Tag: kastriotët

  • Ansambli “Kastriotët” nga Ferizaj shpërblehet në Festivalin Ndërkombëtar të Kulturës në Turqi

    Ansambli “Kastriotët” nga Ferizaj shpërblehet në Festivalin Ndërkombëtar të Kulturës në Turqi

    Ansambli Artistik i Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” nga Ferizaj është shpërblyer me çmimin për performancën më të mirë në Festivalin e 17-të Ndërkombëtar të Kulturës, i cili u mbajt në Prefekturën e Ankarasë, Bashkinë Çubuk në Ankara dhe Bashkinë Inegöl në Bursa, ka njoftuar kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

    Në këtë festival, përveç përfaqësimit me këngë e valle shqiptare, u zhvilluan edhe takime protokollare me drejtuesit e bashkive dhe komunitetin kulturor. Ndërkohë, koreografi Bajram Tahiri u nderua me titullin e veteranit të festivalit.

    “Sot prita drejtuesit e anëtarët e AAKV ‘Kastriotët’ për t’i përgëzuar për këtë sukses dhe urat e bashkëpunimeve që po krijojnë me përfaqësimin e vlerave kulturore të Ferizajt”, ka shkruar Aliu.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    NË KUJTIM TË MIKES DHE POETESHËS PA NJË TË DYTË SE VETVETJA, LINDITA AHMETIT

  • Tezat për vendin e origjinës të familjes Kastrioti

    Tezat për vendin e origjinës të familjes Kastrioti

    Nga: Ilirjan Gjika

    Vendi ynë, Shqipëria, ka vetëm një hero kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, për të cilin çdo shqiptar ndihet krenar. E çuditshme është se akoma historia e Shqipërisë nuk e ka zgjidhur origjinën e vërtetë të Kastriotëve.

    Në librin “Historia e popullit shqiptar”, botuar në vitin 2002 nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, thuhet se për prejardhjen dhe vendorigjinën e Kastriotëve dihet shumë pak, prandaj për këto çështje mendimet e historianëve janë të ndryshme. Më pas libri parashtron idetë e të gjithë shkrimtarëve humanistë dhe historianëve të huaj dhe shqiptarë, të kaluar dhe të tashëm, idetë e të cilëve për origjinën e Kastriotëve ndahen në katër variante, të cilat do ti paraqesim një e nga një në rubrikat e këtij shkrimi.Debatet

    Deri në vitin 1974 mendimet e historianëve për origjinën e Kastriotëve ndaheshin më dysh. Një pjesë argumentonin se Kastriotët ishin me origjinë nga Mati, ndërsa pjesa tjetër mendonte se kjo familje ishte me origjinë nga Hasi.

    Të dy kampet argumentonin tezat e tyre, duke sjellë në mënyrë të pavarur faktet të ndryshme. Ndërkohë që vjen viti i fillimit të polemikave, viti 1974, ku tribunë e tyre bëhet gazeta mësuesi. Kështu do të ishte historiani Kristo Frashëri, i cili shprehu tezën e tij në publik, duke u bërë pikënisja e një debati të madh shkencor që vazhdon edhe sot të zhvillohet me “ashpërsi”.

    Teza e Matit

    Është mendimi më i vjetër i shprehur për origjinën e Kastriotëve. Atë e shprehu qysh në vitin 1510 humanisti shqiptar Marin Barleti në Librin e tij: “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, ku midis të tjerave ai thotë se “Krerët e fisit të Kastriotëve kanë rrjedhur nga Mati prej një dere fisnike (Historia e Skënderbeut, botimi i vitit 1983, fq.65)”.

    Një tjetër bashkëkohës i Barletit dhe i Skënderbeut, ishte humanisti Dhimitër Frangu, i cili si bashkëpunëtor i heroit, e shoqëroi këtë të fundit në vitin 1466-1467 në vizitën e tij në Romë (Historia e Popullit Shqiptar, fq.448). Frangu shkroi në Latinisht librin “Komentar për punët e turqve dhe të zotit Gjergj Skënderbe, Princ i Epirit”, botuar në Venedik në vitin 1539.

    Në faqet e tij ky autor thekson se Kastriotët janë nga Mati. Jo më vonë, por në vitin 1553, Andrea Engjëlli, nipi i Dhimitër Frangut, botoi në Romë veprën “Gjeneologjia e Perandorëve Romanë dhe Kostandinopolitë”. Libri, i cili i është kushtuar gjenealogjisë së familjes Ëngjëlli,(po aty fq.490) i mëshon tezës se Kastriotitët ishin nga Mati. Më vonë pro kësaj teze u shprehën edhe historianë të tjerë. Kështu në vitin 1729 historiani francez Dy Kanzhe (Dy Cange), duke ju referuar Andrea Engjëllit thekson se “Costantinus Castriotus që mban edhe mbiemrin Mazrek (Meserechus) ka qenë princ i Aemathias (Matit) dhe Castoriae (Kosturit)#.

    Ndërsa, në vitin 1921 Fan. S. Noli në veprën e tij “Historia e Skënderbeut, Mbretit të Shqipërisë”, botuar në Boston, bashkohet me mendimin e Barletit që Kastriotët ishin me origjinë nga Mati.

    Në mbrojtje të tezës se Kastriotët ishin nga Mati doli edhe studiuesi Dilaver Sadikaj. Në vitin 1974, duke polemizuar me tezën e Kristo Frashërit, solli të tjera argumenta mbi origjinën Matjane të Kastriotëve. (D.Sadikaj, Trashëgimni iliro-arbërore. Tiranë 1999. fq.305-314).

    Teza e Hasit

    Kjo tezë u formulua nga kronisti i Raguzës Pietro Lukari në vitin 1605 (P. Luçari, Annali di Rausa, Venezia 1605, Lib II, fq.80). Midis të tjera ai thotë se: “Gjon Kastrioti ishte Zot i Krujës nga një familje që doli nga Kastrati, fshat nën juridiksionin e Hasit në Shqipëri pak larg nga lumi Drin”.

    Të njëjtën ide shpreh edhe humanisti shqiptar Frang Bardhi në vitin 1636 (F.Blancus, Georgius Castriottus etc. Venezia 1636, fq. 70-71). Të dhëna të tjera në favor të kësaj teze janë edhe ato të disa autorëve të tjerë, si: E. Fermenxhin, Athanas Gegaj, Aleks Buda, Shefqet Hoxha, Kasem Biçoku, etj.

    Historiani boshnjak E. Fermenxhin, në një korpus dokumentesh për Bosnjën mesjetare (E. Fermendzin, Acta Bosnae, Monumenta Spectantis Historam Slavorum Meridionalium, vol XXIII Zagreb 1892, fq. 132), të gjetura në një manastir françeskan në Hungari, zbuloi të dhëna mbi familjet fisnike boshnjake dhe shqiptare. Aty në një pjesë të veçantë thuhet: “Kastriotët ishin nga fshati Kastriot në krahinën e Hasit”. Pro kësaj ideje është shprehur edhe Athanas Gegaj, i cili në vitin 1937, në librin e tij “Shqipëria dhe invazioni turk i shekullti të XV”, theksoi se: “Kastriotët ishin nga Mazreku i Hasit, por emrin Kastriot e kishin marrë nga pronat që kishin në Mirditë”.

    ReklamaEdhe një nga studiuesit dhe historianët më të njohur shqiptar, ish kryetari i Akademisë së Shkencave, Prof. Aleks Buda, ishte shprehur në vitin 1951 se Kastriotët ishin nga Hasi.

    Me këtë ide u pajtuan edhe autorët e tekstit zyrtar të historisë së Shqipërisë, botuar në vitin 1959, siç ishin historianët Selim Islami dhe Kristo Frashëri. Më vonë për këtë ide u shpreh edhe Kasem Biçoku një historian i njohur shqiptar dhe tezën e tij në mbështetje të origjinës hasiane të Skënderbeut ai e parashtroi në gazetën “Mësuesi” më 18 Dhjetor të vitit 1974.

    Ndërkohë që më parë kjo tezë ishte shprehur edhe nga studiuesi Shefqet Hoxha, i cili në vitin 1969 (Konferenca e II-të e studimeve Albanologjike, I, Tiranë 1969. fq.629-631), doli si përkrahës i kësaj teze. Kohë më pas, përsëri ky historian solli fakte të tjera në favor të kësaj ideje duke e vazhduar debatin përsëri siç bëri.Teza e Mirditës

    Këtë ide e hodhi i pari historiani austriak Falmerajer (Elementi shqiptar në Greqi. Tiranë 2003, fq.167) në fillim të shekullit të XIX-të. Edhe ai nuk mbeti jashtë debatit mbi origjinën e Skënderbeut. Falmerajeri theksonte në tezën e tij se: “Kastriotët ishin nga fshati Kastri i Mirditës”. Në këtë pikë me Falmerajerin bashkohet edhe Athanas Gegaj, por jo plotësisht, duke theksuar vetëm se Kastriotët emrin e morën nga fshati Kastri në Mirditë.

    Teza e Dibrës

    Këtë tezë e hodhi për herë të parë në gazetën “Mësuesi” të datës 4 shtator 1974, Kristo Frashëri.

    Sipas tij Kastriotët ishin një familje shqiptare nga Dibra e Poshtme. Emrin Kastriotët e morën nga fshati Kastriot në krahinën e Çidhnës, që ndodhet pranë Drinit të Zi (Peshkopi) (K.Frashëri, Nga ishin Kastriotët, ku lindi Skënderbeu, Mësuesi, Tiranë 1974, Nr. 35-36).

    Si argument kryesor Kristo Frashëri jep të dhënat e Gjon Muzakës. Midis të tjerave në kujtimet e tij ai thotë se: “Gjyshi i zotit Skënderbe quhej Pal Kastrioti dhe ky nuk kishte në zotërim më tepër se dy fshatra të quajtura Sinja dhe Gardhi i Poshtëm”. Të dy këto fshatra, thotë Kristo Frashëri (Shkenca dhe Jeta, Tirane 1988, I, fq.28-31), ndodhen ballë për ballë fshatit Kastriot, në të cilin ndeshim edhe një toponim interesant që lidhet me emrin e Gjon Kastriotit, si: Kulla e Gjonit, Kopshti i Gjonit, Pusi i Gjonit, Ograja e Gjonit, etj.

    Një tjetër ide në të cilin u mbështet Kristo Frashëri ishte edhe libri i humanistit Italian Rafael Volaterrano botuar në vitin 1506. (R.Volaterrano, Comentari). Në shënimet e tij autori cilëson Gjon Kastriotin me mbiemrin Dibra ose Dibrani.

    Të tjerë autorë që janë shprehur në favor të kësaj teze kanë qenë edhe historianët Hazis Ndreu dhe Ali Hoxha në vitet 1970.

    Hazis Ndreu mbështet idenë e Kristo Frashërit, duke na vënë në ndihmë toponiminë e Dibrës dhe veçanërisht atë të fshatrave Kastriot, Sinjë dhe Gardhi i Poshtëm (Gazeta “Mësuesi”, 14 Janar 1976). Ndërkaq, në favor të kësaj teze u shpreh edhe historiani tjetër Ali Hoxha i cili përpiqet të argumentojë origjinën dibrane të Kastriotëve (A. Hoxha. Studime historike, 3, 1979, fq.229-236). Ndërsa argumentet e fundit rreth kësaj ideje së fundi u shpreh edhe Fatos Daci, i cili në gazetën Tema e (17-18 tetor 2005) u shpreh jo vetëm kundër dy tezave të tjera (Matit dhe Hasit), por me tone të ashpra u përpoq që të na bindte se “Skënderbeu lindi dhe luftoi në Dibër” … Midis autorëve të tjerë Daci i referohet edhe argumenteve të Haki Stërmillit, shkrimtarit të shquar të shekullit XX.

    Mati si vendorigjina e Kastriotëve?!

    Mati është një nga krahinat më të bukura të Shqipërisë, i cili ndodhet midis kufirit ndarës të Shqipërisë veriore dhe asaj qendrore (të mesme). Si krahinë etnografike ai kufizohet me Mirditën, Dibrën, Librazhdin, Tiranën, Krujën etj. (Dilaver Kurti, Trashëgime iliro-arbërore, Tirane 1999 fq.15), duke krijuar një origjinalitet të veçantë të traditës kulturore.

    Kufijtë e vjetër të këtij rajoni ishin natyrisht më të gjerë se sot duke përfshirë në vetvete trevën nga lumi Drin i Zi në lindje e deri në bregdet në perëndim.

    Në periudhën e antikitetit rajoni në fjalë banohej nga fiset Ilire të albanëve dhe abrejve. Ndërsa ,me pushtimin romak në vitin 167 p.e.s., treva e Matit u përfshi në provincën romake të Maqedonisë. Më vonë me reformat e perandorit romak Dioklicianit, treva e Matit u përfshi në provincën e Epirit të Ri, që shtrihej nga lumi Drin deri në Vjosë.

    Gjatë mesjetës, Mati ashtu si pjesa më e madhe e trevave shqiptare ju nënshtrua pushtimeve: bizantine, bullgare, serbe, etj. Gjithashtu, gjatë shekujve XII-XV ai ishte pjesë përbërëse e principatave shqiptare të Arbërit (1190-1257) dhe asaj të Kastriotëve gjatë shekullit të XV.

    Në burimet historike për herë të parë kjo krahinë ndeshet në shek. e XIII-të, në dokumentet bizantine me emrin Mates (G. Akropolitis. LXVI-LXXX, tek Burime II. Tirane 1562 Dok. 43.fq.90). Këtë term e përmend pikërisht në vitin 1258 gjenerali Bizantin Akropoliti, i dërguar nga Perandori Bizantin Theodhori II-të Laskaris për shtypjen e veprimeve kryengritëse në territorin e Arbërisë. Në shënimet e tij Akropoliti shkruan se: “Nga Durrësi shkova në viset e Matit dhe arrita në Dibër”. Ndërkohë që në shekullin e XVI-të Humanisti Marin Barleti e përmend Matin me termin, Ematia (Marlin Barleti, Historia e Skënderbeut, Tirane 1967, fq.480). Gjatë luftës shqiptaro-turke të shekullit të XV-të Mati u kthye në një prej bazave më të rëndësishme të Skënderbeut. Në të gjendeshin kështjellat e Stelushit dhe Gurit të Bardhë, ku heroi zhvilloi një pjesë të veprimtarisë së tij.

    Sipas legjendës popullore (D. Kurti, Petralba. Drita, 19 Mars 1967), në Kështjellën e Petralbës (Gurit të Bardhë), kalonte pjesën më të madhe të kohës Gjon Kastrioti së bashku me familjen e tij. Gjithashtu sipas legjendës, këtu mund të ketë lindur edhe Gjergj Kastrioti. Ndërkohë që pas kryengritjes çlirimtare të vitit 1443 Skënderbeu rikrijoi Principatën e Kastriotëve dhe i kushtoi Petralbës një rëndësi të veçantë për pozitën e saj. (Dilaver Kurti, Trashëgime iliro-arbërore, Tirane 1999 fq.188). Këtu Skëndërbeu duhet të ketë ndjekur traditën familjare të strehimit të familjes, sepse Barleti na njofton se “Atje ai kishte lënë të shoqen që në fillim të verës, gjë që pastaj e bëri gjatë gjithë mbretërimit të tij”.

    Ndërkohë që tjetër legjendë e mbledhur nga historiani Dilaver Kurti na njofton se këtu lindi edhe i biri i heroit Gjoni i Ri, i cili pas vdekjes së të atit emigroi në Napoli në vitin 1468. Ndërkohë një tjetër kështjellë mesjetare e shekullit të XIV në Mat ishte edhe Stelushi. Ajo ishte ndërtuar në një pikë strategjike për të kontrolluar rrugën Mat-Dibër. Gjatë shekullit të XV Stelushi u shndërrua në një qytezë të vogël, ku ushtrohej një farë aktiviteti ekonomiko-shoqëror.

    Lidhur me origjinën e Kastriotëve mund të dëshmojmë se deri në vitin 1900 në fshatin Shtjefën (Shqefën) të Matit jetonte familja e fundit e këtij fisi. Ajo e konsideronte veten vendase dhe lagja ku banonte quhej lagja e Kastriotëve. Ndërkohë që në këtë fshat ruhen edhe sot me dhjetëra legjenda dhe elementë etnografikë që lidhen me Kastriotët dhe figurën e Skënderbeut.

    Interesante për historinë e Shqipërisë është edhe fakti që, pavarësisht se nuk ka të bëjë me problemin e mësipërm dëshmon se, në kufi me Shqefnin ndodhet Burgajeti. Pikërisht këtu ka origjinën familja Zogolli në shtëpinë e së cilës lindi në 8 tetor 1895 Ahmet Zogu, mbret i Shqipërisë në vitet 1928-1939. Pikërisht nga kjo krahinë duhet kërkuar origjina e Kastriotëve, duke u bazuar tek dëshmia e Barletit, i cili pavarësish nga qëndrimi skeptik që mbajnë historianët ndaj veprës së tij, mbetet biografi kryesor dhe më i besueshëm i Gjergj Kastriotit, heroit kombëtar të Shqipërisë.

    Në vend të mbylljes

    Mendoj që si pjesë e këtij debati të mos parashtroj argumentet e mi, por të shprehem duke gjykuar në optikën time se: Teza më e saktë mbi origjinën e Kastriotëve është ajo e Barletit dhe Dhimitër Frëngut mbi origjinën e tyre matjane.

    Këtu shtroj pyetjet: Përse të mos na bindë Barleti për këtë fakt? Përse e besojmë atë për të tjera argumente? Në veprën e tij “Histori e Skënderbeut”, Barleti përmend këtë frazë: “Ja kushtoj Pjetër Engjëllit”, i cili ishte vëllai i Pal Engjëllit, njërit prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Skënderbeut. Megjithë kufizimet dhe problemet që ka vepra e tij, ai mbetet biografi që ka jetuar më pranë Skënderbeut në kohë dhe hapësirë. Ju kujtoj të nderuar lexues dhe studiues se Shkodra ku ka jetuar Barleti në të njëjtën kohë me Skënderbeun nuk është larg nga Kruja, Mati, Dibra apo Hasi, nga ku mund të ishin Kastriotët? A do t’ia mohojmë Barletit edhe faktin se ai i njohu botës Skënderbeun dhe Shqiptarët? Mendojeni vetë. /GSh/

  • Fallsifikimi i historisë. E vërteta mbi historinë e Gjon Muzakës

    Fallsifikimi i historisë. E vërteta mbi historinë e Gjon Muzakës

    Ilirjan Gjika*

    Pak kohë më parë me disa miq të mi intelektualë zhvilluam prezantimin e librit te Historianit të njohur. Pëllumb Xhufi, të titulluar: ”Nga Paleologët tek Muzakaj”. Në këtë aktivitet ku nuk mungoi edhe autori, u shpalosën ide interesante dhe u diskutuan probleme të rëndësishme të kësaj vepre madhore për historinë e Shqipërisë Mesjetare.    Rëndësia e këtij libri qëndron në faktin se ne te çertifikohet historia e qyteteve tona si: Vlora, Berati dhe familjeve fisnike Shqiptare të Muzakajve, Gropajve, Matrengëve, etj. Midis morisë së problemeve Prof. Xhufi trajton edhe kronikën e Gjon Muzakës duke i bërë asaj dhe një kodifikim kritik. Për here të parë ai shpjegon sesi u zbulua ajo, në ç’formë u publikua, si erdhi në Shqipëri dhe ç’qëndrim mbajtën studjuesit ndaj saj. Ja se ç’thotë në librin e tij historiani i njohur, kur për here të parë tregohet si u zbulua ky dorëshkrim. Kronika e Gjon Muzakës u gjet në shtëpinë e sekretarit mbretëror në Napoli, Skipion Volpiçelës nga Karl Hopf, historian Gjerman, i cili për ta vlerësuar atë ja dorëzoi albanologurt Georg Hann si njeri kompetent në fushën e historisë për ta publikuar në botën shkencore. Hanni, duke mos njohur Shqipërinë nga afër ja dha një kopje Doktor Auerbahut, Konsullit Austro-Hungarez në Vlorë, njeri i apasionuar pas historisë dhe arkeologjisë. Më pas kronika ra në duart e Peshkopit të Beratit Anthim Aleksudhit, i cili e dorëzoi në vitin 1885 në Bibliotekën Kombëtare të Athinës. Që këtej kopja erdhi në Shqipëri ku u pasua nga botime dhe ribotime të ndryshme, ndërsa botimi i parë i saj u bë në vitin 1813. Ndërkohë që këtu fillojnë përsëri problemet Shqiptare të cilat do të përpiqemi ti sqarojmë më poshtë.    Në librin në fjalë të botuar në Itali në vitet 1508-1510 nga Princi Gjon Muzaka, thuhet se: ”Pal Kastrioti zotëronte në Mat dy fshatra, Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm”. Këtë fakt të çuditshëm që Muzaka e citon në librin e tij ne e kostatojmë si kontradiktor, sepse Sinja dhe Gardhi i poshtëm nuk gjenden në Mat, por sot ato përfshihen në Dibër. Për këtë të dhënë por edhe për fakte të tjera të tilla Gjon Muzaka është vënë nën shënjëstrën e akuzave të studjuesve të historisë. Kronikën e tij, Babingeri e quan si material me të dhëna të rreme. Ndërsa Dyselie thekson se ai është një material me të dhëna konfuze.    Ndërkohë për të gjykuar origjinën regjionale Shqiptare të Kastriotëve, historianët e shkollës Gjermane si Thalloczy, Jireçek dhe Shuflai e gjykuan të saktë idenë se Kastriotët ishin nga Mati. Le të citojmë Milan Shuflain i cili në faqen 31 të librit ”Serbët dhe Shqiptarët” thotë: Gjergj Kastrioti është pjella më e shkëlqyer e kësaj përzgjedhjeje të vdekur, luftëtari më i tmerrshëm të cilin e krijoi lufta e Europës me Turqit. Europa perëndimore e mbuloi atë me legjendë ende sa ishte gjallë. Bestytnia mbi fuqinë e tij të mbinatyrshme e bëri armikun turk që të humbte besimin në fat. Fantasia e popujve të Ballkanit, të cilët të shtypur nga të pafetë krijoi nga Skënderbeu heroin e këngëve dhe të rrëfimeve të tyre. Shqiptarët këndonin deri në shekullin e XVII, madje dhe në prani të turqve këngë për Skënderbeun, Emri i tij është ruajtur edhe sot e kësaj dite në Mat si dhe ndër disa fusha, duke filluar nga Fandi deri në Pukë dhe ndër shpella, prej të cilave njëra mban emrin Gjurma e kalit të Skënderbeut.    Ndërsa në një tjetër pasazh të po këtij libri në faqen 27, Shuflai duke ju referuar Jireçekut dhe Thalloczy-t thotë: Në një kartë sërbe të sundimtarit të Vlorës dhe Kaninës, Aleksandrit të birit të despotit Jovan përmendet (1366) qefalia i Kaninës Kastrioti. Ai mori nga Balsha i II-të aty nga viti 1383 dy fshatra në Shqipërinë e mesme në Mat.    Pra është i qartë pohimi i tre emrave autoritare të historografisë se Kastriotët janë nga Shqipëria e mesme pikërisht nga Mati. Por le ti kthehemi përsëri Muzakës. Përse ai thekson se Pal Kastrioti zotëronte në Mat dy fshatra Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm!.    Ne qofte se do të bëjmë një analize të thjeshtë na del se në kohën e Gjon Muzakës në shekullin e XV Mati kishte shtrirje më të gjerë deri në Korab, duke futur brenda tij edhe luginën e Drinit të zi, ku shtriheshin Sinja dhe Gardhi. Ose Muzaka në mënyrë të qëllimshme dhe dashakeqe thotë se Kastriotët janë nga Mati, por thekson se ata zotërojnë në të dy fshatra të cilat rezultojnë se ndodhen sot në Dibër, siç është rasti i Sinjës dhe Gardhit. Pra duket se hipoteza se Dibra e mirëfilltë shtrihej përtej kufijve të sotëm krahinore është e vërtetë dhe se territori ku shtriheshin dikur Sinja dhe Gardhi mesjetar i përkiste dikur Matit. Mos ndoshta Muzaka ka vërtet të drejtë, sepse i ati i heroit Gjoni dhe vetë Skënderbeu mbanin titujt Princa të Matit. Megjithatë le të vazhdojmë ta trajtojmë Muzakën përsëri në mënyrë Kritike.    Vetë Muzaka në një pasazh të Kronikës nuk e fsheh inatin që ka me burrin e kushërirës, Skënderbeun, kur e akuzon se i ka marrë Myzeqenë e vogël dhe Beratin me forcë.    Gjithashtu në antitezë me origjinën e Kastriotëve, ai bën një tjetër gafë, duke e nxjerrë origjinën e familjes Muzaka nga Perandorët e Kostandinopojës, një sajesë tepër të hiperbolizuar.    Pra Gjon Muzaka në mënyrë apriori dëshmon se: Pal Kastrioti i kishte zotërimet në Mat, por sikur të mos mjaftonte kjo gjë në Kronikën e Muzakajve do të ndodhnin çudi të tjera. Në botimin e saj të bërë në kohën e Shqipërisë socialiste një dorë specialisti e hoqi termin Mat. Pra, nëqoftë se Muzaka shkroi se Pal Kastrioti zotëronte në Mat Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm, në botimin e monizmit doli pasazhi se Pal Kastrioti zotërone dy fshatra Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm. Këto dy të fshatra ndodhen në Dibër dhe duke u nisur nga ky “fakt” i fallsifikuar në vitin 1974 doli teza se Kastriotët ishin nga Dibra.    Në Shqipërinë e asaj kohe kur historia shkruhej me urdhër nga lart dhe kur vlerësoheshin si figura të historisë kombëtare qe nuk ishin te tilla si p.sh Haxhi Qamili, nuk ishte e vështirë që Skënderbeut ti ndërrohej origjina, nga Matjane në Dibrane. Fundja ndonjë gjë e madhe nuk ishte, sepse ai përsëri Shqiptar mbetej. Megjithëse ai kurrë nuk u quajt Dibrani, sepse nuk ishte prej Dibrës. Me këtë llagap quhej një tjetër figure e shquar e luftës Shqiptaro-Turke të shekullit të XV, Moisiu i Dibrës ose Moisi Dibrani bashkëluftëtari i Skënderbeut dhe një nga miqtë e tij të afërm, Moisi Golemi. Pra nuk ka dyshim që ndryshimi i këtij fakti i interesonet klanit të Dibrës, e cila në raport me krahinat rreth saj nuk kishte nxjerrë një figure historike të një rangu të tillë. Kështu piknisje ishte kronika e Gjon Muzakës, për të vazhduar më pas me toponime dhe legjenda, për Skënderbeun të cilat nuk mungojnë në ish territoret e Principatës së Kastriotëve si në Mat, Krujë, Dibër, etj.    Tek Vepra e Prof. Pëllumb Xhufit ”Nga Palelogët tek Muzakaj” vëmë re se në pjesën e fundit të saj botohet në dy gjuhë Italisht dhe Shqip, Kroniken e Gjon Muzakës, autori e komenton duke bërë sqarime të rëndësishme dhe me shumë vlera. Por edhe aty në faqen 454 nuk citohet fjalia origjinale e shkruar nga despoti Gjon Muzaka ”Se Gjyshi i Skënderbeut quhej Pal Kastrioti dhe ky zotëronte në Mat dy katunde që quheshin Sinjë dhe Gardhi i Poshtëm”, por edhe këtu mungon termi Mat. Kjo gjë jo për faj të P. Xhufit, por për shkaqet e mësipërme ku qellimisht është hequr emri i Matit. Për ta ilustruar këtë gjë po japim një shembull tjetër. Në librin e tij të botur së fundmi në Shqipëri Antalogji Historike, albanologu dhe Politikani Mustafa Kruja, rrëfen pa dashje të vërtetën. Në kapitullin e XII, të titulluar ”Beteja e parë e fushë Kosovës dhe arbëreshët”, megjithëse ithtar i tezës se Kastriotët ishin nga Dibra, kjo figure e shquar e Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit XX-të, na bën një shërbim të shquar duke cituar tekstin autentik të kronikës të botimit të parë të Hopfit, botuar në Berlin në vitin 1875 në të cilin thuhet se Gjyshi i Skënderbeut zotëronte në Mat dy fshatra: Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm.    Pra Muzaka i ngratë që vdiq në ekzil pavarësisht se çfarë shkroi, në fillim të deklaratës së tij pranon që Kastriotët janë nga Mati. Kështu me dashje ose pa dashje shkojmë përsëri tek e dhëna e Barletit se Kastriotët ishin nga një derë fisnike nga Mati.    Këtij fakti ju bashkuan edhe historianët dhe albanologët Hopf, Hann, Jireçek, Thalloczy dhe Shuflai, të cilët duke gjykuar në mënyrë të drejtë kronikën në fjalë pohuan me mënyrë të drejtë se Kastriotët ishin nga Mati.    Kjo derë e shquar që nxorri Gjon Kastriotin zotërues së një pjese të Shqipërisë, Gjergj Kastriotin heroin Kombëtar të Shqiptarëve, Gjonin, Dukë i Shën Pjetrit të Galantinës në Mbretërinë e Napolit, Don Ferrante Kastriotin e të tjerë personalitete, nuk ishe një derë dosido që zotëronte vetëm dy katunde në periferi të Shqipërisë. Këtu nis edhe një nga dyshimet e forta mbi kronikën e Muzakës, faktet e së cilës janë jo vetëm në kontraditë me njëra tjetrën, por duan një kodifikim më të thellë për të arritur tek e vërteta e pa mohueshme se Kastritotët janë nga Mati.

    Gjon Muzaka

    Shqiponja dykrenare ne krye te tertamentit per pasardhesit e familjes Muzaka /usalbanianmediagroup.com/