Lajmet më të këqija për Eduardo Camavinga. Pas kontrolleve mjekësore të kryera sot nga mesfushori francez, Real Madrid ka njoftuar se ka pësuar çarje të plotë të tendinit të aduktorit të majtë. Ai do të humbasë gjithë pjesën e mbetur të sezonit, përfshirë edhe Botërorin për Klube.
Koha e pritshme e rikuperimit për këtë lëndim është dy muaj, ose edhe tre nëse procesi ecën më ngadalë. Në këtë rast, me Kupën e Botës për Klube të përjashtuar, nuk ka më nxitim. Qëllimi është që Camavinga të rikthehet 100% në fillim të sezonit të ardhshëm.
Një sezon i mallkuar për të, sepse Camavinga është përballur me dëmtime të njëpasnjëshme dhe nuk ka arritur kurrë të tregojë nivelin që pritej prej tij. Problemet nisën që në gusht, kur u dëmtua në gjurin e djathtë gjatë një stërvitjeje, para finales së Superkupës së Europës, pas një përplasjeje me Tchouaméni. Për pasojë qëndroi jashtë për një muaj e gjysmë, deri në fillim të tetorit.
Pas kësaj, nisën edhe problemet muskulore: i pari në dhjetor (humbi 4 ndeshje) dhe i dyti në janar (edhe 4 ndeshje të tjera). Dëmtim pas dëmtimi, nuk arriti kurrë të kthehej në formën optimale, ndaj nuk e fitoi kurrë vendin fiks në formacionin titullar.
Ashtu si në gusht me Superkupën, edhe ky dëmtim ndodhi në prag të një finaleje, këtë herë finales së Kupës së Mbretit kundër Barcelonës. Ancelotti kishte planifikuar ta aktivizonte nga minuta e parë si mbrojtës i majtë, për ta përballur me Lamine Yamal, pas një prove të suksesshme ndaj Athletic Bilbao. Madje, nuk e aktivizoi ndaj Getafes për ta ruajtur për finalen.
Dëmtimi i Alaba e detyroi trajnerin ta fuste në lojë në pjesën e dytë si mesfushor. Dhe në minutën e 85-të, në një përplasje me Milla, u dëmtua rëndë. Tentoi të vazhdonte, por nuk mundej as të ecte më. “Jam këputur”, – i tha ai njërit prej fizioterapistëve.
Kontrollet mjekësore konfirmuan skenarin më të keq të mundshëm. Për Camavinga, ky është sezoni më i keq me Real Madridin. Gjithashtu, ai nuk do të jetë i gatshëm as për Ligën e Kombeve me Francën.