Procesi për zgjedhjen e drejtorit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) duket se po shndërrohet në një tjetër sagë skandalesh nën hijen e kreut të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPI), Evgjeni Basharit. Burime të besueshme pohojnë se ILDKPI po zvarrit me qëllim dorëzimin e dokumentacionit për pasuritë e kandidatëve, duke e çuar gjithë procedurën drejt “kalendave greke”. Edhe pse intervistat për 7 kandidatët janë mbyllur prej ditësh, procesi ka ngecur në fazën e verifikimit të figurës dhe pasurisë, ku ILDKPI po luan me afatet.
Në lojë janë emra të njohur si Gledis Nano, Gentian Ndoi e Joni Keta, por përplasjet mes anëtarëve të komisionit Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra kanë ndezur akoma më shumë dyshimet. Zvarritjet e ILDKPI-së po ushqejnë aludimet se pas gjithë kësaj fshihet një strategji e paramenduar për të favorizuar “njeriun e duhur”. Ndërkohë, opinioni publik mbetet peng i intrigave dhe pazareve që zhvillohen në prapaskenë. Pyetja e madhe është: kush e do të kapur BKH-në dhe pse ILDKPI e drejtuar nga Bashari po mban peng një proces që pritej të sillte transparencë dhe integritet? Çfarë po ndodh me garën më të rëndësishme në drejtësi pritet të zbardhet, por një gjë është e qartë: era e skandaleve nuk po i ndahet Evgjeni Basharit.
Çfarë ka ndodhur?
Ka përfunduar faza e intervistave në procesin e përzgjedhjes së drejtorit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Pas testit të poligrafit të zhvilluar më datat 24 dhe 25 korrik, më 28 korrik 7 kandidatët ju nënshtruan intervistave. Ato nisën në orën 09:00 në ambientet e SPAK dhe zgjatën 45 minuta për secilin kandidat. Komisioni i Përzgjedhjes, i asistuar nga përfaqësues ndërkombëtarë, vlerësoi njohuritë profesionale, aftësitë drejtuese dhe qasjen e kandidatëve ndaj sfidave që sjell drejtimi i një institucioni të specializuar në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kandidatët në garë janë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta. Në përfundim, u vendos që të shtatë kandidatët të kalojnë në fazën e fundit, atë të verifikimit të figurës dhe kontrollit të pasurisë, në zbatim të nenit 6 të ligjit nr. 95/2016, i cili rregullon organizimin dhe funksionimin e institucioneve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Verifikimet e mëtejshme të figurës do të kryhen nga Komisioni i Posaçëm për Verifikimin e Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve, sipas parashikimeve në neneve 6 dhe 57 të Ligjit nr.95/2016. Komisioni i Posaçëm për Verifikimin e Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve do të dorëzojë, brenda një periudhe prej 120 ditësh, një raport të detajuar mbi ligjshmërinë e burimeve të pasurisë dhe pastërtinë e figurës të kandidatëve. Ky raport do të jetë pjesë e vlerësimit të kandidatëve nga Komisioni i Përzgjedhjes. Në përfundim të procesit të vlerësimit të kandidatëve, Komisioni i Përzgjedhjes përcakton kandidatin më të mirë. Bazuar në neni 32/2 të ligjit nr.95/2016, kandidati i përzgjedhur, i nënshtrohet programit të trajnimit. Pas përfundimit të programit të trajnimit Komisioni i Përzgjedhjes i dërgon emrin e kandidatit të përzgjedhur për pozicionit e Drejtorit të BKH-së, për miratim Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, thuhet në rregullore. Komisioni që do të përcaktojë kreun e ri përbëhet nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra. Ka zëra që thonë se ka përplasje mes tyre, por do të duhet të shohim në fund se për kë do të vendosin.