Rigels Seliman
Prej dy ditësh (24 dhe 25 qershor), liderët e vendeve të NATO-s u mblodhën në Hagë të Holandës, në një samit të nivelit të lartë që shënoi vendime kyçe për sigurinë dhe të ardhmen e Aleancës. Ngjarja nisi zyrtarisht me një darkë solemne në pallatin Huis Ten Bosch, ofruar nga Mbreti Willem-Alexander dhe Mbretëresha Máxima, një mbrëmje ku eleganca mbretërore u përzje me protokollin diplomatik. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i veshur me kostumin blu të hapur, mori vëmendjen e të gjithëve sapo u shfaq dhe mandej gjithë mbrëmjen. Ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky për herë të parë pa uniformën ushtarake, u prezantua me një kostum klasik. E gjitha dukej si një skenë e koordinuar mirë, derisa një moment ndau sallën në dy botë: të gjithë liderët u ngritën në këmbë për të duartrokitur fjalën e Trump, përveç njërit. Kryeministri Edi Rama qëndroi ulur, i heshtur, indiferent, i ftohtë dhe i vetmuar në tavolinën ku qëndronte diku në një cep të sallës.
Një foto që “shkund” aleancën, Shqipëria nuk ngrihet më për Amerikën
Ajo foto u shpërnda me shpejtësi, ku presidenti Donald Trump duke folur, liderët e NATO-s në këmbë, ndërsa Edi Rama i vetëm, i palëvizur. Ky nuk ishte thjesht një moment protokollar i injoruar. Ishte një mesazh politik me zë të lartë. Kryeministri i Shqipërisë, një vend tradicionalisht pro-amerikan, në vend që të respektojë rikthimin e një lideri si Trump, vendosi të sfidojë simbolikisht peshën e SHBA-së. Ndërkohë që Trump rikthehet si lideri më me ndikim i botës konservatore, regjia amerikane zgjodhi të injorojë totalisht Ramën. Kamera nuk e afroi, nuk e përmendi, nuk e evidentoi, por thjeshtë e zhduku nga fokusi diplomatik.
Dasma e Sorosit dhe teatrin e heshtur në Hagë, Rama zbulon kahjen
Megjithatë kontrasti është brutal. Vetëm pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama ndodhej në një tjetër event luksoz: në dasmën private të Alex Soros në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rama atje u shfaq i buzëqeshur, i gjallë, i rrethuar nga figura të axhendës globaliste. Aty ishte në elementin e vet. Por në Hagë, në një samit të Perëndimit dhe i udhëhequr nga liderë të vërtetë si Presidenti Trump, kryeministri Rama u shfaq i heshtur, i izoluar dhe refuzues. Kjo nuk është thjesht çështje veshjeje apo protokolli, është orientim ideologjik. Është deklaratë që Rama nuk ka më interes për peshën e Amerikës konservatore, por rreshtohet hapur pas axhendës Sorosiane, e cila bie ndesh me atë që përfaqëson shumica e Perëndimit sot.
Nga Hagë te Mynihu, historia përsëritet me refuzim amerikan
Mirëpo nëse skena në Hagë ishte spektakolare, një tjetër episod ndodhi në muajin shkurt të këtij viti në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Atje, kryeministri Edi Rama u përpoq me çdo kusht të sigurojë një takim me zv/Presidentin amerikan JD Vance. Në prapaskenë u aktivizua Richard Grenell, ish-emisari i Trump për Ballkanin, bashkë me dy biznesmenë shqiptarë me lidhje në qarqet republikane. Për një moment, gjithçka dukej e mundur. Por në momentin vendimtar, në skenë hyri Susan Wiles, shefja e Kabinetit të Donald Trump. Ajo nuk pyeti gjatë. Vetëm një fjali e saj e mbylli gjithçka: “He is a Soros buffoon. Stay as far away as possible.” (I është një kukull e Sorosit. Qëndroni sa më larg të jetë e mundur.) Me këtë mesazh, dera e Uashingtonit për Ramën u mbyll përfundimisht.
Atletet e bardha dhe kostumi i bardhë në samit, sfidë apo shenjë distancimi?
Sidoqoftë rikujtojmë se përpjekja e Ramës për të rilidhur kontaktet me kampin republikan erdhi në një moment të brishtë politik për të. Arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ka tronditur rëndë themelet e Partisë Socialiste, ndërsa qeveria përballet me goditje të brendshme dhe ndërkombëtare. Në këto rrethana, Rama kërkonte një foto, një darkë, një takim që të sinjalizonte rikthimin në orbitën e SHBA. Por ai mori krejt të kundërtën: refuzim të prerë në Mynih dhe injorim të heshtur në Hagë. Në foton familjare të samitit, Edi Rama ra në sy për një tjetër detaj: atlete të bardha, ndryshe nga protokolli i liderëve, kurse në një foto tjetër kur të gjithë liderët ishin me kostum të zi, ai u shfaq me kostum bezhë (terital, stof apo kadif) si ata që përdoreshin në kohën e regjimit komunist.
Një gjest që nga njëra anë mund të lexohet si shkujdesje stili, por nga ana tjetër, si shenjë sfide, distancimi i vetëdijshëm nga rregullat e një tryeze ku nuk ndihet më pjesë. Por e gjithë kjo panoramë tregon se, në një kohë kur NATO po rilind politikisht me rikthimin e presidentit Donald Trump dhe Perëndimi kërkon rreshtim të qartë me vlerat tradicionale, Shqipëria e përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama duket gjithnjë e më shumë jashtë loje. Pa aleatë. Pa ndikim. Me një kryeministër që rreshtohet me axhendën Soros, jo me interesat e partnerëve strategjikë. Madje fotoja në Hagë do të mbetet një simbol i kësaj ndarje, ku titulli do të ishte: “NATO në këmbë për Trump. Rama i ulur në heshtje. Shqipëria e Sorosit, jashtë vëmendjes së SHBA-së.”.