní, sendërgjue prej fantazís s’ethun, ai e njehë veten të parë, âsht vetë Alí e vetë Kadí, mposhtë me mend ata qi i bâjnë hije dhe zgjâhet tue andrrue (në kllapí madhështore) nderime e shpërblime qi nuk barasohen kurrsesí me vleftën e tij morale e intelektuale.

    (Ernest Koliqi, Shêjzat, 1972, nr. 5-8, f. 147)

    ObserverKult

    ___________

    Lexo edhe:

    KAFEHANEVE KU RRININ ELITA E VITEVE ’30-TË NË TIRANË

    Kafe Kursal, një nga kafe-restorantet më të njohura të gjysmës së parë të shek. XX në Tiranë. Emrin e kishte marrë nga klinikat kurative të Evropës veriore.

    Ndodhej aty ku kryqëzohen rruga e Durrësit dhe e Kavajës, pranë ish-Parlamentit (sot Teatri i Kukullave).

    Emri i kafenesë nuk na thotë asgjë në shqip. Por po të mendohemi pak, Kursal gjen gjegjësinë e vet “kuursaal” të gjermanishtes, që në Evropën veriore përdoret për banjat termale dhe mjediset kurative lidhur me to.

    Tekstin e plotë e gjeni KETU

  • Ja cilat libra u ndaluan me vendim gjykate gjatë komunizmit në Shqipëri

    Ja cilat libra u ndaluan me vendim gjykate gjatë komunizmit në Shqipëri

    Shumë sende të vyera mbahen të mbyllura në kasaforta, me dryn, por kjo nuk vlen për librat. Librat duan dritë, atë të syve të lexuesve. Një shkrimtar që nuk lexohet nuk është dot shkrimtar. Ti mund ta lësh gjallë, por nëse i mohon lexuesit, e ke vrarë dhe këtë diktatura në Shqipëri e bëri për vite me radhë.

    Viti 1948 themeloi censurën e diktaturës me një vendim gjykate që shpallte të ndaluar një varg veprash, nga një grup autorësh shqiptarë, por dhe të huaj. Në këtë vendim, urdhërohej që “duhet të hiqen nga qarkullimi një sasi librash e të përkohshmesh të dëmshme për shoqërinë”.

    Vendimi u publikua më 27 mars në gazetën “Bashkimi”, i shoqëruar me një artikull që argumentonte përse ishin ndaluar veprat e atyre autorëve, në krye të të cilëve qëndronte Gjergj Fishta, të cilit iu hoq e gjithë vepra nga qarkullimi, për të vazhduar me autorët: Mit’had Frashëri, Kristo Floqi, Hamit Gjylbegaj, Pjetër Gjini, Mehdi Frashëri, Terenc Toçi, Ernest Koliqi, Gjon Shllaku, Anton Harapi, Mitrush Kuteli, Mustafa Kruja, Justin Rrota, Tajar Zavalani, Kristo Dako e të tjerë.

    “Jo vetëm që nuk ndihmojnë në edukimin dhe zhvillimin e popullit, por përkundrazi, janë pengesë në këtë drejtim dhe u shërbejnë vetëm armiqve tanë. Vepra të tilla nuk përputhen me frymën e re të demokracisë; me traditat e Luftës Nacionalçlirimtare, mbi të cilat ecën populli ynë; janë kundra punës dhe vullnetit të masave; kundra vëllazërimit me popujt përparimtarë dhe në radhë të parë me demokracitë e reja”, thuhej në artikullin e gazetës “Bashkimi” të vitit 1948.

    Ndërsa Gjergj Fishtën, Gjon Shllakun, Anton Harapin etj. i cilësojnë si “agjentë të huaj, që kanë shtrembëruar realitetin historik të vëllazërimit dhe bashkëpunimit që ekzistonte në mes popullit tonë dhe popujve të tjerë të Ballkanit”. Ernest Koliqi, Tajar Zavalani, Terenc Toçi, Vasil Alarupi, Selaudin Toto, Fiqiri Llagami etj. cilësohen “agjentë intelektualë të kalbur në shërbim të të huajve; njerëzit e lekut dhe të njëqind flamurëve, shkrimet e të cilëve u kanë shërbyer gjithnjë armiqve të popullit tonë”.

    Pas këtij spastrimi masiv ideologjik, regjimi vazhdoi të mbante në kontroll letërsinë, si çdo fushë tjetër. Urdhrat tashmë vinin drejtpërdrejt nga Partia. Sektori i edukimit të Komitetit Qendror i niste urdhrin Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Nuk ndaloheshin vetëm vepra, por mund të mohohej plotësisht e drejta e një shkrimtari për ushtrimin e profesionit të lirë, siç ndodhi me Petro Markon në vitin 1967.

    Edhe pse mund të ketë pasur periudha kur dukej se ishte lënë ndonjë dritare hapur nga hynte pak ajër, duart e censurës nuk vononin të mbyllnin me dryn veprat që ngjallnin dyshime. Ministria e Arsimit dhe Kulturës, sipas urdhrit, i kërkonte Bibliotekës Kombëtare heqjen nga qarkullimi të librave, që kishin për autor, përkthyes apo redaktor, emra që kishin hyrë në listën e armiqve.

    Kjo listë nuk ishte asnjëherë bosh, sepse partia kërkonte dhe zbulonte vazhdimisht armiq, si u bënë Kasëm Trebeshina, Mustafa Gërblleshi, Fadil Paçrami, Bilal Xhaferi etj.. Veprat mbylleshin menjëherë në Fondin Rezervat të Bibliotekës, të vulosura me damkën R (Rezervat), ShR (Shumë i rezervuar), RA (Autor i rezervuar).

    Mund të kishte edhe autorë që vazhdonin të lirë krijimtarinë, por iu censuroheshin vepra të caktuara, si ka ndodhur me autorët: Dritëro Agolli, Vedat Kokona, Haki Stërmilli, Sabri Godo, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, e të tjerë.

    Edhe Ismali Kadare, kishte disa vepra në burgun e fondit rezervat: “Dasma”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Nëntori i një qyteti” dhe “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”. Ndodhte edhe që veprat lejoheshin të dilnin në dritë, por vetëm pasi mbulohej me terr emri i ndaluar i cili fshihej me vijë të zezë.

    Në shumë raste këta emra jo thjesht u fshinë, por u zëvendësuan me të tjerë, që merrnin publikisht meritat e punës së atyre që ishin të detyruar të qëndronin në hije. Në një letër që Dhimitër Pasko, i shkruante Mustafa Gërblleshit, i flet pikërisht për këtë përvetësim të veprës së armiqve, nga profesorët e nderuar që bëheshin palë me sistemin në këtë plaçkitje. “Para ca kohësh botoi “Gjorg Golemin” që bje erë Lef Nosi”, shkruante Mitrush Kuteli për njërin prej tyre.

    Sa e sa vepra madhore u përkthyen nga të dënuarit politikë, në tavolinat e masagjerisë së Tiranës, në burgje e internime, apo pas periudhës së dënimit, por kur përkthyesit ende jetonin nën kërcënimin e dënimeve që mund t’i rikthenin te birucat dhe puna e rëndë. Përkthyesi që çoi Kadarenë në Francë, Jusuf Vrioni, ulej në tryezën e përkthyesit pasi kishte lënë kampet e punës së detyruar. Guljem Deda nisi ta përkthejë “Orlando i çmendun” në kampin e Kuçit, siç Pashk Gjeçi kishte bërë me “Komedinë Hyjnore” në vendet e dënimit të tij.

    Është prej tyre dhe grupit të përkthyesve të shkëlqyer që diktatura i dënoi, që lexuesit shqiptarë kanë pasur në dorë në shqip “Odisenë”, “Iliadën”, “Komedinë Hyjnore” dhe shumë kryevepra. Disa prej tyre u botuan me emra të tjerë, të tjera nuk arritën të botohen fare në diktaturë. Komunizmi i përvetësonte pronat, edhe ato intelektuale. 23 prilli është Dita Botërore e Librit dhe e së Drejtës së Autorit, një ditë që diktatura nuk e njohu, ndaj ndoshta shqiptarët duhet ta respektojnë më fort domethënien e saj.

    Veprat e ndaluar me vendim gjykate, publikuar në gazetën Bashkimi, me titujt e të përkohshmeve dhe librave me autorë dhe përkthyes të konsideruar armiq:

    E shtunë, 27 mars 1948

    Gjykatorja Popullore e Tiranës vendos heqjen nga qarkullimi të librave e të përkohëshmeve të dëmëshme për shoqërinë. Ky vendim aplikohet në gjithë Shqipërinë.

    Librat e të përkohëshmet në fjalë janë:

    – At Gjergj Fishta, Amerika (Botim i veçantë për Ballkanin).

    – Kristo Floqi, Administrata ose e drejta sundimore.

    – D. Zadeja, At Fulvio Cordignano në gjyq.

    – Piro Floqi, Bajram Curri (Vjershë).

    – Mehdi Frashëri, Arben lajmëron.

    – Mehdi Frashëri, Hylli i Dritës.

    – Mehdi Frashëri, Aventurat e Tom Miksit.

    – Mehdi Frashëri, Aveniri i Shqipërisë.

    – Skënder Guri, Antologji dashurije.

    – Hamit Gjylbegaj, Agimet e fillozofisë.

    – S. Paparisto, Bojskautizma.

    – Pjetër Gjini, Besniku.

    – Bendo Shapërdani, Çudi me Zotin.

    – Bendo Shapërdani, Çupat e Vançit.

    – Hamit Gjylbegaj, Cikrime Fillozofije.

    – Shefqet Dauti, Çeta e të treve.

    – Buffallo-Bill, Cila ka qenë Sadije Zogu.

    – Buffallo-Bill, Çeta e Tigërve.

    – Vasil Xhaçka, Ç’duhet të dijë çdo i ri.

    – Prof. Lorenzini, Çështja agrare Shqiptare.

    – Mark Çuni, Çudija e ligjëratës.

    – Luigj Thaçi, Doktrina fashiste e shpjeguar popullit.

    – Luigj Thaçi, Don Gjon Vata, prift me kobure.

    – Kristo Floqi, Djelmërija shpresë e s’ardhmes.

    – Kristo Floqi, Drejt një politike shoqërore ekonomike.

    – Hamid Gjylbegaj, Drita e së vërtetës.

    – Alen Bernard, Djali i Myftisë.

    – De la Grande, Ditët e prapme të Jeruzalemit.

    – A. Mille, Dashuri në Hong-Kong.

    – Kristo Floqi, Dëshmorëty e rilindjes.

    – A. Diery, Dy të vdekur në një qivur.

    – F. M. Angoni, Dora e Fatit.

    – Mikel Zevako, Doktrina e madhe.

    – Mikel Zevako, Dashnorët e Venedikut.

    – Hasan Kaloshi, Dedektivi.

    – Hasan Kaloshi, Detyrat e komandantit.

    – Jani Gjëmbi, Dashurija e Anmes moderne.

    – Terenc Toçi, E drejta ndëshkimore.

    – I. B., E vërteta mbi ndodhjen në Spanjë.

    – Hamit Gjylbegaj, Flutura ndër lule.

    – Pjetër Gjini, Fletorja e Klerit Katolik.

    – Pjetër Gjini, Fashizmi.

    – Pjetër Gjini, Fjalimi i Patër Anton Harapit.

    – Pjetër Gjini, Fjalimi i Kontit Çiano.

    – Pjetër Gjini, Flamuri i shënjtë.

    – Pjetër Gjini, Frushullime.

    – Terenc Toçi, Gramatika Italisht.

    – Lumo Skëndo, Gijom Telli.

    – Ernest Koliqi, Gjurmat e Stinëve.

    – Bendo Shapërdani – V. Alarupi, Gesa prej Rugove.

    – Conan Doyle, Gjarpëri me pika.

    – Conan Doyle, Gracka e vdekjes.

    – E. Vallace, Gruaja e katër katrorët.

    – D. Dumas, Gjakmarrja e kusarit.

    – P. Gjon Shllaku, Hylli i Dritës.

    – P. Gjon Shllaku, Historija flet kështu.

    – Vill Durant, Herojtë e mendimit.

    – Fiqiri Llagami, Hitleri.

    – Historija dhe psikollogjia e fashizmit.

    – Historija politike ushtarake.

    – Dh. Fallo, Harun-el Rashit.

    – Mitrush Kuteli, Havadan më havadan.

    – Dr. Kristo Dako, Hyrja në historinë e Shqipërisë.

    – Kr. Dako, Jeta dhe veprat e Zogut.

    – Java (revistë).

    – Piro Floqi, Kosova e lirë.

    – Hamit Kokalari, Kosova djepi i shqiptarizmës.

    – Fulvio Corgignano, Këshilla nga Nëna Mbretneshë.

    – Fulvio Corgignano, Kush janë Jezuitët.

    – Mehdi Frashëri, Koka e Ali Pashës.

    – Ramo S. Frashëri, Kriza dhe bota.

    – Pjetër Gjini, Këngë të reja.

    – Pjetër Gjini, Kurtha e Dashurisë.

    – Teki Selenica, Kalendari Shqipënija e ilustrueme.

    – “Hylli i Dritës”, Kulturë kundër kulturës.

    – Aqif Domini, Konferenca patriotike për djelmoshat.

    – Hamid Gjylbegaj, Kunora e Lavdisë.

    – “Hylli i Dritës”, Letër e hapur e Hilë Mosit.

    – “Meshtari Shqiptar”, Kombësija e Klerit Katolik.

    – Vasil Xhaçka, Kalendari enciklopedik.

    – Nexhat Hakiu, Kënga e gjakut.

    – Ernest Koliqi, Kushtrimi i Skënderbeut.

    – Prej Irineut, Lordi Listër.

    – Prej Irineut, Libra Feta e kl. I, kl. II, kl. III, kl. IV, kl. V.

    – M. Frashëri – Përkthim, Maksime.

    – M. Frashëri, Liga e Prizrenit.

    – P. A. Harapi, Ligjëratë.

    – P. Gj. Fishta, Libër i pëvjetshëm.

    – P. Gj. Fishta, Lahuta e Malsis.

    – De Monfe, Maska e zezë.

    – Pjetër Gjini, Malsori në Paris.

    – Villy Forst – T. Zavalani, Mazhurka.

    – Dh. Fallo, Mata-Hari.

    – K. Doyle, Mbretëresha e Pareve.

    – “Minerva” – revistë.

    – G. Petroff, Mësuesi idealist.

    – M. Kruja, Mussolini.

    – L. Skëndo, Mbi një udhëtim në Zvicër.

    – A. Bernard, Misteri i Luvrit.

    – Sh. Vendresha, Novella.

    – T. Zavalani, Nogi.

    – E. Wallace, Ndëshkimi i spiunit.

    – Shaban Vranishti, Ndjenja e Malcorit.

    – Nebil Çika, Njëmëndësija Shqiptare.

    – V. Koça – N. Çika etj., Neoshqiptarizma.

    – Clifford Ralch, Nat Pinkerton, Njeriu i padukshëm.

    – Fulvio Cordignano, Një tjetër filozof.

    – Dh. Fallo, Një mijë e një net.

    – Kr. Floqi, Një predikim mbi patriotizmin.

    – Mis Durham – S. Toto, Njëzet vjet Ngatëresa Ballkanike.

    – E. Koliqi, Ugo Foscolo, Vjersha të zgjedhura.

    – Mentor Sojli, Nisem.

    – A. Marlaska, Një monument historik.

    – M. Frashëri, Një polemikë mbi kulturën greke në Shqipëri.

    – Hubdard, Një mandat për gjeneral Gareia.

    – J. N. At Ilia, Një përgjigje të shkurtër shkencës.

    – F. Vokopola (Revistë), Njeriu.

    – Dh. Beduli, Orthodhoksia.

    – K. Maloki, Oriental apo oksidental.

    – P. Gjini, Ora e dishërueme.

    – Sh. Vendresha, Organizata e djelmërisë.

    – Sh. Vendresha, Poezitë e Ali Asllanit.

    – Hamid Gjylbegaj, Pasqyra e së vërtetës.

    – M. Frashëri, Problemet shqiptare.

    – L. Skëndo, Pritmi i Shqipërisë.

    – Ismet Toto, Platoni.

    – E. Koliqi – Manzoni, Pesë Maj.

    – “Drini” (revistë), Perëndija ka folur.

    – A. Tennysen, Eno ch Arden.

    – Kr. Floqi, Elementa të ekonomi-politikës.

    – F. Cordignano, Epopeja kombëtare e popullit shqiptar.

    – Kr. Floqi, Qerthulli Politik.

    ………………………………………..

    – Kr. Floqi, Shkëndija.

    – G. Progri, Shqipëria dhe bijt e saj.

    – L. Skëndo, Shkurtabiqi i verdhë.

    – Dh. Pasku, Tri probleme në lidhje me Bankën Kombëtare.

    – M. Arësimi, Triumfi i legalitetit.

    – M. Arësimi, Te praku i jetës.

    – Tradhtia e (Mehdi Frashërit).

    – Pjetër Gjini, Tridhjet e dyshi.

    – G. Petroff, Ungjilli si bazë e jetës.

    – P. A. Harapi, Vlerë shpirtërore.

    – E. Koliqi – U. Foscolo, Vjersha të zgjedhura.

    – P. Frashëri, Viktimat e fatit.

    – E. Koliqi – Ugo Foscolo, Vorret.

    – V. Monti – E. Koliqi, Vjersha.

    – Selaudin Blloshmi, Zëri i fronit.

    – Fulvio Cordignano, Zëri i misionit.

    – M. Kruja, Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha.

    – At Gjergj Fishta, Vallja e Parizit.

    – Dhe të gjitha veprat e At Gj. Fishtës si Anzat e Parnasit, Gomari i Baba Tasit etj./kujto.al

    Lexo edhe:

    KUSH ISHTE SKULPTORI I NDJERË, THANAS PAPA: SI U NDËSHKUA SE U DASHURUA ME GRUAN RUSE…

  • Ernest Koliqi: Duert e nânës

    Ernest Koliqi: Duert e nânës

    Ernest Koliqi

    Nga Ernest Koliqi

    U zgjue. Nji të nxehtë i mërzitshëm në trup e nji rândim kreje i dhanë ndijen e zgjimit. Përgjumshëm mendën kaplue prej àvujve të gjumit, njiherë së pari s’dinte se ç’orë ishte as ku gjindej. Hapi syt e i mbajti çelë dy çasa të vetëm.Orendít e odës së huej, ku ai përkohësisht banonte, erdhën e u futën në shikim të tij ashtu si mbytën sendet në nji liqê.

    Oda me dy pasqyrat e saja, me tryeza mbushë me libra, me raft e me lavabo, qëndronte në nji gjymsë drite të lehtë.

    Ai ndieu nji të dridhun trishtimi tue e pà. Ah, me çelë syt e m’u gjetë n’odën e vet, në Shqipní! Kapakët e dritoreve t’afruem e koltrinat e bardha zbutshin dritën, e cila jashtë dukej e gjallë. Ishte mbasdite.Prap mbylli syt. E atëherë heshtja i u avit si dét mje ke veshët.Xhamat e dritoreve të hapuna lêjshin me hy n’odë zhurmën e zânet e rrugës. Ai banonte në nji ndër udha má të qeta t’atij qyteti të huej…Nji zile tringulloi e pak mbrapa nji portë krisi tue u hapë e tue u mbyllë; do hapa kumbuen e u larguen; nji zâ grueje i largët thirri e mbandej qeshi.Ai e shijonte at qetí tue mendue do zâne të njoftuna tjera, ato të shtëpís atnore.Kryet i dhimte. Syt me i çelë i digjshin. Nji jone pjanoforte kah fundi i rrugës nisi me e kënaqë e njiherit m’e trazue. Kujtoi se do të mundte me ndjekë fillin e melodís. U shtrî prapët në shtrat, tue mbështetë qafën edhe butin e krés në jestek e tue lânë veshët e lirshëm.Por vúni roe menjiherë se duert e shpejta e të zhdërvjelluna qi shetitshin poshtë e nalt tastjerën e largët, përsritshin me kujdes nji ndër aso ushtrimesh të vishtira e të ndërlikueme, të cilat kunorzojnë nji studjim shum vjetsh.

    Shkalla herë të planta herë të pingulta tingujsh, qi holloheshin e zgjânoheshin, tue u shtue e tue u rrallue, vijshin e ngreheshin përpjetë n’at paq mbasditjeje. Atij i gitej si m’u ngjitë nëpër to hov hov , dhe, i arrijtun në kulm, m’u rrëzue në nji shpraztí, prej kah binte në njí shpraztí tjetër disi mâ të hapun, deri sa ato duer të panjoftuna të largta prap e kapshin edhe e naltojshin kâmbë kambë maje nji piramidje tingujsh…

    Në fillim u ngjit e u zbrit disi me andje; mbas pak kohe ato shkalla qi rrëxoheshin e prap ngreheshin u bânë nji torturë për tê. Mshefi kryet nên mbloje për mos me ndëgjue. Kumboi nji hap nên dritore.Të tânë shpirti i tij ndêi pezull në kumbim t’atij hapi. Nuk i thonte kurrgjâ. Kâmbë të panjoftuna.Përkujtoi hapat shtëpijakë nëpër çardak, atje. Të gjithë i njifte në t’ecun gjinden e vet. Nji hap tjetër u afrue e u largue n’udhë qi heshte. Sa gëzim me njoftë papritmas nji hap të dashun e m’e ndëgjue tue u ndalë: nji tringullimë zilje, nji krizëm porte të hapun, zhurmë e zâne në rruginë…Vetëm n’at odë të huej. Hapat qi kalojshin edhe mâ të huej se ajo odë e cila nemòse njifte vëngjillet e tija mbi letra e mbi libra.Të nxehtë. Flakroi larg vetes mbulojën. Pjanoforta kumbonte, në fund t’udhës, papushue. Nji grue foli do kohë prej nji dritorje kundruell me dikê poshtë në rrugë.Kishte zjarrmí. Sigurisht ethe. U mbulue prap. I ra ziles qi varej në krye të shtratit.E zoja e shtëpís erdhi e u çudit tue e pá rát n’at orë. Ai i a lexoi çudín në fytyrë. Lypi nji thermometër. Kur i a sollën edhe e vûni nên sqetull, i ra në mênd se herën e fundme qi pat ethe nâna e motrat rrijshin prânë tij, atje në shtëpí aq të largët.E hoq: tridhetenandë e gjymsë.

    -Ju lutem pak akull, zojë, për me i vû peca të ftofta krés.U suell në brî të rrëmajtë e mbylli syt. Shtrati i tij.Andej musandra, këtej dritorja prej kah shifej mandi në mjedis t’oborrit. Në fund tryeza e punës. Për brî soje libërtorja. Oda e tij. Atje. Edhe smundja përveshet me âmbëlsi depërtuese kur t’a shtron trupin n’odë t’ande e grumbullon rreth teje gjindt e shtëpís s’atë. Nâna, motrat.

    Hapi syt. Drita mbas koltrinave të bardha bierte pak nga pak gjallnín. Hija po mbushte udhën. Mbrâmja avitej.Pjanforta kish heshtun.Ndrroi brî e me qepalla të mbylluna ndêi në prigjim.Do kumbonë filluen me ra. Prej mbrâmjet, kur dielli prendon mbas Taraboshit, nëpër kopshte të Shkodrës, derdhet kânga e përmallëshme e kumbonve. Nga nji nga nji përkujtoi zânin e veçantë qi ka sejcila sosh. Ajo e Fretënve me nji kumbim t’ultë e të fortë si luta e nji burri, ajo e Murgeshave me nji tingull t’argjantë e gazmuer si gjasërame hymnash latinishtje të dekadencës, ajo e Kishës së Madhe si thirrje atnore, e âmbël por qortuese pse âsht kumbona qi sa t’ushqehemi me frymë na kujton kohën rrëshqitse e detyrët e pakryeme e qi, të shkëputun prej shpirtit, tash na përsjell me zâ të qetë deri n’Ermaj.-Qe, akulli.Zâni i huej i a pezmatoi edhe mâ tepër dhimbën e krés.

    Zoja e shtëpís i a lagu do peca, grîni akullin e, si e shtîni ndërmjet atyne, ia vndoi mbi ball e filloi me i a fërkue tâmthat.

    Ah, nji cirkë ufulle drandofilesh do t’ia kish pushue at dhimbë! e bâme me ato drandofile qi çelshin para jerevís e mblidhte me kujdes gjyshja në çdo verë. Me pasë ndie tue u hapë aty n’odë, n’at odë të huej, âmsimin e atyne drandofilleve, ai do t’u shëndoshte menjiherë.Âmsim i fortë e i âmbël, sdepërtuer, qi freskon gjakun kur flégurat e hundve tue u dridhun nuhasin gjatë e ândshëm, qi lecon e shutitë dhimbën e tâmthave kur gishta të dashtun t’i njomin me tê, qi ndiell gjumë erandëshëm kur të tânë oda eraton prej tij.Ato duer qi i a fërkojshin ballin e i a ndrrojshin pecat e ftofta, s’dijshin me i a zbutë dhimbat.-Nânë!

    E shqyptoi me zâ të naltë emnin e dashtun? Grueja u përkul kah ai e pyeti plot kujdes:-Deshironi gjâ?Po, duert e nânës deshironte, pse vetëm ato mund të dijshin me gjetë dejt mâ të mshefun qi dhimbshin.

    I u dukte se rrëzohet nëpër nji firmament të kuq. Binte prej nji reje së ndezun, poshtë, kulihum, në nji re tjetër edhe mâ të ndezun, poshtë, picingul, në nji firmament të verdhë. Duer të shpejta, të panjehuna ngrehshin shkalla në nji dritë të kuqe e të verdhë prej nji reje në tjetrën. Hyj të vogjel kalojshin, firmamenti i djegun zhari pikalasej me hyj, me nji morí hyjsh qi rridhshin si lum.

    Shkalla ngreheshin prej duerve të panjehuna, e ai rrëzohej e rrëzohej pa ra kund.-Pse bje ajo pjanofortë?-Asnji pjanofortë s’a tue rá, zot i dashun.

    Ai heshti do kohë. Mbandej prap:

    -Sa mirë s’lodhen ato duer?-Duert e mija, thoni?Zoja e shtëpís, grue e shtyme në mot, e shikoi për seri.Ai mbante syt mbyllë. Po, ai dinte se ato duer në firmament flakues, ato duer fluturuese në tastjerë të largët, ato duer të hueja në ball e ndër tâmtha, dojshin m’e torturue. Ah, duert e nânës. Ato shërojnë me nji të prekun sepse i njâjti gjak rrjedh n’ato gishta qi freskojnë e në tâmtha qi digjen; ai mish qi vuen qe dikuer nji me ato duer qi âmbëlsisht përpiqen me largue zjarrmín e tij.E ato duer ishin larg.

    Përgatiti: ObserverKult   

    ———————-

    Lexo edhe:

    ERNEST KOLIQI, THEMELUESI I PROZËS MODERNE SHQIPE

    “Hija e maleve” (Zarë, 1929) dhe “Tregtarë flamujsh” (Tiranë 1935) janë përmbledhjet me tregime, që Koliqin, e ngrenë në majën e krijimtarisë letrare në prozë, bashkë me Mitrush Kutelin: njëri mjeshtër i madh i traditës së kallëximit verior e tjetri, i rrëfimit jugor.

    Në tregimet e tij rijeton Shkodra, tashmë e harruar, me zakonet e gjuhën e saj plot ngjyra ylberi.

    Studiuesi Aurel Plasari, shkruan: “Po ta gjykonim një gjysmë shekulli të letërsisë shqipe me rreptësinë e Kurtiusit (Curtius), do të na shfaqej parasysh i hirtë e i ftohtë “zinxhiri i pashkatërrueshëm i një tradite mediokriteti,” mbi të cilin ngrihen kryeveprat e jashtëzakonshme, “Pasqyrat” e Koliqit, “Tat Tanushi” i Kutelit, “Dranja” e Martin Camajt, që e kapërcejnë realitetin e një historie letërsie”.

    Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

    ObserverKult

  • Albanologu austriak që dha vlera për shqiptarët

    Albanologu austriak që dha vlera për shqiptarët

    Norbert Jokli (25 shkurt 1887 – maj 1942) ishte albanolog austriak me prejardhje hebreje. Njihet si një ndër themeluesit e albanologjisë. Por, para se të njihej si albanolog i madh ai ishte i çmuar si studjues i filologjisë balto-sllave dhe si bibliotekar (Oberstadtsbibliothekar) i Universitetit të Vjenës.

    Jeta dhe karriera

    Lindi në Bzenec (asokohe Bisenz), Moravia e Jugut, sot Republika Çeke si biri i vetëm i një tregtari hebre. Përfundoi shkollën e lartë me nota të shkëlqyera dhe hyri në fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Vjenës. Mori këtu gradën e doktorit të drejtësisë summa cum laude më 23 qershor, 1901. Disa kohë veproi si stazhist ligjor, por më vonë vendosi t’i përkushtohej gjuhësisë. Studioi gjuhët indo-evropiane te P. Kretschmer, gjuhët sllave te V. Vagic dhe gjuhët romane te G. Meyer-Lübke; u gradua me lavdërim në këto lëme. Në vjeshtën e vitit 1903, ai u bë stazhist në bibliotekën e Universitetit te Vjenës ku punoi deri në vitin 1938. Në moshën 30 vjeçare, mësoi gjuhën shqipe, e cila gjer në atë kohë kishte qenë shumë pak e studiuar.

    Mësoi shqipen duke ndjekur kursin që asokohe udhëhiqej nga Dr. Gjergj Pekmezi, i cili ishte lektori i parë i shqipes në Universitetin e Vjenës. Më pas forcoi njohuritë si autodidakt më ndihmën e studentëve dhe shqiptarëve të atëhershëm në Vjenë. Ishte meritë e tij që më 1914 në Vjenë u kryen, për qëllime studimi, regjistrimet e para zanore në gjuhën shqipe me subjekte shqipfolës.

    Në prill të 1933, paleontologu dhe albanologu Franz Nopcsa (Ferenc Nopcsa) vrau sekretarin dhe veten e tij. Ai i la trashëgim Norbert Joklit punen e tij albanologjike. Ernest Koliqi, duke përshkruar një vizitë të bërë së bashku me Aleks Budën në shtëpinë e Joklit në dhetor të 1937, shkruante një vit më vonë te «Demokratia» e Vangjel Koçës:

    “E më çoi fíll ke nji raft librash […] Botime të vjetra e të reja: Toskësh e Gegësh e Shqiptarësh t’Italís; të gjithë auktorët, të mëdhej e të mesëm e të vegjël fare; kolekcjone së përkohëshmesh shti për bukurí në kartuç, radhiteshin të dendun n’at bibljotekë të smirueshme. Shum prej atyne botimeve sot nuk gjinden mâ, sado me i pague. Sejcili vëllim mâ së miri i lidhun mbante të shkruem me gërma ari në shpinë titullin e vet. Sýt e mij shetitshin plot lakmi mbi ato tituj e zemra më ndrydhej. Paska qenë dashtë të shkojshëm larg Shqipnije, në nji vend të huej, për të gjetun bibliotekën ideale shqipe”.

    Është autor i librave Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes dhe Kërkime gjuhësore – kulturore historike nga fusha e shqipes. Jokli pat krijuar një bibliotekë albanologjije e indogjermanistike me rreth 3000 ekzemplarë libra, prej të cilëve sot kanë shpëtuar më pak se 200 copë. Ndër të tjera ai ruante dorëshkrimin e një Fjalori etimologjik të gjuhës shqipe, i cili ishte vazhdimi ideal i punës së nisun prej G. Meyer-it. Mjerisht gjurmët e atij dorëshkrimi kanë humbur qysh në pranverën e vitit 1942. Duhet thënë se dëshira e tij ishte që biblioteka e vet t’i përkiste Shqipërisë. Sipas historianëve të sotëm, ka qenë pikërisht kjo dëshirë fisnike e Prof. Norbert Joklit që ka shenjuar fatin e tij mizor[1]. Kishte lidhje të ngushta me intelektualë shqiptarë të asaj kohe si Faik Konica, Aleksandër Xhuvani, Ernest Koliqi dhe Gjergj Fishta, si edhe pati nxënës shqiptarë. Admirues i madh i Fishtës, Konicës, Sqiroit, Naimit dhe traditës bektashjane, njohës i De Radës dhe i arbëreshëve, simpatizues i Shantojës dhe i Koliqit, Jokli pati një letërkëmbim të dendur me shumë personalitete kulturore dhe politike shqiptare.

    Në vitin 1937 kishte vizituar një herë të vetme Shqipërinë ku me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, u prit me nderime dhe u nderua me çmimin “Urdhni i Skënderbeut”.

    Kalvari dhe Përpjekjet për ta shpëtuar

    Kalvari i Joklit zë fill në maj të vjetit 1938, atëherë kur nacionalistët e ekstremit të djathtë nazist nisën ta persekutonin e t’i mohonin të drejtat profesionale. I shtyrë prej disa miqsh – ai vendosi t’i drejtohej në vjeshtën e vitit 1939 një lutje Gauleiter-it Bürckel, komisarit të Rajhut për zonën e Ostmarkut, duke i kërkuar njohjen e të drejtave të barabarta me “racat e përziera të gradës së parë”. Lutja nuk u pranua e kështu që Joklit iu mohua e drejta që të konsultonte deri edhe bibliotekën dhe iu revokuan të gjitha privilegjet akademike. Më 1938 Lasgush Poradeci i drejton një letër qeverisë së kohës[3].

    Kërkoi me ngulm që Jokli të vinte në Shqipëri. Lasgushi shihte një varg të mirash që mund të sillte ardhja e Joklit në Shqipëri dhe donte vënien e tij në krye të një Instituti Albanologjik dhe intensifikimin e punëve në të gjitha disiplinat e studimeve shqiptare, duke ditur përkushtimin e rrallë të albanologut më të madh të kohës për Shqipërinë. Shqipëria ishte pushtuar në 7 prill 1939 nga Italia fashiste. Në 12 prill 1939, Viktor Emanueli III u shpall mbret i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe Francesco Jacomoni (ish ambasador i Italisë në Shqipëri) u bë mëkëmbës i tij me të cilin qeveria e re shqiptare kolaboracioniste nën drejtimin e Shefqet Vërlacit, nënshkroi një sërë marrëveshjesh. Kjo ishte situata në vend kur kërkohej shpëtimi i Joklit. Shqipëria shihej si vend i shpëtimit të tij për shkak të origjinës hebraike. Nga një letër e Fishtës drejtuar Jakomonit mësojmë se Shqipëria ishte vërtet vendi që u tregua i gatshëm ta strehonte, por Jokli kërkonte të nisej drejt Amerikës. Letra drejtuar Jakomonit është e datës 23 shtator 1939.

    Megjithatë, në Shqipëri, Prof. Jokli pati gjithmonë dashamirë dhe miq të sinqertë. Me rastin e Kuvendit të parë të organizuar prej Institutit të Studimeve Shqiptare, të zhvilluar në Tiranë prej datës 9 deri me 13 prill 1940, ishte ftuar të marrë pjesë edhe “profesor Jokli, albanologu i njohtun izraelít prej Vjenet” – kujton Francesco Jacomoni (shih: La politica dell’Italia in Albania, Cappelli, Rocca San Casciano 1965, fq. 183). Dihet se organizator i atij tubimi të randësishëm ishte ministri fashist Ernest Koliqi. Në nji letër të shkruar në Tiranë me datën 15 prill 1940, Aleksandër Xhuvani ndër të tjera i kumtonte Joklit: “Kemi pasë këto ditë, si do ta marrish vesh, nji Kuvend të parë të studimeve shqiptare, ku u mblodhën Shqiptarë e Italianë shkencëtarë e studimtarë, ndër të cilët edhe Bartoli e Tagliavini.

    Ju kemi zanë n’gojë shumë herë dhe na vinte keq që s’gjindeshit edhe ju në mes t’onë. Ju kemi dërgue të fala me disa kartolina. Gjithë përpjekjet t’ona rrahin që të të sjellin këtu ose gjetiu të veç, për të vijue punën e studimevet t’ueja, dhe shpresojmë që t’ja dalim në krye kësaj dëshire”. (shih: Jokl Nachlass Autogr. 279/114) Në tetor 1941, Ernest Koliqi iu drejtua me një letër konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë, letër në të cilën e njoftonte se kishte angazhuar profesor Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Albanologu mendonte të shkonte në Shqipëri e të merrte me vete edhe bibliotekën e tij personale. Në vitin 1972 Ernest Koliqi kujtonte në vëllimet e «Shêjzave» sesi Prof. Carlo Tagliavini, albanolog i Universitetit të Padovës, me një «letër kushtrimore» të datës 14 mars 1941 i kërkonte të bënte diçka për Joklin: “…bahet fjalë me shpëtue njeriun.

    Dëshira e tij kishte me qenë, siç e din, me kalue vjetët që i kanë mbetë (tash âsht 64 vjeç) në Shqipni… Un t’i shkruej këto gjana që të jesh në dijeni të plotë dhe n’emën të miqsisë sonë të vjetër të lutem që të bajsh gjithçka âsht e mujtun; bahet fjalë me shpëtue njeriun, me shpëtue albanologun mâ të madh, i cili mundet me i dhanë ende shumë studimeve shqiptare”. Duhet thënë se prof. Tagliavini e kishte këshilluar Joklin që t’ia falë me anë të një akti zyrtar bibliotekën e tij Shtetit shqiptar, në mënyrë që ta ketë më të lehtë të marrë lejen për të shkuar në Shqipëri. Me 15 mars 1941, konsulli shqiptar në Vjenë, dr. Nikollë Rrota i shkruante Koliqit: “Në rasë të konferencës qi mbajti më 27 fruer v.v. miku i jonë, z. Prof. Tagliavini, e informova hollësisht mbi gjendjen e tmershme në të cilën ndodhet sot Prof. Jokl, kurse rryma e sotshme e Nacizmit ka marrë masa tepër të rrepta kundra çëfutënve […] parashifet qi shpejt do t’instradohet për në Poloni pa pasë mundësí as me e marrë me vehte bibliotekën e tij e as me krye mâ ndonji vepër ditunije. Siç dihet, biblioteka e tij âsht nji ndër mâ të pasunat dhe mâ të vlefshmet mbi letratyrën shqipe, sikurse mund t’a vërtetojë edhe z. Prof. dr. Ekrem Çabej”. Konsulli Rrota, siç marrim vesh prej një letre të P. Kretschmerit kishte filluar përpjekjet për shpëtimin e Joklit qysh në prill të vitit 1940. Në ketë kohë personalitete të ndryshme të kulturës e politikës europiane dhe të vetë qeverisë shqiptare po bënin çmos për ta shpëtuar Prof. Joklin – duke e ftuar të jetojë e punojë në Shqipërí.

    Këtë gjë e dëshmojnë letrat e profesorëve Krahe, Kretschmer, Tagliavini, Koliqi, F. Ercole, G. Schiro’ jr., e gjithashtu edhe hapat e marrë në rrugë diplomatike prej ministrit Giuseppe Bottai, prej ambasadorit italian Dino Alfieri në Berlin dhe prej konsullit shqiptar në Vjenë, Dr. Nikollë Rrotës, i cili u përpoq me aq sa mundej edhe mbas vdekjes së Joklit për të ditur diçka për rrethanat tragjike të fundit të tij. “Sa mora letrat e Tagliavinit dhe të Rottës, kujtonte E. Koliqi në vitin 1972, unë fola me Kryeministrin z. Shefqet Vërlaci i cili pranoi menjiherë propozimin t’em me e emnue Jokl-in Organizator t’Arkiveve Shtetnore dhe të Bibliotekave shqiptare. Mblodhi Këshillin Ministruer, qi njizâni vendosi at emnim. I a dërgova dekretin përkatës Prof. Jokl-it në Vjenë dhe kumtova njikohësisht Tagliavinin dhe Rottën”. Mbas këtyre orvatjeve fillestare, ministri fashist shqiptar Ernest Koliqi do të shkonte apostafat në Romë për të folur për shpejtimin e çështjes së Joklit me ministrin Bottai.

    Ndërkaq ishin duke u bërë traktativa ndërmjet Ministrisë së jashtme italiane dhe asaj gjermane e Bottai e këshillonte kolegun fashist Koliqi të fliste me Ciano-n, në mënyrë që ky t’i shkruante J. Ribbentropit. Edhe Prof. Eqrem Çabej, i cili ndodhej në Romë në korrik të vitit 1941, mbasi ishte emëruar si përfaqësues i palës shqiptare për hartimin e «Atlantit gjuhësor» për pjesën e arbëreshëve, interesohej në mënyrë aktive për fatin e Joklit. Me 18 tetor të vitit 1941 Prof. Tagliavini i shkruente Koliqit se konsulli Rrota dhe Jokli kanë ndeshur në vështirësi të papritura në marrjen e lejes së kalimit dhe se është nevoja që Mëkambësi Jacomoni t’i shkruante një letër urgjente ambasadorit italian Dino Alfieri në Berlin. Jacomoni e shkroi letrën dhe ia nisi menjiherë ambasadorit italian.

    Megjithatë, si ministri Bottai ashtu edhe ambasadori Alfieri nuk e përmendin në ditaret dhe kujtimet e veta çështjen e Joklit. Përveç Gestapos, kishte edhe persona të tjerë që nuk donin që Jokli të gjente strehë në Shqipëri, një ndër këta ishte edhe Viktor Christian, dekani i fakultetit të filozofisë në Universitetin e Vjenës. Christian kishte frikë se duke fituar të drejtën të shkonte në Shqipëri, Jokli do të merrte me vete edhe bibliotekën e tij; ndërsa në rastin tjetër, biblioteka e sekuestruar prej nazistëve do t’i kalonte fondit të Universitetit. Në fakt, dekani i filozofisë Christian, që më vonë do të bëhej rektor i Universitetit, i shkruente SS-Hauptsturmführer-it Brunner se në qoftë se Jokli do të shkonte në Shqipni, biblioteka e tij s’do të mbetej në Vjenë, por në rast se autoritetet do ta internonin në Poloni, dekani i lutej oficerit SS, që biblioteka t’i jepej fakultetit të filozofisë.

    Nga mbarimi i prillit të vitit 1942, dekani Christian ishte i informuar për internimin e Joklit dhe për faktin që biblioteka e tij – duke i kaluar Universitetit të Vjenës – do të vendosej së shpejti në mjediset e Institutit të Indogjermanistikës ose të atij Oriental. Menjiherë do të interesohej edhe drejtori i përgjithshëm i Bibliotekës Kombtare austriake, Paul Heigl, i cili kërkonte që librat e «çifutit Jokl» të bëheshin pronë e komunitetit të gjerë të studiuesve. Edhe ambasada italiane në Vjenë, në emër të së drejtës që kishte fituar Italia prej pushtimit të Shqipërisë, bënte hapat e saj për marrjen e kësaj biblioteke me përbërje albanologjike. Një ndër gjërat më me vlerë që humbën prej asaj biblioteke, ishte dorëshkrimi i Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe.

    Arrestimi dhe vdekja

    Fundi i jetës së tij është tragjik. Norbert Jokli u arrestua nga Gestapoja në 4 mars 1942 në banesën e tij Vjenë dy nëpunës të Gestapos e morën profesorin prej shtëpisë së tij në Neustiftgasse 76 dhe e ndryen së pari në Sperrgasse e mandej në kazermën Rossauer në Vjenë. Me një letër tjetër, e cila mban datën 1 prill 1942, Tagliavini i kumtonte Koliqit lajmin e arrestimit të Joklit dhe përpjekjet për të ndërhyrë nëpërmjet kryeministrit fashist Kruja. Shkruan Koliqi: “Unë nga Tirana i telefonova menjiherë Bottai-t në Romë e shkova mandej fíll tu Mustafa Kruja i cili në sý t’em mori telefonin e foli me Ciano-n tue e lutë nxehtësisht me bâ çmos për shpëtimin e Jokl-it. Ciano përgjegji se do të lutte Mussolinin me ndërhy pranë Hitlerit”.

    Po ky vit shënohet si vit i vdekjes së albanologut. Si një shkencëtar i vërtetë dhe si njeri i dashuruar mbas librave, ai ndihej prej kohësh i dëshpëruar vetëm prej idesë se mund të ndahej përgjithmonë prej librave të tij të çmueshëm.

    Madje, i kishte pohuar gjuhëtarit Carlo Tagliavini, se në rast se do t’i duhej të ndahej prej librave të vet, do të preferonte të vriste veten. Si datë e vdekjes së N. Joklit konsiderohet 6 maji 1942, por përsa i përket rrethanave të vdekjes së tij jepen variante të ndryshme. Ministri fashist shqiptar Ernest Koliqi – i informuar prej konsullit Rrota – tregon se gjatë rrugës për në një kamp përqëndrimit në Riga, Jokli u hodh prej trenit kur po kalonte mbi një urë të lartë rreth 100 metër dhe mbyti veten.

    Disa studjues austriakë pohojnë se Jokli vdiq nën tortura në kazermen Roßauer në Vjenë, ndërsa të tjerë pohojnë se vdiq në kampin e përqëndrimit të Maly Trostinec-it, nji lokalitetit rreth 12 km në juglindje të Minsk-ut, në Ruteninë e Bardhë. Ka gjasë që ky variant të jetë më i mundshmi. Kampi i Maly Trostinec-it ishte krijuar qysh në nëntor të vitit 1941 në territorin e ish kolkozit «Karl Marx». Duke qenë se në gjysmën e marsit të vitit 1942 partizanët kishin sulmuar kampin duke vrarë rojet, mbas këtij episodi kompania e rojeve ishte shtuar si numër, duke arritë shifrën 250 ushtarakë.

    Zakonisht ekzekutimet në masë në ketë kamp bëheshin me anën e pushkatimit, i cili kryhej në pyllin e Bllagovshçinës. Simbas listave të transportit të Reichsbahn-it (hekurudhat e Reichut III), mbartja e parë e hebrenjve nga Vjena për në të ashtuquajturin «Reichskommissariat Ostland», u bë me datën 6 maj 1942. Nji gjë të tillë e konfirmon edhe një raport i detajuar i komisariatit të policisë vjeneze (95. Pol. Revier), i shkruar më datën 16 maj 1942.

    Raporti përshkruan me hollësi «evakuimin» e 1000 hebrenjve nga Vjena, lista e të cilëve, sqaron me një ton të ftohtë burokratik funksionari i policisë, ishte radhitë prej kapitenit SS Brunner. Mbasi përshkruan me hollësi nisjen nga Vjena, itinerarin si dhe ndalesat e ndryshme, raporti vë në dukje faktin se më datën 9 maj – kur treni mbërriti në Kajdanowo, në afërsi të Minskut, kishin vdekë 3 burra dhe 5 gra prej hebrenjve të internar. Emnat e tyne nuk shenjohen, por ka shumë mundësi që njëri prej tyre të ketë qenë albanologu Norbert Jokl[1]. Me 29 prill 1982 Senati i Universitetit te Vjenës vendosi të rradhisë emrin e Norbert Joklit në tabelën e nderit të universitetit.

    Rruga “Norbert Jokl” Tiranë

    Mbas një pune të zellshme dhe të pandërprerë i shkoi për dore të botojë veprën më titull “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung” (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes). Në këto studime i kushton një rëndësi të posaçme leksikut të trashëguar të shqipes: në 101 faqe trajton fjalët burimore shqipe, ndërsa 13 faqe ua kushton huazimeve të saj. Këtu dëshmon për burimësinë e një numri të madh fjalësh, që G. Meyer i merr për huazime të shqipes.

    Kjo vepër merret si arritja më e rëndësishme në fushë të shqipes pas fjalorit etimologjik të Meyerit. Etimologjia zë vendin e parë në gjurmimet e tij në fushë të leksikut të shqipes, kjo qe lëmia ku edhe kontribuoi më shumë, por një rëndësi të tillë i kushtoi edhe morfologjisë dhe fjalëformimit, kurse në fushë të fonetikës për periudhën parahistorike ai hapi shtigje të reja në punë të apofonisë dhe në konsonantizëm./ Albert Vataj.

  • Cili ishte maneti i Ernest Koliqit

    Cili ishte maneti i Ernest Koliqit

    Ishte 15 Janari i vitit 1975 kur bota shqiptare mësoi se Profesor Ernest Koliqi kishte ndërruar jetë, ndërkohë që njoftohej gjithashtu se varrimi i të ndjerit do bëhej me 18 Janar, 1975 në Kishën e Shën Piut X në Piazza della Balduina, në Romë, ku prehen edhe prindërit e tij dhe bashkshortja. Në ceremoninë e varrimit kishin shkuar personalitete të njohura politike dhe akademike, kolegë e miq nga të gjitha anët e Italisë, arbëreshë e shqiptarë të ardhur nga të gjitha anët e botës, miq nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një numër vendesh të Evropës Perëndimore dhe nga Turqia

    Nga Frank SHKRELI

    Unë kam pasë fatin e mirë ta njoh Profesor Koliqin gjatë qëndrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe deri sa ndërroi jetë me 15 Janar, 1975, shkëmbenim letra dy tre herë në vjet. Në një letër që Profesor Koliqi më kishte dërguar në vitin 1972, pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim, ai më shkruante ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”. Gëzohem pikë më së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe. Të lumtë! Ashtë nji fillesë plot premtime. Mbaj mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’. Avit moshatarë sa ma shumë që mundesh. Në ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”. Ishte ky amaneti i tij.

    Përveç respektit të madh që kam për Ernest Koliqin, është edhe ky amanet pra që më detyron të mos e harroj dhe ta kujtoj atë, nga koha në kohë, në mënyrën teme më modeste, si njërin prej të mëdhenjve të Kombit, por të përjashtuar nga regjimi komunist shqiptar. Unë nuk kam përgatitjen as nuk jam i denjë të vlerësoj veprën dhe kontributet e shumta të Ernest Koliqit, por amanetin për të mos e harruar atë si një autor të përjashtruar nga letërsia shqipe prej regjimit komunist dhe nga mbeturinat e atij regjimi deri në ditët e sotme – përpiqem me modesti ta çoj në vend, nga hera në here amanetin e ti, për të mos harruar.

    Një tjetër i madh i letrave shqipe, Karl Gurakuqi, bashkpuntor i ngusht i tij, e ka vlerësuar kontributin prej shkrimtari të Ernest Koliqin kështu: “Nuk janë shumë shkrimtarët tonë, emni i të cilëve të njihet aq mirë në shtresat letrare shqipe sa ai i Koliqit. Janë 40 vjet që papremas e shohim emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime, në fletore e revista të ndryshme, disa prej të cilave janë themelue prej tij vet, në botime që janë të paracaktueme që të zënë nji vend të dukshëm, dashtë e padashtë, në historinë e letrave tona.” Si Ministër i Arsimit në vitin 1939, Ernest Koliqi mbledh pothuaj të gjithë studiuesit dhe shkrimtarët më të dalluar të vendit për të filluar botimin e librave për shkollat e mesme e fillore. Mjafton të përmendet dy-vëllimshi “Shkrimtarët Shqiptarë”, vëllimet “Bota Shqiptare”, “Rreze Drite” dhe “Te Praku i Jetës”, e sidomos mbledhja e folklorit, përmbledhur në “Visaret e Kombit”, të cilat me ardhjen e Koliqit në atë detyrë, arritën gjithsej 14 vëllime, një vepër kjo me shumë vlerë deri në ditët tona, sipas ekspertëve që i dinë këto punë shumë më mirë se unë.

    Karjera e Profesor Koliqit prej më shumë se 40-vjetësh është tepër e larmishme dhe voluminoze në letërsi, publicistikë, poezi e përkthime, për t’u përmendur këtu në hollësi. Por me këtë rast të përvjetorit të kalimit të tij në amshim më 15 Janar, 1975 – për të çuar në vend amanetin – dëshiroj të kujtoj Profesor Koliqin, për një rol tepër të rëndësishëm që ai ka luajtur në historinë e Kombit shqiptar, një rol ky që as sot nuk i njihet atij sa duhet në historiografinë neokomuniste shqiptare. Nuk më kujtohet që gjatë bisedave të kufizuara që kam pasur me të, të fliste për këtë aktivitet aq të rëndësishëm të jetës së tij dhe të arsimit mbarëkombëtar shqiptar, por të bashkëpunëtorë dhe bashkëkohës të tij, por edhe të tjerë më vonë, pas shembjes së komunizmit, nuk kanë munguar të theksojnë këtë kontribut historik të tij – hapjen e qindra shkollave shqipe dhe dërgimin e qindra mësuesve në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

    Ndërsa Tahir Zajmi,i lindur në Gjakovë dhe një tjetër bashkëkohës i Koliqit dhe sekretar i Bajram Currit dhe njëri prej themeluesve dhe drejtuesve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në një shkrim në vitin 1972, ka vlerësuar kështu rolin e Ernest Koliqit në përhapjen e arsimit në Kosovë dhe në trojet shqiptare: ”Fitim i madh për Kosovë kje hapja dhe funksionimi i shkollave shqipe të cilat qyshë atëherë veprojnë e lulëzojnë të kërthensta dhe me një ritëm të shpejt dhe të pandalshëm i falin Kombit pionerë të rijë që do të jenë garancia më e shëndosh dhe uzdaja e së ardhmes së Atdheut. E merita kryesore e kësaj veprimtarie patriotike të qeverisë shqiptare, pa dyshim i përket Ministrit të Arsimit të asaj kohe, Profesor Ernest Koliqit, i cili me vullnetin dhe me shpirtin prej idealisti, nuk kurseu energjitë e tij dhe as mjetet shtetënore që kishte në dispozicion për ta pajisur sa më mirë aparatin arsimuer në viset e çlirueme, me elementë të shëndoshë që i dhanë hov e gjallëni shkollës shqipe. E sot, për fatin e bardhë të Kombit, ashtë formue atje një rini dinamike e cila në çdo fushë aktiviteti kombëtar e shtetënor po përgatitet e po forcohet për ta lumnue fatin e vendit në të ardhmen. Pra, me shumë arsye Ernest koliqi zen një vend të naltë ndër zemrat e dashamirëve të Kosovës e njëherit edhe në historinë e përpjekjeve për lartësimin kulturor të saj”.

    Me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, Dr. Ago Agaj nga Vlora me origjinë, edhe ky një shërbestar i Shqipërisë Etnike dhe njëri prej të pareve në Kosovë në vitin 1941, kishte kujtuar rolin e Koliqit në hapjen e shkollave shqipe: “Në hidhërimin tonë nuk duhet të harrojmë se Aji qe fatbardhë në jetë e në vdekje. Shumë njerëz janë përpjekur me zell për një qëllim të lartë e të mirë, por pak janë ata që patën fatin të shohën farën e mbjellë gjatë jetës përhera duke u rritur e përparuar. Ernest Koliqi e pati ketë fat. Dardanët në Kosovë e Maqedhoni, farën që mbolli Ky, e kultivuan me zell të madh e zotësi të pashoqe dhe arritën në një shkallë arsimi e cila gëzon e krenon të gjitha zemërat shqiptare kudo që janë dhe – natyrisht, atë të Ernestit, ca më shumë. Ai ishte një ndër më të mirët që kemi pasur gjer më sot, veçse ai mbillte ushqim për shpirt e mendje të Kombit”.

    Ndërsa një prej adhuruesve i ditëve tona i Ernest Koliqit, në një postim në faqen e tij të internetit këto ditë, Z. Flamur Gashi, Këshilltari për Çështjet e Rajonit i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH. T. Z. Ilir Meta, kujton burrërisht Ernest Koliqin, “Në mirënjohje të thellë dhe kujtim të atij që mundësoi hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare”. Z. Gashi shënon më tej se, “Në vitin shkollor 1941-1942 u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941 u hap Shkolla Normale e Prishtinës”. Këshilltari i Presidentit për Çështjet e Rajonit flet me shifra duke theksuar se, “Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin 1943-44, ky numër u rrit në 400…ndërsa këtë vit shkollor e ndiqnin mbi 25 mijë nxënës”, nënvijon Z. Gashi. Këto shkolla, shkruan ai në portalin e tij, “U bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë”, ndërkohë që Ernest Koliqi, për këtë mision të jashtëzakonshëm kishte ngarkuar intelektualin dhe pedagogun gjirokastrit, Ali Hashorva, kujton Flamur Gashi, duke thënë se, “Ishte ky mision arsimor, atdhetar e vizionar që mishëronte programin e madh të rilindjes Kombëtare, përhapjen e diturisë e përparimit, zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare”, përfundon Këshilltari i Presidentit Ilir Meta, në kujtimin që i kushton në faqen e tij të internetit, Ernest Koliqit, në përvjetorin e vdekjes së tij më 15 Janar, 1975.

    Megjithëse, zyrtarisht i përjashtuar dhe i harruar nga historiografia dhe letërsia shqipe nga regjimi komunist e deri diku mund të thuhet deri në ditët e sotëme, Profesor Ernest Koliqi ishte i vetdijshëm për efektet pozitive afatgjata të punës së tij të palodhëshme dhe veprës së tij patriotike në dobi të Kombit të vet – por edhe i lënduar për mos njohjen e këtij kontributi nga bashk atdhetarët e vet. Në një letër që Koliqi i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit e datës 3 dhjetor, 1960, me rastin e Ditës së Pavarësisës së Shqipërisë: “Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes ka me u njoftë si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.Unë, dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, e kujtojmë sot këtë burrë të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij patriotike dhe e bashkpuntorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka shërbyer – gjatë dekadave të vështira që pasuan në Kosovë dhe në trojet shqiptare pas Luftës së dytë botërore – si “tharm rilindjeje” që çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik./konica.al

  • Dom Ndre Mjeda, sipas dy figurave monumentale të letrave shqipe, Ernest Koliqit dhe At Gjergj Fishta

    Dom Ndre Mjeda, sipas dy figurave monumentale të letrave shqipe, Ernest Koliqit dhe At Gjergj Fishta

    Nga Albert Vataj Në një kohë kur figura të tilla si Dom Ndre Mjeda ndonjëherë errësohen nga zhurma e mediokritetit, kotësidashja jonë kolektive dhe zelli narizist, këto dy dëshmi e ngrejnë Dom Ndre Mjedën jo thjesht në një piedestal, por në një dritë që i mëson edhe sot njeriut shqiptar virtytin e dijes dhe forcën e mendjes, jo përmes bujës por kreshtës së lartë të veprës.Për të rikthyer në kujtesë, Dom Ndre Mjedën, në përmasat e tij, në një kushtim të ndryshtë, le t’u hedhim një sy asaj çfarë shkruan Ernest Koliqi, “Cirka” nr. 28-29, Shkoder 5 shtatuer 1937 dhe At Gjergj Fishta në (Posta e Shqypnís, 1917/ 20.

    Ernest Koliqi, “Cirka” nr. 28-29, Shkoder 5 shtatuer 1937“Kur e shifshe, Dom Ndreu të paraqitej në gjasë të nji prifti katundi ndër mâ të lânunt. Shkurtalak edhe pak si i gërmuçun, verë e dimën mbërthye në nji pallto të randë të zezë të përlyeme përpara me pluhun burrnoti, me nji fytyrë kuqloshe në të cilën syt e vogjël zhdukeshin nën vetulla të denduna fije-trasha dhe goja nën shllungën e musteqeve të ngathët e vërdhukë: kështu të dilte para Poeti i njimbëdhetë rrokshave të Lissus e nuk të bânte asnji përshtypje zotsije të veçantë.Për natyrë perbuzës i çdo reklami dhe i çdo esibicjonizmi, urrente lávdin dhe ndryhej ne nji pervujtní idhnake qi ishte mësim, qortim i naltë për të gjithë ne.Nuk i rridhte aspak fjala, shprehjet i dilshin copa copa, i qitte prej goje me mundim. Ngatrrohej tue folë e, kur vèhej disi për fije në bisedë përdorte terminologji të thatë. Anmik në shkrim e në jetë i lajleve e i stërhollimeve, por jo i panjerezíshem, perkundrazi, tue e njoftë s’afermi ndihej në tê nji edukatë humaniste plot masë e plot mirsí të ndritun dhe shifeshin në tê sjellje të zgjedhuna qi dishmojshin qëndrimin e gjatë në rrethe të nalta të hueja.Dom Ndreu duhej zbulue si njerí dhe si artist. Tue ndejun me tê, pikësëpari gjêjshe Dijetarin. Kush ndër Shqiptarë mund i krahasohej për kulturë organike ? Greqishten e vjetër dhe latinishten i dinte në themel. Qyshë në rini fitoi përjâshta konkurse me vjerrsha klasike.Shetiti mbarë Europën njiherë si nxanës e ma vonë si Profesor. Banoi në Francë, në Spanjë, në Poloni, në Jugosllaví. Filozof i shquem, mrekullonte shokët me analyza të reja e me objekcijone të paprituna.”

    At Gjergj Fishta (Posta e Shqypnís, 1917/ 20)“Qe nji vepër poetike, me të cillen mund të thohet, se pernjimend asht stolisë gjuha e rritë pasunia e literaturës shqipe. Në ket veper gjuhën e gjen të paster, stilin e naltueshém, shembélltyrat të gjalla e plot njomësi e gjithmonë të arsyeshme. Aty ke nji prendverë lulesh e bilbilash, e nji natyrë të kérthnestë e plot jetë; e fillim e mbarim né ket veper zotnon nji melankoni e kandshme, e cilla edhe sendeve ma të vogla u jep nji interes e nji randësi të veçantë: sado qi kisha me thanë se kjo melankoni nuk rrjedh gjithmón prej zemres aq sa prej mendes s’autorit. Njimend, duket se kjo melankoni nisë njiherë prej mendes s’autorit, pershkohet neper rreze të filozofisë e të poezisë klasike, e mandej deperton neper fashóje të gjuhes shqipe: por jo aq e përmallshme, sa me t’u molisë zemra per çka auktori k’ndon mbi lirë të vet të tingëllueshme, me gjithëse bukurín e formës e rreh orë e çast edhe flladi i poezisë. Si prej shllimeve të zgjedhuna, si prej mjeshtris’ me të cillen janë ndertue vjershat e lidhë mendimet, shihet çeltas se autori, para se me e botue vepren e vet, e ka përshkue kushedi sa herë nen limë të mendes e të teknikës. Prandej kjo veper ka me qenë domosdo e nevojshme me u përdorue si tekst nder shkolla të Shqipnisë. Autori mundet me qenë i sigurtë, se atdheu ka me ia ditë per nder mundin qi ka hjekë në perpilim të k’saj vepre”.***
    Për të marrë në shqyrtesë mënyrën sesi dy figura monumentale të letrave shqipe, Ernest Koliqi dhe At Gjergj Fishta, kanë paraqitur figurën e Dom Ndre Mjedës, duhet të ndërtojmë një qasje krahasuese që shpalos jo vetëm portretin fizik e shpirtëror të poetit, por edhe vizionin që të dy autorët kanë për të si krijues, si njeri i kulturës dhe si personalitet me ndikim në historinë e gjuhës dhe letërsisë shqipe.
    1. Portretizimi: Mjeda mes thjeshtësisë dhe dinjitetit të dijesErnest Koliqi, në esenë e tij të vitit 1937, e paraqet Dom Ndreun jo si një figurë me aureolë mitike, por si një prift i thjeshtë katundi, me pamje modeste, i veshur me një pallto të zezë të përlyer nga pluhuri i kohës. Në këtë pamje ka një qëllim estetik e filozofik, të theksohet kontrasti mes dukjes së jashtme dhe pasurisë së brendshme shpirtërore e intelektuale. Koliqi përdor një stil realist e të nuancuar, që nuk idealizon, por e lartëson Mjedën përmes detajeve të thjeshta që përçojnë thellësi dhe humanitet: mustaqet e ngatërruara, sytë që zhduken nën vetulla, heshtja që nuk është mungesë mendimi, por një përmbajtje e qëllimshme dhe e ndershme.Në të kundërt, At Gjergj Fishta, në një koment të hershëm të vitit 1917, ndalet mbi veprën poetike të Mjedës, duke e konsideruar një nga zbukurimet më të vyera të gjuhës shqipe. Fishta nuk e përshkruan portretin fizik të Mjedës, por na jep një pamje të shpirtit të tij poetik: të ndjeshëm, melankolik, të thelluar në filozofi dhe të ngulitur në një përpunim rigoroz teknik. Ai e sheh Mjedën jo si një poet të frymëzimit të çastit, por si mjeshtër që e kalon veprën “nen limë të mendes e të teknikës”. Ky është një vlerësim që e vendos Mjedën në panteonin e artizanëve të gjuhës – aty ku ndjenja dhe arsyeja bashkëjetojnë.
    2. Kontrasti i afërsisë dhe universalitetit: Një shqiptar i rrënjëve dhe i botësKoliqi e zhvesh Mjedën nga çdo glorifikim monumental, por jo nga madhështia. Përkundrazi, ai zbulon dimensionin evropian të këtij njeriu të heshtur: dijetari që fliste greqishten dhe latinishten në thellësi, që kishte përjetuar Evropën e kulturës – nga Franca te Polonia – dhe që i solli Shqipërisë jo vetëm dijet e përkthyera, por edhe një etikë të të menduarit dhe të të sjellurit. Afërsia me të e bëri Koliqin ta shohë Mjedën si një mësues të vërtetë, një model i pakohë për rininë shqiptare.Ndërsa Fishta, gjithnjë më i fokusuar te “vepra”, e sheh Mjedën si të paçmueshëm për kontributin letrar dhe gjuhësor, duke i dhënë vlerë kombëtare dhe didaktike asaj që ai prodhoi. Sipas tij, Mjeda është shembull i artit të përpunuar dhe stilit të pastër që duhet të përdoret në shkollat shqiptare. Ky është një vështrim që i jep Mjedës një rol formues dhe përfaqësues në formësimin e standardeve të shkrimit shqip.
    3. Vlera e heshtjes dhe forca e mendjesTë dy autorët bien dakord në një pikë themelore: Mjeda ishte larg zhurmës. Ai ishte njeri i brendësisë, i përvujtërisë së thellë, përbuzës i lavdisë dhe reklamës. Koliqi e vë theksin në këtë cilësi si një formë rezistence kundër vanitetit të kohës, ndërsa Fishta e sheh këtë përmbajtje si burim të thellësisë poetike dhe filozofike të tij.Ajo që është me rëndësi të theksohet këtu është se heshtja e Mjedës nuk ishte mungesë, por një akt i qëllimshëm: një pozicionim kundër eksibicionizmit dhe përshkallëzimeve të zbrazëta. Koliqi e përshkruan këtë si një “përvujtni idhnake”, një mësim i heshtur për të tjerët. Kjo “heshtje që flet” është pjesë e karakterit të ndritshëm të Mjedës.
    4. Përmbledhje: Një gjeni i heshtur në dy pasqyra të mëdhaPërmes Koliqit, ne e shohim Mjedën si njeri – me të gjitha palcën e vërtetësisë njerëzore: modest, i thjeshtë, por me një univers kulturor brenda tij që të mahnit. Ai është njeriu që duhet “zbuluar”. Ndërsa përmes Fishtës, Mjeda na del si mjeshtër i gjuhës, si poet i formës së rafinuar dhe i një ndjeshmërie që nuk buron vetëm nga zemra, por nga një mendje që di të peshojë fjalën dhe të farkëtojë bukurinë.Të dy e bëjnë Mjedën të pavdekshëm, njëri përmes afërsisë dhe konkretësisë, tjetri përmes lavdisë së letrave dhe rëndësisë që i jep veprës së tij. Bashkë, ata na ofrojnë një spektralitet të rrallë të njohjes së Mjedës: si njeri, si poet, si model.

  • Martin Camaj: Për Koliqin vetmohimi për çështje, ndjenja e përgjegjësisë, për të punue e jetue si Rilindas ishte e natyrshme dhe e vetvetishme

    Martin Camaj: Për Koliqin vetmohimi për çështje, ndjenja e përgjegjësisë, për të punue e jetue si Rilindas ishte e natyrshme dhe e vetvetishme

    Nga Martin CAMAJ
    E randë dhe e vështirë asht edhe për mue barra që po më bie të shkruej për këtë humbje shi në këtë vend ku Ernest Koliqi shtjelloi për tetëmbëdhjetë vjet tema gjithfarësh shoqnore, frymëdhanëse të artit dhe përtrijse të kulturës shqiptare. Kjo peshë lehtësohet kur me bindje thom: zemra s’e mban, por as arsyeja s’duron të flasim për vdekje: vetja e Koliqit e paisun me vlera të nalta njerëzore, si poet e dijetar, i gjithanshëm, i hapun kah jeta me krahë gjiganti, gjallnon; vepra e Tij e madhe flet gjithnji, si bazë komplekse e nji testamenti shpirtnor, fillue në vjetet tridhetë dhe e pandërpreme deri në ditët e fundit.Koliqi si gjithë njerëzit e zgjedhun dhe në nji pikpamje i dashunuem prej fatit, i vetëdishëm i vlerës së vet, nuk frikësohej nga vdekja.Ai fliste te e vona për këtë shkëputje vetëm kur ankohej se “për shkak të kohës” po i mbetet pa sosë kjo ose ajo vepër. Do të më mbesë edhe i pashlyeshëm kujtimi se si profesor Koliqi shprehej mbi ardhmëninë madhshtore të popullit shqiptar, sepse besonte ngulshëm në cilësitë pozitive dhe të jashtzakonshme të shqiptarit. Kishte edhe besim se breznitë e ardhshme do t’ia njihnin, ndoshta ma tepër se bashkëkohorët, thelbin e koncepcioneve të Tij. Për të mbrojtë tezën e zhvillimit të lumnueshëm të Shqipnisë e të vlerave fisnike sidomos para ma të rijve binte arsyetime të shumta, shfaqë aty këtu edhe në faqet e kësaj reviste në këto vjett e fundit. Fliste kështu me gjuhën po të atij besimi të njerëzve të Rilindjes që Ai kishte njoftë personalisht. Këndej rridhte dhe entuziazmi i asaj periudhe heroike dhe dëshira për ta pa qenjen e vet dhe krejt jetën e çdo shqiptari në funksion të çeshtjes nacionale.Për Koliqin vetmohimi për çështje, ndjenja e përgjegjësisë, për të punue e jetue si Rilindas ishte e natyrshme dhe e vetvetishme. Ky qëndrim jetësor la ravë të qarta dhe në krijimtarinë letrare të Koliqit, së pari si krijues dhe mandej dhe si gjurmues i letërsisë shqipe. Në vepren e Koliqit u përjetësuen dhe kthesat e rrymave letrare sepse Ai qe i hapët gjithnji kah frymzime të reja, por tema thelbësore mbetet deri në fund çeshtja e eksistencës së kombit, “mbetja gjallë” ose “gjallnesa”. Ndërrojnë gjinitë letrare të Koliqit por kjo përmbajtje mbizotnon; dinte të përdoronte pendën e vet të mpreftë në shkrime me karakter polemik pa ngurrim se po bahej “i padashun”, kur ia merrte mendja se ishte në interes të çeshtjes.

    Në të ardhmen do të shkruhet shumë mbi vepën e Koliqit, do të shkruhet gjithsesi, por kjo karakteristikë themelore e veprës së gjithanshme të Tij nuk do të injorohet. Por nga ana tjetër për mungesë dokumentacioni kam frigë se do të bjerë në pjesën ma të madhe nën hijen e kohës roli i Koliqit si zadhanës i kulturës dhe pajës shpirtënore shqiptare ndër të huej, sidomos në këto tridhetë vjett e fundit. Mund të dalë ndokush e të thotë se edhe kjo veprimtari do të përçohet në të ardhmen nëpërmjet dokumentacionit në faqet e revistës Shêjzat dhe ndër sa e sa shkrime kryesisht italisht dhe në gjuhë tjera të hueja.Pjesën ma të madhe Koliqi e kaloi në dhén e huej, në një anë gjithnji në kontakt me botën shqiptare e sidomos arbëreshe, dhe në tjetrën si profesor universiteti e shkrimtar në dialog të përhershëm me rrethe intelektuale të ndryshme të botës perëndimore. Vetë persona e Koliqit ndër këto rrethe, si njeri shoqnie dhe kuvendatar brilant qiste poshtë me të parën çdo paragjykim të gabuem e dizinformues mbi Shqipninë. Njifte fill e për pe historinë shekullore të thashethanave kundër shqiptarëve ndër të huej: denigrimet naive të shundliteraturës kundër nesh i praponte me humor tipik shkodran e tjerat ma të rafinueme i vente mbarë në peshojcën e gjykimit të shëndoshë dhe i hidhte poshtë me argumenta, tue lanë të spikasin formulime të përsosuna prej gojtari, në mbroje të gjithë shqiptarëvet, pa dallim. Fliste ashtu sepse vetë ma së pari ishte i mbushun mendje mbi vërtetësinë e këtyne pohimeve. Këtu due të them se, jo vetëm me pendë, por edhe me gojë i shërben çeshtjes, shi aty ku ndreqjet e të dhanavet të gabueme mbi Shqipninë gjeshin jehonë që me siguri do të transmetohet pandërpremje nëpërmjet kuvendeve e shkrimeve të atyne ndigjuesve edhe mbas zhdukjes së Tij.
    Me këtë shqyrtim due dhe unë të vi te pohimi që ndigjohet prej shumkuj se zhdukja e Koliqit paraqet humbje të randë për kulturën shqiptare në përgjithësi dhe vë në rrezik shqimjen e lëvizjes kulturale shqiptare në Perëndim, pikrisht mbas dhetë vjetvet nga vdekja e Fan Nolit në Amerikë.
    Në saje të zotësive organizative e punës së palodhshme të Ernest Koliqit u ngjall ndër arbëreshë e shqiptarë në Perëndim nji lëvizje kulturale, tue u nisë ma parë nga Instituti i Studimeve shqiptare të Universitetit të Romës, gjithnji në bashkëpunim me qendrat tjera albanologjike unviersitare, dhe ma vonë nëpërmjet revistës Shêjzat.
    Shêjzat sherbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kronikën e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizetvjeçare. Shêjzat nën drejtimin e Koliqit vijuen, tue iu përshtatë kohës dhe vendit, traditën kulturale të Rilindjes dhe sidomos të revistave të periudhës mes dy luftave në Shqipni. Në këtë vend duhet sqarue edhe nji herë qëndrimi ynë në përgjithësi kundrejt zhvillimit të kulturës shqiptare aty ku jeton trupi kryesor i këtij populli: jemi gëzue dhe gëzohemi që janë ba qendra studimesh shqiptare Tirana e në kohët e fundit edhe Prishtina; por nga ana tjetër nuk asht e thanun se duhet dëshirue shuemja e vatrave kulturale tona, me nji tradicion të vjetër, jashta këtyne qendravet.
    Ky problem ka për të ra në pleqnim të shumëve, sidomos mbas vdekjes së Koliqit. Shqiptarët e shpërndamë nëpër botën perëndimore, në vend të parë ata të Amerikës dhe arbëreshët me nji traditë të shkëlqyeshme, jam i sigurtë se do t’i përgjegjen si këtu e ma parë detyrës dhe nevojës për të ruejtë e paisë me elementa të rij trashigimin kultural të etënvet në kushtet e veta specifike. Të gjithë e dimë se nuk asht kjo nji gja e lehtë. Përvojë e kronikë e këtyne përpjekjeve dhe vështirësive janë pasaçe shumë artikuj hymës në Shêjzat, dalë nga penda e Ernest Koliqit, si Malli i atdheut e librat ( krh. Vjeti vii, fq. 73 ) etj.
    Këshilli redaktues i revistës Shêjzat, i përkrahun nga ata ma të afërmit e profesor Koliqit dr. Mark Koliqi dhe dr. Petro Vuçani e ndjeu për detyrë të kujdeseshin për pregatitjen e këtij numeri të fundit. Shumica e bashkëpuntorëve i përgjigjën thirjes tue dhanë kontributin e tyne, dikush me syzime të çmueshme shkencore, dikush me shkrime që flasin me gojën e zemrës për Ernest Koliqin: të gjithë i falnderojmë për këtë bashkëpunim kaq të gjatë që banë pa shpërblime dhe honorare, por thjesht për idealizëm dhe në emën të miqsisë.
    Problem mbi probleme, tue fillue prej numrit të parë të Shêjzavet u paraqit gjithnji financimi i shtypit. Edhe ky vëllim i bashëm po del në dritë me ndihmesat e shqiptarëve, shumica punëtorë krahu: bashkë me të Ndiemin kemi çmue në kulm gjithmonë përkrahjen e pajtimtarëvet tanë! Për t’u thanë Faleminderit na duket pak, ma shumë asht t’u thomi: të gjithë me nji pikë djersë, bashkë me Shpirtdhanësin e kësaj lëvizje kulturale në të cilën barti barrën kryesore, mund ta mbajnë veten bashkëndërtues në këtë vepër.Shpërblim për ne të gjithë asht vetëm siguria që kjo vepër e lidhun ngusht me emnin e Koliqit nuk do të bjerë në harresë.
    –Marrë nga revista “Shêjzat” (Le Pleiadi),Vjeti XIX/1978. f. 7-10
    ObserverKult

  • Martin Camaj: Ernest Koliqi nuk i frikësohej vdekjes donte kohë për të punuar

    Martin Camaj: Ernest Koliqi nuk i frikësohej vdekjes donte kohë për të punuar

    Ernest Koliqi (Shkodër, 20 maj 1903 – Romë, 15 janar 1975)

    E randë dhe e vështirë asht edhe për mue barra që po më bie të shkruej për këtë humbje shi në këtë vend ku Ernest Koliqi shtjelloi për tetëmbëdhjetë vjet tema gjithfarësh shoqnore, frymëdhanëse të artit dhe përtrijse të kulturës shqiptare. Kjo peshë lehtësohet kur me bindje thom: zemra s’e mban, por as arsyeja s’duron të flasim për vdekje: vetja e Koliqit e paisun me vlera të nalta njerëzore, si poet e dijetar, i gjithanshëm, i hapun kah jeta me krahë gjiganti, gjallnon; vepra e Tij e madhe flet gjithnji, si bazë komplekse e nji testamenti shpirtnor, fillue në vjetet tridhetë dhe e pandërpreme deri në ditët e fundit.

    Nga Martin Camaj

    Koliqi si gjithë njerëzit e zgjedhun dhe në nji pikpamje i dashunuem prej fatit, i vetëdishëm i vlerës së vet, nuk frikësohej nga vdekja. Ai fliste te e vona për këtë shkëputje vetëm kur ankohej se “për shkak të kohës” po i mbetet pa sosë kjo ose ajo vepër.

    Do të më mbesë edhe i pashlyeshëm kujtimi se si profesor Koliqi shprehej mbi ardhmëninë madhshtore të popullit shqiptar, sepse besonte ngulshëm në cilësitë pozitive dhe të jashtzakonshme të shqiptarit.

    Kishte edhe besim se breznitë e ardhshme do t’ia njihnin, ndoshta ma tepër se bashkëkohorët, thelbin e koncepcioneve të Tij.

    Për të mbrojtë tezën e zhvillimit të lumnueshëm të Shqipnisë e të vlerave fisnike sidomos para ma të rijve binte arsyetime të shumta, shfaqë aty këtu edhe në faqet e kësaj reviste në këto vjet e fundit.

    Fliste kështu me gjuhën po të atij besimi të njerëzve të Rilindjes që ai kishte njoftë personalisht.

    Këndej rridhte dhe entuziazmi i asaj periudhe heroike dhe dëshira për ta pa qenjen e vet dhe krejt jetën e çdo shqiptari në funksion të çështjes nacionale.

    Për Koliqin vetmohimi për çështje, ndjenja e përgjegjësisë, për të punue e jetue si Rilindas ishte e natyrshme dhe e vetvetishme.

    Ky qëndrim jetësor la ravë të qarta dhe në krijimtarinë letrare të Koliqit, së pari si krijues dhe mandej dhe si gjurmues i letërsisë shqipe.

    Në veprën e Koliqit u përjetësuen dhe kthesat e rrymave letrare sepse Ai qe i hapët gjithnji kah frymzime të reja, por tema thelbësore mbetet deri në fund çështja e eksistencës së kombit, “mbetja gjallë” ose “gjallnesa”.

    Ndërrojnë gjinitë letrare të Koliqit por kjo përmbajtje mbizotnon; dinte të përdoronte pendën e vet të mpreftë në shkrime me karakter polemik pa ngurrim se po bahej “i padashun”, kur ia merrte mendja se ishte në interes të çështjes.

    Në të ardhmen do të shkruhet shumë mbi vepën e Koliqit, do të shkruhet gjithsesi, por kjo karakteristikë themelore e veprës së gjithanshme të Tij nuk do të injorohet.

    Por nga ana tjetër për mungesë dokumentacioni kam frigë se do të bjerë në pjesën ma të madhe nën hijen e kohës roli i Koliqit si zadhanës i kulturës dhe pajës shpirtënore shqiptare ndër të huej, sidomos në këto tridhetë vjet e fundit.

    Mund të dalë ndokush e të thotë se edhe kjo veprimtari do të përçohet në të ardhmen nëpërmjet dokumentacionit në faqet e revistës Shêjzat dhe ndër sa e sa shkrime kryesisht italisht dhe në gjuhë tjera të hueja.

    Pjesën ma të madhe Koliqi e kaloi në dhén e huej, në një anë gjithnji në kontakt me botën shqiptare e sidomos arbëreshe, dhe në tjetrën si profesor universiteti e shkrimtar në dialog të përhershëm me rrethe intelektuale të ndryshme të botës perëndimore.

    Vetë persona e Koliqit ndër këto rrethe, si njeri shoqnie dhe kuvendatar brilant qiste poshtë me të parën çdo paragjykim të gabuem e dizinformues mbi Shqipninë.

    Njifte fill e për pe historinë shekullore të thashethanave kundër shqiptarëve ndër të huej: denigrimet naive të shundliteraturës kundër nesh i praponte me humor tipik shkodran e tjerat ma të rafinueme i vente mbarë në peshojcën e gjykimit të shëndoshë dhe i hidhte poshtë me argumenta, tue lanë të spikasin formulime të përsosuna prej gojtari, në mbroje të gjithë shqiptarëvet, pa dallim.

    Fliste ashtu sepse vetë ma së pari ishte i mbushun mendje mbi vërtetësinë e këtyne pohimeve.

    Këtu due të them se, jo vetëm me pendë, por edhe me gojë i shërben çeshtjes, shi aty ku ndreqjet e të dhanavet të gabueme mbi Shqipninë gjeshin jehonë që me siguri do të transmetohet pandërpremje nëpërmjet kuvendeve e shkrimeve të atyne ndigjuesve edhe mbas zhdukjes së Tij.

    Me këtë shqyrtim due dhe unë të vi te pohimi që ndigjohet prej shumkuj se zhdukja e Koliqit paraqet humbje të randë për kulturën shqiptare në përgjithësi dhe vë në rrezik shqimjen e lëvizjes kulturale shqiptare në Perëndim, pikërisht mbas dhetë vjetvet nga vdekja e Fan Nolit në Amerikë.

    Në saje të zotësive organizzative e punës së palodhshme të Ernest Koliqit u ngjall ndër arbëreshë e shqiptarë në Perëndim nji lëvizje kulturale, tue u nisë ma parë nga Instituti i Studimeve shqiptare të Universitetit të Romës, gjithnji në bashkëpunim me qendrat tjera albanologjike unviersitare, dhe ma vonë nëpërmjet revistës Shêjzat.

    Shêjzat sherbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë.

    Ato regjistruen në kronikën e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizetvjeçare.

    Shêjzat nën drejtimin e Koliqit vijuen, tue iu përshtatë kohës dhe vendit, traditën kulturale të Rilindjes dhe sidomos të revistave të periudhës mes dy luftave në Shqipni.

    Në këtë vend duhet sqarue edhe nji herë qëndrimi ynë në përgjithësi kundrejt zhvillimit të kulturës shqiptare aty ku jeton trupi kryesor i këtij populli: jemi gëzue dhe gëzohemi që janë ba qendra studimesh shqiptare Tirana e në kohët e fundit edhe Prishtina.

    Por nga ana tjetër nuk asht e thanun se duhet dëshirue shuemja e vatrave kulturale tona, me nji tradicion të vjetër, jashta këtyne qendravet.

    Ky problem ka për të ra në pleqnim të shumëve, sidomos mbas vdekjes së Koliqit.

    Shqiptarët e shpërndamë nëpër botën perëndimore, në vend të parë ata të Amerikës dhe arbëreshët me nji traditë të shkëlqyeshme, jam i sigurtë se do t’i përgjegjen si këtu e ma parë detyrës dhe nevojës për të ruejtë e paisë me elementa të rij trashigimin kultural të etënvet në kushtet e veta specifike.

    Të gjithë e dimë se nuk asht kjo nji gja e lehtë. Përvojë e kronikë e këtyne përpjekjeve dhe vështirësive janë pasaçe shumë artikuj hymës në Shêjzat, dalë nga penda e Ernest Koliqit, si Malli i atdheut e librat ( krh. Vjeti vii, fq. 73 ) etj.

    Këshilli redaktues i revistës Shêjzat, i përkrahun nga ata ma të afërmit e profesor Koliqit dr. Mark Koliqi dhe dr. Petro Vuçani e ndjeu për detyrë të kujdeseshin për pregatitjen e këtij numri të fundit.

    Shumica e bashkëpuntorëve i përgjigjën thirjes tue dhanë kontributin e tyne, dikush me syzime të çmueshme shkencore, dikush me shkrime që flasin me gojën e zemrës për Ernest Koliqin.

    Të gjithë i falenderojmë për këtë bashkëpunim kaq të gjatë që banë pa shpërblime dhe honorare, por thjesht për idealizëm dhe në emën të miqësisë.

    Problem mbi probleme, tue fillue prej numrit të parë të Shêjzavet u paraqit gjithnji financimi i shtypit.

    Edhe ky vëllim i bashëm po del në dritë me ndihmesat e shqiptarëve, shumica punëtorë krahu: bashkë me të Ndiemin kemi çmue në kulm gjithmonë përkrahjen e pajtimtarëvet tanë!

    Për t’u thanë Faleminderit na duket pak, ma shumë asht t’u thomi. Të gjithë me nji pikë djersë, bashkë me Shpirtdhanësin e kësaj lëvizje kulturale në të cilën barti barrën kryesore, mund ta mbajnë veten bashkëndërtues në këtë vepër.

    Shpërblim për ne të gjithë asht vetëm siguria që kjo vepër e lidhun ngusht me emnin e Koliqit nuk do të bjerë në harresë.

    (Marrë nga “Shêjzat” (Le Pleiadi), Numër Përkujtimuer kushtue Prof. Ernest Koliqit)

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    BESIM ZYMBERI: DO MBAJMË MEND VEÇ DASHURINË…

    Poezi nga Besim Zymberi

    Uji që rrjedh, nuk kthehet prapaPor shtrat i lumit nuk zbrazet kurrëAshtu nga jeta mund t’kthejmë hapaVeç si një mall të ndrydhur në lëkurë

    ObserverKult