Dëshmia e radhës e Nuredin Dumanit para Gjykatës së Posaçme, ka nxjerrë në dritë të tjerë krime të rënda, vrasje dhe përplasje mes bandave të vendit.
Në seancën e kësaj të marte për dosjen “Plumbi i Artë”, Nuredin Dumani, ka fajësuar sërish Suel Çelën për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Elton Kilës, i njohur si Oti i Elbasanit.
Por, nga ana tjetër, njëri prej të pandehurve, Xhulian Hoxha, i cili mori pjesë në vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela, gjatë një debati që pati në seancë me Erion Alibejn, e akuzoi këtë të fundit për atentatin e Kastriot Kilës i njohur edhe me emrin Elton dhe sipas tij nuk ishte porositëve Suel Çela.
Xhuljan Hoxha: Në një nga takimet që kam zhvilluar me Erjon Alibeaj, ai më ka folur për vrasjen e Kastriot Kilës. Ai më ka treguar se si e ka porositur vrasjen e tij. Financues dhe organizator i kësaj ngjarje është Erjon Alibej, jo Suel Çela.
Më tej, Erion Alibej shtoi se do të niste rrëfimet, mes të cilave edhe për vetë Suel Çelën dhe jo vetëm.
Erjon Alibej: Doja të sugjeroja që mediat të bëjnë durim, sepse pasi të mbarojë Nuredin Dumani dëshminë e tij, edhe unë do flas për gjithçka. Nga deklarimet e mia, kanë për të dëgjuar mediat për të gjithë Suel Çelat. Unë do t’i them të gjitha. Janë thënë shumë të pavërteta dhe trillime, sugjeroj mediat mos të nxitohen derisa të japim dhe ne deklarimet tona.
Ndërkohë Nuredin Dumani, u pyet nga avokatët për njohjen dhe marrëdhënien që kishte me Henrik Hoxhajn, të cilin e kishte njohur në 2019-ën në ditëlindjen e Festim Qolit.
Nuredin Dumani: Për ngjarjet që jam përfshirë i kam treguar Henrikut, ashtu siç më ka treguar edhe ai mua. I kam treguar për vrasjen e Fatmira Dedës, nuk më kujtohen të tjerat. Gjatë kohës që flisja me Henrikun, nuk kishim kohë të flisnim për muhabete të vjetra sepse ishim të ngarkuar në atë moment.
Ndër të tjera Dumani shtoi se disa ngjarje të tjera nuk ia kishte treguar Henrik Hoxhës, pasi sipas tij ishte përdorues droge dhe i pabesueshëm në shumë raste./vizionplus.tv



