Tag: kamorrës

  • Prona në Tiranë e Palasë! Kush është Olsi Meta, nga anëtar i Kamorrës deri te konflikti për vila me ‘Pelikan Security’

    Prona në Tiranë e Palasë! Kush është Olsi Meta, nga anëtar i Kamorrës deri te konflikti për vila me ‘Pelikan Security’

    Olsi Meta (Kristian Koni)

    TIRANË-Një individ me identitet të pesëfishtë është vënë nën hetim nga agjencitë ligjzbatuese me dyshime të forta për pastrim parash. Kristian Koni, i njohur si Olsi Meta, por edhe me identitetet K. M, Z. R, K.Z u vendos në rreth për pasurinë e tij marramendëse nga Tirana në jug. I vendosur në radhët e biznesmenëve dhe oligarkëve, falë parave që qarkullon, 45-vjeçarit iu sekuestruan 19 prona të paluajtshme, përfshirë kompani dhe makina luksoze si dhe 20 llogari bankare. Pasuritë e sekuestruara arrijnë vlerën 26 milionë e 500 mijë euro.
    Por kush është Olsi Meta, nga anëtar i grupit mafioz në Itali tek hyrja në botën e biznesit të pronave
    Kristian Koni rezulton i përfshirë në një rrjet të strukturuar kriminal të trafikut të drogës në Itali gjatë periudhës 2007-2012. Sipas dosjes italiane Meta kishte lidhje me organizatën mafioze napolitane Kamorra. Koni (Meta) kishte lidhje të ngushtë me Gaetano Marino dhe Secondigliano Santolo Carotenuto, përfaqësues të Kamorrës, oganizatë e përbërë nga 200 familje mafioze, me xhiro vjetore mbi 12 miliardë euro.
    Por jo vetëm drogë, 45-vjeçari rezulton i dënuar më herët edhe për vrasje me paramendim. Meta paratë nga trafiku i drogës i investonte në ndërtim në Tiranë dhe bregdet. Pasuritë e sekuestruara përfshijnë prona në zonat e Tiranës, Bathores, Farkës, Marikajt, por edhe vilë në Palasë. Sipas burimeve, raportohet se Kristian Koni allias Olsi Meta, disa nga pasuritë ia ka blerë pronarit të ‘Pelikan Security’ Vesel Demiraj, familja të cilit ishte shënjestër e një atentati mafioz në prill të këtij viti, ku mbetën të plagosur rëndë dy djemtë e mitur të Vesel Demirajt, i cili është pronar edhe i kompanisë së ndërtimit Pelikani Construction. Kristian Koni allias Olsi Meta dhe Vesel Demiraj mësohet se kishin mosmarrëveshje për blerjen e një vile.

    Vilat e sekuestruara

    vilat e sekuestruara

    Për të fshehur të ardhurat, 45-vjeçari disa prej pasurive, i kishte kaluar dhe në emër të nënës së tij pensioniste. Ai ka përdorur identitete të ndryshme dhe ka kryer transaksione financiare të pajustifikuara në raport me të ardhurat e ligjshme të deklaruara. Dyshimet janë se ai ka bashkëpunuar me biznesmenë të tjerë, që ekzistojnë në Shqipëri, për të blerë toka, ndërtesa dhe apartamente, duke krijuar një zinxhir. Por si hyri botës së biznesit trafikanti shqiptar?
    Përpos makinave luksoze dhe vilave, në sekuestro është vendosur edhe kompania Kriol.al. Kompania me pronar Olsi Metën, u krijua në vitin 2021. Firma e tij, që ka një strukturë me dhjetëra fusha. Qëllimi i kompanisë është eksporti i automjeteve, shitblerja e pasurive të paluajtshme dhe reklamimi për kompani kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e internetit.

    E njëjta kompani merret edhe me internetin, televizionin, konsulencën menaxheriale, tregtinë e frutave dhe perimeve, madje edhe pjesëmarrjen në kuota. Kriol.al merret gjithashtu me bare-restorante, hotele, resorte, shitje tekstili, mallra industriale, shitje pajisjesh elektrike, materialesh industriale, hidraulikë, pajisje zyrash, etj., etj.

    Dyshimet janë se pronarët dhe administratorët kanë krijuar një rrjet kompanish që lëshojnë vetëm fatura furnizimi, por që në fund fitimet janë minimale. Në vitin 2024, sipas dokumenteve, Kriol.al ka dalë me një fitim prej rreth 12 mijë eurosh. Pra, 1 mijë euro në muaj.

    Hetimet pritet të zbardhin skemën e pastrimit të parave në Shqipëri dhe nga kush ndihmohej anëtari i Kamorrës./ZËRI