Një nga objektivat e pushtetit vendor, krahas të tjerave, është edhe masivizimi dhe rritja e cilësisë në sport. Atje ku buxheti ka qenë i qenësishëm dhe ku organizimi ka ardhur nga profesionistë rezultatet kanë qenë më të mira. Natyrisht, diferencën në rang vendi e bën Tirana, e cila ka numrin më të madh të sportistëve por edhe infrastrukturën më të plotë e më cilësore për zhvillimin e sportit. Por brenda qarkut Tiranë, Kamza, bashkia e saj, ka mundur të japë një tjetër shembull pozitiv se si mund të zhvillohet e avancojë sporti. Janë mbi 600 sportistë të regjistruar e angazhuar në veprimtari sportive në këtë bashki dhe rezultatet kanë qenë gjithnjë në rritje, aq sa sot sportistët dhe klubet sportive të Kamzës po rivalizojnë fort me bashkinë e Tiranës. Për të mësuar më shumë për situatën e sportit në Kamzë dhe projektet madhore të kësaj periudhe, Gazeta “SOT”, intervistoi shefin e sektorit të sportit në bashkinë e Kamzës, Luftar Kurti, i cili me modesti dhe brenda kostumit të zyrtarit pasqyroi arritjet, projektet e mëdha që synohen të realizohen, por edhe shtroi nevojën që Kamza të kishte një pallat sporti të ngjashëm me “Asllan Rusin” në Tiranë.
– Cila është korniza e sportit aktualisht në bashkinë e Kamzës?
– Sektori që drejtoj menaxhon veprimtaritë sportive në rang të bashkisë Kamzë, duke hartuar politikën vendore për të pasur sa më shumë të rinj e të reja që ushtrojnë sportin, por njëherësh për të pasur në vijimësi rritje të rezultateve, pra rritje të cilësisë sportive. Ne si bashki kemi një numër të konsiderueshëm disiplinash sportive, qofshin këto në sporte kolektive apo individuale. Kemi basketboll, peshëngritje, boks, kikboks, karate, taekundo, futboll për moshat etj. Qëllimi ynë është që të përfaqësohemi me çdo disiplinë sportive dhe mund të them se kemi një progres nga viti në vit, si në numër sportistësh ashtu dhe në cilësinë sportive brenda bashkisë, por edhe krahasuar me bashkitë e tjera të vendit.
– Sa sportistë keni të regjistruar në dosjet tuaja të sportit e sa prej tyre trajtohen nga bashkia?
– Nëse përfshijmë numrin total të sportistëve në të gjitha disiplinat janë mbi 600 sportistë në total. Por nga këta trajtohen me mbështetje financiare klubet dhe individët që bëjnë diferencë në cilësi edhe në rang kombëtar. Pra trajtohen kryesisht ekipet që luajnë në ligat elitare sportive si basketbolli etj, ose individë që arrijnë në nivel kampionësh në garat kombëtare.
– A jeni të kënaqur me gjendjen, me rezultatet e sportit në Kamzë, sidomos e krahasuar kjo me bashkitë e tjera?
– Jemi të kënaqur, natyrisht. E përsëris, kemi progres në sasi e në cilësi. Unë mund të them hapur që sporti në Kamzë lulëzon. Këtu po përmend angazhimin në projektin e madh të KOKSH-it, me 48 ekipe sportive në shkolla, ku jemi të angazhuar në volejboll, basketboll etj. Mos harrojmë që në këtë projekt të madh kombëtar sportiv, marrin pjesë 12 mijë nxënës në rang vendi. Aktiviteti ka shumë rëndësi, pasi nga sporti në shkollë dhe përfshirja e shkollave, do të seleksionohen elementët më të mirë të së ardhmes, që angazhohen më tej në shoqatat e klubet sportive. Seleksionimi në shkollë është një hap i rëndësishëm për të pasur sport cilësor e të qëndrueshëm në objektiva. Angazhimi ynë në këtë projekt është në nivel qarku dhe kombëtar, ndaj e kemi vlerësuar seriozisht.
– Cilat janë projektet më madhore të këtij viti që do të marrin angazhimin tuaj si bashki?
– Janë disa projekte, jemi të përqendruar për të bërë më të mirën. Projekti i ekipeve sportive në shkolla është një prej tyre, por ai është projekt afatgjatë, si krijimi i ekipeve të taekundosë, boksit, karatesë etj. Këtu në Kamzë ne zhvillojmë kupën rinore “Sfida”, aktivitet që e organizon drejtpërdrejt bashkia jonë. Në këtë aktivitet zhvillohen shahu, pingpongu, volejbolli, basketbolli etj. Ajo që vlen të theksohet e që më jep kënaqësi është se në këto veprimtari nuk ka vetëm meshkuj, por edhe vajza, duke dëshmuar për angazhim dhe rritje cilësie në të dy gjinitë. Mos harrojmë që kemi edhe atletikën, “mbretëreshën” e sporteve, ku në kuadër të saj organizojmë “Maratonën e Kamzës”. E kemi bërë vitin e kaluar, do ta bëjmë edhe këtë vit, pasi ka goxha pjesëmarrje nga rajoni. Kjo punë kolosale me sportin në Kamzë vjen, njëherësh falë mbështetjes së kryetarit të Bashkisë së Kamzës, z.Rakip Suli, një mbështetje e fuqishme dhe e pakushtëzuar, por edhe falë investimeve të bëra gjatë këtyre viteve në ndërtimin dhe rindërtimin e palestrave të reja dhe ambienteve sportive, të cilat kanë mundësuar zhvillimin normal të aktiviteteve sportive.
– Është folur shumë dy vitet e fundit për një rivalitet edhe në sport midis bashkisë së Kamzës dhe bashkisë së Tiranës. Sa e ndjeni këtë rivalitet?
– Shiko, sa i takon buxhetit dhe larmishmërisë sportive nuk mund të krahasohemi, pasi Tirana në këtë drejtim bën diferencë të madhe jo vetëm me ne por edhe me bashkitë e tjera të mëdha. Por ne kemi dëshmuar këto vite që mund ta rivalizojmë Tiranën në cilësi sportive. Sidomos me sportin në shkollë, ku mund të them pa frikë që jemi më mirë ne. Kështu, në kuadër të aktiviteteve në rang qarku, ne si Kamza nxorëm 5 kampionë, Tirana nxori 2 e Vora 1. Kjo tregon shumë në aspektin e cilësisë.
– Infrastruktura është një tjetër element që ndikon në cilësinë sportive. Cila është infrastruktura sportive e Kamzës sot? A i përmbush ajo nevojat që ka komuniteti?
– Vitet e fundit ka pasur një intensifikim të investimeve në infrastrukturën sportive dhe sot, sektori jonë i sportit në Bashkinë e Kamzës, ka në fondin e vet dhe në përdorim 16 palestra sportive, prej të cilave dy palestra janë të standardeve olimpike. Konkretisht, palestra “Halit Coka” dhe palestra “Hillari Klinton”. Stadiumi i futbollit është ai që ishte, e përdoret nga grupmoshat tona të futbollit. Sa i takon projekteve të së ardhmes, mund të them që ne si bashki do të bëjmë një impiant të ri futbolli në Valias, me fushë të re dhe me 2500 ulëse. Ky impiant do të jetë me standardet e nevojshme dhe do të plotësojë nevojën e komunitetit. Jemi optimistë që gjërat do të shkojnë në drejtimin e duhur dhe si staf e si bashki në tërësi jemi plotësisht të motivuar për t’i përmbushur këto objektiva. Por, krejt në fund, më duhet të them se ne si bashki kemi nevojë për një investim strategjik për sportin në Kamzë. Ne na duhet një pallat sporti, një impiant i ngjashëm me “Asllan Rusin”, i cili do të përmbushte njëherësh nevojat për shumë ekipe e individë. Pjesa tjetër e infrastrukturës sportive në Kamzë është e mirë dhe krejtësisht në funksion.
Intervistoi: Adriatik BALLA