Pas prezantimit të planit amerikan për armëpushim nga presidenti Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, fraksionet kryesore palestineze po përpiqen të formulojnë një përgjigje të përbashkët.
Megjithatë, kjo është një sfidë e madhe për shkak të përçarjeve të brendshme në dy grupet kryesore: Hamas, i cili është i përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin në Gaza dhe Fatah, që ka kontrollin në Bregun Perëndimor.
Kryeministri i Katarit, sheiku Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ka dhënë sinjalet e para se plani amerikan përmbush disa nga objektivat kryesore të ndërmjetësve ndërkombëtarë, duke përfshirë ndalimin e masakrave dhe zhvendosjeve masive të palestinezëve. Megjithatë, mbeten pika të diskutueshme, veçanërisht lidhur me afatet kohore dhe shkallën e tërheqjes së forcave izraelite nga Gaza, si dhe përbërjen dhe natyrën e administratës së ardhshme palestineze.
Në brendësi të Hamasit, përçarjet janë të thella. Një pjesë e këtij grupi, e njohur si më radikalja, refuzon planin, duke e konsideruar atë një akt dorëzimi dhe poshtërimi për kauzën palestineze. Megjithatë, shumica e udhëheqjes duket se është e gatshme ta pranojë planin me kushte të caktuara, për të shmangur fajësinë për vazhdimin e konfliktit, por duke refuzuar klauzolat që mund të cenojnë të drejtat kombëtare palestineze.
Përmes ndërmjetësve si Katari, Egjipti dhe Turqia, Hamas kërkon ndryshime specifike në klauzolën e çarmatimit, duke bërë dallimin midis armëve mbrojtëse dhe sulmuese, si dhe garanci për një tërheqje të plotë dhe të shpejtë të Izraelit nga Gaza. Ata gjithashtu kërkojnë që administrata e ardhshme të jetë plotësisht në duart e palestinezëve dhe jo nën ndikimin e Autoritetit Nacional Palestinez (ANP).
Nga ana tjetër, edhe brenda Fatahut ka tensione të dukshme. Presidenti palestinez Mahmoud Abbas (Abu Mazen) mbështet përpjekjet e ndërmjetësve arabë dhe qasjen amerikane, por brenda partisë së tij ka zëra kritikë, si ai i Abbas Zakit, i cili e cilëson planin si një “dokument dorëzimi” që nuk reflekton aspiratat reale të popullit palestinez. Një burim nga Ramallahu thekson se Fatahu është e ndarë mes atyre që mbështesin planin, përfshirë Abbas dhe zëvendësin e tij Hussein al-Sheikh, dhe atyre që janë kundër tij.
Ndërkohë, brenda Hamasit diskutimet vazhdojnë intensivisht, dhe pritet që përgjigjja e parë për planin të dalë brenda disa ditësh. Kreu i Shërbimit të Informacionit Shtetëror të Egjiptit, Diaa Rashwan, shpreh optimizëm se Hamas do ta pranojë planin me disa rezervë, duke hapur rrugë për armëpushim.
Në këtë sfond diplomatik të ndërlikuar, Katari ka arritur një marrëveshje të veçantë me SHBA-në, ku Shtetet e Bashkuara garantojnë mbrojtjen e Katarit në rast sulmesh ndaj territorit të tij, duke e konsideruar një kërcënim për sigurinë kombëtare amerikane. Katari është një aleat strategjik i SHBA-së në Gjirin Persik, mik personal i Trump dhe vendi ku ndodhet baza kryesore ushtarake amerikane në rajon, al-Udeid. Roli i Katarit si ndërmjetës në këtë konflikt dhe marrëveshja e sigurisë me SHBA-në i japin atij një pozicion unik, madje më të fortë sesa vetë Izraeli, i cili nuk ka një marrëveshje të tillë sigurie me amerikanët.
Sulmi izraelit në Doha më 9 shtator nuk arriti të eliminojë udhëheqjen e Hamasit jashtë Gazës, dhe në mënyrë të papritur forcoi pozicionin e Katarit në rajon dhe marrëdhëniet e tij me SHBA-në, duke krijuar një dinamikë të re që mund të ndikojë në zgjidhjen e konfliktit dhe në përpjekjet për armëpushim.