Tag: këshillin

  • Trump mbledh Këshillin e Sigurisë, mediat: Amerika do t’i bashkohet sulmeve ndaj Iranit

    Trump mbledh Këshillin e Sigurisë, mediat: Amerika do t’i bashkohet sulmeve ndaj Iranit

    Presidenti i Amerikës, Donald Trump po zhvillon një takim me këshillin e sigurisë kombëtare në Dhomën e Situatave, pas rritjes së tensioneve në Lindjen e Mesme. Sipas mediave, presidenti po shqyrton nëse SHBA-të duhet të përfshihen më tej në konfliktin e vazhdueshëm midis Izraelit dhe Iranit.
    Më shumë se 30 anije cisterna amerikane për furnizim me karburant janë dërguar në rajon gjatë disa ditëve të fundit për t’u përgatitur për mundësinë që Trump të vendosë t’u urdhërojë Forcave Ajrore Amerikane të ndihmojnë në furnizimin me karburant të avionëve luftarakë izraelitë ndërsa ata kryejnë sulme mbi Iranin.

    Mediat po ashtu shkruajnë se Trump po mendon t’i bashkohet luftës së Izraelit për të bombarduar impiantet bërthamore të Iranit, sidomos dhe atë të Fordoë. Teksa edhe mediat izraelite, pretendojë se Izraeli po shpreson që SHBA të bashkohet shumë shpejt në këtë përplasje me Iranin.

  • Vuçiç mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare, diskutohet mbi situatën e serbëve të Kosovës dhe Bosnjën

    Vuçiç mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare, diskutohet mbi situatën e serbëve të Kosovës dhe Bosnjën

    Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, mblodhi këtë të enjte këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku mësohet se u diskutua për situatën e sigurisë në rajon.
    Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, tha se u diskutua edhe për lidhur me një dokument të hartuar nga Gjermania dhe Franca, që ka të bëjë me Republikën Serbe dhe Bosnjën dhe Hercegovinën.
    “Ky dokument e ndërlikon pozicionin e Republikës Srpska. Seanca përcaktoi udhëzime, caktoi detyra dhe dha udhëzime se si Serbia do ta trajtojë këtë”, tha Shefi i shtabit të forcave të armatosura.
    Sa i përket Kosovës, ai sqaroi se u diskutua lidhur me problematikat e ndryshme që kalojnë serbët në Kosovë.
    “Ne jemi dëshmitarë çdo ditë, pa precedent, të zbatimit të hapave të njëanshëm që kërcënojnë pakicat, në këtë rast serbët”, shtoi zyrtari i lartë i ushtrisë.

  • 1 shekull zgjedhje në Shqipëri/ Shqiptarët e diasporës votuan edhe në 1921

    1 shekull zgjedhje në Shqipëri/ Shqiptarët e diasporës votuan edhe në 1921

    Më 5 Dhjetor të 1920, qeveria e asaj kohe shpalli ligjin për zgjedhjen e deputetëve në Këshillin Kombëtar sot e njohur si Parlamenti Shqiptar.
    “Zgjedhjet e 5 Prillit të vitit 1921, nxorrën parlamentin e parë Shqiptar. 75 deputetë u zgjodhën në Kuvend si përfaqësues të popullit, ku të drejtë vote kishin vetëm meshkujt mbi 20 vjeç. Por si ishte atë kohe formula e votimit?”, raportoi gazetarja e Tv Klan, Anisa Krraba.
    “Zgjedhjet do të bëheshin siç ishin bërë deri në atë kohë, pra me votim indirekt, ku për çdo 500 veta dilte një zgjedhës i dytë dhe, me anë të zgjedhjeve të dyta, për çdo 12 mijë veta një deputet. Të drejtë vote kishin vetëm meshkujt mbi 20 vjeç dhe që banonin të paktën prej 6 muajsh në vendin e votimit”, tha Enriketa Papa, historiane.
    Në këtë Rregullore të vitit 1921, që ruhet në Arkivin e Shtetit tregohet mënyra e votimit. Ka 2 mënyra, një i quajtur i fshehtë, dhe tjetri sheshazi, që realizohet me të ngritur të dorës, ose me letra me ngjyrë të bardhë dhe të zezë ku janë emrat e kandidatëve.
    Diferencë nga sot ka edhe në moshën për t’u bërë deputet. 121 vite më parë nuk mund të kandidoje nën 30 vjeç.
    Historiania Enriketa Papa thotë se faktet historike tregojnë se vota e diasporës nuk është risi, por është praktikuar që në fillesat e parlamentarizmit shqiptar.
    “Në parlamentin e ’21-shit Fan Noli ka përfaqësuar diasporën shqiptare “Vatrën”, shqiptarët e Amerikës, ndaj edhe bashkësia e shqiptarëve të Amerikës ka patur në Këshillin Kombëtar përfaqësuesin e tyre. Nuk është hera e parë që Shqiptarët përtej kufirit zyrtar kanë votuar apo kanë zgjedhur direkt deputetin e tyre”, tha ajo.
    24 vite më vonë, në 1945 ju njoh e drejta e votës edhe grave, ndërsa në Arkivin e Shtetit ruhen të gjitha botimet që nga legjislatura e parë, faktet historike mbi debatet, dhe garën e fortë mes partive në një kohë kur vendi kishte nevojë për reformim.
    Tv Klan

  • Analisti i njohur rrëzon Ramën: Po shet iluzione, gjasat për anëtarësim në BE janë baras me zero…

    Analisti i njohur rrëzon Ramën: Po shet iluzione, gjasat për anëtarësim në BE janë baras me zero…

    Nga Enver Robelli

    Ka mjaft politikanë në Ballkan që ende përpiqen të krijojnë përshtypjen se anëtarësimi i vendeve të tyre në BE tashmë po duket në horizont. Më i zëshmi së fundi është kryeministri i Shqipërisë. Në prag të zgjedhjeve ai po tenton të shesë iluzionin se nëse ai qëndron edhe 4 vite në pushtet, Shqipëria do të hyjë në BE.

    Sa është realist ky premtim? Sipas një analize të gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) gjasat që vendet e Ballkanit të pranohen në BE si anëtare me të drejta të plota, janë baras me zero. Katër fjali në marrëveshjen e koalicionit për qeverinë e re në Gjermani janë lajm shumë i keq për vendet e Ballkanit. Aty thuhet: „Zgjerimi i BE-së dhe aftësia e saj për ta përthithur këtë zgjerim duhet të ecin dorë për dore. Prandaj, më së voni me zgjerimin e ardhshëm, kemi nevojë për një konsolidim të brendshëm dhe një reformë të BE-së që e forcon atë institucionalisht.“ Pastaj theksohet: „Parimi i konsenzusit në Këshillin Europian nuk duhet të kthehet në pengesë për marrjen e vendimeve. Kjo vlen në mënyrë të veçantë edhe për vendimet që ende kërkojnë votë unanime në Këshillin e BE-së.“

    Përkthyer në shqip kjo domethënë: njëherë BE duhet të reformohet, pastaj shohim e bëjmë. Reforma do të dukej kështu: për pranimin e një vendi do të mjaftonin votat e shumicës (dhe jo votat e të gjitha shteteve anëtare, siç është tani). Sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung” “kapërcimi i gjendjes aktuale – pra kalimi në mundësinë që në Këshillin Europian të merren vendime vetëm me shumicë – është i pamundur deri pothuajse i pashpresë.” Shumë shtete anëtare nuk duan të heqin dorë nga e drejta e vetos.

    Sipas FAZ, nëse BE-ja do t’i pranonte të gjitha shtetet që kanë shprehur dëshirën për anëtarësim ose me të cilat tashmë ka nisur negociatat, kjo do të kishte si pasojë që, për shembull, në politikën e jashtme nuk do të mund të merrej më asnjë vendim pa pajtimin e Beogradit, Kishinaut, Kievit, Sarajevës, Shkupit, Podgoricës, Prishtinës apo Tiranës.

    Presidenti francez Emmanuel Macron qëmoti është skeptik ndaj zgjerimit të BE-së, tani këtij pozicioni i është afruar edhe qeveria gjermane. Ekziston në mesin e disa ekspertëve një ide që vendeve të Ballkanit t’u ofrohet një anëtarësim i klasit të dytë. Sipas këtij modeli, këto vende mund të kenë qasje në tregun e përbashkët ekonomik të BE-së, por do të ishin të përjashtuara nga vendimmarrja politike.

  • Berisha flet pas takimeve me zyrtarë të lartë në Këshillin Europian

    Berisha flet pas takimeve me zyrtarë të lartë në Këshillin Europian

    Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka dhënë detaje në lidhje me vizitën e zhvilluar dje në Strasburg në Këshillin e Europës.
    Në një konferencë për shtyp, Berisha ka se ishte zëri i shqiptarëve, një gjë që kishte munguar prej kohësh.

    “U ktheva sot në mëngjes nga Strasburgu, i ftuar nga grupi i Partisë Popullore në PPE për të shkëmbyer mendime mbi gjendjen në Shqipëri. Ne këtë vizitë u prita në një takim të veçantë nga presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE, u takova me delegacione parlamentare në këtë asamble të Italisë, Suedisë dhe Greqisë.Zhvillova një takim të veçantë në Komitetin e antitorturës në këtë institucion. Takova zyrtarë e miq të shumtë. Në karrierën time, politike ky institucion është institucioni i parë që kam vizituar si president.Isha pas kaq vitesh aty si në shtëpinë time. Ishte një kënaqësi e madhe që unë dje isha zëri i të gjithë shqiptarëve në atë institucion, zë që ka munguar për kaq vite. Thashë të vërtetat pak të njohura për narko-regjimin”, tha ai.

  • RISIA – Universiteti i Shkodrës me një platformë ankesash nga studentë për sjelljet joetike apo mitmarrje të pedagogëve…

    RISIA – Universiteti i Shkodrës me një platformë ankesash nga studentë për sjelljet joetike apo mitmarrje të pedagogëve…

    Takimi i Rektorit me Këshillin Studentor: Platforma Online e Ankesave gati për Studentët.
    Siç është bërë tashmë traditë, çdo të mërkurë të parë të muajit, Rektori Gjuraj, priti në takim Këshillin Studentor për të dëgjuar dhe diskutuar mbi shqetësimet dhe sugjerimet e tyre, duke i qëndruar besnik parimit “Studenti në qendër!”
    Anëtarët e Këshillit Studentor shprehën optimizëm, duke theksuar se përfaqësojnë zërin e gjithë studentëve të UNISHK. Në fokus të takimit ishte platforma online e ankesave, e cila do të bëhet funksionale më 7 prill në faqen zyrtare të universitetit.
    Me këtë risi, çdo student do të ketë mundësinë të shprehë lirisht shqetësimet e tij mbi sjelljet joetike apo jo të përshtatshme, mitmarrjen apo çështje të tjera që lidhen me pedagogët dhe administratën.
    Transparencë, llogaridhënie dhe përmirësim i cilësisë në arsim! /Publikuar në faqen zyrtare të Universitetit “Lugj Gurakuqi” në Facebook/