Pas rreth dy muajsh nga fatkeqësia e ndodhur në minierën e kromit në Katjel ku një punonjës humbi jetën, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka vendosur që të revokojë lejen nën argumentin e kushteve teknike të rënduara.Në një dokument të firmosur në fillim të këtij muaji port ë bërë publik këto ditë ministria argumenton arsyet e këtij vendimi.“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, me anë të shkresës Nr. 850 prot. AKSEM, datë 09.06.2025, protokolluar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë me Nr. 4146 Prot., datë 09.06.2025, është propozuar revokimi i Lejes Minerare të Shfrytëzimit Nr. 1335, datë 15.04.2009, për mineralin krom, në Objektin “Katjeli Jugor”, Bashkia e Përrenjasit, Qarku i Elbasanit, pas problematikave serioze të ndodhura kohët e fundit në objekt, si rezultat i përmbytjeve të nivelit Hz +428, i vetmi nivel në të cilin kryhet veprimtari minerare.Pas disa inspektimeve të AKSEM në objekt, është vërejtur se kushtet teknike janë në gjendje të rënduar, me prani të shtuar të ujërave dhe llumrave, deformim të armaturave mbajtëse dhe kapacitet të tejmbushur të sistemit të pompimit, çka e bën të pamundur zhvillimin e veprimtarisë normale pa rrezik për jetën e punonjësve nga Hz +428 deri në nivelin e pusit Hz +655” thuhet në shkresë.Lidhur me këtë vendim MIE ka kërkuar që në zbatim të Ligjit Nr.10304, datë 15.07.2010 “Për Sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 49, pika 1, zotëruesi i lejes minerare në këtë rast Miniera e Kromit Katjel shpk ka detyrimin të zbatojë planin përfundimtar të mbylljes së aktivitetit minerar, rehabilitimin e mjedisit për sipërfaqen e prekur nga aktiviteti minerar dhe planin e menaxhimit të mbetjeve minerare, të miratuar nga struktura përgjegjëse AKBN.Vetëm këtë vit nga ana e ministrisë janë njoftuar 15 procedura për fillimin e revokimit të lejeve minerare ku arsyet janë nga më të ndryshme nga mungesa e aktivitetit minerar prej më shumë se një viti tek mosrespektimi i detyrimeve që lidhen me pagesën e garancisë./ N.MahoKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.
Tag: katjel
-

Skandal në Katjel/ Ndalohet për 2 ditë varrosja në fshat e një gruaje nga komuniteti egjiptian, banorët refuzojnë varrin për “mos autoktonësi”
Katjel
PRRENJAS- Një ngjarje e paprecedentë që ka shkaktuar tronditje dhe reagime të shumta në opinionin publik është regjistruar këtë javë në fshatin Katjel në Njësinë Administrative Rrajcë në Bashkinë e Prrenjasit. Për dy ditë me radhë, familjarëve të një gruaje nga komuniteti egjiptian nuk iu lejua varrosja e saj në varrezat e fshatit për shkak të një vendimi të pleqësisë dhe një pjese të komunitetit që e konsideronin familjen e të ndjerës “jo autoktone”.
E ndjera Sofie Doda, 63 vjeç, nënë e katër fëmijëve, ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë këtë fillimjavë. Por për familjen e saj, dhimbja për humbjen e njeriut të dashur u shoqërua me një dramë të rëndë sociale dhe njerëzore. Pavarësisht se familja Doda jetonte prej dhjetra vitesh në fshatin Katjel, pjesëtarët e pleqësisë së fshatit dhe disa banorë të tjerë refuzuan hapur që ajo të varrosej në varrezat lokale.
Sipas dëshmitarëve, refuzimi u mbështet në arsyetimin absurd se familja nuk ishte “autoktone” dhe rrjedhimisht “nuk kishte të drejtë varri në varrezat e fshatit”. Kjo sjellje e denjë vetëm për kohë të errëta, solli një reagim të menjëhershëm të familjarëve dhe të komunitetit të gjerë, por edhe përpjekje të dëshpëruara për të gjetur një zgjidhje.
Ngjarja mori përmasa edhe më dramatike, kur familjarëve nuk iu lejua të varrosnin të ndjerën as në pjesën e varrezave të njohura si “të komunitetit egjiptian”, një zonë brenda fshatit ku tradicionalisht janë varrosur pjesëtarë të këtij komuniteti.E ndodhur përballë një situate të pashembullt, familja e të ndjerës, e cila jeton në kushte të vështira ekonomike, kërkoi ndihmë nga të njohur dhe sipërmarrës në qytetin e Prrenjasit.
Ishte pikërisht një sipërmarrës i njohur nga fshati Skroskë i cili ndërhyri dhe arriti të sigurojë një vend për varrin e 63 vjeçares në varrezat publike të qytetit të Prrenjasit. Ceremonia mortore u zhvillua mesditën e së Mërkurës, larg fshatit ku Sofie Doda kishte jetuar gjithë jetën e saj.
Një precedent i rrezikshëm diskriminimi
Ngjarja ka ngjallur reagime të forta nga banorë të zonës dhe përfaqësues të shoqërisë civile të cilët e kanë cilësuar refuzimin si një akt diskriminues, turpërues dhe të dënueshëm moralisht dhe ligjërisht. Emin Dashi, administrator i një agjencie funerale në Prrenjas prej më shumë se 35 vitesh dhe organizator i ceremonisë së varrimit, deklaroi se një situatë e tillë nuk është parë as në Shqipëri dhe as jashtë saj gjatë gjithë përvojës së tij. “Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që dikujt t’i mohohet varri në fshatin apo qytetin ku ka jetuar, vetëm pse nuk është i një ‘gjaku’ apo përkatësie ernike e vendore,” – tha ai.
Nevoja për rregullim ligjor të varrezave në fshatra
Rasti i ndodhur këtë javë në fshatin Katjel të bashkisë Prrenjas ka nxjerrë në dukje një problem të madh që po përshkallëzohet në shumë zona rurale të vendit, mungesa e rregullimit ligjor për varrezat. Vitet e fundit është kthyer në praktikë që çdo familje të ndërtojë parcela private për varre, duke mos lënë vend për barazi qytetare dhe duke shkelur të drejtën themelore të çdo individi për një vend për prehje të fundit.Ky incident nuk është vetëm një tregues i thellë i paragjykimeve etnike dhe shoqërore që ende ekzistojnë në disa komunitete, por edhe një alarm për pushtetin vendor dhe qendror që të ndërhyjë me masa konkrete dhe ligjore.
Apel për drejtësi dhe ndërhyrje institucionale
Familjarët e të ndjerës kërkojnë që autoritetet të hetojnë rastin dhe të ndërmarrin masa ndaj atyre që penguan varrimin, duke e kthyer dhimbjen e tyre në një traumë kolektive. Ata kërkojnë gjithashtu që të përcaktohen qartë me ligj të drejtat e varrimit dhe përdorimit të varrezave publike në të gjitha zonat e vendit, për të shmangur raste të ngjashme në të ardhmen. Ky rast ka nxjerrë në pah jo vetëm nevojën për sensibilizim dhe edukim qytetar, por edhe domosdoshmërinë e garantimit të të drejtave themelore për çdo individ, pa dallim etnie, përkatësie sociale apo vendbanimi./Balkanweb.com
