Tag: kievit

  • Gjysma e Kievit në terr pas sulmeve ruse, Ukraina ndërmerr hapa për kursimin e rrymës

    Gjysma e Kievit në terr pas sulmeve ruse, Ukraina ndërmerr hapa për kursimin e rrymës

    Ukraina do të vendosë kufizime të reja për përdorimin e rrymës dhe do të lejojë importe shtesë të energjisë, ndërkohë që po bën përpjekje për ta ndrequr infrastrukturën e dëmtuar nga sulmet ruse, tha të martën vonë kryeministrja Yulia Svyrydenko.

    Forcat ruse kanë rritur ndjeshëm numrin dhe intensitetin e sulmeve ndaj infrastrukturës së gazit dhe energjisë në Ukrainë gjatë muajve të fundit, duke shënjestruar si termocentralet, ashtu edhe sistemet e bartjes së energjisë elektrike.
    Në javët e fundit qytetarët në shumë rajone të Ukrainës po përballen me ndërprerje të vazhdueshme dhe të papritura të rrymës. Të martën, rreth gjysma e banorëve të kryeqytetit Kiev mbetën njëkohësisht në terr.
    “Ndriçimi shtesë për ndërtesat, rrugët, parqet, dritat dekorative dhe reklamat e jashtme në qendrat e qyteteve nuk janë prioritet gjatë kësaj periudhe të vështirë për sektorin energjetik”, tha Svyrydenko në X, duke shpallur masa të reja për të përmirësuar gjendjen për konsumatorët civilë.
    Lista e ndërtesave që kanë të drejtë të furnizohen me rrymë pa ndërprerje duhet të shkurtohet më shumë. Përjashtim bëjnë spitalet, shkollat, ndërtesat jetike dhe ndërmarrjet e industrisë së mbrojtjes. Ndërmarrjet shtetërore do të jenë në gjendje të nisin importet e energjisë, shtoi Svyrydenko.
    “Kjo do ta ulë trysninë mbi rrjetin elektrik të Ukrainës dhe do ta stabilizojë ngarkesën gjatë orëve të pikut”, shtoi ajo.
    Gjysma e Kievit në terr
    Të martën, operatori kombëtar i rrjetit elektrik vendosi ndërprerje emergjente të energjisë në shumicën e rajoneve të Ukrainës, duke anuluar oraret e publikuara një ditë më parë dhe duke i futur qytetet në errësirë. “Gjendja në Kiev mbetet një nga më të vështirat, tani, deri në 50 për qind të konsumatorëve në kryeqytet janë pa rrymë”, njoftoi Ministria e Energjisë e Ukrainës në Telegram.
    Ukraina i ka tri centrale bërthamore, të cilat prodhojnë më shumë se 50 për qind të të gjithë energjisë elektrike në vend, por këto centrale detyrohen ta ulin prodhimin për shkak të dëmtimit të linjave të transmisionit.
    Ndërprerjet e energjisë prekin gjithashtu furnizimin me ngrohje dhe ujë. Banorët e Kievit dhe rajonit të Kievit gjatë javës së fundit janë furnizuar me rrymë vetëm 10 orë në ditë./Rel

    Top Channel

  • Zelensky intensifikon përpjekjet diplomatike mes sulmeve ruse e skandalit korruptiv

    Zelensky intensifikon përpjekjet diplomatike mes sulmeve ruse e skandalit korruptiv

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zekensky, po intensifikon përpjekjet globale për arritjen e një marrëveshjeje të paqes, duke dërguar një ekip negociues në Shtetet e Bashkuara dhe duke planifikuar që vetë të vizitojë Parisin, në kohën kur Qeveria e tij po përballet me një skandal korruptiv dhe Rusia po intensifikon sulmet ajrore.
    Zelensky tha se në SHBA është nisur një ekip negociues si pjesë e përpjekjeve për një “paqe të denjë” dhe për përfundimin e luftës në shkallë të plotë të nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
    Ai tha më 29 nëntor se delegacioni do të udhëhiqet nga Rustem Umerov, një ish-ministër i Mbrojtjes, i cili tani është sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës dhe anëtar i ekipit negociator të Kievit.
    Një zyrtar i lartë amerikan u tha agjencive të lajmeve se sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, do të udhëtojnë në Florida për t’u takuar me delegacionin ukrainas më 30 nëntor.
    Pas takimit në Florida, Witkoff pritet gjithashtu të udhëtojë në Moskë javën e ardhshme, në kuadër të përpjekjeve për të finalizuar propozimin kontrovers amerikan.
    Ndërkaq, autoritetet franceze njoftuan se presidenti Emmanuel Macron do të presë Zelenskyn në Paris më 1 dhjetor për të diskutuar “kushtet për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
    Kievi dhe aleatët e tij evropianë – të udhëhequr nga Franca, Britania dhe Gjermania – po synojnë që të hartojnë një plan paqeje alternativ ose të modifikuar, pasi Trump paraqiti një propozim me 28 pika, që kritikët pretendojnë se anon tepër në favor të Rusisë.
    Zelensky nuk komentoi mbi vizitën e planifikuar në Paris, por Macron ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të Kievit në luftën kundër agresionit rus. Zelensky ishte gjithashtu në Paris më 17 nëntor.
    Versioni fillestar me 28 pika pasqyron pozicionet që Rusia ka mbajtur të paktën që nga nisja e pushtimit të Ukrainës.
    Kjo alarmoi zyrtarët ukrainas, dhe raportohet se e zemëroi Zelenskyn, të cilët më pas zhvilluan bisedimet dypalëshe me zyrtarët amerikanë.
    Plani “i rafinuar” me 19 pika që doli si rezultat i bisedimeve ende lë disa çështje kyç të hapura, përfshirë fatin e një pjese të rajonit Donjeckut të Ukrainës, të cilin Kremlini është i vendosur ta pushtojë.
    Pengesa të tjera përfshijnë këmbënguljen e Kremlinit që Ukrainës t’i ndalohet anëtarësimi në NATO dhe një kufizim të mundshëm sa i përket madhësisë së ushtrisë së Kievit.
    Shefi i stafit jep dorëheqjeAktiviteti diplomatik vjen pas një jave të trazuar që kulmoi me dorëheqjen e Andriy Yermakut, shefit shumë me ndikim të stafit të Zelenskyt, vetëm disa orë pasi Byroja Kundër Korrupsionit e vendit dhe Zyra e Prokurorit kryen kontrolle në zyrën e tij.
    Bastisjet ishin pjesë e hetimit të një skandali korrupsioni që lidhet me dyshimet për përvetësimin e dhjetëra milionë dollarëve të destinuar për infrastrukturën e ndjeshme energjetike të Ukrainës.
    Disa persona me ndikim dhe të lidhur me Zelenskyn janë implikuar në këtë skemë, megjithëse vetë presidenti nuk është përfshirë drejtpërdrejt.
    Yermak nuk është akuzuar drejtpërdrejt për ndonjë shkelje dhe tha gjatë bastisjeve se hetuesve u ishte dhënë “qasje e plotë” në apartamentin e tij, duke shtuar se ai po bashkëpunonte me autoritetet.
    “Pa Humbur Asnjë Ditë”Përpjekjet diplomatike vijnë gjithashtu teksa Rusia ka nisur një seri sulmesh të mëdha ajrore kundër Kievit dhe pjesëve të tjera të Ukrainës, duke ndërprerë energjinë elektrike për qindra mijëra njerëz në të gjithë vendin, ndërsa temperaturat kanë filluar të bien ndjeshëm.
    Sulmet vranë të paktën tre persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë, duke e shtyrë Zelenskyn të përsërisë thirrjen e tij për armë shtesë mbrojtëse për të mbrojtur qytetet ukrainase.
    “Duhet të punojmë pa humbur asnjë ditë për të siguruar që të ketë mjaftueshëm raketa për sistemet tona të mbrojtjes ajrore dhe që gjithçka e nevojshme për mbrojtjen tonë dhe për presion ndaj Rusisë të jetë në vend”, tha ai.
    Ukraina ka goditur objektiva brenda Rusisë që, sipas Kievit, përdoren për të mbështetur përpjekjet e Kremlinit në luftë.
    Ushtria ukrainase tha se ka goditur rafinerinë e naftës Afipski në rajonin Krasnodar të Rusisë herët më 29 nëntor, si dhe uzinën e aviacionit ushtarak Beriev në rajonin e Rostovit.
    Ndërkohë, burime i thanë Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e lirë se dy cisterna të së ashtuquajturës “flotë në hije” – Kairo dhe Virat – që përdoren nga Rusia për të eksportuar naftë duke shmangur sanksionet perëndimore, u sulmuan me dronë detarë në Detin e Zi.
    “Dronët detarë të modernizuar Sea Baby u përdorën me sukses ndaj anijeve”, tha burimi, i cili kërkoi të mos identifikohej pasi nuk ishte i autorizuar që të fliste publikisht për këtë operacion./REL

  • Zelensky nën presion: Marrëveshje e dyshimtë ose asnjë marrëveshje

    Zelensky nën presion: Marrëveshje e dyshimtë ose asnjë marrëveshje

    Bota E Premte, 28 Nëntor 2025 14:01
    Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë pas afatin e Ditës së Falënderimeve për një marrëveshje në Ukrainë, pavarësisht synimit të tij për t’u dukur paqebërës. Kjo tregon se nisma e tij e paqes, përfshirë takimin e dërguarit të tij Steve Witkoff me Kremlinin, ka shumë gjasa të mos prodhojë një marrëveshje të menjëhershme që të ndalojë pushtimin rus.
    Hendekët midis Kievit dhe Moskës mbeten të mëdha. Vladimir Putin refuzon çdo propozim që nuk e lë atë në kontroll të rajonit të Donetskut, dhe kjo ka gjasa të mos ndryshojë. Propozimet amerikane heqin disa lëshime kyçe, të cilat as Ukraina dhe aleatët e saj nuk i konsiderojnë të mençura, duke rritur skepticizmin për sinqeritetin e Moskës.

    Negociatat e tanishme krijojnë një iluzion progresi: mendimi se mund të negociohet një marrëveshje me Ukrainën dhe një tjetër me Rusinë duket i tundueshëm, por në praktikë nuk zgjidh konfliktin. Shumica e planeve të propozuara përfshijnë ide teorike rreth aleancave, financimit dhe kufizimeve, të cilat mund të ndryshojnë ose zhduken pas nënshkrimit.

    Zelensky duhet të peshojë rreziqet: garancitë e ardhshme të sigurisë nga SHBA dhe Europa kundrejt humbjes së Donetskut dhe ndikimit të saj politik dhe ushtarak. Çdo marrëveshje ka rreziqe të mëdha, dhe nëse Kremlini nuk e respekton, Ukraina nuk ka zgjidhje reale.

    Situata në terren mbetet kritike: ushtria ukrainase përballet me mungesë fuqie punëtore dhe financim të pasigurt nga aleatët. Rusia avancon në Zaporizhzhia, Pokrovsk dhe Kupiansk, dhe pjesa tjetër e Donetskut nën kontrollin e Kievit është e rrezikuar. Qendra ushtarake e Kramatorskut është në shënjestër të sulmeve me dronë. Llogaritja kryesore e Kievit nuk është të rimarrë territorin, por të detyrojë Rusinë të dorëzohet e para.
    Për momentin, shpresa e Kievit dhe aleatëve është të mbajnë Rusinë të shtrirë dhe të zvogëlojnë përparimin e saj. Por realiteti i komplikuar i konflikteve, krizave diplomatike dhe kufizimeve ushtarake e bën një marrëveshje paqeje të vështirë për t’u arritur. Dërguesi i Trump, Witkoff, pritet të dëgjojë sërish nga Putin refuzimin për të lëshuar Donetskun, duke e vendosur Zelenskyn përballë një tjetër rrethi presioni dhe afatesh të pasigurta.

  • Mark Rutte: Rusia nuk ka as votë dhe as të drejtë vetoje për anëtarësimin e Ukrainës në NATO

    Mark Rutte: Rusia nuk ka as votë dhe as të drejtë vetoje për anëtarësimin e Ukrainës në NATO

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Rusia “nuk ka as votë dhe as të drejtë vetoje” në procesin e anëtarësimit të Ukrainës në Aleancë, duke hedhur poshtë çdo ide që parashikon përjashtimin e Kievit nga NATO.
    Në një intervistë për El País dhe rrjetin gjerman RND, Rutte theksoi se Traktati Themelues i Uashingtonit lejon që çdo vend i rajonit euro-atlantik të aplikojë për anëtarësim dhe se Moska nuk mund të ndikojë në këtë proces. Deklaratat e tij erdhën pas publikimit të planit 28-pikësh të SHBA për përfundimin e luftës, ku fillimisht parashikohej një klauzolë që i kërkonte NATO-s të angazhohej se “nuk do ta pranonte kurrë Ukrainën si anëtare”. Drafti është rishikuar dhe tashmë është reduktuar në 19 pika, duke zbutur elementet e konsideruara pro-ruse, ndërsa një propozim alternativ evropian e hedh plotësisht poshtë idenë e ndalimit të Ukrainës.
    Rutte tha se ndonëse disa aleatë aktualisht kundërshtojnë anëtarësimin e menjëhershëm të Ukrainës, pozicioni i NATO-s mbetet i pandryshuar dhe se viti i kaluar vendet anëtare e shpallën të “pakthyeshme” rrugën e Kievit drejt Aleancës, qëndrim të cilin ai e ka përsëritur edhe në kushtet e kundërshtimit nga Presidenti Trump dhe disa shtete të tjera.

    Ai u shpreh se plani i fundit i paraqitur pas bisedimeve diplomatike në Gjenevë përbën një “bazë të mirë për diskutime të mëtejshme”, por se çdo marrëveshje paqeje do të duhet të shoqërohet me një proces të veçantë konsultimesh mes NATO-s dhe vendeve anëtare.
    Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se askush nuk mund të marrë vendime për Ukrainën pa përfshirjen e institucioneve evropiane dhe të NATO-s, duke theksuar: “Asgjë për Evropën pa Evropën, asgjë për NATO-n pa NATO-n”.
    Rutte bëri të ditur gjithashtu se Aleanca do të dorëzojë rreth 5 miliardë dollarë armë për Ukrainën deri në fund të vitit, pjesë e një plani të udhëhequr nga NATO që parashikon blerjen e armëve amerikane nga vendet evropiane për nevojat e Kievit. Deri tani, 11 shtete kanë kontribuar në pesë paketa prej nga 500 milionë dollarë secila, ndërsa paketa e gjashtë pritet të finalizohet brenda ditëve të ardhshme.
    Ai paralajmëroi se edhe në rast të një marrëveshjeje paqeje, kërcënimi rus ndaj sigurisë evropiane nuk do të zhduket. “Rusia do të mbetet një rrezik afatgjatë për një kohë shumë të gjatë”, u shpreh kreu i NATO-s.

  • BE: Çdo plan paqeje për Ukrainën duhet të ketë miratimin e Kievit dhe Evropës

    BE: Çdo plan paqeje për Ukrainën duhet të ketë miratimin e Kievit dhe Evropës

    Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka reaguar pas qarkullimit të lajmeve se SHBA-ja dhe Rusia kanë hartuar një plan për fundin e luftës në Ukrainë, i cili do të kërkonte kapitullimin e Kievit. Kallas ka deklaruar çdo plan paqeje për Ukrainën kërkon mbështetjen e Kievit dhe Evropës.
    Drafti i planit, i cili thuhet se u zhvillua nga i dërguari i Donald Trumpit, Steve Witkoff, dhe këshilltari i Kremlinit Kirill Dmitriev, do të detyronte masa “drakoniane” mbi Ukrainën që do t’i jepnin Rusisë kontroll të paparë mbi sovranitetin ushtarak dhe politik të vendit. Plani ka të ngjarë të shihet si dorëzim nga Kievi zyrtar, raporton The Guardian.
    Financial Times dhe Reuters raportuan se propozimi do t’i kërkonte Ukrainës të dorëzonte territorin që kontrollon në lindje të vendit dhe të përgjysmonte madhësinë e ushtrisë së saj, kushte që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në të kaluarën i ka quajtur të papranueshme.

    Kushte të tjera përfshijnë kufizimin e ndihmës ushtarake amerikane dhe kategoritë e armatimeve të përdorura nga ushtria ukrainase.

  • Ukraina në krizë për ushtarë, kryebashkiaku i Kievit, Vladimir Klitschko: Të ulet mosha e rekrutimit në 22 vjeç

    Ukraina në krizë për ushtarë, kryebashkiaku i Kievit, Vladimir Klitschko: Të ulet mosha e rekrutimit në 22 vjeç

    Ukraina po përjeton një krizë të thelluar në mobilizimin ushtarak, ndërsa një numër gjithnjë e më i madh burrash po largohet drejt vendeve të Evropës, paralajmëroi kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, në një intervistë për Global Reporter Network.

    “Sot përballemi me vështirësi serioze për të plotësuar radhët e ushtrisë”, u shpreh Klitschko, duke theksuar ndikimin e rëndë që ka pasur lufta shumëvjeçare në aftësinë e vendit për të mbushur sërish radhët e forcave të tij pas gati katër vitesh përplasje të pandërprera.
    Sipas tij, trupat ruse po avancojnë vazhdimisht.
    “Sulmet e tyre duken si një lojë kompjuterike, ata vazhdojnë të vijnë, pa ndaluar dhe pa marrë parasysh humbjet e veta”, tha kryebashkiaku i Kievit.
    Klitschko sugjeroi uljen e moshës së rekrutimit nga 25 vjeç që është aktualisht në 23 ose edhe 22 vjeç.
    “Në të kaluarën, 18-vjeçarët shërbenin në ushtri, por ata janë fëmijë”, tha ai.
    “Tani për tani, në Ukrainë mund të mobilizohesh vetëm nga mosha 25 vjeç. Mund ta ulësh atë moshë me një ose dy vjet në 23 ose 22 vjeç”, shtoi kryebashkiaku.
    Klitschko shprehu gjithashtu shqetësim për eksodin në rritje të ukrainasve të rinj. Një dekret qeveritar i lëshuar në gusht që u lejon burrave të moshës 18 deri në 22 vjeç të largohen nga vendi ka përkuar me një rritje të ndjeshme të aplikimeve për mbrojtje të përkohshme në vendet e BE-së.
     

    Top Channel

  • Viktima në sulmin rus ndaj Kievit, Moska njofton se ka rrethuar 5,000 trupa ukrainase në Kupyansk

    Viktima në sulmin rus ndaj Kievit, Moska njofton se ka rrethuar 5,000 trupa ukrainase në Kupyansk

    Tre persona u vranë dhe 29 të tjerë u plagosën, përfshirë gjashtë fëmijë, pas një sulmi rus në lagjen Desna të Kievit. Sipas kryetarit të bashkisë, Vitali Klitsko, mbeturinat nga disa dronë goditën një ndërtesë banimi, duke shkaktuar zjarr që u përhap në disa kate. Për pasojë shtatë persona u  plagosën, përfshirë dy fëmijë, u shtruan në spital.
    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dënoi sulmet, duke theksuar se Rusia vazhdon të synojë ndërtesat e banimit, fëmijët dhe infrastrukturën civile. Ai tha se vetëm gjatë kësaj jave Rusia ka përdorur mbi 1,200 dronë sulmi dhe 1,360 bomba ajrore kundër Ukrainës.
    Në frontin lindor, ushtria ruse pretendon se ka rrethuar mbi 10,000 trupa ukrainase në rajonet e Kharkivit dhe Donetskut. Sipas Kremlinit, 5,000 ushtarë ukrainas janë të bllokuar në zonën e Kupyanskut dhe mbi 5,500 në atë të Pokrovskut. Presidenti Vladimir Putin, gjatë një vizite në një qendër komanduese ushtarake, urdhëroi forcat ruse të sigurojnë dorëzimin e trupave ukrainase dhe të minimizojnë humbjet e jetëve njerëzore, raportojnë mediat ruse.
    Ndërkohë, Moska njoftoi testimin me sukses të raketës së re balistike ndërkontinentale me fuqi bërthamore 9M730 Burevestnik, e cila përshkoi 14,000 kilometra në 15 orë.
    Shefi i Shtabit të Përgjithshëm rus, Valery Gerasimov, e përshkroi raketën si “të pakrahasueshme në botë”, ndërsa Putin theksoi se testet tregojnë fuqinë teknologjike të Rusisë.
    Ndërsa Zelensky u bëri thirrje aleatëve perëndimorë për më shumë sanksione dhe presion të koordinuar ndaj Moskës.

  • Sa mund të rezistojë Ukraina nëse ndalojnë furnizimet ushtarake amerikane?

    Sa mund të rezistojë Ukraina nëse ndalojnë furnizimet ushtarake amerikane?

    Nga Gianluca Di Feo, la Repubblica
    Dhurimi falas i pajisjeve ushtarake ka përfunduar në fillim të verës, por presioni i Shtëpisë së Bardhë për të gjetur një zgjidhje të konfliktit mund të sjellë bllokimin edhe të shitjeve të armëve.
    Një perspektivë që ngarkon Europën dhe disa pak vende të tjera, Kanada dhe Australi, me peshën për të mbështetur rezistencën e Kievit.
    Statistikat e fundit të Institutit Kiel, që është bërë termometri i kontributit perëndimor ndaj qeverisë Zelensky tregojnë se edhe BE-ja dhe Britania e Madhe kanë ulur fondet.
    Në korrik dhe gusht kanë rënë nga 3.85 miliardë euro për 2024 në 1.65 miliardë, me një rënie prej 57 për qind. Ka kryesisht një problem: Ukraina ka nevojë për bateritë më të fundit të mbrojtjes ajrore Patriot, të quajtura Pac 3, të vetmet që mund të ndalojnë raketat balistike dhe hipersonike ruse.
    Mekanizmi i vendosur nga Donald Trump në korrik parashikon që të gjitha pajisjet amerikane të blihen nga vendet e NATO-s dhe më pas t’u dërgohen Kievit.
    Një procedurë që kërkon autorizim nga Kongresi dhe shpesh prodhim të ri të raketave, ndërsa donacionet e administratës Biden merren direkt nga magazinat e Ushtrisë së SHBA-së.
    Aktualisht, vetëm disa raketa “Patriot” të paguara nga Gjermania në qershor sipas këtij sistemi kanë mbërritur në front.
    Berlini i ka marrë nga sasitë e porositura vite më parë për ushtrinë e vet dhe janë dashur pothuajse katër muaj nga porosia deri në dorëzimin e pjesës së parë.
    Çështja e mbrojtjes ajrore
    Sot Zelensky tha se ka nisur negociatat me kompani të sektorit të mbrojtjes për të përgatitur një kontratë për 25 sisteme Patriot.
    Pritet të kalojë shumë kohë para se të jenë gati. Aktualisht, Raytheon-it i duhen 12-14 muaj për të ndërtuar një bateri, që përbëhet nga një radar, një qendër komandimi dhe katër lansues.
    Linja e prodhimit përfundon në total gjashtë raketa në vit, që duhet të rritet në 18 deri në 2027, falë një fabrike të re.
    Sa i përket raketave, të dhënat e fundit tregojnë se deri në fund të 2025 në SHBA do të prodhohen 800 në vit, me rritje graduale deri në 1000, ndërsa në fund të 2026 do të hapet edhe një fabrikë në Gjermani.
    I gjithë prodhimi është tashmë i lidhur me porositë e bëra që nga 2019 nga 19 vende: nëse ndonjë nuk heq dorë nga porosia, çdo bateri për Ukrainën do të shkojë në radhë dhe do të jetë gati pas 2030.
    Sulmet ajrore pa pengesa
    Vetë Zelensky ka folur për një “listë pritjeje”, por Kievi nuk mund të presë.
    Patriotët janë mburoja thelbësore. Në sulmet e javëve të fundit, Moska ka përdorur një numër të paprecedentë raketash balistike, edhe njëzet e dy në një natë, që shkatërrojnë fabrikat ushtarake dhe infrastrukturën energjetike.
    Shtabi i përgjithshëm ukrainas, zakonisht optimist, në gusht pretendonte se interceptonte 33 për qind, por në shtator rezultati ra në 6 për qind dhe po përkeqësohet.
    Në praktikë, ky lloj sulmesh nuk ka më pengesa. Dhe fakti që janë të përqendruara kundër industrive ushtarake ndikon në kapacitetin e rezistencës së vendit, i cili kishte arritur të prodhonte thuajse gjysmën e pajisjeve në vend.
    Censura e Kievit mohon informacionet për këto sulme, por duket se qëllimi kryesor janë linjat e montimit të dronëve me rreze të gjatë: në kryeqytet është bombarduar linja e prodhimit e sapohapur e Bayraktar turk, dhe të tjera janë shkatërruar në Dnipro dhe Lviv.
    Mungesa e alternativave
    A ka alternativa? Javët e fundit janë vërejtur lëvizje nga Izraeli, që ka larguar nga shërbimi Patriotët e tij pjesërisht të subvencionuar nga SHBA-të.
    Është spekuluar që dy bateri janë dërguar në Ukrainë, por ato janë modele të vjetra. Franca dhe Italia kanë dhuruar dy bateri të raketave Samp-T, që kanë një kapacitet të kufizuar për të ndaluar raketat balistike ruse, por sipas zërave kanë mbetur pa municione në fillim të verës.
    Prodhimi i interceptuesve Aster 30 nga konsorciumi europian Mbda ka pasur rritje të ngadalshme dhe kërkesat janë shumë të mëdha. Vetëm vitin tjetër do të ketë një rritje të konsiderueshme të furnizimeve dhe do të jenë të disponueshme edhe versionet e reja për ndalimin e raketave balistike.
    Municionet dhe tanket mungojnë. Pa SHBA-në do të ketë vështirësi edhe për gjetjen e plumbave të artilerisë kalibri 155mm. Edhe në këtë rast, në BE po përpiqen të rivitalizojnë fabrikat, por nuk ka ende mundësi për të siguruar sasinë e municioneve që harxhohen në fushat e betejës.
    Do të ketë gjithashtu mungesë të mjeteve të blinduara të rënda, si tanket dhe automjetet e luftës me zinxhirë Ifv.
    Rezervat në depot e ushtrive europiane i janë dhënë Ukrainës, përfshirë mjete të vjetra si blindat M113 në të gjitha versionet.
    Tani, edhe tanket e vjetër Leopard 1 janë shumë të kërkuara dhe nuk gjendet asgjë për të zëvendësuar humbjet në Donbas apo Zaporizhzhia.
    Në Evropë sot prodhohen shumë pak tanket Leopard 2 dhe të gjitha ushtritë po i modernizojnë ato që kanë në përdorim. Asnjë nuk është i gatshëm t’i japë ato që ka, të cilat i konsideron të pamjaftueshme për mbrojtjen kombëtare.
    Fabrikat nën goditje
    Fabrikat e Kievit prodhojnë mjete me rrota, si për transportin e këmbësorisë, ashtu edhe topa vetëngarkues.
    Me ndihmën e Danimarkës dhe Britanisë së Madhe po montohen raketat cruise Flamingo, më të fuqishmet për të goditur territorin rus, që deri tani janë përdorur kundër objektivave 500-600 km larg.
    Por industritë e reja ushtarake ruse, si kompleksi i Yalabuga që prodhon mijëra dronë Shahed-Geran, janë vendosur shumë më larg.
    Vetëm raketat cruise Tomahauk amerikane mund t’i arrijnë, por në këtë fushë tashmë ka një bllokim amerikan. Paratë nuk mjaftojnë. Skema që ka parasysh presidenti Zelensky është mjaft e errët.
    Një grup shtetesh evropiane, fillimisht Franca, kërkon përdorimin e 300 miliardë eurove nga investimet ruse të sekuestruara për të financuar blerjet ushtarake për Ukrainën.
    Tani kërkohet një formulë, si garanci për hua, për të kthyer edhe kapitalin në mjet rezistence. Edhe sikur këto para të vihen në dispozicion, pa Shtëpinë e Bardhë mbetet e pazgjidhur problemi kryesor: ku të gjenden armët për t’u blerë?
    Ka vetëm një rrugë për të zgjatur luftën e ukrainasve: të dorëzohen pajisjet që janë në arsenalet evropiane.
    Një lëvizje që qeveritë e BE-së nuk e marrin në konsideratë: përparësi ka fuqizimi i forcave të armatosura dhe krijimi i rezervave, për shkak të frikës se mund të ndodhë një përplasje me Rusinë në të ardhmen e afërt.

  • Bombardimet ruse në Kiev, 2 milionë ukrainas mbetën pa ujë, goditet sërish infrastruktura energjitike

    Bombardimet ruse në Kiev, 2 milionë ukrainas mbetën pa ujë, goditet sërish infrastruktura energjitike

    Bombardimet ruse gjatë natës kanë shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me ujë për rreth 2 milionë konsumatorë në Kiev, raportoi zëvendëskryeministri Oleksiy Kuleba në një postim në Telegram.

    Ai tha se 4 mijë ndërtesa në kryeqytet janë pa ujë dhe se ekipet e riparimit janë duke punuar për të rikthyer furnizimin me ujë.
    Kjo vjen pas një “sulmi masiv” të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, i cili ka lënë disa zona të Kievit pa energji elektrike. Kremlini, sipas deklaratave të zyrtarëve ukrainas, ka përdorur sërish strategjinë e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike për të krijuar kushte të vështira për ukrainasit përpara dimrit të ashpër.
    Në fund të shtatorit, Rusia nisi sulme të përhershme ndaj objekteve energjetike, përfshirë impiantet e gazit dhe energjisë elektrike. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se sulmet e fundit janë përgjigje ndaj “sulmeve terroriste” që sipas saj janë kryer nga regjimi i Kievit në territorin rus.
    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi këtë sulm si “cinik dhe të llogaritur”, duke theksuar se Rusia po synon të shkatërrojë çdo gjë që mbështet jetën normale, duke përdorur më shumë se 450 dronë dhe mbi 30 raketa për të sulmuar infrastrukturën jetike.
    Guvernatori i rajonit të Kievit, Mykola Kalashnik, theksoi se “qëllimi i Rusisë është të na lërë në errësirë, pa ujë dhe ngrohje”, duke raportuar gjithashtu se rreth 28 mijë familje janë pa energji elektrike në Brovary dhe Boryspil. Ndërprerjet e energjisë kanë prekur edhe më shumë se 16,500 familje dhe 800 biznese në rajonin e Poltavas, tha guvernatori Volodymyr Kogut.

    Top Channel

  • Orban shpërthen ndaj Kievit: “Ukraina nuk është shtet sovran, financohet nga Perëndimi”

    Orban shpërthen ndaj Kievit: “Ukraina nuk është shtet sovran, financohet nga Perëndimi”

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka thënë të hënën se Ukraina nuk është shtet sovran, teksa iu përgjigjur akuzave se dronët hungarezë të zbulimit kanë hyrë në hapësirën ajrore të saj – një tjetër rast që i ka tensionuar marrëdhëniet mes Kievit dhe Budapestit.
    “Ukraina nuk është në luftë më Hungarinë, është në luftë më Rusinë. Ajo duhet të shqetësohet për dronët në kufirin e saj lindor”, ka thënë kryeministri hungarez gjatë një bisede të realizuar në një podkast me bindje të krahut të djathtë.
    “Unë iu besoj ministrave të mi, por le të themi se dronët kanë hyrë disa metra atje, dhe çka ndodhi? Ukraina nuk është shtet i pavarur. Ukraina nuk është shtet sovran. Ukraina financohet prej nesh, e financon Perëndimi edhe me armë”, ka deklaruar Orbani.
    Në një përgjigje ndaj komenteve të Orbanit, ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, ka thënë në një postim në X – dikur Twitter – se lideri hungarez vazhdon të jetë “i helmuar nga propaganda ruse”.
    Për dallim prej pjesës më të madhe të liderëve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, Orbani i ka ruajtur lidhjet miqësore me Rusinë, dhe ka ngritur pikëpyetje për logjikën e ndihmës ushtarake të Perëndimit ndaj Kievit, qëndrim që shpesh e ka përplasur me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
    Të premten, Zelensky ka thënë se dronët e zbulimit që e kanë shkelur hapësirën ajrore të Ukrainës janë nisur prej Hungarisë për të kontrolluar potencialin industrial në zonat kufitare perëndimore.
    Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Zelensky “ka luajtur mendsh”.
    Si sinjal për rritje tensionesh mes dy vendeve, Hungaria ka thënë të hënën se do të bllokojë qasjen në 12 gazeta ukrainase, pas një veprimi të ngjashëm të Kievit.
    Më herët gjatë këtij muaji, Ukraina i ka bllokuar disa faqe online që i ka konsideruar se kanë qasje pro-ruse. Aty janë përfshirë tetë portale në gjuhën hungareze, në mesin e tyre edhe një faqe e njohur për qasje pro Qeverisë hungareze.