Tag: kanadaja

  • LAJM I FUNDIT/ Britania, Kanadaja dhe Australia njohin Palestinën si shtet të pavarur

    LAJM I FUNDIT/ Britania, Kanadaja dhe Australia njohin Palestinën si shtet të pavarur

    Në një zhvillim historik diplomatik, Mbretëria e Bashkuar ka shpallur njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës, duke iu bashkuar Kanadasë dhe Australisë në përpjekjen ndërkombëtare për të rigjallëruar shpresën për paqe në Lindjen e Mesme dhe për të mbështetur zgjidhjen me dy shtete.

    Kryeministri britanik, Keir Starmer, deklaroi : “Sot, për të rikthyer shpresën për paqe për palestinezët dhe izraelitët, dhe për një zgjidhje me dy shtete, Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht Shtetin e Palestinës.”
    Ky vendim pason deklaratat e ngjashme nga kryeministri kanadez, Mark Carney, i cili bëri publike njohjen e Palestinës si shtet sovran më herët këtë javë:
    “Kanadaja njeh Shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin tonë për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore si për Palestinën ashtu edhe për Izraelin,” shkroi ai në rrjetin X.
    Po ashtu, Australia shpalli njohjen e Palestinës, duke e bërë të qartë se ky hap është pjesë e një përpjekjeje të koordinuar me Kanadanë dhe Britaninë për të avancuar zgjidhjen me dy shtete. Kryeministri australian, Anthony Albanese, e cilësoi këtë si një angazhim të përbashkët ndërkombëtar për paqe të qëndrueshme.
    Këto tre shtete Kanadaja, Australia dhe tashmë edhe Britania janë të parat nga grupi i shtatë vendeve më të industrializuara të botës (G7) që ndërmarrin hapin zyrtar për të njohur Palestinën si shtet. Vendimet janë shpallur gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
    Vendimi i Britanisë vjen pas paralajmërimit të bërë nga Starmer më 29 korrik, se njohja e Palestinës do të bëhej nëse Izraeli nuk ndërmerrte hapa konkretë për të përmirësuar situatën në Gaza, të përfshinte një armëpushim të qëndrueshëm dhe të lejonte rikthimin e ndihmave humanitare.
    Që nga ajo kohë, situata në Gaza është përkeqësuar ndjeshëm, me ofensiva të reja ushtarake nga Izraeli në Gaza City, raportime për uri ekstreme nga agjencitë ndërkombëtare dhe akuza për gjenocid të ngritura nga Komisioni i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
    Ky bashkëpunim midis Britanisë, Kanadasë dhe Australisë pritet të ushtrojë presion të shtuar mbi komunitetin ndërkombëtar për të ndërmarrë hapa konkrete drejt paqes dhe njohjes së të drejtave legjitime të popullit palestinez.

    Top Channel

  • Kanadaja do t’i heqë shumë prej tarifave hakmarrëse ndaj mallrave amerikane

    Kanadaja do t’i heqë shumë prej tarifave hakmarrëse ndaj mallrave amerikane

    Kanadaja do t’i heqë shumë prej tarifave hakmarrëse ndaj mallrave të importuara nga Shtetet e Bashkuara dhe do t’i rrisë kontaktet me Shtetet e Bashkuara për arritjen e një marrëveshjeje të re tregtare, tha të premten kryeministri kanadez, Mark Carney.

    Tarifat kanadeze ndaj makinave, çelikut dhe aluminit amerikan nuk do të hiqen tani për tani, u tha ai gazetarëve në një konferencë shtypi në Otavë.
    Carney theksoi se Shtetet e Bashkuara kohët e fundit e kishin bërë të qartë se nuk do të vendosnin tarifa mbi mallrat kanadeze që ishin në përputhje me marrëveshjen tregtare tripalëshe SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA).

    “Në këtë kontekst, dhe në përputhje me angazhimin e Kanadasë ndaj USMCA-së, unë po njoftoj sot se Qeveria e Kanadasë tani do të përputhet me Shtetet e Bashkuara duke hequr të gjitha tarifat e Kanadasë mbi mallrat amerikane që mbulohen posaçërisht nga USMCA”, tha ai.
    Kanadaja ka disa muaj që zhvillon bisedime me SHBA-në për të lidhur marrëdhënie të re ekonomike dhe sigurie, por të dyja palët nuk janë afër një marrëveshjeje.
    Kanadaja dhe Kina janë të vetmet kombe që iu kundërpërgjigjën Shteteve të Bashkuara me tarifa hakmarrëse, duke e zemëruar administratën amerikane.
    “E mirëpresim këtë hap të Kanadasë, i cili është shumë i vonuar. Presim të vazhdojmë diskutimet me Kanadanë për shqetësimet e administratës lidhur me tregtinë dhe sigurinë kombëtare”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
    Carney foli me presidentin amerikan, Donald Trump të enjten. I pyetur nëse presidenti amerikan i kishte thënë se heqja e tarifave do të niste bisedimet, Carney u përgjigj: “Po.”
    Carney fitoi zgjedhjet e prillit mbi bazën e një premtimi për t’u përballur me tarifat e Trumpit, por prej atëherë e ka zbutur dalëngadalë tonin e tij.
    Në fund të qershorit, Carney hoqi dorë nga një taksë e propozuar për shërbimet digjitale, të cilën kompanitë amerikane e kundërshtonin fuqishëm, dhe në korrik ndaloi së foluri për sanksione të mëtejshme nëse të dyja palët nuk do të arrinin marrëveshje deri më 1 gusht.
    Ky lajm mund të jetë sfidë politike për Carney, partia liberale në pushtet e të cilit ka vetëm një pakicë vendesh në parlament dhe mbështetet tek partitë opozitare për t’iu mbijetuar votëbesimeve.
    Kreu i konservatorëve, partisë më të madhe opozitare, këtë javë e akuzoi Carney për një qasje tepër të butë ndaj Shteteve të Bashkuara.
    Pararendësi i Carneyt si kryeministër, Justin Trudeau, më 6 mars kishte vendosur tarifa prej 25 për qind mbi mallra me vlerë 21 miliardë dollarë të importuara çdo vit nga SHBA-ja, si përgjigje ndaj tarifave fillestare të Trumpit. /REL/

  • Nga 1 shtatori, Kanadaja do të heqë tarifat për produktet amerikane

    Nga 1 shtatori, Kanadaja do të heqë tarifat për produktet amerikane

    Kanadaja do të eliminojë shumë nga tarifat që vendosi për mallrat e importuara amerikane dhe gjithashtu do të intensifikojë kontaktet e saj me Shtetet e Bashkuara për të krijuar një marrëdhënie të re me Uashingtonin mbi tregtinë dhe sigurinë, deklaroi të premten kryeministri Mark Carney.
    Në një konferencë për shtyp në Ottawa, pasi foli në telefon me presidentin e SHBA-së Donald Trump, Carney tha se tarifat për të gjitha produktet e mbuluara nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë Shtetet e Bashkuara-Kanada-Meksikë (USMCA) do të eliminohen duke filluar nga 1 shtatori.
    Kanadaja po i përgjigjet përjashtimeve të dhëna nga Uashingtoni për produktet kanadeze në fillim të gushtit. Ndërsa tarifat për makinat, çelikun dhe aluminin do të mbeten. Carney vuri në dukje se SHBA-të sqaruan së fundmi se nuk do të vendosnin tarifa për produktet kanadeze të mbuluara nga USMCA , të cilën ai e quajti një zhvillim pozitiv.

  • “Tarifat e reja”, reagon kryeministri kanadez: Jemi të zhgënjyer nga SHBA

    “Tarifat e reja”, reagon kryeministri kanadez: Jemi të zhgënjyer nga SHBA

    Kryeministri kanadez, Mark Carney, deklaroi se qeveria është “e zhgënjyer” nga vendimi i SHBA-së për të rritur tarifat në 35% për mallrat kanadeze që nuk përfshihen në një marrëveshje paraprake të tregtisë së lirë.
    Megjithatë, Carney theksoi se zbatimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA) “nënkupton që norma mesatare e tarifave të SHBA-së për mallrat kanadeze mbetet një nga më të ulëtat mes partnerëve tregtarë të saj”.
    Sipas traktatit USMCA, i cili u negociua gjatë mandatit të parë të presidentit Trump dhe hyri në fuqi në vitin 2020, një gamë e gjerë mallrash të prodhuara në Amerikën e Veriut janë të pranueshme për trajtim pa taksa.
    Banka Qendrore e Kanadasë vlerëson se 100% e eksporteve të energjisë dhe 95% e të gjitha mallrave të tjera nga Kanadaja plotësojnë kriteret për të përfituar nga USMCA.

    Megjithatë, sipas Carney, “sektorë të tjerë të ekonomisë sonë – përfshirë lëndën e drurit, çelikun, aluminin dhe automobilat – preken ndjeshëm nga tarifat dhe detyrimet e reja të SHBA-së”.
    “Për këta sektorë, qeveria kanadeze do të veprojë për të mbrojtur vendet e punës në Kanada, për të investuar në konkurrueshmërinë tonë industriale, për të blerë produkte kanadeze dhe për të diversifikuar tregjet tona të eksportit,” shtoi ai.
    Carney kritikoi gjithashtu arsyetimin e presidentit Trump për vendosjen e tarifave, duke thënë se “Kanadaja përbën vetëm 1% të importeve të fentanilit në SHBA dhe ka punuar intensivisht për të ulur më tej këto vëllime”.
    Duke theksuar rëndësinë e pavarësisë ekonomike, ai tha:
    “Kanadaja do të jetë klienti ynë më i mirë. Ne mund t’i japim vetes më shumë sesa çdo qeveri e huaj mund të na marrë ndonjëherë – duke ndërtuar me punëtorë kanadezë dhe duke përdorur burimet kanadeze në dobi të të gjithë kanadezëve.”

  • Gaza “përçan” SHBA me aleatët e saj, Europa dhe Kanadaja i kthejnë shpinën Trump

    Gaza “përçan” SHBA me aleatët e saj, Europa dhe Kanadaja i kthejnë shpinën Trump

    Një përçarje e thellë po shfaqet mes SHBA-ve dhe aleatëve të saj tradicionalë mbi të ardhmen e Gazës dhe zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez. Ndërsa Franca, Britania dhe Kanadaja kanë shpallur planet për të njohur Shtetin e Palestinës, administrata e Donald Trump jo vetëm që refuzon të bashkohet, por edhe e bojkoton iniciativën diplomatike të udhëhequr nga Franca dhe Arabia Saudite në Kombet e Bashkuara.

    Në konferencën e kësaj jave në Nju Jork, e mbajtur për të rigjallëruar zgjidhjen me dy shtete, Franca dhe Britania njoftuan se do të njohin Palestinën më vonë gjatë këtij viti, nëse përmbushen disa kushte. Kanadaja iu bashkua atyre të mërkurën. Por Shtetet e Bashkuara nuk morën pjesë. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, e quajti konferencën një “shfaqje për publikun” dhe tha se SHBA-të “nuk do të bëhen pjesë e kësaj fyerje”.

    Në këtë sfond, lind pyetja thelbësore: A ka administrata Trump një plan për të ardhmen e Gazës?

    Përgjigja duket të jetë jo, ose të paktën asnjë vizion të qartë e të qëndrueshëm. Zyrtarët amerikanë i janë shmangur detajeve konkrete, ndërsa vetë presidenti ka kaluar nga ide radikale, si ajo për ta shndërruar Gazën në një “rivierë të Lindjes së Mesme”, në mungesë të plotë propozimesh realiste. Plani i përfolur për shpërnguljen e popullsisë palestineze është zbehur mes refuzimit të vendeve arabe dhe kritikave ndërkombëtare për shkelje të ligjit ndërkombëtar.

    Në mungesë të një qasjeje strategjike nga SHBA-të, Europa dhe disa vende arabe po përpiqen të mbushin boshllëkun. Në konferencën e Nju Jorkut, u theksua nevoja për ndihmë emergjente humanitare, mbështetje për Autoritetin Palestinez dhe një kornize të re për një marrëveshje paqeje. Kjo shënon një ndryshim të rëndësishëm nga praktika e deritanishme, sipas së cilës njohja e Palestinës do të ndodhte vetëm në fund të një procesi negociatash.

    Ndërkohë, situata në Gaza është alarmante. OKB dhe organizatat ndërkombëtare flasin për uri të përhapur, kequshqyerje dhe përkeqësim të kushteve sanitare. Izraeli fajëson Hamasin dhe Kombet e Bashkuara për krizën, por vendet evropiane e shohin qartë se zvarritja e ndihmave dhe politika e ndëshkimit kolektiv po e çojnë Gazën drejt katastrofës.

    Për shumë vende, sidomos në Europë, skenat e fëmijëve të qëlluar teksa kërkojnë ndihma humanitare janë bërë një pikë kthimi moral. Ministri i Jashtëm britanik, David Lammy, deklaroi se “komuniteti ndërkombëtar është thellësisht i tronditur nga pamjet e tmerrshme”.

    Në mungesë të udhëheqjes amerikane, konferenca e shtatorit do të përpiqet të shtyjë përpara një proces të ri paqeje, me shpresën se bashkëpunimi i vendeve arabe dhe presioni ndërkombëtar do të detyrojnë Uashingtonin të rikthehet në rrugën diplomatike. Por për momentin, vendi që dikur udhëhiqte përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme, po qëndron në heshtje, duke rrezikuar të humbasë ndikimin dhe kredibilitetin në një nga çështjet më të nxehta të politikës globale.

  • Kanadaja do njohë shtetin palestinez në shtator, Trump: Do jetë e vështirë të arrijmë një marrëveshje tregtare pas këtij vendimi

    Kanadaja do njohë shtetin palestinez në shtator, Trump: Do jetë e vështirë të arrijmë një marrëveshje tregtare pas këtij vendimi

    Arritja e një marrëveshjeje dypalëshe tregtare me Kanadanë është bërë “shumë e vështirë”, tha presidenti amerikan, Donald Trump, pasi kryeministri kanadez, Mark Carney njoftoi se vendi i tij synon të njohë shtetin palestinez në shtator në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

    “Kanadaja sapo njoftoi se mbështet një shtet palestinez. Kjo do ta bëjë shumë më të vështirë për ne të bëjmë një marrëveshje tregtare me ta”, tha republikani në Truth Social.

    SHBA-të dhe Kanadaja janë në negociata për të arritur një marrëveshje tregtare prej muajsh pas shtyrjes disa herë të afatit të hyrjes në fuqi të tarifave të Trump.
    Kujtojmë se ditën e nesërme më datë 1 gusht, është afati i i vendosur nga presidenti amerikan për hyrjen në fuqi të tarifave të shpallura nga Trump, si dhe marrëveshjeve tregtare të arritura me shtete në mbarë botën.

    Top Channel

  • Kanadaja e Malta do të njohin Palestinën në Asamblenë e OKB, i bashkohen Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar

    Kanadaja e Malta do të njohin Palestinën në Asamblenë e OKB, i bashkohen Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar

    Kanadaja dhe Malta njoftuan të mërkurën se planifikojnë të njohin zyrtarisht shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, duke iu bashkuar Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat njoftuan më parë se do ta bënin këtë.
    Lëvizja për të njohur Palestinën si shtet vjen mes një shtytjeje të përtërirë në Evropë për të ushtruar presion mbi Izraelin që të ndalojë luftën shkatërruese në Gaza, e cila ka çuar në uri të përhapur në Rrip, si dhe për të ndaluar zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor.
    “Niveli i vuajtjeve njerëzore në Gaza është i patolerueshëm”, tha kryeministri kanadez Mark Carney pas një mbledhjeje të kabinetit të mërkurën, duke theksuar nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar për të siguruar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
    “Kanadaja ka qenë prej kohësh e përkushtuar ndaj një zgjidhjeje me dy shtete. Një shtet palestinez i pavarur, i qëndrueshëm dhe sovran që jeton krah për krah me shtetin e Izraelit në paqe dhe siguri”, shtoi ai.
    Në këmbim, Kanadaja dëshiron të shohë “reforma shumë të nevojshme” në qeverisjen e Autoritetit Palestinez, duke përfshirë zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në vitin 2026 me përjashtimin e grupit militant Hamas.
    “Kanadaja do të shtojë përpjekjet e saj në mbështetjen e qeverisjes së fortë demokratike në Palestinë”, përfundoi Carney.
    Malta ka mbështetur prej kohësh sovranitetin palestinez dhe vetëvendosjen e qytetarëve të saj. Christopher Cutajar, sekretari i përhershëm në Ministrinë e Jashtme të Maltës, e bëri njoftimin më parë në një konferencë të Kombeve të Bashkuara mbi një zgjidhje me dy shtete.
    “Si aktorë përgjegjës, ne kemi detyrën të punojmë për të përkthyer konceptin e një zgjidhjeje me dy shtete nga teoria në praktikë”, tha Cutajar.
    Kjo vjen një ditë pasi kryeministri Keir Starmer njoftoi gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar do ta njihte zyrtarisht shtetin e Palestinës përpara takimit vjetor të liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme me 193 anëtarë në shtator.
    Presidenti francez Emmanuel Macron konfirmoi vendimin e vendit të tij për të zyrtarizuar këtë veprim në shtator, një javë më parë, gjë që do ta bënte Francën vendin e parë të G7 dhe anëtarin e parë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që njeh Palestinën.
    147 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë dhjetë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, tashmë e kanë njohur shtetin e Palestinës.
    Akti i njohjes përfshin njohjen e sovranitetit dhe pavarësisë së Palestinës brenda kufijve të saj të luftës në Lindjen e Mesme para vitit 1967. Kjo përfshin Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jerusalemin Lindor.
    Izraeli kundërshtoi një zgjidhje me dy shtete dhe bojkotoi konferencën e OKB-së të mbajtur në Neë York City, së bashku me aleatin e tij më të ngushtë, Shtetet e Bashkuara.

  • Pas Britanisë e Francës, edhe Kanadaja njofton se do të njohë shtetin e Palestinës

    Pas Britanisë e Francës, edhe Kanadaja njofton se do të njohë shtetin e Palestinës

    Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney.

    KANADA- Kanadaja po planifikon të njohë shtetin palestinez. Kështu ka deklaruar kryeministri Mark Carney. Kanadaja bëhet kështu vendi i tretë i G7 që merr një vendim të tillë. Megjithatë Carney tha se një veprim i tillë do të varet nga kushte të caktuara, duke përfshirë edhe angazhimet e Autoritetit Palestinez për të reformuar rrënjësisht qeverisjen e tij.
    “Kanadaja synon të njohë shtetin e Palestinës në sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator 2025″, tha kryeministri Mark Carney gjatë një konference për media në Ottawa, pasi kryesoi një takim virtual me kabinetin e tij.
    “Kanadaja prej kohësh ka qenë e përkushtuar ndaj zgjidhjes me dy shtete, një shtet palestinez i pavarur, i qëndrueshëm dhe sovran që jeton krah për krah me Shtetin e Izraelit në paqe dhe siguri”, theksoi Carney.
    Ai po ashtu tha se plani i Kanadasë për të njohur Palestinën si shtet “bazohet në angazhimin e Autoritetit Palestinez për reforma shumë të nevojshme”, si dhe u zotua se “Kanadaja do të rrisë përpjekjet e saj në mbështetjen e qeverisjes së fortë demokratike në Palestinë dhe kontributet e popullit të saj për një të ardhme më paqësore dhe shpresëdhënëse”.
    “Çdo rrugë drejt paqes së qëndrueshme për Izraelin gjithashtu kërkon një shtet palestinez të qëndrueshëm”, tha ai.
    Kryeministri kanadez gjithashtu theksoi se “niveli i vuajtjeve njerëzore në Gaza është i pa tolerueshëm dhe po përkeqësohet me shpejtësi”.
    “Kanadaja dënon faktin që qeveria izraelite ka lejuar që situata në Gaza të përkeqësohet”, shtoi ai.
    Ky qëndrim vjen një ditë pasi Britania deklaroi se do ta njihte shtetin palestinez në shtator nëse Izraeli nuk pranonte një armëpushim. Ndërsa javën e kaluar ishte Franca ajo që deklaroi se do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez./ZËRI

  • Kanadaja rreshtohet krah Franës, do të njohë shtetin palestinez në Kombet e Bashkuara

    Kanadaja rreshtohet krah Franës, do të njohë shtetin palestinez në Kombet e Bashkuara

    Kryeministri kanadez Mark Carney ka njoftuar se vendi i tij planifikon të njohë shtetin e Palestinës në Kombet e Bashkuara.

    Në një postim të së premtes në X, Carney deklaroi: “Kanadaja mbështet një zgjidhje me dy shtete që garanton paqen dhe sigurinë për izraelitët dhe palestinezët.” Ai shtoi se Ottawa “do të punojë intensivisht në të gjitha forumet për të çuar më tej këtë qëllim, përfshirë pjesëmarrjen e Ministrit të Punëve të Jashtme në Konferencën e Nivelit të Lartë të OKB-së mbi një Zgjidhje me Dy Shtete në Nju Jork javën e ardhshme.

    Canada condemns the Israeli government’s failure to prevent the rapidly deteriorating humanitarian disaster in Gaza.Israel’s control of aid distribution must be replaced by comprehensive provision of humanitarian assistance led by international organizations. Many of these are…— Mark Carney (@MarkJCarney) July 25, 2025

    Kryeministri tha gjithashtu se Kanadaja dënon dështimin e qeverisë izraelite për të parandaluar përkeqësimin e shpejtë të katastrofës humanitare në Rripin e Gazës.

    Më parë, Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi qëllimin e tij për të njohur Shtetin e Palestinës në shtator 2025.

    Në përgjigje, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e dënoi ashpër këtë veprim, duke thënë se krijimi i një shteti palestinez do të përbënte një kërcënim për sigurinë e Izraelit.

    Ndërkohë, lëvizja Hamas përshëndeti qëllimin e Macron për të njohur Palestinën gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator.

    Hamasi e përshkroi këtë veprim si një hap pozitiv në drejtimin e duhur drejt drejtësisë për popullin e shtypur palestinez dhe mbështetjes për të drejtën e tyre legjitime për vetëvendosje dhe krijimin e një shteti të pavarur palestinez në të gjithë territorin e tij të pushtuar, me Jerusalemin si kryeqytet.

  • Kanadaja rrit shpenzimet në mbrojtje, akordon 2% të buxhetit të vitit 2025

    Kanadaja rrit shpenzimet në mbrojtje, akordon 2% të buxhetit të vitit 2025

    Kanadaja do të shpenzojë 2% të buxhetit të saj për mbrojtje këtë vit për të përmbushur objektivin e NATO-s gjysmë dekade përpara afatit për shkak të kërcënimeve në rritje, tha sot Kryeministri Mark Carney.

    “Besimi i kahershëm se vendndodhja gjeografike e Kanadasë do të na mbronte është gjithnjë e më i vjetëruar”, tha kryeministri, i cili njoftoi gjithashtu se Kanadaja dëshiron të zvogëlojë varësinë e saj ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.
    Sipas Mark Carney, kërcënimet që burojnë nga një botë më e rrezikshme dhe e përçarë po e trondisin rendin ndërkombëtar.
    Duke folur për “zgjimin e papritur” të Kanadasë, kryeministri përmendi kërcënimet nga Rusia dhe Kina, ndër të tjera, duke shtuar se qëndrimi i ri amerikan në skenën ndërkombëtare ka gjithashtu pasoja serioze.
    “Sot, Shtetet e Bashkuara po fillojnë të përfitojnë nga hegjemonia e tyre, po kërkojnë tarifa për aksesin në tregjet e tyre dhe po zvogëlojnë kontributet e tyre në sigurinë tonë kolektive”, shpjegoi Mark Carney.
    Në këtë kontekst, dhe për shkak se pajisjet ushtarake kanadeze po “plaken”, Ottawa synon të investojë në nëndetëse, anije, radarë, avionë pa pilot dhe sensorë të rinj në Arktik.
    Kryeministri kanadez përsëriti se sovraniteti i Arktikut është një përparësi dhe se Kanadaja po përpiqet të forcojë sigurinë transatlantike, veçanërisht përmes pjesëmarrjes së saj në “ReArm Europe”, një iniciativë që synon forcimin e aftësive mbrojtëse evropiane dhe industrisë mbrojtëse evropiane.
    Sot, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pritet të bëjë thirrje për një rritje prej 400% të aftësive të Aleancës për mbrojtje ajrore dhe raketore gjatë një samiti në Londër, kryesisht për t’u përballur me një Rusi që “mbjell terror nga qielli”.

    Top Channel