Tag: këngës

  • Përfaqësoi Kroacisë në Eurovision, këngëtari: Israeli nuk duhet të marrë pjesë, as Ukraina. Kjo bëhet shumë politike

    Përfaqësoi Kroacisë në Eurovision, këngëtari: Israeli nuk duhet të marrë pjesë, as Ukraina. Kjo bëhet shumë politike

    Showbiz E Martë, 20 Maj 2025 15:13
    Marko Bosnjak përfaqësoi Kroacinë në ”Eurovision 2025” dhe ka ndarë mendimin për pjesëmarrjen e vendeve si Israeli dhe Ukraina. Duhet thënë që në natën finale, ai u pa teksa votonte për Shqipërinë.
    ”Tani që ky konkurs ka mbaruar, më në fund mund të ndaj disa momente për të ndarë mendimet dhe opinionet e mia rreth drejtësisë dhe logjikës që qëndron pas gjithë kësaj, sepse mendoj se shumë gjëra në Festivalin e Këngës në Eurovision nuk kanë absolutisht asnjë kuptim, veçanërisht në lidhje me këtë person që po poston gjëra për mua”,-thotë artisti.

    Për të Israelit duhet t’i ndalohet pjesëmarrja në Festivalin e Këngës në Eurovision sepse po kryen gjenocid kundër popullit palestinez. Bosnjak mendon se vendet që janë të përfshira në luftë krijojnë një atmosferë të ndërlikuar në Festival.
    ”Rusia nuk është në Festivalin e Këngës në Eurovision sepse po bombardon në mënyrë aktive një komb tjetër dhe nuk ka asnjë justifikim për këtë. Por nëse më pyet mua, nëse ndonjë vend merr pjesë në një luftë pavarësisht nëse është agresori apo vendi që po sulmojnë ata nuk duhet të marrin pjesë në Festivalin e Këngës në Eurovision. Unë e di që Bosnja dhe Hercegovina mori pjesë në Festivalin e Këngës në Eurovision ndërsa ishte në luftë, ata e lanë Sarajevën nën zjarr snajperësh. Kjo bëhet shumë politike. Festivali i Këngës në Eurovision pretendon se nuk është politik, por ne e dimë se kjo nuk është e vërtetë. Është padyshim shumë i politizuar. Ukraina është fituesja e gjysmëfinales së parë, Izraeli e të dytës”,-tha Marko, ndër të tjera.

  • “Beteja” e paepur e një socialisti simpatik me Izraelin

    “Beteja” e paepur e një socialisti simpatik me Izraelin

    Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka bërë thirrje që Izraeli të përjashtohet nga ngjarjet kulturore ndërkombëtare, siç është Konkursi i Këngës në Eurovision, për shkak të luftës në Gaza, ashtu siç Rusisë iu ndalua kjo pas pushtimit të Ukrainës.
    “Nuk mund të lejojmë standarde të dyfishta, madje as në kulturë”, tha Sanchez, një socialist dhe kritik i hershëm i politikës izraelite në territorin e pushtuar palestinez, raportoi Reuters.
    “Unë besoj se askush nuk u trondit tre vjet më parë kur Rusia u përjashtua nga garat ndërkombëtare si Eurovision pasi pushtoi Ukrainën. Prandaj, as Izraeli nuk duhet të marrë pjesë”, tha ai.
    Sanchez u bëri thirrje artistëve të mbrojnë vlera si demokracia dhe paqja, duke kritikuar ata që mbrojnë një “sektor kulturor të zbehtë dhe të heshtur”.
    Kujtojmë se ditë më parë, Sanchez e quajti Izraelin qartë një shtet gjenocidal, duke thënë se për këtë arsye Spanja nuk do bëjë tregëti me të.
    Kërkesat për transparencën e votimit
    Transmetuesi publik belg flamand VRT i ka kërkuar Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) transparencë në lidhje me votimin në edicionin e 69-të të Konkursit të Këngës Eurovision që u mbajt në Bazel.
    Zëdhënësja e VRT, Yasmine Van der Borght, deklaroi se nuk ka indikacione se numërimi i votave në të ashtuquajturin televotim nuk është bërë siç duhet, por ata po kërkojnë transparencë të plotë nga EBU-ja.
    “Pyetja kryesore është nëse sistemi aktual garanton dhe pasqyron mendimet e shikuesve dhe dëgjuesve“, tha ajo.
    VRT lëshoi ​​deklaratën e saj pasi transmetuesi publik spanjoll RTVE kërkoi që EBU të kryente një hetim mbi rezultatet e votimit të transmetuar televiziv të së shtunës. RTVE e konsideron të çuditshme që, pavarësisht protestave kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision, përfaqësuesi izraelit mori numrin maksimal të pikëve nga votuesit televizivë në Spanjë.
    Shqetësim për mbijetesën e garës
    Më parë, transmetuesi publik spanjoll bëri thirrje për një diskutim të hapur në lidhje me pjesëmarrjen e Izraelit në garat e ardhshme. VRT mbështet kërkesën e RTVE dhe lëshon përsëri “një thirrje të qartë për të marrë pjesë në debat me të gjitha kombet, nga angazhimi dhe shqetësimi i vërtetë për mbijetesën e garës”.
    “Ne në VRT vërejmë se Festivali i Këngës në Eurovision, siç organizohet aktualisht, po bëhet gjithnjë e më pak një ngjarje unifikuese dhe apolitike. Është gjithnjë e më shumë në kundërshtim me standardet dhe vlerat e tij origjinale dhe me standardet dhe vlerat e transmetimit publik.”
    “Në shumë nivele, VRT bashkëpunon mirë me EBU-në. Megjithatë, pa përgjigje serioze në lidhje me shqetësimet tona në lidhje me Festivalin e Këngës në Eurovision, ne do ta rishqyrtojmë pjesëmarrjen tonë në të ardhmen”, thuhet në deklaratë.
    Konkursi i Këngës në Eurovision, i cili thekson neutralitetin e tij politik, u përball përsëri me polemika gjatë finales në Zvicër, ku fitoi këngëtari austriak JJ dhe izraeliti Yuval Raphael fitoi më shumë vota nga publiku. /tesheshi.com/

  • Trofeu i qelqtë i Eurovision, një altar i zërit njerëzor, ku arti i predikon Evropës paqe përmes këngës dhe muzikës

    Trofeu i qelqtë i Eurovision, një altar i zërit njerëzor, ku arti i predikon Evropës paqe përmes këngës dhe muzikës

    Nga Albert Vataj
    Megjithëse nuk patëm aq fat që këtë trofe ta sillnim në Shqipëri, me gjithë pretendimet e “Zjerm” të Shkodra Elektronike, ndoshta do të ishit kureshtar të mësonim diçka për këtë kupë të qelqtë, që nuk u bë e jona, por na ftoi në sfidën e magjishme të këngës, duke na mbledhur të gjithëve së bashku si në një kremte.Në një botë të ndarë nga kufijtë, gjuhët dhe historitë, është zëri ai që gjen udhë për të kaluar nga një zemër në tjetrën, pavarësisht gjuhëve, diversitetit të kulturave dhe qasjeve estetike të shpërfaqjes së përkatësive identitare që vijnë në një nga evenimentet më prestigjozë të këngës dhe muzikës në kontinentin plak që për tre netë festive ai rinohet dhe merr vitalitet prej shpirtit të ritmit dhe energjive që vijnë për të dëshmuar se arti është puls dhe ritëm.Dhe kjo stoli e Eurovision Song Contest është më shumë se një kupë, është një simbol artistik i trashëguar dhe personalizuar çdo vit, me një histori dhe dizajn të veçantë që përmbledh frymën e festivalit, është një trofe, sa delikat aq edhe monumental, që e përmbledh këtë udhëtim si një metaforë e qartë, mikrofoni prej qelqi i Eurovisionit.Në dukje i thjeshtë, në formën e një mikrofoni të viteve ’50, ai mban brenda të gjithë historinë e këtij festivali, një histori që nisi më 1956, në rrënojat emocionale të Luftës së Dytë Botërore, si një thirrje për të krijuar bashkim përmes muzikës. Jo rastësisht, trofeu është i tejdukshëm. Ai nuk fsheh asgjë, si një ftesë për sinqeritet, për transparencë ndjenjash. I punuar nga duart e mjeshtërve të Kosta Boda-s, në Suedi, ky trofe nuk është vetëm një çmim, është një dëshmi.Peshon rreth 3.5 kilogramë, 27 cm i gjatë, dhe megjithatë mbart shumë më shumë se kaq, sinjifikon ëndrrat e një artisti, krenarinë e një kombi, dhe kujtimin e një nate që nuk harrohet. Në secilin detaj të tij, qëndron një përkushtim ndaj kujtesës dhe ritit. Kur artisti fitues e ngre atë lart, ai nuk fiton thjesht një konkurs, ai bëhet zë i një Europe që dëgjon dhe këndon bashkë.Ky mikrofon nuk ka nevojë të jetë funksional, ai nuk transmeton zë, por simbolikë. Dhe kjo është më e fuqishme. Ai është një altar i zërit njerëzor, një objekt i bukurisë që nuk këndon, por flet në heshtje për të gjithë ata që kanë guxuar të thonë diçka, në një skenë që i përket të gjithëve.Në të vërtetë, çdo vit ky trofe personalizohet, në bazën e tij gdhendet emri i fituesit dhe viti i ngjarjes, si një vulë përjetësie. Një kujtim që nuk shlyhet dot, sepse kënga që e fitoi do të vazhdojë të dëgjohet, të kujtohet, të ndriçojë netët e kujtimeve.Dhe kështu, Eurovision-i nuk është vetëm spektakël. Është një rrëfim i përvitshëm mbi dashurinë, shpresën, identitetin dhe pranimin. Dhe ky trofe, i tejdukshëm, i brishtë, i bukur, është flamurtari i këtij rrëfimi dhe rrugëtimi kremteje arti.

  • E megjithatë “Zjerm”-i i Shkodra Elektronike, ka me shndrit si një flakadan në përjetimin e adhurimit

    E megjithatë “Zjerm”-i i Shkodra Elektronike, ka me shndrit si një flakadan në përjetimin e adhurimit

    Nga Albert Vataj
    Edhe pse dëshiruam kaq shumë fitoren në sfidën evropiane të këngës, pamundësia për të triumfuar në natën finale të Eurovision 2025, nuk na heq të drejtën për të besuar se “Zjerm” i Shkodra Elektronike që përfaqësoi Shqipërinë në këtë even gjigant të këngës, se ka ardhur për të sjellë një përvëlim të fuqishëm emocionesh, që ndezi zemrat e miliona admiruesve, duke e ngritur artin shqiptar, traditën tonë të këngës në nivelet më të epërme.“Zjerm” nuk erdhi thjeshtë si një këngë, si një produksion muzikor, me protagonistët, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca dhe ndihmesën e vargëzimit të Lekë Gjeloshit, por si një zë që lind nga thellësia e shpirtit për të trokitur në ndërgjegjen tonë kolektive.“Zjerm” erdhi t’i qaset të sotmes së nevojave të ngutshme për origjinalitet dhe kreativitet, si një risi e guximshme, që kërkon jo vetëm të dëgjohet, por të ndjehet me fuqinë e një përjetimi shndrrues, të kuptohet në thelbin e fjalës dhe ritmit, metaforës dhe kushtrimit, të jetë vërshuese si një përrua që zbret për të shuar etjen e lumendjve të përfshirjes dhe ndijimit.“Zjerm” erdhi më shumë se një përfaqësim muzikor, shumë më shumë se një përvojë e thellë shpirtërore, behu si një shpërthim poetik që tejkalon kufijtë e skenës dhe kohës, që depërton thellësive të zgjimit.Ajo na kujton se arti i vërtetë nuk ka nevojë për miratim, dakordësim jurish, pendesë gjeopolitikash, apo trofe për të ndriçuar. Mjafton të jetë i vërtetë, i pastër, i guximshëm, dhe ai ka arritur të rrëmbejë fitoren më të madhe dhe arritjen më përmbushës, të bëhet pjesë e dëshirimit të njerëzve.Në një botë që vuan nga zbrazëtia e kuptimit dhe zhurma e pakuptimtë, kaosit, zhgënjimit dhe humbjes, “Zjerm” bëhet akt rezistence, një poezi e kënduar që përthyen errësirën dhe ndez shpresën, ngre altare aty ku lufta lë gërmadh. Dhe jo vetëm kaq, “Zjerm” erdhi si asnjë krijim artistik, për t’u bërë frymë e një përjetimi brezi. Ajo është në majë, edhe pse doli e 8-ta në renditjen e Eurovision, sepse ajo është një këngë që këndohet kudo, që kërcehet duke u bërë pasurim i ritmit dhe ngjyrave të së përditshmes.Sepse kjo këngë i flet shpirtit personal, ndjeshmërisë kombëtare dhe ndërgjegjes njerëzore. Ajo është një psalm modern, një vajtim i shndërruar në lutje, një plagë e shndërruar në dritë, një kambanë që ofrohet si një ftesë për paqë.Nëpërmjet saj, dëgjojmë jo vetëm zërin e Beatriçes dhe Kolës, por zërin e gruas shqiptare dhe burrave që vijnë nga eposi, të brezave që kërkojnë drejtësi, të kombeve që përpiqen për tolerancë dhe mirëkuptim, të njerëzve që duan të jetojnë me dinjitet dhe dashuri.“Zjerm” s’është një flakë që shuhet. Është një zë që mbetet, në ne, me ne, përtej nesh. Dhe në çdo rishfaqje, në çdo dëgjim të ri, ajo do të jetë sërish një thirrje për të jetuar më ndershmërisht, më thellë, më njerëzisht.“Zjerm” dhe Shkodra Elektronike, në befasitë e saj, me të cilat zuri vend privilegji, ka rrëmbyer gjithashtu vlerësime shumë pozitive nga media ndërkombëtare, duke u cilësuar si një nga hyrjet më origjinale dhe të guximshme të këtij viti, ajo përjetua si një akt artistik i pakompromis dhe i thellë, që në vend të fabulës pop, solli atmosferë, tension dhe trashëgimi të rishkruar me gjuhën e së tashmes.CNN e cilësoi “Zjerm” si këngën më të mirë të këtij viti. Rob Picheta, një nga zërat kritikë më me ndikim në mbulimin kulturor të Eurovisionit, theksoi se bëhej fjalë për një krijim “krejtësisht të ndryshëm nga çdo gjë tjetër në konkurs”. Ai vlerësoi stilin jokonvencional të dyshes dhe ndikimin që kjo këngë pati tek audienca, duke theksuar rritjen e popullaritetit në mesin e fansave ndërkombëtarë.Edhe NPR, përmes kritikut Glen Weldon, e përfshiu “Zjerm” mes dhjetë më të mirave të konkursit. Ai e përshkroi si një baladë “të fuqishme” ballkanike, me kontraste vokale dhe imazhe skenike “të gjalla”, duke e konsideruar një konkurrente të denjë për vëmendjen e jurive profesionale.Nga Suedia, kritiku Carl Petersson Moberg i Göteborgs-Posten e cilësoi performancën e Shqipërisë si “të guximshme dhe dramatike”, duke vlerësuar ndjeshmërinë e saj folktronike si një ndërthurje e rrallë e traditës me eksperimentin modern. Ai parashikoi që Shqipëria jo vetëm do të kalonte në finale, por edhe do të linte një gjurmë të fortë artistike në konkurs.Në Finlandë, Eva Frantz e Yle i dha këngës notën maksimale – 10 nga 10 – duke lavdëruar origjinalitetin, simbiozën e thellë të muzikës popullore me tingujt elektronikë, si dhe praninë e saj magnetike në skenë. Ajo madje shprehu dëshirën që, nëse vendi i saj apo Suedia nuk do të fitonin, trofeu t’i takonte Shqipërisë.Në një analizë të botuar në Vulture, kritiku Jon O’Brien e renditi “Zjerm” të dytën nga të gjitha hyrjet e këtij viti, duke veçuar përzierjen mjeshtërore të instrumenteve me tela të Lindjes së Mesme, ritmeve tribale dhe vokaleve të pazakonta si elemente që e shndërronin këtë këngë në një ndër më të arrirat artistikisht. Ai parashikoi se Shqipëria mund të siguronte rezultatin më të mirë në historinë e saj eurovizive.Ndërkaq, në El Confidencial, një kritik spanjoll e përshkroi “Zjerm” si një krijim me “thellësi të jashtëzakonshme kulturore”, më shumë se një këngë, një dëshmi poetike e rrënjëve dhe vizionit bashkëkohor shqiptar.Rolling Stone, përmes gazetarit Kiel Egging, e futi Shkodra Elektronike në listën e dhjetë artistëve që duhej ndjekur me vëmendje në Eurovision. Ai e cilësoi “Zjerm” si një prej surprizave më autentike të festivalit, duke nënvizuar potencialin e saj për një renditje të lartë, sidomos për faktin se i ishte besuar nderi për të mbyllur finalen e madhe.Ndërsa, Wiwibloggs, portali më me ndikim për fansat e Eurovisionit, i dha këngës një mesatare prej 8.40 pikësh nga juria e saj ndërkombëtare, duke e renditur të dytën ndër të gjitha pjesëmarrjet e vitit.Dhe… “Zjerm” nuk ishte një këngë që lypte dashuri, por një shfaqje që të kërkonte t’ia pranoje të drejtën për të qenë ndryshe. Në një skenë që shpesh favorizon spektaklin mbi përmbajtjen, Shqipëria këtë vit solli një formë arti që fliste me një gjuhë të vjetër dhe të re njëkohësisht. E në këtë udhëtim zëri i saj nuk mbeti vetëm. Bota e dëgjoi dhe e pranoi si një nga fjalët më të veçanta të këtij edicioni.“Zjerm” erdhi me pretendime krijuese, me përgjegjësi përfaqësimi, me synim triumfi. Edhe pse do të largohet nga Bazeli pa trofe ajo do të mbetet një moment kulmor në historinë e Eurovision, dhe do jetë një përfaqësim muzikor, një përvojë e thellë shpirtërore dhe një shpërthim poetik që tejkalon kufijtë e skenës dhe kohës, për të qënë një zë kushtrues për zgjim. Ajo erdhi për të na kujtuar se arti i vërtetë nuk ka nevojë për miratim për të ndriçuar, por për vlerë për t’u ngulitur si një skalitje në shkemb.Mbrëmë prisnim të merrnim fitoren në Bazel dhe të drejtën për ta çuar lavdinë në krejt shqiptarinë dhe trofeun në Shkodër, por “Zjerm” erdhi për të mbetur një dritë që shndrit dhe vetëm shndrit në çdo zemër dhe në çdo shpirt.

  • Gazetarët e huaj të mahnitur nga “Zjermi” i Shqipërisë, historia e dy këngëtarëve që mund të bëjnë historinë

    Gazetarët e huaj të mahnitur nga “Zjermi” i Shqipërisë, historia e dy këngëtarëve që mund të bëjnë historinë

    Në hollin e një hoteli në Bazel të Zvicrës, gazetarët që mbulojnë festivalin europian të këngës “Eurovision Song Contest” mbajnë radhë për të intervistuar këngëtarët që ja kanë dalë mbanë të ngjiten në skenën e finales së madhe së 17 majit.
    Për të takuar dhe intervistuar Beatriçe Gjergjin dhe Kolë Lacën, dyshen e “Shkodra Elektronike”, duhet pritur gjatë. Interesi për ta është i madh. Gazetarë nga e gjithë bota duan të dinë gjithçka për përfaqësuesit e Shqipërisë së këtij viti, që nga teksti i këngës, veshja, lëvizjet skenike, ambiciet, pritshmëritë.
    Pyetjet janë të pafundme dhe lodhja e tyre është e dukshme, megjithatë gjejnë kohë për t’i dhënë përgjigje të sinqerta e të vërteta gjithësecilit të interesuar, me një buzëqeshje që nuk u ikën asnjëherë nga portreti.
    Ngjizja e “Shkodra Elektronike”
    Edhe pse të dy të lindur në Shkodër dhe të emigruar herët në Itali, Beatriçja dhe Kola nuk njiheshin më herët, por u gjetën rastësisht në rrjetet sociale, ndërkohë që secili kishte grupin e tyre muzikor. “Me Kolën jemi gjetur në internet. Jemi simboli i kohës ku jetojmë” – thotë Beatriçe Gjergji për DW. Dëshira për të rikrijuar një cover të këngës shkodrane “Turtulleshë” bëri që para se t’ua propozonte miqve të saj italianë këngën, të kërkonte në Youtube, ku gjeti një cover të mëhershëm që Kola kishte kënduar me grupin e tij.
    “Ishte cover shumë i bukur dhe diçka krejt e re, e padëgjuar më parë dhe më pëlqeu shumë. U emocionova”. Pastaj kureshtja bëri që të dinte më shumë për Kolën dhe dëgjoi intervista të tij, ku mësoi se dhe ai ishte nga Shkodra, emigrant i viteve ’90, dhe gjeti shumë ngjashmëri me historinë e jetës së saj. Më pas komunikuan në Facebook dhe pasi ndoqën nga larg aktivitetin muzikor të njëri-tjetrit, u takuan dhe nisën të flisnin për bashkëpunim, derisa në 2019-ën krijuan “Shkodra Elektronike”.
    Kulmi i bashkëpunimit të tyre artistik është shkrimi i këngës për Festivalin e fundvitit të Radio-Televizionin shqiptar, fitorja e së cilës i solli në skenën gjigante të Eurovisionit.
    “Njerz’t e mirë e njerz’t pa emër, kërcejnë valle n’shpirt” – është një nga vargjet e “Zjerm”.
    “Kur kam nisur të shkruaj këngën, kam menduar të shkruaj për njerëzit e mirë, njerëz të cilët kur bëhen me nerva, nuk reagojnë keq. E kam shkruar për njerëzit me empati, dhe unë kam pasur fatin të njoh shumë prej tyre, që kanë lënë shenjë të madhe tek unë dhe unë kam mësuar shumë prej tyre” – thotë Beatriçe.
    “Emigrantë të viteve ‘90”
    Kolë Laca ishte 20 vjeç kur vendosi të studiojë në Itali. Në Shkodër kishte studiuar për piano në licé por nuk ishte ndjerë asnjëherë i lirë për të bërë muzikën që donte. “Mbarova studimet dhe aty e mbylla me muzikën, sepse po flasim për një shkollë në komunizëm, ku askush nuk ishte i lirë të bënte çfarë të donte” – tregon Kola për DW. Mirëpo sistemi ra dhe gjithsesi Kola nuk e gjente veten në Shqipëri. Përmes një burse të shkollës së Jezuitëve në Shkodër vendosi që në vitin 1992 të studiojë drejtësi në Padova të Italisë, degë të cilën më pas e ndërroi me shkencat politike, aty ku dhe u diplomua.
    Por në një treg të lirë dhe të zhvilluar muzikor si Italia, iu rikthye muzikës por këtë herë jo asaj klasike por muzikës underground. “Aty ia nisa nga 0 edhe nga muzika. Mbaj mend që gjëja e parë që bëra kur mbërrita në Padova ishte blerja e një gazete ku njoftohej për aktivitetet muzikore që do të kishte në muajt në vijim dhe pashë që do të vinin grupi ‘Aerosmith’. Shkova për t’i parë dhe aty kuptova psikologjikisht dhe fizikisht ndryshimin e madh me Shqipërinë e atyre viteve” – thotë Kola.
    Për vështirësitë e fillimit nuk ndalet të flasë gjatë, pasi në 33 vite jetë në Itali, thotë se ka pasur kohë mjafueshëm që të harrojë gjithçka.
    Ndërsa Beatriçe ishte vetëm 6 vjeç kur familja e saj emigroi në Itali, pas një eksperiencë tjetër emigrimi që kishin pasur më herët në Gjermani. “Italia nuk ka qenë e lehtë, sidomos për prindërit e mi. Por në sytë e tyre unë nuk kam parë kurrë frikën, por vetëm dinjitetin. Prandaj dhe jeta ime ka qenë me ngjyra dhe nuk ka qenë kurrë e mërzitshme” – thotë Beatriçe, e cila ndihet me fat që në jetën e saj kanë mundur të ndërthuren bukur dy botë të ndryshme, ajo shqiptare dhe italiane.
    “Muzikantë klasi”
    “E dëgjove Shqipërinë? Çfarë klasi që kanë. E meritojnë të jenë të paktën në treshen fituese”.
    Kjo është fjalia që një gazetar ia thotë kolegut ngjitur, pasi “Shkodra Elektronike” përmbyll provën e fundit skenike para finales së madhe të datës 17 maj. Nga organizatorët, Shqipëria është përzgjedhur që të jetë kënga e fundit e listuar në garë, me numrin 26.
    “Është zgjidhje jo e zakontë që kemi lënë të parafundit San Marinon, dhe të fundit Shqipërinë. Sepse San Marino është argëtim, një këngë ritmike ku gjithkush kërcen. Por nga ana tjetër donin ta mbyllnim me një zgjedhje që është vërtet klas dhe përfaqëson muzikën. Dhe kjo është kënga e Shqipërisë. Ka shumë talent, zgjuarsi, dhe është një këngë shumë e bukur. Mund edhe të kishim lënë Shqipërinë të parafundit dhe San Marinon të fundit, por është më e drejtë që ta mbyllim këtë festival me një veprim me klas” – tha pak orë para finales Christer Björkman, një ndër producentët më jetëgjatë të Eurovision Song Contest.
    Ekspertët dhe të apasionuarit e këtij festivali festivalit kanë debatuar vazhdimisht për rëndësinë që i jepet radhitjes së këngëve në natën finale, ku shumë syresh mendojnë se këngëtarët që këndojnë në pjesën e dytë të garës, nuk kanë shanse më të larta për të fituar. Megjithatë gjatë viteve të fundit disa prej fituesve kanë qenë të listuar në fund të garës, si përshembull Italia me Maneskin në në vendin e 24-t (2021) apo Ukraina me Jamalën në vendin e 21-të në vitin 2016.
    DW

  • Eurovizioni rikthehet sonte me gjysmëfinalen e dytë, kë favorizojnë sondazhet?

    Eurovizioni rikthehet sonte me gjysmëfinalen e dytë, kë favorizojnë sondazhet?

    Të gjithë sytë janë te gjysmëfinalja e dytë e konkursit të Këngës Eurovizion 2025, që zhvillohet sonte në Bazel të Zvicrës. Pak çaste më parë, sistemi i njohur i parashikimeve “The Model” publikoi parashikimin e tij përfundimtar për rezultatet e mbrëmjes së të enjtes.
    ‘The Model’ parashikon që Erika Vikman do ta fitojë këtë gjysmëfinale për Finlandën me këngën e saj “Ich Komme”. Finlanda parashikohet të shënojë 179 pikë në këtë gjysmëfinale, duke e vendosur 11 pikë përpara rivalëve më të afërt, Izraelit. Sipas këtij parashikimi, atyre u bashkohen Austria, Australia dhe Malta në pesë vendet e para.
    Sistemi ka parashikuar gjithashtu gjashtë vendet që pritet të humbasin Finalen e Madhe. Titulli kryesor është se Çekia, një vend që u parashikua të përfundonte në 10 vendet e para të Eurovision nga ‘The Model’ të dielën, tani parashikohet të dalë në fazën gjysmëfinale. Ata do t’i bashkoheshin Letonisë, Danimarkës, Serbisë, Malit të Zi dhe Gjeorgjisë nëse’ The Model’ do të ishte absolutisht i saktë.
    Parashikimi i sotëm i Gjysmëfinales së Dytë merr parasysh gjithçka që dimë. Ai përfshin të dhëna nga shanset aktuale të basteve, renditjen e këngëve të komunitetit dhe sondazhet, dhe gjithashtu përfshin gjetjet nga Sondazhi i Audiencës së Eurovision të mbrëmshëm, i organizuar bashkërisht nga Eurovoix. Si rezultat, parashikimi i ‘The Model’ përpiqet të jetë më i sakti i shfaqjes sonte.
    Konkursi i Këngës Eurovision 2025 është edicioni i 69-të i Konkursit të Këngës Eurovision. Ai po zhvillohet në Bazel të Zvicrës, pas fitores së vendit në konkursin e vitit 2024 me këngën “The Code” nga Nemo. I organizuar nga Bashkimi Evropian i Transmetimeve (EBU) dhe transmetuesi pritës, Korporata Zvicerane e Transmetimeve (SRG SSR), konkursi mbahet në St. Jakobshalle dhe përbëhet nga dy gjysmëfinale më 13 dhe 15 maj, dhe një finale më 17 maj 2025. Tre shfaqjet live prezantohen nga Hazel Brugger dhe Sandra Studer, me Michelle Hunziker që bashkohet në finale.

  • ”Zjerm” si metaforë e një brezi që kërkon dritë

    ”Zjerm” si metaforë e një brezi që kërkon dritë

    Nga Thoma Gëllçi
    Kënga “Zjerm” e Shkodra Elektronike, që përfaqëson Shqipërinë në Eurovision 2025, e kaloi raundin e parë dhe tashmë është në finalen e madhe të Eurovizionit. Mendimi im dhe, për fat të mirë, edhe i shumë të tjerëve është se “Zjerm” është kandidate serioze për të zënë një vend nderi në këtë konkurs të madh të muzikës evropiane. Kjo ka rëndësinë e vet, por për mua, kjo nuk është gjithçka. Ajo është një nga krijimet më të thella e më të guximshme që Shqipëria ka shpënë në këtë festival. Në thelb të kësaj kënge qëndron një përpjekje për të krijuar një realitet të mundshëm – një minutë ideale ku bota ndalon së vuajturi dhe njeriu rilind përmes shpresës, dritës dhe identitetit. E vendosur mes zërit të një gjenerate që nuk e gjen veten as në të kaluarën e mundimshme, por as në retorikat bosh të së sotmes, “Zjerm” nuk flet, por ndizet.

    Fillimi i këngës “Zjerm” të Shkodra Elektronike është një goditje e parë në shpirt. Në sekondat e para, dëgjohet ritmi karakteristik i çiftelisë, që vjen si një zgjim i beftë nga thellësitë e kujtesës kulturore shqiptare. Tingulli është i ngrohtë, ritmik, por jo folklorik në kuptimin klasik – ai është rikompozuar në një peizazh elektronik që e kthen çiftelinë nga instrument festiv në instrument alarmi.
    Ky ritëm s’është për valle dasmash, por as këngë trimash – është për një nisje të re. Ai i jep këngës një ndjesi rituale, si një thirrje e lashtë që paralajmëron: kujdes, këtu do flitet me zjarr. E përdorur jo si nostalgji, por si element strukturor, çiftelia në këtë hyrje vepron si një kod gjenetik muzikor që të kthen në rrënjë, ndërsa të përgatit për shpërthimin modern që vjen më pas. Është pikërisht ky kontrast dhe ky kalim i përpiktë nga e vjetra në të renë që e bën fillimin e “Zjerm” jo vetëm të fuqishëm, por edhe artistikisht të ndërlikuar dhe domethënës. Çiftelia nuk është këtu për të na kujtuar të kaluarën, por për të na kujtuar se e kaluara ende flet.
    Vargjet “Në këtë minutë, në këtë çast, no paranoja” vendosin tonin e një bote të përmbysur – ku nuk ka ambulanca në rrugë, ku arroganca hesht, ku shiu nuk sjell mërzi, por pastrim. Kjo nuk është thjesht një utopi poetike: është një sfidë ndaj realitetit. Është një dëshirë për ta ndalur kohën në një moment të thjeshtë, por të përkryer, ku jeta merr një formë njerëzore.
    Kjo dëshirë për qetësi dhe drejtësi shoqërohet me një revoltë të heshtur kundër realitetit të papërballueshëm: “Pa ushtarë, pa jetimë, asnjë shishe në oqean” – një varg që përmban dhimbjen e një brezi që ka parë mjaftueshëm ikje, mbytje dhe shpërngulje. Edhe “naftës i vjen era jargavan” është një figurë e fortë poetike, një oksimoron që përzien ndotjen me aromën e luleve – një realitet i mbrapshtë që kërkon të shërohet.
    Muzikalisht, kënga ndërton një peizazh zanor që nuk ndjek strukturat klasike të baladës apo pop-it festiv, por shkon drejt një forme rituale. Ritmi është tribal, tronditës, ndërsa elektronika shërben si medium që i jep zë një bote të mbushur me kujtesa, me ëndrra, me humbje dhe me ngulm për të mos u zhdukur. Ritmet shpërthejnë si thirrje lirie, ndërsa vokali – herë lutës, herë i fortë – bëhet një zë kolektiv që e kërkon dritën me ngulm, me nevojë.
    “Zjerm” nuk përpiqet të jetë as thjesht moderne, as thjesht tradicionale – është një kalim i vazhdueshëm nga njëra tek tjetra ku gjuha e këngës ka rëndësi dytësore. Refreni i saj është një himn që përkthehet automatikisht tek dëgjuesi : “Vazhdo më shndrit, shndrit, shndrit… Zjerm.”. Është zjarr i brendshëm, një flakë që nuk djeg, por ndriçon nga brenda jashtë.
    Interpretimi artistik i Beatrice Gjergjit në “Zjerm” është një nga elementët më të veçantë dhe më ndikues të performancës së Shqipërisë në Eurovision 2025. Ajo nuk e këndon këngën – e mishëron atë. Trupi i saj është shkrirë me muzikën, është vazhdim i saj. Sidomos lëvizjet e duarve krijojnë një gjuhë të veçantë, poetike, që lehtëaojnë kalimin e mesazhit të këngës tek dëgjuesi pa patur nevojën e përkthimit.
    Në momentet më të ngarkuara emocionale, duart e Beatrices lëvizin në ajër si të ishin midis vallezimit dhe fluturimit. Ndonjëherë ngrihen si për të kapur dritën, ndonjëherë hapen si për të çliruar dhimbjen. Ka një elegancë të egër në ato lëvizje – si valë që ndjekin ritmin e brendshëm të një zjarri që digjet jo për të shkatërruar, por për të ndriçuar. Ato nuk janë lëvizje të koreografuara në kuptimin klasik; duken si instinkte të një shpirti që kërkon rrugëdalje – të një gruaje që flet me trupin atë që fjala nuk arrin të përshkruajë.
    Në disa çaste, gishtat e saj dridhen lehtë, si flakë të padukshme që përdridhen në erë. Në të tjera, krahët përshkruajnë harkime të gjera, që të kujtojnë shqiponjën në ngritje ose një lutje pagane që ngrihet mbi skenë. Është një interpretim që nuk të kërkon ta kuptosh racionalisht – thjesht të dorëzohesh përpara ndjesisë që të jep. Dhe kjo ndjesi është zjarr: i ngrohtë, i trazuar, i gjallë. Beatrice Gjergji, përmes këtij interpretimi fizik, sjell në skenë një zjarr metaforik – një prani e dukshme e emocioneve që përvëlojnë dhe ndriçojnë njëkohësisht. Dhe në fund, kur dritat shuhen dhe muzika ndalon, duart e saj duken sikur ende kërcejnë në ajër – si një flakë që s’do të fiket lehtë.
    Në pjesën e dytë, kënga fiton një tjetër intensitet emocional. “Bjer mbi vallet tona tribale… Si shtatë thika që t’ngulen n’shpirt” – kjo është poezia e një shoqërie që kërcen mbi plagët e veta. Nuk është këngë për t’u dëgjuar me veshë të qetë; është një eksperiencë që të përfshin, që të shkund. Një rrëfim i një populli që jeton me “njerëzit pa emër”, me ata që nuk shfaqen në kronika, por që janë shpirti i heshtur i një kombi.
    Kolë Laca, në interpretimin e tij në “Zjerm”, është kundërpesha perfekte e zjarrit të Beatriçes – një figurë e palëvizur në mes të stuhisë. I veshur me të zeza, pa shkëlqim, pa gjeste të tepërta, ai qëndron si një gur themeli në mes të skenës – i heshtur, i qetë, por me një prani që nuk mund ta anashkalosh. Ai nuk kërkon vëmendjen, por e përthith atë. E zeza e veshjes së tij është një zgjedhje estetike. Është hija që e bën dritën të duket më fort, është toka ku digjet “Zjerm”-i.
    Qëndrimi i tij i ngurtë, thuajse ceremonial, krijon kontrast dramatik me energjinë e lëvizshme të Beatrices. Ai nuk vallëzon, por është vetë shtylla ku mbështetet rrëfimi. Ai nuk këndon me zë të fortë, por fjalët që thotë tingëllojnë si urdhër i heshtur, si kujtesë e thellë, si jehonë e burrnisë së vjetër që nuk ka nevojë të bërtasë për të qenë.
    Kolë Laca është i ngjashëm me një prift të lashtë në një ritual zjarri – i heshtur, i përmbajtur, por thellësisht i pranishëm. Ndërsa Beatricja fluturon mbi valët emocionale të këngës, Kolë qëndron si një trup që i përket tokës. Dhe është pikërisht kjo tokë që mban zjarrin gjallë. Sepse, në fund të fundit, çdo zjarr ka nevojë për diçka të qëndrueshme ku të ndizet. Dhe Kolë Laca është ajo themelueshmëri e heshtur që i jep këngës “Zjerm” forcën e saj më të madhe: balancën mes ndjesisë dhe arsyes, mes flakës dhe terrenit ku ajo digjet.
    Simbolika e “Zjerm”-it është ndërtuar mbi zjarrin si metaforë për pasionin, për identitetin, për vetë jetën. Flaka është e kuqja e ndezur e skenës, është gjaku i atyre që nuk u përmendën kurrë, është energjia e të panjohurve që vallëzojnë në shpirt. Në tekst, ajo shndërrohet në urë mes të shkuarës mitike dhe të ardhmes së mundshme: “Jarna ne ti toka ime… Jarna ne ti bota ime.” Toka dhe bota shkrihen në një entitet të vetëm, ku identiteti shqiptar nuk është pengesë për përkatësinë europiane, por themel për të.
    Në thelb, “Zjerm” në Eurovizion nuk është një këngë vetëm për pikë. Është një akt artistik që synon të ndezë ndërgjegje. Pavarësisht se është në shqip, duket sikur kuptohet nga të gjithë. Kjo këngë përfaqëson më mirë se çdo gjë tjetër frymën e një Shqipërie që refuzon të imitojë – dhe më në fund, guxon të jetë vetja. Dhe kjo është, në vetvete, një fitore. Dhe një shpresë e madhe na përfshin.por që kam ndrojë t’a them.

  • Ndahet nga jeta artisti i këngës popullore beratase, Dhimitër Dushi

    Ndahet nga jeta artisti i këngës popullore beratase, Dhimitër Dushi

    Artisti i këngës popullore beratase, Dhimitër Dushi, është ndarë nga jeta.

    Ka qenë kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo që bëri të ditur lajmin e ndarjes nga jeta.
    Përmes një postimi në rrjetin e tij social, Demo shprehet se Dushi do të mbahet mend si kultivues dhe trashëgues i vlerave qytetare përmes këngës popullore beratase.
    “Berati u zgjua sot me lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të artistit Dhimitër Dushi.
    Përveç kontributit si mësues, Dhimitër Dushi do të mbahet mend edhe si kultivues dhe trashëgues i vlerave qytetare përmes këngës popullore beratase. Të prehet në paqe!”, shkruan Demo në Facebook.

    Top Channel

  • Vaçe Zela, zëri që kumboi magjishëm në skenën e madhe të traditës sonë të këngës

    Vaçe Zela, zëri që kumboi magjishëm në skenën e madhe të traditës sonë të këngës

    Nga Albert Vataj
    Sot nuk është një ditë e zakonshme e kalendarit; është një datë që i përket përjetësisë së korifenjve të artit shqiptar. Është dita kur lindi Vaçe Zela – zëri që nuk u shua, por u shndërrua në jehonë të pavdekshme. Kjo ditë nuk shënon thjesht lindjen e një artisteje, por ngjizjen e një ylli, ndriçimi i të cilit nuk u shua as nga koha, as nga largësia, as nga vdekja. Zëri i Vaçes nuk u këndua, ai u shpall si një mision i shenjtëruar në traditën magjike të këngës sonë.Vaçe Zela nuk ishte thjesht një këngëtare; ajo ishte gjenia emocionale e një kombi – një shpirt që i ktheu tingujt në lutje, në kremtim, në lot e në ovacione. Kur ajo ngjitej në skenë, ngrihej me të edhe një komb i tërë, sepse ajo nuk këndonte vetëm me zë, por me shpirt. Ajo nuk interpretonte, sepse ajo vetë ishte kënga.Në një kohë kur arti shpesh detyrohej të mbijetonte nën peshën e konformizmit, Vaçe Zela e bëri atë të mbretërojë. Ajo ishte fituesja e parë e Festivalit të Këngës në RTSH, në vitin 1962, me “Fëmija i parë” – dhe me të vërtetë, ajo ishte “fëmija i parë” i një epoke të artë që solli tinguj, shpresë dhe krenari shqiptare.

    Zëri i saj u “peshua me flori”, sepse fjalët nuk mjaftonin për ta përshkruar. Ajo ishte busulla e artit që udhëhoqi një brez drejt emocioneve të pastra dhe shpirtërore. Me repertorin e saj të pasur, këngët e saj frymëzuan dashuri, sakrificë, gjallëri dhe krenari kombëtare. Ajo u bë arka e shpirtit shqiptar.Vaçe Zela lindi më 7 prill 1939 në Lushnjë, në një familje me origjinë nga Skrapari. Që në fëmijëri tregoi prirje të jashtëzakonshme për muzikën. Filloi të këndonte në aktivitete lokale, duke mahnitur me zërin e saj të fuqishëm dhe unik. Studioi në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku nisi të ndërtonte themelet e një karriere brilante.Në fillim të viteve ’60, ajo hodhi hapat e parë seriozë në skenën kombëtare. Fituesja e parë e Festivalit të Këngës, ajo do të bëhej më pas simbol i muzikës shqiptare, me një rekord të paarritshëm: 11 çmime të para. Ndër këngët më të njohura të saj janë “Lemza”, “Valsi i lumturisë”, “Djaloshi dhe shiu”, “Buka e duarve tona”, “Trëndafil i çelur në shkurt”, “Këngë për motin”, “Mallëngjimi”, “Ç’u bë kjo zemër”, etj.Repertori i saj është i gjerë dhe i larmishëm, nga këngët e lehta, popullore të përpunuara, tek baladat, kantatat dhe këngët e filmave. Ajo ishte e vetmja që, me një zë të vetëm, mund të përshkruante gjithë paletën e ndjesive njerëzore – nga mallëngjimi tek gëzimi, nga dashuria tek heroizmi.Vaçe Zela e ngriti fuqinë vokale në drithërimë të shpirtit. Talenti dhe pasioni i saj shndërronin çdo dalje në skenë në një përjetim të paharruar. Edhe pse vitet kanë kaluar dhe emri i saj është kthyer në një kujtim mallëngjyes, ai nuk është zbehur, por është rritur në madhështi.
    Për brezat e sotëm, që janë më larg atij arti dhe asaj ndjenje, ndoshta emri i saj nuk kumbon me të njëjtën fuqi. Por arti që ajo dhe brezi i saj krijuan ishte dhe mbetet një art i vërtetë, me rrënjë të thella dhe me një ndjeshmëri që nuk shuhet.Vaçe Zela ishte dhe mbetet një emër i skalitur me shkronja të arta në historinë e muzikës shqiptare. Zëri i saj, ndonëse i këputur nga kodrat e kohës, kumbon si një jehonë e përhershme në ëndrrën tonë për përjetësi artistike. Ajo ndezi salla koncertesh brenda dhe jashtë vendit, ngriti emocione dhe bashkoi zemra.Në skena ndërkombëtare, ajo përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet, duke u vlerësuar për zërin dhe interpretimin e saj të veçantë. Për shqiptarët e mërguar, ajo ishte ura që lidhte atdheun me shpirtin e tyre.
    Për kontributin e saj të jashtëzakonshëm, u nderua me titujt më të lartë: “Artiste e Merituar”, “Artiste e Popullit”, “Nderi i Kombit” – jo thjesht vlerësime formale, por mirënjohje e thellë e një kombi për ikonën e tij.Pas një beteje të gjatë me sëmundjen, Vaçe Zela u shua më 6 shkurt 2014, në Basel të Zvicrës. Kishte kohë që nuk këndonte, por zëri i saj kurrë nuk u shua – ai jeton në çdo tingull që na la.Vaçe Zela nuk ishte vetëm një zë. Ajo ishte një epokë, një frymë, një ndjenjë kolektive që mbetet e gdhendur në memorien e shqiptarëve. Ajo është frymëzim për artistët e rinj dhe mall i pashuar për çdo artdashës.Në çdo notë që dridhet, në çdo kujtim që gjallëron, në çdo zemër që dëgjon – Vaçe Zela është dhe mbetet e përjetshme.