Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në ‘Edicionin e Pasdites’ në SYRI TV, ka folur në lidhje me skandalin e tunelit të Llogarasë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku për zhdukje provash dhe përpjekje për të fshehur abuzimet.
Gjatë bisedës me moderatorin Bled Marku, Këlliçi deklaroi se: Edi Rama dhe Belinda Balluku janë munduar që të zhdukin provat në lidhje me skandalin e tunelit. Në Turqi, që janë fshirë edhe nga Facebook-u dhe fati i madh që janë bërë screenshot dhe janë mbajtur në media dhe janë ruajtur dhe fati i madh që Syri TV ka qenë media e parë që i ka bërë publike.
Deputeti kujtoi se detajet e aferës u bënë publike fillimisht në intervistën e njohur të Çim Pekës me Arben Ahmetajn, ndërsa theksoi rolin e SYRI TV në dokumentimin e provave.
‘Në intervistën e famshme janë bërë detajet publike… Syri TV i ka publikuar, ripublikuar, i ka ruajtur në arkiv dhe i ka bërë publike për opinionin publik. Sepse sot do të ishim para një situate që do ishin zhdukur dhe ato foto, nëse ju nuk do t’i kishit ruajtur.’
Këlliçi theksoi se nuk bëhet fjalë për një aferë të vogël, por për një mega-abuzim me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
‘Pra, që të jemi të qartë, nuk kemi të bëjmë me një aferë 50 milionë euro. Kemi të bëjmë me një aferë që deri tani të paktën e kemi faturuar 75 milionë euro abuzim dhe zhdukjen e dy urave.’
Gjatë bisedës, Këlliçi përdori një barcaletë simbolike për të ilustruar, sipas tij, shkallën e korrupsionit qeveritar:
‘Më vjen ndërmend ajo barcaleta e famshme me kinezin, italianin dhe shqiptarin… Pyetet shqiptari, në këtë rast Belinda dhe Rama, dhe i thotë, ore, për kuriozitet, duhet të ishin ato katër korsitë dhe ura, ku janë? Thotë, po s’janë. Po si s’janë? Po duheshe bërë vila, duheshin bërë shpenzimet. Pra nuk ekziston fare, fare. Ky është realiteti i trishtë në të cilin na ka futur sot kjo qeverisje.’
Sipas tij, kjo aferë është ‘rekord botëror për nivelin e vjedhjes dhe censurës mediatike’, ndërsa shtoi se raporti i fundit i progresit të BE-së ka theksuar ‘dhunën ndaj medias dhe kapjen totale të saj nga qeveria’.
‘Në progres-raportin e paraqitur para pak ditësh, keni parë që një zë të veçantë zinte dhuna ndaj medias, represioni sistematik ndaj kontrollit të mediave në Shqipëri, kapja totale e mediave dhe kontrolli qeveritar mbi çdo media që ka një zë kritik ndaj qeverisë.’, theksoi Këlliçi në SYRI TV.
Deputeti demokrat akuzoi qeverinë se ka përdorur manovra për të shmangur debatin në Kuvend mbi këtë aferë.
‘Për këtë arsye, ditën e enjte në parlament, u desh të kalohej me urgjencë ligji për barazinë gjinore, pa asnjë konsultë paraprake, pa asnjë diskutim, vetëm të shuhej zhurma për vjedhjen e tunelit të Llogarasë. Për këtë arsye u refuzua interpelanca me Belinda Ballukun, nuk erdhi. Për këtë arsye nuk u lejua debati në sallën e parlamentit.’
Në përfundim, Këlliçi theksoi se kjo aferë ‘ka shkuar kaq pranë kryeministrit’ sa përbën, sipas tij, ‘rastin e parë kur vetë kreu i qeverisë lidhet drejtpërdrejt me një skandal të përmasave të tilla’:
‘Ka tre javë që nuk vjen zëvendëskryeministrja në parlament se nuk ka çfarë të thotë, është e kapur në flagrancë… Dhe kjo është një situatë absurde në të cilën, për herë të parë, kemi një aferë që ka shkuar kaq pranë kryeministrit. Pra kjo është një aferë që e lidh drejtpërdrejt kryeministrin.’ tha ndër të tjera, Belind Këlliçi në SYRI TV.









