Pas vdekjes së Papa Françeskut, siç njoftoi Vatikani të hënën, katolikët romakë në mbarë botën do të fillojnë të hamendësojnë se cili nga kardinalët me rroba të kuqe do ta pasojë atë.Duke pasur parasysh natyrën e emërimeve të kardinalëve që Françesku bëri gjatë papatit të tij, do të ketë padyshim pritshmëri që pasardhësi i papës argjentinas të jetë një tjetër joevropian, dhe se, mu sikur Françesku, ai të jetë një tjetër progresist, e kundërta e krahun konservator të kishës.
Megjithatë – procesi i zgjedhjes së papës, që do të nisë pasi Françesku të jetë varrosur – është tepër i fshehtë dhe asgjë nuk do të jetë e sigurt derisa tymi i bardhë të dalë nga oxhaku i Kapelës Sistine për t’i treguar botës se është zgjedhur një papë i ri.Vatikani njoftoi se Françesku do të varroset të shtunën në orën 10:00.
Kardinalët janë bashkëpunëtorët më të afërt të papës, ata udhëheqin departamente të rëndësishme në Vatikan dhe dioqezat në të gjithë botën. Kur një papë vdes ose jep dorëheqje, kardinalët që janë nën moshën 80-vjeçare mblidhen në një këshill të fshehtë për ta zgjedhur nga radhët e veta kreun e ri të Kishës Katolike Romake me gati 1.4 miliardë anëtarë.
Votimi i ndërlikuar do të tregojë nëse kardinalët e tanishëm, shumica e të cilëve janë emëruar nga Françesku, besojnë se përqafimi i vlerave sociale liberale nga ai dhe agjenda e tij reformuese progresive kanë shkuar shumë larg, dhe nëse është e nevojshme ndonjë periudhë pakësimi.
Kardinalët do ta caktojnë datën për fillimin e këshillit të fshehtë, pasi të fillojnë të mbërrijnë në Romë gjatë ditëve në vijim.
Vetëm papa mund të emërojë kardinalë, dhe lloji i burrave që ai zgjedh mund të lërë gjurmë në kishë shumë kohë pas udhëheqjes së tij – për shkak të statusit të tyre si klerikë të lartë dhe sepse ndonjëri prej tyre mund të bëhet papë.
Që nga 21 prilli, ka gjithsej 252 kardinalë, 135 prej tyre kardinalë votues nën moshën 80-vjeçare, sipas të dhënave të publikuara nga Vatikani. 108 nga votuesit ishin emëruar nga Françesku, 22 nga paraardhësi i tij Benedikti dhe pesë nga Gjon Pali II.
Kardinalët “krijohen” në ceremoni të quajtura konsistorë, ku atyre u jepet unaza, një bireta e kuqe – një kapelë katror – dhe betohen për besnikëri ndaj papës, edhe nëse kjo do të thotë të derdhin gjak ose të sakrifikojnë jetën e tyre, siç simbolizon ngjyra e kuqe.
Papa Françesku mbajti 10 konsistorë dhe me secilin prej tyre, ai shtoi gjasat që pasardhësi i tij të jetë një tjetër joevropian, pasi përforcoi kishën në vende ku ajo është ose një pakicë e vogël ose ku po rritet më shpejt se në Perëndimin kryesisht të stagnuar.
Për shumë shekuj, shumica e kardinalëve ishin italianë, përveç një periudhe kur papati ishte bazuar në Avignon midis viteve 1309-1377, kur shumë prej tyre ishin francezë.
Ndërkombëtarizimi i Kolegjit të Kardinalëve filloi seriozisht nën Papën Pal VI (1963–1978). Ai u përshpejtua shumë nga Papa Gjon Pali II (1978–2005), një polak që ishte papa i parë joitalian në 455 vjet.
Derisa Evropa ende ka pjesën më të madhe të kardinalëve votues, me rreth 39 për qind, kjo ka rënë nga 52 për qind në vitin 2013 kur Françesku u bë papa i parë nga Amerika Latine. Grupi i dytë më i madh i votuesve është nga Azia dhe Oqeania, me rreth 20 për qind.
Një grup jo shumë evropianë
Françesku emëroi më shumë se 20 kardinalë nga vende që më parë nuk kishin pasur kurrë kardinal, pothuajse të gjithë nga vende në zhvillim si Ruanda, Kepi i Gjelbër, Tonga, Mianmari, Mongolia dhe Sudani i Jugut, ose vende me shumë pak katolikë si Suedia.
Në disa raste, ai anashkaloi qëllimisht vende vakante në qytete të mëdha evropiane që tradicionalisht kishin kardinalë, për të theksuar se kisha nuk mund të jetë e përqendruar në Evropë kaq shumë.
Në vende të tjera, si Shtetet e Bashkuara, ai anashkaloi dioqezat si Los Anxhelosi dhe San Francisko, sic duket për shkak se ato kishin kryepeshkopë konservatorë.
Robert McElroy, kryepeshkop i Uashingtonit që nga marsi, shihet si një progresist dhe aleat i zëshëm i qasjes priftërore të Françeskut ndaj çështjeve sociale, si mbrojtja e mjedisit dhe një qasje më mikpritëse ndaj katolikëve LGBTQ.
Trashëgimia e papës
Sa më shumë kardinalë që një papë emëron gjatë udhëheqjes së tij, aq më shumë rritet mundësia që pasardhësi i tij të jetë dikush që ndan pikëpamje të ngjashme për kishën dhe çështjet sociale.
Megjithatë, jo gjithmonë ndodh kështu, pasi kardinalët mund ta zgjedhin një person teologjikisht të ndryshëm nga paraardhësi i tij, por që konsiderohet kandidati më i përshtatshëm për arsye të brendshme kishtare ose për kohën historike kur bëhet emërimi i tij.
Papa Benedikti u zgjodh për ta pasuar Papën Gjon Palin II kryesisht sepse ai kishte punuar me të për dy dekada dhe kardinalët donin vazhdimësi.
Por, shumë nga të njëjtët kardinalë ndienin se nevojitej një “i jashtëm” për ta pasuar Benediktin, i cili dha dorëheqje në vitin 2013, pas skandalit “Vatileaks” që zbuloi një administratë të brendshme jofunksionale, kryesisht nën drejtimin e klerikëve të lartë italianë.
Në të njëjtën kohë, shumë kardinalë e ndienin qartë se e ardhmja e katolicizmit ndodhej përtej Evropës së plakur, prandaj e zgjodhën Jorge Mario Bergoglio nga Argjentina si papën e tyre – papa i parë joevropian në gati 13 shekuj.
Megjithëse kardinalët që kanë mbushur 80 vjet nuk mund të hyjnë në këshillin e fshehtë, ata prapëseprapë mund të ndikojnë në rezultatin e tij. Ata lejohen të marrin pjesë në takime të quajtura Kongregacionet e Përgjithshme që zhvillohen në prag të fillimit të këshillit të fshehtë, dhe ku formohet një profil i cilësive që papa i ardhshëm duhet t’u gëzojë./REL
Tag: kardinalë
-

Si do të emërohet Papa i ri?
-

Një proces shekullor i veshur me mister… si zgjidhet Papa i ri?
Me vdekjen e Papa Françeskut, kardinalët nga e gjithë bota do të mblidhen në Romë për të zgjedhur një Papë të ri. Ritualet për zgjedhjen e një Pape të ri janë të përpunuara dhe datojnë shekuj më parë.
Por si funksionon kjo dhe çfarë do të ndodhë në Vatikan?
Kur një Papë vdes ose jep dorëheqjen, Kisha Katolike hyn në një periudhë të quajtur “sede vacante”. Kjo do të thotë “vend i zbrazët” – pasi nuk ka Papë të ulur në fronin e Shën Pjetrit.
Unaza dhe vula e Papës së ndjerë – të cilat përdoren për dërgimin e dokumenteve papale – janë thyer për të ndaluar këdo tjetër që t’i përdorë ato.Gjatë kësaj kohe, një kardinal – i njohur si Camerlengo ose Chamberlain – bëhet shefi i përkohshëm i kishës me kompetenca të kufizuara.
“Sede vacante” në përgjithësi zgjat disa javë ndërsa trupi i Papës shtrihet në gjendje, funerali i tij mbahet dhe kardinalët përgatiten të mblidhen për konklavën.
Konklava
Konklava zhvillohet në Kapelën Sistine, sallën e famshme të Vatikanit, muret dhe tavanet e së cilës janë zbukuruar me veprat e Mikelanxhelos. Takimi përfshin kardinalë nga e gjithë bota dhe zgjat derisa të zgjidhet një Papë i ri.
Vetëm kardinalët nën moshën 80 vjeç (elektorët kardinalë) lejohen të marrin pjesë në Konklavë dhe të japin votën e tyre për Papën e ri.
Aktualisht, nga 252 kardinalë, janë 135 elektorë kardinalë: 53 nga Evropa, 23 nga Azia, 20 nga Amerika e Veriut, 18 nga Afrika, 17 nga Amerika e Jugut dhe katër nga Oqeania. Vendi me më shumë kardinalë që mund të votojnë është Italia me 17, SHBA ka 10 dhe Brazili me shtatë, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka tre.Pasi të fillojë konklava, kardinalët nuk do të dalin nga Vatikani derisa të zgjidhet një Papë i ri. Fjala “konklavë” vjen nga latinishtja, që do të thotë “me çelës” – një referencë për izolimin në të cilin mbahen kardinalët.
Ata mbajnë seanca votimi në Kapelën Sistine dhe flenë në hotelin Casa Santa Marta brenda territorit të Vatikanit. Konklava më e gjatë zgjati gati tre vjet, midis 1268 dhe 1271. Disa prej tyre kanë zgjatur vetëm një ditë.
Konklava në të cilën u zgjodh Papa Gjon Palin në 1978 zgjati më pak se tre ditë, ndërsa kardinalët zgjodhën Papa Françeskun brenda dy ditësh.
Ndërsa konklava vazhdon, kardinalët nuk janë në gjendje të komunikojnë me botën e jashtme. Nuk lejohen telefonat, përdorimi i internetit apo komunikimi me gazetarët.
Me përjashtim të ditës së parë, kardinalët zhvillojnë dy seanca votimi ditore derisa një kandidat të ketë një shumicë prej dy të tretave plus një. Të gjithë ata janë betuar për fshehtësi në lidhje me votën.
Tymi i bardhë?
Si e dimë nëse është marrë një vendim? Kjo është pjesa e tymi të zi, ose tymit të bardhë.
Nëse kardinalët nuk kanë arritur shumicën, kartat dhe fletët e llogaritjes vendosen në një sobë dhe digjen me një aditiv për të prodhuar tym të zi, duke i treguar botës së jashtme se një Papë nuk është zgjedhur ende.
Të shikosh për tymin tregues që del nga maja e Kapelës Sistine është diçka si një traditë, me katolikët që grumbullohen në sheshin e Shën Pjetrit për spektaklin.Nëse nuk është arritur asnjë rezultat brenda tri ditëve, seancat pezullohen për një ditë për të lejuar lutjen dhe diskutimin. Më pas mbahen më shumë seanca votimi derisa të arrihet shumica e 2/3.
Kur mjaft kardinalë bien dakord për një kandidat për Papë të ardhshëm, ai kandidat pyetet nëse pranon dhe me cilin emër dëshiron të njihet.
Më pas fletët e votimit digjen si më parë, por me një aditiv për të prodhuar tym të bardhë.
Shpallja e Papës së ri
Papa i ri më pas vesh rrobat e tij të reja papale. Rrobaqepësit i mbajnë gati madhësitë e mëdha, të mesme dhe të vogla dhe ulet në një fron në Kapelën Sistine për të pritur kardinalët e tjerë që paraqiten për të bërë homazhe dhe për t’u betuar se do t’i binden udhëheqësit të ri të kishës.
Më pas, dhjaku i lartë kardinal del në ballkonin qendror të Bazilikës së Shën Pjetrit me pamje nga sheshi dhe shpall në latinisht: “Annuntio vobis gaudium magnum. Habemus Papam“, që do të thotë: “Ju njoftoj një gëzim të madh. Kemi një Papë”.Dhe në vijim zbulon emrin e të përzgjedhurit. Papa i ri më pas shfaqet në ballkon për të dhënë përshëndetjen e tij të parë publike pontifikale dhe për të bekuar turmat në sheshin e Shën Pjetrit. Pak ditë më vonë, Papa i ri kremton një meshë që shënon fillimin e shërbesës së tij.