Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas rrëzimit në Kuvend të kërkesës së opozitës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi mazhorancën socialiste se ka shndërruar parlamentin në një “klub pa rregulla”, ku mbizotëron kaosi dhe mungesa e transparencës.
Sipas tij, seanca e sotme dëshmoi “kolapsin e plotë parlamentar” që, siç tha Berisha, është krijuar nga vetë Peleshi. Ai shtoi se mazhoranca po shkel rregulloren e Kuvendit dhe po e përdor procedurën parlamentare sipas urdhrave politike.
Berisha: Këta e kanë shndërruar parlamentin në një klub, në të cilin nuk ka asnjë rregull, ka vetëm kaos. Ajo që kryeson sot aty nuk merrte vesh se çfarë hidhte në votim. Aty janë dy raporte, hidhen dy raportet dhe pastaj bëhet votimi.
Ka procedurë të sanksionuar në rregullore, por këta nuk njohin rregullore, njohin vetëm urdhra që marrin dhe pastaj bëjnë të paditurin. E dëgjuat Niko Peleshin se si u përpoq me hipokrizinë më të madhe të mbrojë kolapsin e plotë parlamentar që ka krijuar.
Ka ndodhur ndonjëherë në historinë e ndonjë parlamenti në botë që të kalojë për 28 minuta dhe të miratohet kabineti i ri dhe programi i saj? Kurrë! Ka ndodhur ndonjëherë që në seanca të tëra parlamenti të mbyllet brenda disa minutash dhe ka dy muaj që ka nisur punë dhe ka pasur vetëm një ditë punë?
Nuk ka ndodhur ndonjëherë. Këta vazhdojnë në një kaos të plotë. Flasin përçart. Do ta bëj parlamentin evropian, dëgjoni se cili është standardi evropian, në një kohë kur parlamenti ka delinkuentë sa çdo burg tjetër i vendit./vizionplus.tv
