Adriatik BALLA
Trajneri Silvinjo po monitoron situatën e kuqezinjve kur kanë mbetur dhe dy javë nga ndeshja e 7 qershorit me Serbinë, takim i cili do të luhet në stadiumin “Arena Kombëtare” e Tiranës. Në këtë ndeshje duhet një grup sa më i plotë e cilësor, në mënyrë që të merret rezultat pozitiv. Por lëvizjet e disa lojtarëve kur nuk ka hyrë ende merkato tregon se gjendja e tyre nuk është e kënaqshme. Kuptohet, ka dhe futbollistë me minuta në këmbë dhe titullarë me ekipet e tyre, por ka dhe lojtarë që nuk janë në formën e tyre më të mirë. Ndërkohë, nisën edhe lëvizjet e para. Sipas mediave dhe mbrojtësi Enea Mihaj mund të lëvizë në ditët e para të qershorit. Një tjetër shqiptar, Ajvazi, firmoi dje me klubin e njohur gjerman, Hertën e Berlinit.
Mbrojtësi Mihaj drejt Turqisë
Enea Mihaj me shumë mundësi do të largohet nga Famalicao gjatë kësaj merkato verore. Mbrojtësit të Kombëtare shqiptare, i përfundon kontrata me portugezët dhe nuk ka negociata për rinovim. Por, për 26-vjeçarin nuk mungojnë ofertat. Hipoteza më e re që ka dalë në skenë dhe që shihet si më e mundshmja, është Superliga turke. Është klubi i Samsunspor, i cili kërkon me ngulm shërbimet e shqiptarit. Përveç, Samsunsporit, për lojtarin “kuqezi” është interesuar edhe skuadra nga Amerika, Atalanta Junajtid. Vlen të theksohet, së në rast kalimi te Samsunspor, Mihaj do të gjente aty sulmuesin e Kombëtares shqiptare, Arbnor Mujën. Megjithatë, Mihaj ende nuk ka vendosur, por Superliga turke është opsion konkret.
Ajvazi firmos me Hertën e Berlinit
Mesfushori 21-vjeçar, Dion Ajvazi ka nënshkruar kontratën e parë profesionale me klubin e Hertha Berlinit. Ajvazi, i cili deri më tash ishte pjesë e ekipit të dytë të klubit kryeqytetas, tash ka nënshkruar kontratë profesionale me klubin që luan në Bundesliga 2. Me Hertha Berlin II, Ajvazi sezonin që lamë pas kishte 30 paraqitje, në të cilat ka shënuar katër gola dhe ka dhuruar nëntë asistime. 21-vjeçari i ishte bashkuar akademisë së Hertha Berlinit më 2017, dhe prej atëherë ka kaluar në çdo nivel të grupmoshave. Ajvazi po ashtu është përfaqësues i kombëtares U21 të Shqipërisë, me të cilën ka katër paraqitje. Më herët, mesfushori përfaqësonte kombëtaren U19 të Kosovës, së cilës i kishte thënë “po” në vitin 2021, pasi paraprakisht luante për kombëtaret zinxhir të Gjermanisë.
Rexhbeçaj mbetet pa trajner
Mesfushori i Kosovës, Elvis Rexhbeçaj ka mbetur pa trajner. Kjo pasi skuadra gjermane, Augsburg ka njoftuar shkarkimin e trajnerit, Jes Thorup. Kjo nuk është e tëra, pasi bashkë më trajnerin është shkarkuar edhe drejtori sportiv i klubit, Marinko Jurendic. Ky vendim vjen pasi drejtuesit e Augsburgut bën vlerësimin e sezonit të kaluar, ku duket se nuk përmbushen objektivat e klubit. Skuadra gjermane ku luan futbollisti i Kosovës, Elvis Rexhbeçaj, e mbylli sezonin duke përfunduar në vendin e 12-të në tabelën e Bundesligës, me 43 pikë të grumbulluara.