Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka publikuar së fundmi një seri pyetje-përgjigje për çështje me interes të lartë publik që janë nën hetim nga Struktura e Posaçme dhe kërkohet të dihet më shumë mbi vijueshmërinë e tyre. Një çështje shumë e ndjeshme që kërkohet të merret informacion nga SPAK është se çfarë po ndodh me dosjen e “21 Janarit”. SPAK përgjigjet se çështja vijon të jetë nën hetim. Por edhe pse Prokuroria e Posaçme është treguar e rezervuar në dhënien e detajeve, avokati Idajet Beqiri që përfaqëson familjarët e viktimave në bulevard, ka paralajmëruar zhvillime “bombastike”.
Ai theksoi se ish-kryeministri Sali Berisha, personi përgjegjës që po hetohet për këto ekzekutime iu gëzua faktit që e liruan nga masa e arrestit në shtëpi për dosjen “Partizani”, por ky gëzim shtoi ai nuk do të zgjasë shumë. Sipas Beqirit, Berisha nuk do t’i shpëtojë dot krimit shtetëror, që ka kryer më 21 janar. Ai thotë se drejtësia po bën gati fletë-arrestin për Berishën. “U gëzua Saliu se iu hoq masa e arrestit në shtëpi, por do t’i vijë tjetra tani se nuk ka se nga të lëvizi për 21 janarin. Do ketë se nuk bën, sepse ajo dosje do një vendim. Strasburgu e përcaktoi fajtorin për 21 janarin, e përcaktoi se është krim shtetëror”, theksoi ai.
Hetimet e SPAK
Deri më tani nga të dhënat që janë bërë publike, SPAK ka marrë në pyetje disa dëshmitarë kyç. Para disa javësh dhanë shpjegime në Prokurorinë e Posaçme, Zabit dhe Agim Deda, vëllezërit e Hekuran Dedës. “Kam besim se ngjarja do të zbardhet,” tha Zabit Deda teksa doli nga SPAK. Ai nuk dha detaje për pyetjet e hetuesve. Nëse kthehemi pak në kohë, familja Deda ngriti ndoshta akuzën më të rëndë në adresë të qeverisë së kohës që drejtohej nga Sali Berisha: tentativën për t’u blerë heshtjen.
Zabit Deda pati deklaruar pas vrasjes së vëllait se Fatos Skeja, një personazh që njihej për lidhjet e ngushta me Partinë Demokratike dhe Sali Berishën, shkoi në shtëpinë e tyre, iu kërkoi të pranonin ish-kryeministrin për ngushëllim dhe iu premtoi para. Zabit, Ilmi dhe Agim Deda më vonë depozituan edhe një kallëzim penal në prokurorinë e Tiranës, ku kërkonin hetimin e Fatos Skejës për akuzat e “Moskallëzimit të krimit” dhe “Kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Në kallëzimin e depozituar asokohe në institucionin e akuzës, vëllezërit e Hekuran Dedës pretendonin se dy ditë pas tragjedisë, një mik i familjes i telefonoi dhe iu kërkoi të pranonin për kafe ngushëllimi Fatos Skejën.
Ata pretendonin se rreth orës 22:00-22:30 të mbrëmjes së 23 janarit, mbërriti në shtëpinë e tyre miku i familjes bashkë me Skejën. Sipas tyre, pasi piu kafen ngushëlluese, Skeja iu kërkoi të tre vëllezërve të dilnin bashkë me të dhe jashtë ambienteve të shtëpisë iu kërkoi të prisnin Berishën për kafe ngushëllimi. “Na kërkoi që Sali Berisha të vinte si njeri i thjeshtë, pa kamera,” pretendonin në atë kohë vëllezërit e viktimës Hekuran Deda. Sipas tyre, Skeja iu ofroi para dhe iu garantoi se do t’ju gjente vrasësin e vëllait. Vëllezërit e Hekuran Dedës, sikurse pretenduan edhe publikisht, e refuzuan marrëveshjen që u ofroi Fatos Skeja, madje e kallëzuan edhe në prokurori, pasi pretendonin se ai kishte dijeni për krimin. Megjithatë, hetimet asokohe nuk dhanë asnjë rezultat. Pikërisht këtë moment duket se po heton SPAK.
Detajet
Prokurorët kanë marrë në pyetje për 21 janarin dhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ish-drejtorin e policisë së shtetit Hysni Burgaj, zëvendësin e tij Agron Kuliçaj dhe deputetin e PS, Xhemal Qefaliaj. SPAK ka regjistruar procedimin penal për 3 vepra “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Nga vrasja e katër demonstruesve në bulevard (Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj) drejtësia ka zbardhur vetëm dy prej tyre, të Ziver Veizaj dhe Faik Myrtaj, për të cilët drejtësia shqiptare ka dhënë vetëm 4 vite burg në total për vrasje nga pakujdesia. Ndërsa mbeten ende pa autor vrasja e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës. Por të gjithë familjarët e katër viktimave kërkojnë që tanimë hetimit të zbulojë edhe funksionarët që urdhëruan për tu qëlluar me armë zjarri. Kujtojmë se Gjykata e Strasburgut i ka cilësuar këto vrasje shtetërore dhe të hetuara jo mirë nga drejtësia e vjetër.