Fisnik Qosja, kryetar i Bashkisë së Kavajës, nga studioja e emisionit “Kafe Shqeto”, ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me sfidat dhe akuzat që i janë bërë nga ana e qeverisë dhe kryeministrit Rama.
Ai ka theksuar se punët në Bashkinë e Kavajës vazhdojnë normalisht dhe se nuk do të lejojë që politika dhe retorika e larëta të ndërhyjnë në funksionimin e institucioneve lokale.
Gjatë intervistës, Qosja ka sqaruar me detaje çështjen e legalizimeve, duke theksuar se në qytetin që ai drejton janë bërë mbi 60 aplikime dhe janë finalizuar 20 kontrata, duke dëshmuar se puna nuk ka qenë e ndalur, ashtu siç është pretenduar nga kryeministri Rama.
Ai u shpreh se është i gatshëm të bëjë edhe më shumë për të mirën e komunitetit, duke kryer edhe shkarkime pune apo reforma të tjera të nevojshme, por se këto veprime do të jenë të pavarura nga urdhëra politike të dhëna nga kryeministri apo cilido tjetër.
Qosja ka kritikuar mënyrën sesi kryeministri është përpjekur të ushtrojë ndikim te kryebashkiakët, veçanërisht ata që nuk janë pjesë e PS-së, duke e konsideruar këtë si një ndërhyrje të padrejtë dhe të papranueshme në funksionimin demokratik të institucioneve lokale.
Ai thekson se çdo përfaqësues lokal duhet të zgjidhet nga qytetarët dhe jo të emërohet në mënyrë politike, dhe se përpjekjet për presion ndaj opozitës nuk do ta ndalin përkushtimin e tij ndaj detyrës.
Fisnik Qosja:
“Nuk ishte as çështje, as sfidë, as përballje; ishte çështje e së vërtetës, sepse në një moment x aty, tha se në Kavajë nuk është bërë gjë, me legalizime jeni zero dhe faktikisht nuk ishte e vërtetë, sepse kjo pjesa e legalizimeve ishin bërë 60 aplikime, 20 kontrata, pra kishte ecur puna. Jo në maksimum, por ka ecur.
I thashë një të vërtetë, dhe ai reagon siç di ai të reagojë, dhe nuk na bën përshtypje.
Në Bashkinë e Kavajës, apo të opozitës, ne vazhdojmë punën dhe unë kam bërë shembje, dhe unë kam bërë shkarkime punësh e mund të bëj prapë, por jo në varësi të kryeministrit, jo në varësi të asaj gjëje që thotë.
Kjo është një punë periodike që duhet ta bëjë çdo bashki apo institucion ku është, dhe kjo gjë nuk është çështje fushate se “hajt po shembim çdo gjë që ka bërë dynjaja e po e ndërtojmë sërish”. Por nuk është kjo çështja!
Prandaj edhe unë e thashë se sa i përket shkarkimeve nga puna, nuk do e dëgjoj kryeministrin, sepse do vazhdoj ta drejtoj institucionin kështu siç di unë – nuk ndikon kjo gjë te puna.
Nuk besoj se kryeministri ka shkuar deri aty sa të na urdhërojë ne të opozitës, pastaj po erdhi kjo, vajmedet.
Për hir të së vërtetës, ai bën kësi gjërash me kryebashkiakët që i ka zgjedhur vetë, ndërsa ne të tjerët jemi të zgjedhur me votë.
Madje ne kemi bërë beteja edhe më të mëdha se kjo me kryeministrin, dhe nuk na bën përshtypje.
Një njeri që merret me politikë duhet të zgjidhet me votë, në të kundërt ai është i emëruar.
Unë njoh kolegë dhe ka njerëz pozitivë e njerëz të mirë, por frymën e brendshme brenda PS as që më intereson ta di.
Atje ku jam unë në Kavajë, shquhet për këto gjëra, për rebelizëm, pra jemi në habitatin tonë në këtë pjesë dhe është pritur mjaft mirë, reagimi dhe komentet kanë qenë pozitive.
Takimi me Mirela Kumbaron është një takim rutinë, ajo vjen si ministre Turizmi për të kontrolluar, është çështje administrimi dhe nuk ka lidhje me çështjen e politikës.
Nuk ka tendenca për të kontrolluar bregun e Kavajës, aty ka vetëm njerëz të zonës që kanë blerë tokat vetë, kanë marrë kredi vetë, bashkia është munduar t’i ndihmojë duke ua bërë më të lehtë investitorëve, pasi janë ndërtuar disa hotele atje”.