Barcelona ka vendosur ta pezullojë Marc-André ter Stegen-in nga detyra e kapitenit për shkak të një konflikti që ka shpërthyer mes portierit gjerman dhe drejtuesve ‘blaugrana’.
Sipas një komunikate zyrtare, pezullimi vjen pas hapjes së një procedure disiplinore ndaj Ter Stegen-it, i cili ka refuzuar të firmosë autorizimin për t’i dërguar La Liga-s raportin mjekësor të operacionit të fundit që ka kryer në shpinë.
Klubi thekson se ky është një vendim i marrë në mënyrë konsensuale mes bordit drejtues, stafit teknik dhe drejtuesve sportivë.
“FC Barcelona njofton se, si pasojë e hapjes së një procedure disiplinore ndaj lojtarit Marc-André ter Stegen, dhe deri në përfundimin e këtij procesi, klubi, në marrëveshje me Drejtorinë Sportive dhe stafin teknik, ka vendosur t’i heqë përkohësisht detyrën e kapitenit të ekipit të parë të futbollit,” thuhet në deklaratë.
Në këtë periudhë, detyrën e kapitenit do ta marrë Ronald Araujo, i cili deri tani ka mbajtur rolin e zëvendëskapitenit.
Pas dy sezoneve me ndërprerje për shkak të ‘dëmtimeve serioze’ dhe ndërhyrjes së fundit kirurgjikale në shpinë, Ter Stegen ka refuzuar t’i japë Barcelonës leje për të ndarë të dhënat e tij mjekësore me La Liga-n.
Federata kërkonte këtë informacion për të vlerësuar kohëzgjatjen e mungesës së tij nga fusha.
Sipas mediave katalanase, Barcelona synonte të përfitonte nga mungesa afatgjatë e portierit për të respektuar rregullat e ‘Financial Fair Play’ të La Liga-s dhe për të regjistruar blerjet e reja gjatë merkatos.
Megjithatë, refuzimi i Ter Stegen, i cili është lënë jashtë planeve pas transferimit të portierit të ri Joan Garcia dhe rinovimit të kontratës me polakun Wojciech Szczęsny, e bën këtë të pamundur.