Kirill Dmitriev nuk është diplomati tipik rus. 50-vjeçari, i rritur në Ukrainë, i shkolluar në SHBA dhe me karrierë në financë, është shfaqur befas në qendër të diplomacisë së epokës Trump. Si kreu i Fondit Rus të Investimeve Direkte dhe partner i rregullt i të dërguarit amerikan Steve Witkoff, ai po luan rol kyç në përpjekjet e fundit për një marrëveshje paqeje në Ukrainë.
Dmitriev kaloi tre ditë me Witkoff në Miami, dhe menjëherë pas kësaj doli në dritë një draft-marrëveshje që duket si “lista e dëshirave” e Putinit. Dmitriev dhe Witkoff, të cilët bashkëpunuan edhe në lirimin e një mësuesi amerikan nga burgu rus më herët këtë vit, duket se kanë krijuar një raport të fortë diplomatik. “Jemi në rrugën e paqes,” ka deklaruar Dmitriev në një forum në Arabinë Saudite. Ndërsa Witkoff e ka cilësuar “një gentleman nga Rusia”, që po shërben si një urë e rëndësishme lidhëse mes dy palëve.
Nga një i ri që merrte pjesë në protesta pro-demokracisë në Kyiv, te një figurë që lëviz mes Moskës, Uashingtonit dhe Gjirit, karriera e tij ka qenë gjithmonë e ndërthurur me Perëndimin. Ai ka studiuar në Stanford dhe Harvard, ka punuar për McKinsey dhe shpesh ka qenë zëri i Kremlinit në televizionet amerikane, duke lavdëruar aftësitë diplomatike të Trump.
Megjithatë qasja e drejtpërdrejtë me zyrtarët e Trump nuk e ka shpërblyer gjithmonë. Kur Trump njoftoi sanksione ndaj dy gjigantëve rusë të naftës, sekretari i Thesarit e etiketoi Dmitriev si “propagandist rus”, pasi ai sugjeroi se çmimet e naftës në SHBA do të rriteshin. Po ashtu, gjatë administratës Biden ai u godit fort. Thesari amerikan e quajti “aleat të njohur të Putinit” dhe sanksionoi fondin që ai drejtonte, të cilin e etiketoi si “kasafortë personale të Kremlinit”.
Në Ukrainë, ku ka rrënjë dhe ku dikur fliste për “identitetin e pavarur ukrainas”, ai është sanksionuar për “krime kundër shtetit ukrainas”.
Tani, ndërsa administrata Trump kërkon një fund të shpejtë të luftës, Kirill Dmitriev është kthyer në një nga emrat më të rëndësishëm – dhe më të diskutueshëm – të diplomacisë së re ruso-amerikane.
Tag: kirill
-

Kush është Kirill Dmitriev? Propagandist i Putinit apo çelësi i paqes me Ukrainën?
-

I dërguari rus, Kirill Dmitriev në qendër të vëmendjes, propagandist i Putinit apo çelësi i paqes me Ukrainën?
Kirill Dmitriev, një diplomat dhe biznesmen rus me përvojë të thellë në SHBA, është bërë protagonist i spekulimeve ndërkombëtare pas një draft-plani paqeje që u diskutua në Miami me emisarin e veçantë të administratës Trump, Steve Witkoff.
Plani, i cili sipas burimeve i ngjan një “listë dëshirash” të Putinit, kërkon që Ukraina të dorëzojë territore të kontrolluara nga vetë dhe të reduktojë madhësinë e forcave të saj ushtarake. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka theksuar se çdo marrëveshje duhet të sigurojë “paqen dinjitoze, me kushte që respektojnë pavarësinë dhe sovranitetin e vendit”.
Dmitriev, i rritur në Ukrainë dhe pjesëmarrës i protestave pro-demokraci në Kiev, konsiderohet si një nga diplomatët rusë që kupton më mirë Ukrainën në Moskë. Ai është udhëheqës i Fondit Rus të Investimeve Direkte (RDIF) që nga viti 2011 dhe ka qenë gjithmonë në kontakt të drejtpërdrejtë me zyrtarët amerikanë, duke luajtur rol kyç në lirimin e një mësuesi amerikan nga burgu rus në 2025 dhe në dialogun ekonomik Rusia–SHBA.
Megjithatë, reputacioni i Dmitriev është i diskutueshëm. Ai është kritikuar si “propagandist rus” nga Sekretari i Thesarit të SHBA, Scott Bessent, pas sugjerimeve se sanksionet ndaj firmave kryesore të naftës ruse mund të rrisin çmimet e karburantit në SHBA. Po ashtu, RDIF është shënjestruar me sanksione nga SHBA gjatë presidencës Biden për lidhje të dyshuara me aktivitetet e Putinit dhe oligarkët rusë.
Dmitriev është gjithashtu pjesë e rrjetit të Katerina Tikhonova, vajza e Putinit, përmes lidhjeve me bashkëshorten e tij, prezantuesen televizive Natalia Popova. Ai ka një profil të veçantë: diplomuar në Harvard, me eksperiencë në McKinsey dhe fonde investimesh në Ukrainë dhe SHBA, gjithmonë duke kërkuar mundësi komerciale dhe projekte strategjike midis Rusisë dhe Amerikës.
Ndërkohë që në Moskë reputacioni i tij po rritet, në Ukrainë ai shihet si një figurë e dyshimtë, ndaj të cilit janë vendosur sanksione për krime të pretenduara ndaj Ukrainës dhe ukrainasve. Pyetja mbetet: A është Dmitriev një propagandist i Putinit, apo një ndërmjetës i mundshëm për paqen mes Rusisë dhe Ukrainës?Top Channel
-

Takimi me Trump u anulua, Putin nis drejt SHBA-së të dërguarin special për bisedime
I dërguari special i presidentit rus, Vladimri Putin, ka mbërritur në SHBA për bisedime me zyrtarët e Donald Trump.
Mediat britanike raportojnë se Kirill Dmitriev ndodhet në Uashington për bisedime ‘zyrtare’ vetëm, disa ditë pasi presidenti amerikan anuloi takimin me Putin në Hungari.
Kirill pritet të takohet me zyrtarë të administratës Trump për të vazhduar diskutimet rreth marrëdhënieve SHBA-Rusi.
Axios raporton se ai do të takohet me homologun e tij amerikan, Steve Witkoff.
Koha e takimit të raportuar është e saktë, pasi vjen gjatë një jave në të cilën Rusia është përpjekur të veprojë në mënyrë sfiduese pavarësisht se është nën një sërë sanksionesh të reja nga SHBA-ja dhe BE-ja.Top Channel
-

“Harroje Krimenë dhe anëtarësimin në NATO”, ndihmësi i Putin shpërndan postimin e Trump: Le të mbizotërojë sot paqja në Ditën e Madhe
Një nga ndihmësit kryesorë të Putinit dhe negociator i lartë rus, Kirill Dmitriev, ka rishpërndarë një postim të presidentit Donald Trump në rrjetet sociale, ku ai paraqet kërkesat për Ukrainën përpara bisedimeve të SHBA me udhëheqësit europianë të hënën.
Kirill e rishpërndau postimin e Trump në TruthSocial mbrëmjen e të dielës, në të cilin presidenti tha se Ukraina mund t’i jepte fund luftës nëse pranonte kërkesat kryesore të Rusisë – përfshirë dorëzimin e Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, dhe pajtimin për të mos iu bashkuar kurrë NATO-s.
“(Trump) dhe ekipi i tij po shtyjnë për zgjidhjen e vërtetë. Le të mbizotërojnë zgjidhja e problemeve dhe paqja gjatë Ditës së Madhe,” shkroi Dmitriev në X, duke iu referuar takimit të së hënës me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Një delegacion i udhëheqësve europianë do t’i bashkohet Zelenskyt në Uashington, DC, në një përpjekje të koordinuar për të mbështetur Kievin dhe për të përcaktuar të ardhmen e mbështetjes perëndimore për Ukrainën.
Kirill, i cili drejton gjithashtu fondin sovran të pasurisë së Rusisë, ishte mes disa zyrtarëve rusë që iu bashkuan presidentit Vladimir Putin në Alaska të premten për t’u takuar me Trump në një samit të ndjekur nga afër. Nuk u arrit ndonjë marrëveshje gjatë takimit, por administrata Trump tha se ata bënë përparim të madh.Top Channel