Tag: kinës

  • Britania pritet të miratojë planin e Kinës për një ambasadë të re në qendër të Londrës

    Britania pritet të miratojë planin e Kinës për një ambasadë të re në qendër të Londrës

    Qeveria britanike pritet të japë miratimin për planin e Kinës për një ambasadë të re në qendër të Londrës.
    Vendimi final ende nuk është marrë zyrtarisht, por këshillat që ministrat thuhet se kanë marrë nga agjencitë e inteligjencës hapin rrugën për këtë projekt të diskutueshëm. Sipas gazetës Times, miratimi i pritshëm do të bëhet një tjetër shembull i debatit publik mbi marrëdhëniet e ngushta me Pekinin.
    Vendimi për miratimin ose refuzimin e aplikimit për ndërtim i takon Sekretarit për Banesat, Steve Reed, në një proces të njohur si vendim “gjyqësor quasi” (jo i formës së prerë). Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, janë konsultuar edhe agjenci të tjera, përfshirë MI5 dhe MI6.

    Vendimi është shtyrë disa herë dhe muajin e kaluar qeveria shtyu afatin për të vendosur deri më 10 dhjetor. Vendi ku do të ndërtohet ambasada, në Royal Mint Court, është afër City of London dhe kalojnë atje kabuj optikë që mbajnë sasi të mëdha të dhënash shumë të ndjeshme, duke ngritur shqetësime për rrezikun e spiunazhit.
    Ambasada e re, me sipërfaqe 20 mijë metra katrorë, do të ishte më e madhja e këtij lloji në Europë. Disa ekspertë argumentojnë se një vendndodhje e vetme, në vend të disa lokacioneve nëpër Londër, mund të jetë më e lehtë për menaxhim, ndërsa qeveria ka ndërgjegjësim se refuzimi i dëshirës së Kinës për një ambasadë të re mund të pengojë marrëdhëniet diplomatike.
    Megjithatë, sekretarja e jashtme e Partisë Konservatore, Dame Priti Patel, paralajmëroi se miratimi i ambasadës rrezikon Britaninë, duke akuzuar kryeministrin Sir Keir Starmer për “dëshpërim dhe mungesë principesh”.
    Ambasada kineze në Britani ka deklaruar më parë se kompleks i ri do të përmirësojë “bashkëpunimin e ndërsjellë të dobishëm” mes Kinës dhe Britanisë, duke argumentuar se kundërshtimet për vendin janë të pabazuara. Qeveria laburiste prej fitimit të zgjedhjeve të përgjithshme ka kërkuar të përmirësojë marrëdhëniet me Pekinin.
    Kancelerja Rachel Reeves, Sekretari i Biznesit, Peter Kyle dhe civilët më të lartë të Ministrisë së Jashtme, Sir Olly Robbins, kanë kryer vizita në Kinë, ndërsa pritet që vetë kryeministri të vizitojë vendin, ndoshta që në fillim të vitit të ardhshëm.
    Starmer u shpreh për gazetarët në rrugë për në Samitin G20 në Johannesburg se ende nuk ka një vizitë të konfirmuar, duke shtuar se qasja e qeverisë ndaj Kinës është “bashkëpunim aty ku mundemi dhe sfidim aty ku duhet, veçanërisht për sigurinë kombëtare”.

  • “Luftë” amerikano-kineze për portet e Greqisë/ Pekini kundër deklaratave të ambasadores amerikane: Po njollos bashkëspunim ekonomik

    “Luftë” amerikano-kineze për portet e Greqisë/ Pekini kundër deklaratave të ambasadores amerikane: Po njollos bashkëspunim ekonomik

    Ambasada e Kinës në Athinë ka reaguar ashpër pas deklaratave të ambasadores së re amerikane, në Greqi, Kimberly Guilfoyle, e cila në një intervistë e quajti “të pafat” faktin që porti i Pireut i kaloi kolosit kinez COSCO-s dhe la të kuptohej se “ka mënyra për ta anashkaluar këtë” duke sugjeruar që Greqia duhet të “shesë portin për të kundërbalancuar ndikimin kinez.

    Kjo deklaratë sipas përfaqësisë diplomatike të Pekinit, përbën ndërhyrje të papranueshme në çështjet e brendshme të vendit dhe një përpjekje të hapur për të njollosur bashkëpunimin ekonomik mes Greqisë e Kinës.Në reagimin zyrtar, zëdhënësi i ambasadës kineze thekson se komentet e diplomates amerikane janë “sulme të pabazuara” ndaj investimit kinez në Pire dhe pasqyrojnë “mentalitet të Luftës së Ftohtë dhe logjikë hegjemone”. Sipas tij, SHBA-të po përpiqen të përdorin portin e Pireut dhe vetë Greqinë për qëllime gjeopolitike, duke i shërbyer vetëm interesave të tyre strategjike.
    Pekini kujton se bashkëpunimi mes Kinës dhe Greqisë është ndërtuar mbi “mbështetje të ndërsjellë, pa llogaritje gjeopolitike”, duke nënvizuar se gjatë krizës së borxhit, Kina i qëndroi pranë Greqisë dhe investimi i COSCO-s e transformoi Pireun në një nga portet më të rëndësishme të Mesdheut dhe të Europës, duke hapur dhjetëra mijëra vende pune dhe se “porti i Pireut i përket përgjithmonë popullit grek” .
    Reagimi i ambasadës kineze në Athinë vjen në një moment kur rivaliteti gjeopolitik mes SHBA-ve dhe Kinës në Greqi është bërë më i dukshëm se kurrë, veçanërisht pas lëvizjeve të fundit të Uashingtonit në portin e Elefsinës. Vetëm pak ditë më parë, ambasadorja e re amerikane Guilfoyle zhvilloi takime intensive me ministrin grek të Zhvillimit, Takis Theodorikakos, duke finalizuar një marrëveshje të rëndësishme për zgjerimin e aktiviteteve të kompanisë amerikane ONEX në Elefsinë, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të bankës shtetërore amerikane të zhvillimit, DFC.
    Amendamenti lejon rritjen e investimeve amerikane në port, dhe shndërrimin në një qendër strategjike të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së anijeve, duke krijuar një pol të ri ekonomik me prani të fortë amerikane.Marrëveshja pritet të miratohet nga parlamenti grek brenda ditëve të ardhshme.
    Ky zhvillim nuk është vetëm ekonomik; shihet gjerësisht si kundërpeshë ndaj ndikimit të COSCO-s në portin e Pireut, por edhe ndaj investimeve kineze dhe ruse në portet e tjera kryesore të Greqisë.  Në këtë kontekst, marrëveshja për Elefsinën dhe deklaratat për Pireun po shndërrohen në dy fronte të një gare të re ndikimi, ku Greqia gjendet në qendër të interesave strategjike të dy superfuqive.

    Top Channel

  • A mund të ketë luftë midis Kinës dhe Japonisë?!

    A mund të ketë luftë midis Kinës dhe Japonisë?!

    Ashpërsohet retorika midis Kinës dhe Japonisë-a po përgatitet një front i dytë në Azinë Verilindore pas atij aktual në Evropë?
    Nga Eljanos Kasaj*
    Pekin, Kinë- Autoritetet kineze kanë filluar të ushtrojnë presion aktiv ndaj qeverisë së Japonisë, me kryeministren e re Sanae Takaichi që deklaroi se një konflikt i mundshëm ushtarak për shkak të situatës së tensionuar në ishullit të Tajvanit mund të nënkuptojë gjithashtu përfshirjen e drejtpërdrejtë ushtarake të Tokios. Më 16 nëntor, Pekini dërgoi anije të rojes bregdetare në Ishujt e diskutueshëm Senkaku (të njohur si Diaoyu në kinezisht; aktualisht ato kontrollohen nga Japonia, por anijet kineze operojnë rregullisht aty pranë). Më 12 nëntor, sipas Tokios, një destroyer i tipit 055 i Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës kaloi pranë ishullit japonez të Kyushu, dhe nga 17 deri më 19 nëntor, Kina do të zhvillojë ushtrime ushtarake me zjarr të vërtetë në Detin e Verdhë, sipas Administratës së Sigurisë Detare të PLA-së.
    Në të njëjtën kohë, Pekini po rrit presionin diplomatik dhe ekonomik. Më 15 nëntor, Ministria e Punëve të Jashtme kineze u bëri thirrje qytetarëve të saj të shmangin udhëtimet për në Japoni, pas së cilës linjat ajrore kryesore kineze, përfshirë “Air China”, “China Southern Airlines” dhe “China Eastern Airlines”, njoftuan rimbursime falas për fluturimet drejt qyteteve japoneze deri në fund të vitit. Sipas statistikave japoneze, nga janari deri në shtator 2025, gati 31.7 milionë turistë të huaj vizituan Japoninë, afërsisht një e katërta e të cilëve – 7.5 milionë – ishin shtetas kinezë.
    Gjatë debatit të saj të parë parlamentar si kryeministre më 7 nëntor, Sane Takaichi deklaroi se “nëse përdoren anije luftarake dhe një bllokadë detare përfshin përdorimin e forcës, unë besoj se sipas çdo standardi kjo do të përbënte një ‘situatë që kërcënon mbijetesën e Japonisë’” (cituar në “The Japan Times”). Kjo nënkuptonte se kjo do të përmbushte ligjërisht kriteret e vitit 2015 për mobilizimin e Forcave të Vetëmbrojtjes së Japonisë dhe do të hapte derën për pjesëmarrjen e tyre në një konflikt ushtarak.
    Vlen të theksohet se Sanae Takaichi u bë kryeministrja e parë japoneze që bëri një koment të tillë në nivel politik, që prej kohës së okupimit japonez të Kinës në vitet 1930’.
    Më 10 nëntor, Sanae Takaichi sqaroi se këto ishin thjesht deklarata “hipotetike” rreth një skenari “më të keq”. Ajo premtoi të përmbahej nga bërja e deklaratave të ngjashme në të ardhmen, por nuk i tërhoqi ato mbrapsht, dhe Ministria e Punëve të Jashtme i hodhi poshtë komentet e saj si personale. Megjithatë, një reagim i ashpër nga Kina pasoi menjëherë: më 8 nëntor, Konsulli i Përgjithshëm i Kinës në Osaka, Xue Jian, shkroi në platformën sociale X: “ Kjo kokë e ndyrë, që kërkoi këtë, do të duhet të pritet pa hezitim. A jeni gati për këtë?” Qeveria japoneze protestoi, por Kina e hodhi poshtë  duke e quajtur postimin si një qëndrim personal dhe mesazhi u fshi më pas.
    Më 14 nëntor, siç raportohet nga media prestigjioze kineze “Xinhua”, zëvendësministri i jashtëm kinez Sun Weidong protestoi te ambasadori japonez në Kinë, Kenji Kanasugi, për shkak të vërejtjeve “provokuese” të Takaichi-t. Pekini beson se këto vërejtje shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe parimin e një Kine të vetme, minojnë rendin ndërkombëtar të pasluftës dhe “lëndojnë seriozisht ndjenjat e popullit kinez”.
    Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kineze, Koloneli Jiang Bin, tha se nëse Japonia “guxon të përdorë forcën” për të ndërhyrë në çështjen e Tajvanit, ajo “do të pësojë një disfatë dërrmuese nga Ushtria Çlirimtare Popullore me vullnet të hekurt dhe do të paguajë një çmim të rëndë”. Gazeta “Renmin Ribao”, zëdhënësja kryesore e Partisë Komuniste të Kinës, beson se autoritetet japoneze kanë “lëshuar hapur një kërcënim ushtarak” kundër Kinës për herë të parë që nga viti 1945. Pekini kujtoi vizitat e mëparshme të përsëritura të Takaichi-t në Faltoren Yasukuni, e cila nderon kriminelët japonezë të luftës nga Lufta e Dytë Botërore, dhe mohimin e saj të Masakrës së Nankinit të vitit 1937 ose krimeve të kryera nga njesiti famëkeq “731”në Harbin.
    Ndërsa më 17 nëntor, mbëriti në Pekin Drejtori i përgjithshëm i Byrosë së Çështjeve Aziatike dhe Oqeanike të Ministrisë së Jashtme japoneze, Masaaki Kanai.
    Sipas të Televizionit Qëndror Kinez (“CCTV News”), të martën, Liu Jinsong, drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Çështjeve Aziatike të Ministrisë së Jashtme kineze, u takua me Kanai në Ministrinë e Jashtme kineze. Rreth orës 14:00, Kanai dhe delegacioni i tij u larguan nga Ministria e Jashtme kineze. Rreth orës 15:30, mediat kineze vunë re në Aeroportin Ndërkombëtar të Pekinit se zoti Kanai po largohej nga Kina, por duke mos dhënë asnjë deklaratë për mediat mbi eskalimin e mëtejshëm të krizës diplomatike midis Japonisë dhe Kinës.
    Ky eskalim i mardhënieve diplomatika midis dy superfuqive aziatike të Azisë Verilindore, vin pas retorikës kritike të Moskës ndaj Tokios gjatë fillimit të këtij muaji, mbi planet e kryeministres Sanae Takaichi për dislokimin e armëve taktike bërthamore amerikane në Japoni(një projekt ky i quajtur nga Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov si “një lojë e rrezikshme”) dhe mundësisë së rikthimit nën-sovranitetin japonez të Arkipelagut të Ishujve Kurile(aktualisht pjesë e Federatës Ruse, por të njohura prej Japonisë si “territore të okupuara”).
    *Fakulteti i Shkencave Politike. Universiteti i Wroclaw (Uniwersytet Wrocławski), Poloni
     
     

  • Spektakël zogjsh në grykëderdhjen e Lumit të Verdhë

    Spektakël zogjsh në grykëderdhjen e Lumit të Verdhë

    Një ngjarje ndërkombëtare për vëzhgimin e zogjve filloi të shtunën në Rezervatin Kombëtar Natyror të Deltës së Lumit të Verdhë në qytetin Dongying, provinca Shandong e Kinës Lindore, ku vëzhguesit e zogjve u emocionuan nga spektaklet e tufave të zogjve të egër që fluturonin ulët mbi sipërfaqen e ujit.
    “Ne festojmë udhëheqjen në rritje të Kinës në ruajtjen e biodiversitetit, qytetërimin ekologjik dhe krijimin e parkut kombëtar”, – tha Shahbaz Khan, drejtor i Zyrës Rajonale të UNESCO-s për Azinë Lindore, në ceremoninë e hapjes së ngjarjes së vëzhgimit të zogjve.
    Pjesëmarrës në Sezonin e tretë Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zogjve në grykëderdhjen e Lumit të Verdhë, James Fitzsimons, këshilltar i lartë i Strategjive Globale të Mbrojtjes së Natyrës, theksoi se përpjekjet e Kinës në mbrojtjen e ligatinave bregdetare kanë rëndësi të madhe globale, citon “Xinhua”.
    “Delta e Lumit të Verdhë njihet globalisht si një vend i rëndësishëm për ruajtjen e zogjve, duke mbështetur si popullatat e shumimit ashtu edhe zogjtë shtegtarë”,- tha ai.
    Të dhënat nga Administrata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave tregojnë se katër nga nëntë rrugët kryesore të fluturimit të zogjve shtegtarë në të gjithë botën kalojnë nëpër Kinë. Mbrojtja e habitateve të zogjve dhe rrugëve të shtegtimit në Kinë është thelbësore për mbijetesën dhe riprodhimin e popullatave të zogjve në nivel global.
    Wang Xiufeng, nënkryetar i bashkisë së Dongying, u tha vizitorëve se autoritetet lokale kanë promovuar në mënyrë aktive qeverisjen gjithëpërfshirëse ekologjike, duke rezultuar në rritjen e numrit të specieve të zogjve nga 187 në 374 vitet e fundit, me mbi 6 milionë zogj që tani shumohen dhe pushojnë në zonë çdo vit.
    Me mbi 53.33 milionë hektarë zona ligatinash nën mbrojtje, Kina ka krijuar sistemin më të madh të ruajtjes së ligatinave në Azi.

  • Xi Jinping takon mbretin Filipe VI

    Xi Jinping takon mbretin Filipe VI

    Presidenti kinez Xi Jinping u takua të mërkurën paradite në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me mbretin e Spanjës Felipe VI, i cili ndodhet për një vizitë shtetërore në Kinë.
    Xi Jinping-u shprehu mirëpritje për vizitën e mbretit Felipe VI në Kinë dhe vuri në dukje që si Kina, ashtu edhe Spanja, kanë një trashëgimi të thellë historike e kulturore. Për më shumë se 50 vjet që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, të dy vendet i kanë shikuar dhe i kanë zhvilluar marrëdhëniet ndërmjet tyre nga një perspektivë strategjike e afatgjatë, duke treguar respekt e mbështetje të ndërsjellë dhe duke arritur sukses të përbashkët. Kina e Spanja kanë krijuar një model të bashkëjetesës miqësore dhe të zhvillimit të përbashkët midis vendeve me histori, kultura e sisteme shoqërore të ndryshme, duke luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e hapjes dhe të bashkëpunimit global e në mbështetjen e drejtësisë ndërkombëtare. Familja Mbretërore Spanjolle ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme lidhur me zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Kinës dhe Spanjës.
    Mbreti Felipe VI shprehu, nga ana e tij, kënaqësinë për vizitën shtetërore në Kinë me rastin e 20-vjetorit të marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Spanjës dhe Kinës. Ai vuri në dukje historinë e gjatë të shkëmbimeve miqësore midis Spanjës e Kinës, duke theksuar besimin dhe respektin e ndërsjellë midis dy vendeve që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe angazhimin e tyre për zhvillim e lulëzim të përbashkët. Mbreti spanjoll vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme të zhvillimit të Kinës, veçanërisht përvojat e saj të suksesshme në zbutjen e varfërisë dhe në zhvillimin e gjelbër e me lëshim të ulët karboni, të cilat, sipas tij, janë të denja për t’u ndjekur.
    Pas takimit, të dy krerët e shtetit morën pjesë së bashku në nënshkrimin e 10 dokumenteve të bashkëpunimit në fushat e tregtisë, shkencës e teknologjisë dhe arsimit.

  • Ujku në lëkurë deleje, analiza: Pushteti i mprehtë i Kinës nga Amerika Latine deri në Australi

    Ujku në lëkurë deleje, analiza: Pushteti i mprehtë i Kinës nga Amerika Latine deri në Australi

    Përveç ndërtimit të hekurudhave, porteve, rrugëve, fabrikave dhe minierave përmes nismës Brezi dhe Rruga, Kina po i ndryshon edhe peizazhet informative, mediatike dhe të komunikimit në të gjitha kontinentet e botës, duke përdorur gjithnjë e më shumë mjetet e pushtetit të mprehtë.
    Midis pushtetit të butë të ideve dhe pushtetit të fortë të ushtrisë dhe shantazhit ekonomik ndodhet pushteti i mprehtë i propagandës dhe dezinformimit. Pushteti i mprehtë mashtron, pushteti i butë përdoret për tërheqje, ndërsa ai i fortë është kërkues i pakushtëzuar.
    Politologu i ndjerë, Joseph Nye, krijuesi i konceptit të pushtetit të butë, ka pohuar se kufiri midis pushtetit të butë dhe atij të mprehtë qëndron te e vërteta dhe çiltërsia.
    Të njëjtën gjë, në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL) e thotë edhe Klaus Soong nga Instituti Mercator për Studime mbi Kinën në Berlin (MERICS).
    “Qëllimi është i rëndësishëm. Pyetja është, cili është qëllimi. Mendoj se dallimi midis pushtetit të butë dhe atij të mprehtë qëndron në ndërtimin e narrativit”.
    Kur agjencia shtetërore kineze e lajmeve Xinhua vepron hapur në vende të tjera, ajo luan lojën e pushtetit të butë. Por, kur Radioja Kineze Ndërkombëtare fshehurazi financon 33 stacione radioje në 14 shtete, ajo kalon në sferën e pushtetit të mprehtë, kishte theksuar Nye në një artikull për Project Syndicate.
    Kanalet televizive kineze CGTN dhe CCTV janë pjesë e ofertës së operatorëve kabllorë edhe në Ballkanin Perëndimor. Mediat rajonale transmetojnë përmbajtje të krijuara nga agjencia Xinhua, ndërsa Radioja Kineze Ndërkombëtare (CRI) ka portale mediatike në gjuhën shqipe dhe serbe.
    Në faqen e internetit CRI serbisht, ky medium paraqitet si një medium me mbulim rajonal, më saktë si “redaksi programi që mbulon zonën e ish-Jugosllavisë”. Megjithatë, përveç faqes në gjuhën shqipe, aktivë janë edhe portalet e CRI-së, të cilat mbulojnë Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën.
    “Shumë gjëra kryhen përmes luftës së informacionit. Shumë prej gjërave që ndodhin në kuadër të veprimit të pushtetit të mprehtë janë përpjekje për të manipuluar dhe bindur publikun në mënyrë që të formësohet opinioni publik dhe një mjedis që i përshtatet më shumë Partisë Komuniste të Kinës ose rritjes së ndikimit të Kinës jashtë kufijve të saj”, shpjegon për për REL-in Daria Impiombato, analiste në Institutin Mercator për Studime mbi Kinën, duke shtuar se “qëllimi përfundimtar është që Kina të bëhet superfuqi globale”.
    Thika e padukshme e pushtetit të mprehtë të Kinës
    Nëpërmjet pushtetit të mprehtë, vlerat përgjithësisht jo tërheqëse dhe shtypëse të sistemeve autoritare projektohen në sfera interesi duke nxitur monopolizimin e pushtetit, kontrollin nga lart, censurën dhe besnikërinë e bazuar në frikësim.
    “Vetë thelbi i institucioneve dhe strukturave demokratike [perëndimore] është rrjedha e lirë e informacionit, që do të thotë se çdo aktor mund të hyjë dhe të ndajë çfarë të dëshirojë, brenda kufijve të caktuar. Disa nga këta narrativë mund të jenë tërheqëse për audiencat jashtë Kinës”.
    “Mendoj se gjithnjë e më shumë këta narrativë që po promovohen, nuk kanë të bëjnë vetëm me Kinën ose interesat thelbësore të Kinës, si çështjet e Tajvanit ose Hong Kongut… ose provincës Ksinjang… por ato po përpiqen gjithnjë e më shumë të shtyjnë përpara narrativë që kanë të bëjnë me çështjet ndërkombëtare, në një mënyrë që i përshtatet Partisë Komuniste Kineze. Dhe, kjo është mjaft shqetësuese, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut. Pra, do të thotë ndryshimi i kushteve dhe gjërave që janë vendosur nga bashkësia ndërkombëtare”, theksoi Impiombato.
    “Përdorimi i pushtetit të fortë lejon që dikush të ndërhyjë në strukturën e shoqërisë, duke thelluar kështu përçarjet ekzistuese në shoqëritë demokratike. Pushteti i fortë nënkupton një shkallë të caktuar sekreti, fshehjeje, abuzim me mjedisin e informacionit të hapur në demokraci”, shtoi ajo.
    Nga vetë natyra e tij, pushteti i fortë është i paprekshëm, por ka pasoja dhe efekte të thella dhe të prekshme. Radio Evropa e Lirë ofron shembuj se si Kina e përdor skajin e padukshëm të pushtetit të fortë dhe sa larg shtrihet ai në të gjithë botën.
    Fqinjësia e Kinës dhe rasti i Tajvanit
    “Në fqinjësinë e saj të afërt, Kina ka më pak nevojë të përdorë pushtetin e fortë, me përjashtim të Tajvanit, sepse tani po fiton luftën e pushtetit të butë në vende si Tailanda dhe Malajzia. Kina mund të përshtatet deri diku në vende të caktuara, por për momentin është shumë më efektive në Azi dhe në autokraci [në mbarë botën]”, tha për REL-in Joshua Kurlantzic, bashkëpunëtor për Azinë Juglindore dhe Azinë Jugore në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë (CFR) dhe autor i librit “Ofensiva Globale e Medias së Pekinit: Fushata e Pabarabartë e Kinës për të Ndikuar në Azi dhe në Botë”.
    “Sigurisht, e ashtuquajtura politikë e ‘një Kine’ është ende shumë e fortë. Dhe, Kina po përpiqet të përdorë një version të parimit të një Kine për të kundërshtuar politikën e ‘një Kine’ siç perceptohet në Perëndim. Mendoj se është ende një konkurrencë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara”, theksoi Soong.
    Një shembull i përdorimit të pushtetit të fortë në rastin e Tajvanit ishte i qartë kur ushtria kineze njoftoi ushtrime të quajtura “Bubullima në Ngushticë” në fillim të vitit, duke publikuar njëkohësisht posterë ku thuhej se po sulmonte “separatistët e Tajvanit”, si dhe një seri sulmesh personale ndaj presidentit të Tajvanit, Lai Ching-Tea.
    Në një animacion të publikuar nga ushtria kineze, Lai përshkruhet si një “parazit” helmues që përpiqet të pushtojë Tajvanin, për t’u hedhur në zjarr në fund. Ky portretizim i presidentit tajvanez është një shembull i një makinerie propaganduese që përdor instrumente të pushtetit të fortë.
    Kina nuk është dorëzuar kurrë nga përdorimi i forcës ushtarake për të rimarrë kontrollin e ishullit, të cilin e konsideron pjesë të territorit të vet.
    Të dyja palët janë qeverisur nga qeveri të ndara që nga viti 1949, pas përfundimit të luftës civile kineze.
    Komunistët morën pushtetin në Pekin dhe themeluan Republikën Popullore të Kinës më 1 tetor 1949, ndërsa nacionalistët e mundur ikën në Tajvan, duke zhvendosur selinë e Republikës së Kinës nga kontinenti në Taipei.
    Ndikimi politik, ushtarak dhe ekonomik i Kinës në Afrikë
    “Njëra politikë ndaj Kinës është pika kryesore në tregtinë me vendet afrikane, tjetra është sigurisht borxhi, borxhet ndaj Kinës të realizuara përmes investimeve dhe investimeve në infrastrukturë”, thotë Impiombato.
    Perceptimi është se paratë nga vendet perëndimore, përkatësisht demokracitë perëndimore të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, shpesh vijnë me më shumë kushte që duhen përmbushur sesa në rastin e parave kineze.
    Sepse, siç thotë Impiombato, “SHBA-ja në veçanti do të japë para vetëm nëse vendi demokratizohet, nëse respekton të drejtat e njeriut, ndërsa Kinës nuk i intereson kjo. E vetmja gjë që kërkon është që këto vende të mos e njohin Tajvanin. Dhe, kjo është një tregti shumë e thjeshtë, nëse je kaq larg Tajvanit dhe nuk ke patjetër interes për demokracinë dhe që Tajvani të jetë i lirë”.
    Qasja e Kinës ndaj marrëdhënieve dypalëshe me partnerët afrikanë është në kontrast të fortë me atë të vendeve të Amerikës së Veriut dhe Evropës.
    Ndërsa këto të fundit tradicionalisht i kushtojnë vëmendje të konsiderueshme integritetit të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, Kina predikon një politikë të mosndërhyrjes ose mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve partnere, siç thuhet në botimin e Institutit Hoover (Pushteti i Mprehtë i Kinës në Afrikë, Një Manual për Ndërtimin e Politikave Kombëtare).
    Përjashtim nga ky rregull është fushata e Pekinit për njohjen ndërkombëtare të politikës së “një Kine”. Si dëshmi e suksesit të kësaj fushate, Esvatini është tani i vetmi vend afrikan që mban marrëdhënie diplomatike me Tajvanin, ose emri zyrtar është Republika e Kinës në Tajvan dhe vetëm Republika e Kinës, siç thuhet në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kinës në Tajvan.
    Kontinenti afrikan është gjithashtu një zonë e zgjerimit të ndikimit ushtarak të Kinës dhe e qëllimeve të saj të sigurisë dhe gjeostrategjike, siç demonstrohet nga objekti i parë i ushtrisë kineze, i quajtur zyrtarisht Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës, në Afrikë, i hapur në vitin 2017 në Xhibuti.
    Raportet e inteligjencës amerikane sugjerojnë, sipas botimit të Institutit Hoover të vitit 2022, se ushtria kineze po kërkon të krijojë një bazë të ngjashme në bregun perëndimor të Afrikës në Guinenë Ekuatoriale.
    Qendra hapësinore kineze në tokën e Amerikës Latine
    Shtrirja e Kinës përtej kufijve të saj në zgjerimin e ndikimit të saj global u ndihmua nga kriza financiare globale në vitin 2008, kur Qeveria kineze lëshoi një deklaratë në lidhje me politikën e jashtme ndaj Amerikës Latine dhe Karaibeve.
    Lidhur me lidhjet e Kinës dhe depërtimin në Amerikën Latine, Soong thotë se janë dy arsye kryesore – Tajvani dhe Shtetet e Bashkuara.
    “Sa i përket Amerikës Latine, mendoj se është një ndërhyrje e Kinës në oborrin e Shteteve të Bashkuara. Por, është gjithashtu një rajon ku Tajvani ka pak partnerë diplomatikë. Pra, është një territor natyror konkurrues me interes për Kinën”, sipas tij.
    Përveç kësaj, ai vëren se Amerika Latine është një komponent i rëndësishëm i Jugut Global, “në mënyrë që në ambiciet globale të Kinës, e cila po pozicionohet si lidere në Jugun Global, ajo duhet të krijojë lidhje me këto vende”.
    Sa i përket depërtimit në oborrin e Shteteve të Bashkuara, Kina ka thelluar bashkëpunimin në fushën e eksplorimit të hapësirës me vendet e Amerikës Latine. Kjo filloi me nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh mbi zhvillimin e satelitëve me Brazilin në vitin 1984.
    Në dekadat e fundit, Kina u ka ofruar rregullisht bashkëpunim të tillë disa vendeve të Amerikës Latine, përfshirë Venezuelën, e cila ka rezervat më të mëdha të naftës në botë. Në prill të vitit 2024, Kina mbajti Forumin e parë të Bashkëpunimit Hapësinor Kinë-Amerikë Latine dhe Karaibe.
    Pekini ka kërkuar gjithashtu krijimin e një Komiteti të Përbashkët për Bashkëpunim Hapësinor brenda aleancës BRICS , nga të cilat Brazili është një nga themeluesit, si një partner i rëndësishëm për Kinën. Komiteti, i themeluar në vitin 2022, synon të promovojë shkëmbimin e të dhënave midis satelitëve.
    Stacioni i Thellë Hapësinor, objekti më i madh i kërkimit hapësinor në Kinë, ndodhet në shkretëtirën Patagoniane në Argjentinë. Gjithashtu ka stacione satelitore në disa vende të tjera, duke përfshirë Bolivinë, Brazilin, Kilin dhe Venezuelën. Afërsia e objektit me Shtetet e Bashkuara ka rritur frikën se mund të jetë duke spiunuar asetet amerikane.
    Skandalet e spiunazhit në Australi
    Skandali i spiunazhit që shpërtheu në Australi në gusht nuk kishte të bënte drejtpërdrejt me politikën, por me një grup fetar, por sigurisht që ngriti shqetësime se si Kina kontrollon diasporën dhe çfarë do të thotë kjo për vendet pritëse të diasporës kineze.
    Konkretisht, organizata ndërkombëtare budiste kontroverse, Guan Yin Chita Dharma Dor, është gjetur në qendër të një skandali spiunazhi, e cila ka disa degë në Australi.
    Në këtë rast, një grua e lindur në Kinë është akuzuar për ndërhyrje të pamatur dhe spiunazh ndaj degëve dhe anëtarëve australianë të grupit në emër të agjencive të inteligjencës së Partisë Komuniste Kineze. Policia australiane tha se hetimi është duke vazhduar dhe mund të akuzohen më shumë persona.
    Organizata budiste pretendon se ka 10 milionë anëtarë në të gjithë botën, përfshirë pesë milionë në Kinë. Megjithatë, Qeveria kineze, e cila e ka ndaluar organizatën, thotë se ka 50.000 në Kinë. Mediat shtetërore në Kinë e kanë akuzuar grupin si një sekt me “teori të liga”.
    “Regjimi kinez është mjaft i pasigurt dhe shumë grupe fetare shihen si një kërcënim për stabilitetin e regjimit. Qofshin ato vendas apo nga jashtë vendit. Kjo është shumë e dukshme në presionin mbi lëvizjen Falun Gong. Por, për shumë vite me radhë, Qeveria kineze ka përdorur organizatat fetare kineze budiste dhe myslimane për të depërtuar në ato grupe dhe për t’u siguruar se ka njohuri për atë që po ndodh.
    “A ka ndonjë shenjë kritike ndaj regjimit, apo po veprojnë në ndonjë mënyrë që do ta destabilizonte regjimin? Pra, ata po i monitorojnë të gjitha këto grupe nga shumë afër”, tha Impiombato.
    “Ky rast ishte ndoshta tronditës për shkak të burimeve që iu dhanë këtij personi”, theksoi Impiombato, duke shtuar se “lidhjet në qarqet e larta që [të akuzuarit] kishin në Kinë dhe në Ambasadën kineze flasin gjithashtu për atë se sa i lartë është prioriteti i këtyre operacioneve”.
    Ajo vuri në dukje se “ekosistemi i ndikimit të Partisë Komuniste Kineze është shumë i shtresuar dhe i përhapur, veçanërisht në vendet që janë një përparësi strategjike për Pekinin”.
    Metodat e pushtetit të fortë janë mashtruese, por thelbi i problemit është se, derisa pushteti i fortë përdoret qartë për aktivitete të paligjshme, shumë aspekte të tjera të luftës politike zhvillohen në zonat gri të kornizave ligjore të sistemeve demokratike që nuk janë rreptësishtë të paligjshme dhe janë të vështira për t’u karakterizuar si spiunazhi tradicional i huaj./REL

  • CIIE – ekspozitë importi me impakt global

    CIIE – ekspozitë importi me impakt global

    CIIE-ja po mbahet nga datat 5 – 10 nëntor në Shangai të Kinës Lindore. Pjesëmarrja e përfaqësuesve nga 155 vende, rajone e organizata ndërkombëtare dhe prania e 290 ndër 500 kompanitë më të fuqishme botërore, rekorde të reja në sipërfaqen e ekspozimit dhe numrin e përgjithshëm të ekspozuesve, fakti që kompanitë amerikane zënë vendin e parë për shtatë vjet radhazi për sa i përket zonës së ekspozimit … dërgojnë sinjale të forta për bashkëpunimin e hapur dhe me përfitime të ndërsjella, thuhet në një koment të CMG-së.
    CIIE-ja është ekspozita e parë në nivel kombëtar në botë me temën e importeve.Mes një peizazhi të ndërlikuar, ekspozita është bërë një ngjarje gjithnjë e më e shumëpritur për kompanitë ndërkombëtare, duke reflektuar kontributin e Kinës në stabilizimin e zhvillimit global, vijon komenti i CMG-së.
    Sipas “Raportit të hapjes botërore 2025”, të publikuar të mërkurën në Forumin e 8-të Ekonomik Ndërkombëtar “Hongqiao”, një veprimtari paralele me CIIE-në, treguesi i hapjes botërore për vitin 2024 ishte 0.7545, me një rënie prej 0.05 % krahasuar me një vit më parë. Në të kundërt, treguesi i hapjes së Kinës u rrit me 0.5 % për të njëjtën periudhë.

  • Bumi i ‘turizmit të kuq’ në Kinë

    Bumi i ‘turizmit të kuq’ në Kinë

    Vendet me rëndësi historike për Partinë Komuniste në pushtet po tërheqin patriotë të të gjitha moshave

    Nga Edward White – FT

    Në gjysmë të rrugës përgjatë shtegut të pjerrët të Qafës së Loushanit, në zemër të provincës malore Guizhou në jugperëndim të Kinës, një grup prej rreth 20 kuadrosh të Partisë Komuniste, shumica të veshur me këmisha të bardha me mëngë të shkurtra, pantallona dhe këpucë të zeza, qëndrojnë në tri rreshta të rregullt, duke dëgjuar me vëmendje.

    Në sfondin e një pylli të rigjeneruar, një guidë turistike energjike u tregon këtyre zyrtarëve të rinj histori sakrifice nga beteja që u zhvillua këtu 90 vjet më parë, ndërsa tingujt dramatikë të muzikës që vijnë nga një altoparlant në këmbët e tij e përforcojnë atmosferën.

    Loushani, pranë qytetit të Zunyi-t, nderohet si vendi i fitores së parë të rëndësishme të Ushtrisë së Kuqe kundër Nacionalistëve gjatë Marshimit të Gjatë në mesin e viteve 1930. Ndër dëshmorët, shpjegon guida, ishte një ushtar i plagosur i Ushtrisë së Kuqe që vrau veten për të mos penguar shokët e tij ushtarë.

    Këta kuadro janë pjesë e një tendence në rritje të pelegrinazheve patriotike, që i bëjnë kinezët e të gjitha moshave. Disa prej këtyre udhëtimeve financohen nga shteti, por shumë qytetarë po zgjedhin gjithashtu të shpenzojnë paratë dhe kohën e lirë në hóngsè lǚyóu, ose “turizëm i kuq”.

    Kina ka mijëra vende zyrtare të turizmit të kuq, muze historikë dhe salla përkujtimore. Në një kohë kur udhëtimet ndërkombëtare ende nuk janë rikthyer në nivelet para pandemisë, turizmi i kuq është bërë një pjesë e rëndësishme e bumit të udhëtimeve brenda vendit.

    Edhe pse statistikat zyrtare në një vend me 1.4 miliardë banorë shpesh janë problematike, të dhënat nga disa agjenci udhëtimesh tregojnë se kinezët po dynden në këto vende në numra rekord, sipas vlerësimeve zyrtare, rreth 2 miliardë vizita në vit bëhen nëpër vendet e “kuqe” në mbarë vendin.

    Qyteti i Zunyi-t, në Guizhou, që në historinë zyrtare kineze paraqitet si një nga momentet më vendimtare të Partisë, është shembulli më tipik i popullaritetit të turizmit të kuq. I vendosur në një luginë të thellë dhe i përshkuar nga ujërat e zeza e të dredhura të lumit Xiangjiang, qyteti ka 6.5 milionë banorë rezidentë, por popullsia e tij dyfishohet gjatë festave kombëtare.

    Zona është e mbushur me histori të kuqe, përfshirë Betejën e Qafës së Loushanit dhe Katër Kalimet e Lumit Chishui. Por ndoshta vendi më i rëndësishëm është një ndërtesë dykatëshe me tulla e dru në qendër të Zunyi-t, vendi i Konferencës së Zunyi-t të janarit 1935.

    Takimi, i mbajtur në ditët më të errëta të Marshimit të Gjatë, festohet si një pikë kthese për revolucionin komunist dhe për Mao Ce Dunin. Historia thotë se pas muajsh humbjesh të mëdha dhe përballë një armiku shumë më të madh në numër, Mao, atëherë 41 vjeç, arriti të bindë udhëheqësit e mbledhur në Zunyi të mbështesin strategjinë e tij të luftës guerile dhe ta promovojnë në hierarkinë e komandës, një hap vendimtar drejt udhëheqjes absolute që do të pasonte.

    Xi Jinping, udhëheqësi më i fuqishëm i Kinës që prej Maos, ka udhëtuar dy herë në Zunyi si kryetar partie, në vitet 2015 dhe 2021, duke theksuar “trashëgiminë shpirtërore të qëndrueshme” të Ushtrisë së Kuqe në Guizhou dhe rëndësinë e Zunyi-t në vendosjen e “udhëheqjes së drejtë” të partisë.

    Sot, ndërtesa e konferencës dhe muzeu ngjitur me të ekspozojnë letra origjinale, harta, urdhra, fotografi, pantofla të grisura, pushkë dhe një bori. Sakrifica është sërish në qendër. Mes ekspozitave gjendet një poezi e shkruar nga një burrë vendas që kishte strehuar ushtarë të Ushtrisë së Kuqe, por që më vonë u vra nga armiku.

    Gjatë vizitës sime, disa qindra vetë po kalonin nëpër ndërtesat dhe oborrin përreth. Turma ishte e larmishme: kishte shumë të moshuar në grupe turistike, përfaqësues të rreth 300 milionë njerëzve mbi moshën 60 vjeç që kanë qenë dëshmitarë (dhe shpesh pjesëmarrës) në transformimin e Kinës nga varfëria në superfuqi globale gjatë jetës së tyre.

    Por kishte gjithashtu çifte dhe familje të reja kineze, pjesëtarë të një brezi që nuk ka përjetuar vuajtjet e prindërve e gjyshërve, por që megjithatë tregon një zjarr të pazakontë për historinë e kuqe. Dhe kishte shumë më tepër grupe kuadrosh, në këmishët e tyre të bardha me mëngë të shkurtra.

    Një grua 29-vjeçare nga provinca fqinje Siçuan, me mbiemrin Zhang, kishte udhëtuar në Zunyi me partnerin dhe një çift tjetër. “Po kryejmë detyrën tonë patriotike”, tha ajo, “duke vizituar vendet historike në ditën e parë, nesër do të shkojmë për pazar.”

    Në muze, Zhang tha se e kishte tronditur ekspozita e skenave të betejës së Loushanit, ku ushtarët e Ushtrisë së Kuqe fshihen midis maleve dhe lumenjve, pas shkëmbinjve, duke qëlluar ndaj armikut. “Duhet ta shohësh me sytë e tu për ta kuptuar vërtet,” tha ajo. Ishte një kujtesë se jeta në Kinën e sotme “është fituar me gjakun e paraardhësve tanë”, shtoi ajo. “Fëmijët duhet ta shohin këtë.”

    Një burrë në të 60-at, që kishte ardhur me një grup të vogël nga provinca Anhui në lindje të Kinës, tha se ishte “thellësisht i prekur” nga vizita në ndërtesën e konferencës dhe muze. “Lumturia jonë e sotme është rezultat i punës së tyre të palodhur,” shtoi ai.

    Rowan Beard, një guidë australiane që ka çuar grupe aventurierësh në Kinë, Rusi dhe Korenë e Veriut, ndër dhjetëra vende të tjera, thekson se “të gjitha muzetë në botë kanë këndvështrimin dhe narrativën e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për luftë.”

    Ai vëren se, për shembull, në Japoni, ekspozitat shpesh pretendojnë se kanë “çliruar” vende si Tajlanda, Filipinet dhe Koreja, megjithëse këto vende u pushtuan brutalisht nga Japonia në gjysmën e parë të shekullit XX, burrat u detyruan të bënin punë të detyruar dhe gratë të ishin skllave seksuale.

    Nxënësit amerikanë mund të vizitojnë Gettysburg-un si pjesë e mësimeve të historisë apo qytetarisë, por rëndësia e një narrative të vetme historike zyrtare në Kinën bashkëkohore shkon shumë më tej se çdo krahasim i dukshëm në Perëndim.

    Ajo që duhet kujtuar, dhe ajo që duhet harruar, është një nga mjetet më delikate dhe të rëndësishme propagandistike që përdoren nga ideologët e Partisë së Kinës, të fiksuar pas pyetjes së gjithmonshme për legjitimitetin e tyre për të sunduar vendin.

    Muzetë dhe vendet revolucionare prej kohësh janë parë si pjesë e një sistemi propagande pjesëmarrëse, një model i përdorur më parë edhe në Rusinë Sovjetike dhe Gjermaninë Lindore.

    Joseph Torigian, një nga ekspertët më të njohur në botë për Partinë Komuniste të Kinës dhe autor i një biografie të fundit për babain e Xi Jinpingut, thotë se udhëheqja kineze e sheh turizmin e kuq si thelbësor për “imunizimin” e popullit ndaj infiltrimit ideologjik perëndimor.

    “Kjo do të thotë përdorimin e historisë si edukim moral,” shton Torigian. “Do të thotë të fitosh mbështetjen e njerëzve për kauzën duke forcuar idealizmin dhe bindjen e tyre.” Ai vëren se Xi, ashtu si Mao, beson se “të rinjtë janë pika më e ndjeshme e shoqërisë.”

    Historia në Kinë, thotë ai, shpesh ka më shumë të bëjë me harresën sesa me kujtesën. Ashtu si me pjesën më të madhe të diskursit publik për Maon në Kinën e sotme, edhe në vendet e turizmit të kuq në Zunyi nuk ka asnjë përpjekje të dukshme për t’u përballur me tmerret e Fushatës së Madhe të Kërcimit Përpara apo të Revolucionit Kulturor, e as për të përmendur dhjetëra milionët e njerëzve që mendohet se humbën jetën gjatë atyre periudhave.

    Në dyqanin e suvenireve të muzeut, artikulli më i shtrenjtë, me çmim 8600 juanë (rreth 910 £), është një bust i Maos me një shall të vogël të kuq. Në një shembull tjetër të bashkëjetesës mes devotshmërisë revolucionare dhe konsumizmit gazmor, Mao qëndron mes një pasurie suveniresh: filxhanë kafeje, shishe uji dhe lodra pelushi në formë ushtarësh të Ushtrisë së Kuqe.

    Në Kullën Përkujtimore të Lumit Chishui, që nderon serinë e guximshme të katër kalimeve të Ushtrisë së Kuqe në lumin Chishui më 1935, Li Ziliang, një guidë vendase 40-vjeçare, thotë se në njëfarë mënyre versioni zyrtar i historisë së partisë është bërë e vërteta për shumë njerëz. Pa pagesë dhe autodidakt, Li pret me durim vizitorët, i pajisur me një mikrofon në vesh të lidhur me një altoparlant në ije. “Kryetar Mao,” thotë ai, “ishte një udhëheqës vërtet i jashtëzakonshëm.”

    Kulmi i turit të Li-së është një recitim operistik i poemës së Maos, “Qafa e Loushanit”, e cila mësohet nga të gjithë nxënësit në Kinë dhe përfundon me këtë përshkrim të zonës, që në anglisht përkthehet përafërsisht: Malet e gjelbra, valëviten si deti, perëndimi që shuhet, ngjyrosur në të kuqe gjaku.

    Megjithatë, pavarësisht bazës së fortë propagandistike, në “shtegun e kuq” ende mbetet një ndjenjë e thellë mallëngjimi. Më poshtë në luginë, nga Qafa e Loushanit, ndodhet një varrezë e vogël në shpatin e një kodre. Varret janë për rreth 50 shpirtra, jo vetëm për ushtarë të rënë gjatë revolucionit, por edhe për një pjesë të vogël të dhjetëra mijëra kinezëve të vrarë në luftën e Kinës me Vietnamin në vitin 1979.

    Roja i varrezës, një veteran simpatik i luftës kino-vietnameze, me mbiemrin Ma, mban një mjekër të hollë, flokë të zinj të pabesueshëm për moshën dhe një llullë të gjatë druri me të cilën pi cigare. Ai flet ngrohtësisht me vizitorët. Përveç detyrës së rojës këtu, çdo vit udhëton në jug për të vizituar varrezat e dëshmorëve në Yunnan dhe Guangxi.

    “Nuk është çështje lavdie,” tha ai. “Është detyra jonë ta mbrojmë vendin tonë. Ndiej keqardhje për shokët tanë që ranë në fushëbetejë.” / Financial Times – Syri.net/ 

  • Zgjerohet aplikimi i inteligjencës artificiale në sektorin e shëndetësisë

    Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës dhe katër autoritete të tjera kanë bërë thirrje për një aplikim më të gjerë të inteligjencës artificiale në sektorin e shëndetësisë të vendit gjatë viteve të ardhshme, sipas një dokumenti të lëshuar nga të pesë autoritetet dhe të bërë publik të martën.
    Deri në vitin 2030, ndihma inteligjente për diagnostikimin dhe trajtimin do të jetë universale në terma bazë në të gjitha institucionet mjekësore të nivelit parësor të Kinës, duke përfshirë klinikat e komunitetit dhe të fshatit, shkruan “Xinhua”.Ndërkohë, spitalet në ose mbi nivelin e dytë në sistemin spitalor trenivelësh të Kinës do të miratojnë gjerësisht teknologjitë e inteligjencës artificiale, të tilla si diagnoza inteligjente e imazherisë mjekësore dhe teknologjitë e mbështetjes së vendimmarrjes klinike.
    Dokumenti gjithashtu sugjeron përdorimin e zgjeruar të inteligjencës artificiale në shërbimet për pacientët, duke iu mundësuar spitaleve të ofrojnë shërbime inteligjente të integruara gjatë gjithë procesit të trajtimit, duke përfshirë caktimin e saktë të takimeve, triazhin dhe shërbimet e para-diagnostikimit dhe ndjekjes.Përveç kësaj, sipas dokumentit, Kina planifikon të përmirësojë sistemet e saj inteligjente të hetimit epidemiologjik për të ofruar mbështetje të saktë dhe në kohë reale për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve infektive.

  • Kina dhe Bashkimi Europian zhvillojnë dialog të “përditësuar” për kontrollin e eksporteve 

    Kina dhe Bashkimi Europian zhvillojnë dialog të “përditësuar” për kontrollin e eksporteve 

    Kina dhe Bashkimi Evropian zhvilluan në Bruksel në datat 31 tetor – 1 nëntor një dialog të “përditësuar” për kontrollin e eksporteve, njoftoi të hënën Ministria e Tregtisë e Kinës.
    Palët patën komunikime konstruktive dhe të thella për shqetësimet e njëra-tjetrës lidhur me kontrollin e eksporteve, deklaroi ministria, duke shtuar se ranë dakord në ruajtjen e komunikimit dhe shkëmbimeve, për të promovuar funksionimin e qëndrueshëm të zinxhirëve industrialë dhe furnizues midis Kinës dhe BE-së.
    Dialogun e drejtuan bashkërisht drejtori i Drejtorisë së Sigurisë Industriale dhe Kontrollit të Import-Eksportit pranë Ministrisë të Tregtisë të Kinës Jiang Qianliang, dhe zv/drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme për Tregtinë në Komisionin Evropian Denis Redonnet.