Tag: juventusit

  • Capello-Juventusit: Tani s’ka më shaka. Yildiz ka përulësinë e kampionit, i denjë për… Real Madridin

    Capello-Juventusit: Tani s’ka më shaka. Yildiz ka përulësinë e kampionit, i denjë për… Real Madridin

    Duke folur për “Gazzetta dello Sport”, Fabio Capello ka prezantuar ndeshjen mes Juventusit dhe Real Madridit, që do të luhet sonte: “Tani nuk ka më shaka. Pres një Juventus ndryshe nga ai që humbi kundër City.
    Guardiola vuri në dukje vështirësitë mbrojtëse të Tudor, të cilat në të vërtetë dolën në pah që kundër Al Ain dhe Wydad. City ka një cilësi më të lartë dhe kur humbet topin të sulmon menjëherë me 4-5 lojtarë. Bardhezinjtë vuajtën edhe sepse Tudor fillimisht hoqi dorë nga shumë prej lojtarëve të tij kryesorë”.
    Trajneri, ish i të dyja skuadrave, u ndal më pas te Huijsen, tashmë pjesë e Real Madridit: “Më çudit që Juve nuk e kuptoi perspektivën e qartë të djaloshit. Huijsen nuk mund të jetë bërë i mirë papritur.
    Nëse në moshën 20-vjeçare luan te Real Madridi, aq më shumë duhet të ishte lojtar për Juven. Yildiz? Ka cilësi dhe zotëron përulësinë e kampionit, është talent në lartësinë e Real Madridit. Juventusi bën mirë që e mban afër, kjo mund të jetë ndeshja e tij”.
    Në fund, një analizë për Kolo Muani: “Francezi merr më shumë pjesë në aksion dhe gjithsesi shënon edhe ai golat e tij. Mund të jetë një nga lojtarët kyç kundër Real Madridit. Vlahovic është më shumë njeri i zonës. Trajneri nuk zgjedh për simpati, por për të fituar”.

  • Maradona Jr i trembet Juventusit në të ardhmen e Osimhen: Nuk dua ta shoh me atë fanellë…

    Maradona Jr i trembet Juventusit në të ardhmen e Osimhen: Nuk dua ta shoh me atë fanellë…

    Diego Armando Maradona jr, djali i legjendës argjentinase të futbollit, ka folur gjatë emisionit “Marte Sport Live”, që transmetohet në “Radio Marte”, për të shumëpërfolurin Victor Osimhen dhe më gjerësisht për merkaton e skuadrës së zemrës së tij: “Unë do të kisha preferuar Ndoye në vend të Lang, por Lang është një lojtar që kundër Juventusit ka bërë vërtet mrekulli, i ka shkatërruar.
    Pra, është shumë i fortë, por vjen nga një kampionat shumë më i lehtë se Serie A, ndaj ka nevojë për t’u përshtatur. Pastaj mund të dalë si surprizë, këtë shpresoj për Napolin. Gjëja më e bukur kohët e fundit është që lojtarë të rëndësishëm duan të vijnë te Napoli, gjë që tregon se ka ndryshuar dimensioni i klubit.
    Osimhen, nuk e di nëse mund ta quaj një rast. Nëse është i tillë, nuk është që sot, por prej një farë kohe. E kam njohur personalisht kur luante te Napoli, kam folur me të dy ose tri herë, dhe nuk arrij të them ndonjë gjë të keqe për të, sepse me mua ka qenë gjithmonë shumë i sjellshëm dhe i ndershëm.
    Për mua është një djalë i mirë, por mund të them se ka ardhur momenti të zgjidhet shpejt ky ngërç. Kjo është një situatë që nuk i bën mirë askujt, as klubit, natyrisht as lojtarit. Shpresoj në një zgjidhje të shpejtë. Më mirë të shitet, me kushtin që të mos realizohet mundësia për ta parë me atë fanellë (atë të Juventusit)”.

  • Rasti i përfitimeve kapitale, ish-kreu i Juventusit kërkon marrëveshje për pranimin e fajësisë

    Rasti i përfitimeve kapitale, ish-kreu i Juventusit kërkon marrëveshje për pranimin e fajësisë

    Ish-kreu i Juventusit ka kërkuar një marrëveshje pranimi fajësie në kontekstin e hetimit ‘Prisma’ mbi llogaritë e kompanisë, i cili u nis nga prokurorët e Torinos dhe më pas u transferua në Romë për juridiksion.
    Ndër subjektet e përfshira, rreth dhjetë, janë emra të shquar nga e kaluara drejtuese e Juventusit: ish-presidenti Andrea Agnelli, ish-zëvendëspresidenti Pavel Nedved, ish-drejtori sportiv Fabio Paratici dhe ish-drejtori ekzekutiv Maurizio Arrivabene. Për këtë të fundit, prokurori publik Lorenzo Del Giudice ka kërkuar shkarkimin nga detyra, një pozicion që do ta dallonte atë nga ish-trajnerët e tjerë të përfshirë.

    Akuzat, të ngritura në cilësi të ndryshme, përfshijnë manipulimin e tregut të aksioneve, pengimin e mbikëqyrjes dhe faturimin e rremë. Në qendër të hetimit janë fitimet e dyshuara fiktive të kapitalit dhe transaksionet e paligjshme të lidhura me menaxhimin e pagave të futbollistëve gjatë emergjencës së Covid-19, kur klubet po përballeshin me presion të fortë ekonomik.
    Vendimi i gjyqtares për seancën paraprake dëgjimore, Anna Maria Gavoni, pritet më 22 shtator. Në atë datë do të dihet nëse kërkesat për marrëveshje pranimi të fajësisë do të pranohen apo nëse do të zhvillohet gjyqi i zakonshëm.
    ()

  • Kupa e Botës për Klube/ Man. City i jep leksion futbolli Juventusit, “Qytetarët” shmangin rrugën e ‘vështirë’ për në finale

    Kupa e Botës për Klube/ Man. City i jep leksion futbolli Juventusit, “Qytetarët” shmangin rrugën e ‘vështirë’ për në finale

    Manchester City ka dhënë një tjetër sinjal të fortë në FIFA Club World Cup, duke mundur bindshëm Juventusin me rezultatin 2-5 dhe duke siguruar vendin e parë në Grupin G.

    Djemtë e Guardiolës dominuan takimin nga minuta e parë deri në të fundit, në një përballje ku klasi i tyre doli në pah pa asnjë mëdyshje.
    Jeremy Doku hapi serinë e golave që në minutën e 9-të pas një asisti nga Aït-Nouri, por reagimi i Juventusit ishte i menjëhershëm: vetëm dy minuta më pas, Koopmeiners barazoi shifrat në 1-1. Megjithatë, një autogol i Pierre Kalulu në minutën e 26-të i dha sërish epërsinë Cityt.
    Pjesa e dytë foli vetëm për anglezët. Erling Haaland, i asistuar nga Matheus Nunes, realizoi golin e tretë në minutën e 52-të. Më pas, Phil Foden dhe Savinho vulosën fitoren me dy gola të tjerë, duke mbyllur çdo diskutim për kreun e grupit. Në minutën e 85-të, Vlahovic realizoi një gol që vlente sa për statistikë.
    Me këtë triumf, City siguron matematikisht vendin e parë në grup, duke kaluar nga ai që cilësohet si krahu i lehtë i Botërorit, ndërsa Juventus kalon grupin si vendi i dytë, ku mund të ndeshet kundër Realit të Madridit në fazën e 1/16-ave.
    Të gjitha sfidat do të keni mundësinë t’i ndiqni live dhe ekskluzivisht në DigitAlb.

    Top Channel

  • Autogol qesharak nga Pierre Kalulu, Man. City e mbyll pjesën e parë në avantazh ndaj Juventusit (video)

    Autogol qesharak nga Pierre Kalulu, Man. City e mbyll pjesën e parë në avantazh ndaj Juventusit (video)

    26 Qershor 2025

    21:47

    Telesport

    Supersfida mes Juventus dhe Manchester City, ndeshja e fundit në grupin G për Kupën e Botës për Klube, ashtu siç edhe pritej po dhuron spektakël në fushë. Pjesa e parë është mbyllur në avatazh 1-2 për anglezët.
    Në minutën e 9-të, “Qytetarët” kaluan të parët në avantazh pas një aksioni të gjatë, ku Jeremy Doku shënon një gol të bukur pas asistit të Rayan Ait Nouri. Avantazhi i anglezëve zgjati më pak se dy minuta, pasi bardhezinjtë barazuan shifrat me Koopmeiners, i cili përfitoi nga një gabim fatal i Ederson.
    Në minutën e 27-të, Man. City kaloi sërish në avantazh, pas autogolit të Pierre Kalulu. Mbrojtësi i Juventusit dërgoi topin në portën e tij pas një krosimi të ulët të Matheus Nunes brenda zonës. Të dyja ekipet kanë siguruar biletën për në raundin tjetër dhe sot luhet për vendin e parë në grup.
    SHIKOGOLAT

  • Milani mendon për Vlahovic, por pengesë bëhet paga. Serbi, jashtë planeve të Juventusit

    Milani mendon për Vlahovic, por pengesë bëhet paga. Serbi, jashtë planeve të Juventusit

    Dusan Vlahovic është një nga emrat që figuron në listën e mundshme të përforcimeve për sulmin e Milanit. Nuk bëhet fjalë ende për një prioritet absolut, por, sipas asaj që raporton “La Repubblica”, trajneri Massimiliano Allegri ka kërkuar nga drejtori sportiv Igli Tare të eksplorojë mundësinë për të siguruar një sulmues të nivelit të lartë, që të vihet në konkurrencë me Santiago Gimenez, i cili do të analizohet me kujdes nga stafi teknik gjatë përgatitjeve verore.
    Mes opsioneve të mundshme, profili që tundon më shumë ish-trajnerin e Juventusit është pikërisht ai i Vlahovic. Serbin e njeh mirë, e ka drejtuar për një sezon bardhezi dhe beson se mund ta rikthejë në versionin e sulmuesit vrastar që shkëlqeu te Fiorentina.
    Nga ana e Juventusit, klubi është i hapur për shitjen e tij. Kontrata e Vlahovic skadon në vitin 2026, por duke marrë parasysh pagën e rëndë në bilanc (12 milionë euro bruto në sezon) dhe projektin e rinovimit, që po udhëhiqet nga drejtuesit e rinj, me Tudor në pankinë, bardhezinjtë janë gati ta sakrifikojnë sulmuesin për të mbledhur para të freskëta dhe financuar konfirmimin e Kolo Muani në Torino. Synimi i Juventusit është që të mos e humbasë Vlahovicin me parametër zero në të ardhmen.
    Milani, nga ana tjetër, ka shfaqur interes konkret dhe është i gatshëm të ofrojë rreth 20-25 milionë euro për kartonin e tij. Problemi kryesor qëndron te paga; kuqezinjtë kanë bërë të ditur se nuk mund ta kalojnë tavanin e 6 milionë eurove në sezon, shifër që mbetet shumë larg nga pretendimet aktuale të lojtarit serb.
    Për momentin, Vlahovic ka refuzuar oferta më të larta ekonomike që i kanë ardhur nga Turqia dhe Arabia Saudite, duke preferuar të mbetet në një projekt të madh europian, ku mund të luftojë për trofe të rëndësishëm. Megjithatë, oferta e Milanit nuk e bind, edhe për shkak të diferencës së ndjeshme në aspektin financiar.
    Gjithçka mbetet pezull dhe shumëçka do të varet nga zhvillimet e tjera të merkatos së Milanit, por edhe nga dëshira e vetë lojtarit për të ulur pretendimet. Nëse Milani do të rrisë përpjekjet financiare, ose nëse Vlahovic do të pranojë një sakrificë për të qëndruar në elitën e futbollit italian, atëherë pista mund të rifitojë vrull. Për momentin, mbetet një skenar i komplikuar.

  • Baggio dhe Del Piero, numrat 10 që e kthyen futbollin në art. Legjenda të përjetshme

    Baggio dhe Del Piero, numrat 10 që e kthyen futbollin në art. Legjenda të përjetshme

    Dy buzëqeshje, një përqafim dhe një foto që ka aromën e legjendës. Roberto Baggio dhe Alessandro Del Piero së bashku, në një foto që ka goditur në zemrat e miliona tifozëve të Juventusit e jo vetëm. “Dy venetë në New York”, – shkruan “Bishtaleci Hyjnor” në profilin e tij në Instagram, por fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar forcën emocionale të atij imazhi. Dy ikona të futbollit italian dhe botëror, dy numra 10 që kanë magjepsur breza të tërë, krah për krah në qytetin që nuk fle kurrë.
    Në këtë fotografi ka gjithçka; poezi futbolli, elegancë që nuk njeh kohë, nostalgji e atyre që e kanë parë topin të rrotullohej mes këmbëve të artistëve, jo thjesht sportistëve. Avokati Gianni Agnelli i cilësoi kështu, me stilin e tij të pakrahasueshëm: “Nëse Baggio është Rafaelo, Del Piero është Pinturikio”. Piktorë të topit, krijues bukurie. Dhe sot, si atëherë, mjafton një imazh për të zgjuar ndjenjat e fjetura, për të na kthyer pas në kohë, në një epokë ku talenti prekej me dorë dhe futbolli ishte art i pastër.
    Konteksti është ai i Kupës së Botës për Klube, ku është e angazhuar edhe Juventusi, me New York-un që është kthyer në qendër takimi për ish-kampionë dhe fytyra të njohura, të cilët shëtisin mes eventeve dhe ndeshjeve. Takimi mes Roberto dhe Alex nuk është një rastësi e zakonshme. Është kryqëzimi i dy fateve, dy karrierave të kompletuara, që reflektojnë klas dhe personalitet. Nuk duhen fjalë të mëdha; mjaftojnë sytë e tyre, buzëqeshjet e sinqerta, ai përqafim që flet vetë.
    Tifozët e kuptuan menjëherë. Postimi bëri xhiron e botës dhe mbushi rrjetin me komente plot dashuri e nostalgji. Claudio Marchisio, një nga “bijtë” më të dashur të Juventusit, la disa zemra të kuqe. Një gjest i thjeshtë, por me peshë të madhe. Pastaj dhjetëra mesazhe që vijonin: “Numrat 10 më të rëndësishëm në historinë e Juventusit”, – shkruan dikush. “Ju më bëtë të dashurohem me futbollin dhe Juventusin”, – rrëfen një tjetër. Ka edhe nga ata që, me ton kritik, por poetik, shprehen: “Ka më shumë futboll në këtë foto sesa në finalen e fundit të Champions-it. Ave, kapitenë”. Të gjitha i mbyll një fjalë e vetme: “Legjenda”.
    Sepse ajo foto, në fund të fundit, nuk është thjesht një imazh. Është deklaratë dashurie për futbollin e dikurshëm. Atë të mbushur me fantazi dhe respekt, me vlera e heshtje, me djersë e lot. Ajo që Baggio dhe Del Piero përfaqësuan me një natyrshmëri çarmatosëse. Ata ishin më shumë se thjesht futbollistë; ishin simbole, modele, frymëzim për këdo që ka ëndërruar – dhe vazhdon të ëndërrojë – me një top mes këmbëve. Dhe ndërsa qyteti i New York-ut bëhet sfondi i këtij takimi special, mbetet vetëm një siguri: disa numra 10 nuk do të pushojnë kurrë së na emocionuari. Edhe duke qëndruar në vend, edhe të veshur thjeshtë, edhe vetëm me një foto. Sepse historia, kur është e vërtetë, nuk ka nevojë për titra…

  • Borxhli ndaj Juventusit, Koopmeiners e pranon: “Nuk justifikova asgjë”

    Borxhli ndaj Juventusit, Koopmeiners e pranon: “Nuk justifikova asgjë”

    22 Qershor 2025

    13:33

    Telesport

    Teun Koopmeiners ka pranuar se sezoni që lamë pas ishte i pamjaftueshëm për të. Madje, ai ka deklaruar se ndihet borxhli ndaj Juventusit, sepse drejtuesit torinezë shpenzuan mbi 60 milionë euro për të, shifër që ai nuk e ka justifikuar ende.
    Koopmeiners aktualisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara për Kupën e Botës për Klube, ku po përpiqet të rikthehet në formën që kishte tek Atalanta, para transferimit te “Zonja e vjetër”.
    “Nuk jam ende 100% i gatshëm, por po përmirësohem. Nuk mund të luaj 90 minuta menjëherë. Për momentin, nuk jam gati për këtë.”
    “Te Juventusi dihet se lojtari ka detyrim për të fituar. E pranoj se nuk dhashë maksimumin në sezonin tim të parë. Nuk jam i kënaqur me mënyrën sesi kam luajtur.”

  • “Padrejtësitë m’i morën 10 vite jetë, tani jetoj me fatin”. Platini mbush 70 vjeç, mes lavdisë dhe trishtimit

    “Padrejtësitë m’i morën 10 vite jetë, tani jetoj me fatin”. Platini mbush 70 vjeç, mes lavdisë dhe trishtimit

    Michel Platini feston sot 70-vjetorin e lindjes. Ish-sulmuesi i Juventusit dha një intervistë për “La Stampa”, ku ka rrëfyer karrierën e tij, nga periudha me fanellën bardhezi deri te drejtimi i UEFA-s. Me Juventusin, “Le Roi” ka fituar praktikisht gjithçka: një kampionat, një Kupë Italie, një Kupë të Kupave, një Superkupë Europe dhe një Kupë Kampionesh.

    Intervista nis me kujtimin e avokatit Gianni Agnelli, për të cilin Platini rrëfen: “Deshi me çdo kusht të më kishte te Juventusi, por unë nuk e dija kush ishte. E zbulova pak nga pak dhe ishte një njeri i madh. I dhurova një nga tre ‘Topat e Artë’ të mitë, sepse ishte një nga të paktat gjëra që ai nuk mund ta kishte. Shakaja më vete, e bëra nga mirënjohja. Juventusi më bëri të madh, më bëri të njohur në të gjithë botën, ndaj ishte e drejtë t’ia dhuroja atij”.
    Më pas shtoi për Paolo Rossin dhe Gaetano Scirean: “Më mungojnë shumë. Do të kisha dashur t’i kisha pranë për të festuar së bashku”.
    Më tej, vazhdoi akoma: “Boniperti ishte vetë Juventusi, me Trapattonin në pankinë formonin një dyshe të jashtëzakonshme, shumë të rëndësishme për klubin tonë dhe për gjithë futbollin”.

    Në pesë vite me fanellën e Juventusit, Platini grumbulloi 147 paraqitje dhe shënoi 68 gola. Për francezin ishte e vështirë të zgjidhte momentin më të bukur me bardhezinjtë: “Ishin pesë vite bukurie të madhe për mua. Më e thjeshtë, fatkeqësisht, është të veçoj momentin më të keq. Heysel është një faqe tragjike për mua, si për ty (iu drejtua Marco Tardellit, autorit të intervistës dhe ish-shokut të tij te Juventusi). Është vërtet e vështirë të flas për këtë. Më bën të ndihem keq të mendoj që disa tifozë kishin ardhur për të më parë dhe nuk u kthyen më në shtëpi”.

    Ndër kujtimet e hidhura nga përvoja me Juventusin është edhe goli i anuluar në Tokio, në finalen e Kupës Interkontinentale kundër Argentinos Juniors, që dha shkëndijën për një nga protestat më ikonike të historisë: “Unë i shtrirë në barin e fushës së Tokios? Ishte një reagim ndaj padrejtësisë, më anuluan një gol të mrekullueshëm dhe kuptova se jeta është plot me padrejtësi. Sidoqoftë, zgjati vetëm një çast, u ngrita menjëherë sepse duhej të fitoja”.

    Largimi nga Juventusi, në vitin 1987, përkoi me tërheqjen nga futbolli: “Isha vetëm 32 vjeç, por benzina kishte mbaruar. E kuptova në një ndeshje kundër Sampdorias. Isha pesë metra përpara dhe papritur u gjenda pesë metra prapa”.
    Karriera si futbollist përfundoi dhe filloi ajo si drejtues, si president i UEFA-s. “Kam dalë i pastër, por sërish fituan armiqtë e mi. Megjithatë, më vodhën 10 vite jetë”, – deklaron ai për çështjen e pafajësisë mbi akuzat për mashtrim ndaj FIFA-s, së bashku me ish-presidentin Sepp Blatter. Pastaj shtoi: “E them sërish, Marco. Ashtu ndodhi, jam mirë kështu”.

    Nuk mund të mungonte edhe një koment për futbollin modern: “Unë gjithmonë kam parë futbollistin dhe lojën, pjesa tjetër nuk më ka interesuar kurrë. Ligji Bosman e vrau filozofinë e futbollit. Sot për të fituar duhet të kesh para, mjafton të shohësh historinë e City dhe PSG”.
    Në fund, një mendim edhe për të ardhmen e tij: “Nuk e shoh të ardhmen, nuk e kam parë kurrë, as kur isha futbollist. Gjithmonë kam pranuar fatin”.

  • Weah dhe vizita surreale te Trump: “Gjithçka shumë e çuditshme”. McKennie më 2020: “Injorant dhe racist”

    Weah dhe vizita surreale te Trump: “Gjithçka shumë e çuditshme”. McKennie më 2020: “Injorant dhe racist”

    Midis surrealizmit dhe një incidenti diplomatik. Vizita e Juventusit në Shtëpinë e Bardhë, mes një sulmi transfobik nga ana e Donald Trump dhe përgjigjeve të presidentit amerikan për Lindjen e Mesme, ka krijuar një ndjesi të konsiderueshme sikleti për disa nga lojtarët bardhezinj.
    Ndër ta, në radhë të parë, ishin pikërisht amerikanët Timothy Weah dhe Weston McKennie. Në rrjetet sociale janë bërë “virale” fytyrat e habitura të të dyve. Weah, pas fitores 5-0 ndaj Al Ain në Botërorin për Klube, komentoi për “The Athletic” mbi atë që ndodhi:
    “Ishte gjithçka surprizë. Për të qenë i sinqertë na thanë që duhej të shkonim dhe nuk kishim shumë zgjedhje. Më zuri në befasi, ishte e gjitha pak e çuditshme. Kur filloi të fliste për politikë, për Iranin dhe të gjitha këto gjëra, unë mendoja: shoku, unë dua vetëm të luaj futboll”.
    Për kronikë, babai i tij, George Weah, kur ishte president i Liberisë, e kishte uruar Trump për rizgjedhjen, por më pas pa që Liberia u përfshi në listën e 36 vendeve, qytetarët e të cilave nuk mund ta vizitonin SHBA.
    McKennie, nga ana tjetër, e kishte kritikuar publikisht Trumpin që më parë. Në vitin 2020, kujton “NY Times”, mesfushori i Juventusit kishte ndërhyrë gjatë protestave të lëvizjes “Black Lives Matter” dhe kishte deklaruar për “Bild”: “Nuk mendoj që Trump është njeriu i duhur për të qenë president dhe ende nuk e mendoj. Besoj që ai nuk e kupton përgjegjësinë që sjell ky rol. Trump është një injorant, nuk është njeri i fjalës. Për mua mund ta quani lirisht racist”.
    Vetë vizita e Juventusit në Shtëpinë e Bardhë, në fakt, ka ngjallur shumë dyshime jo vetëm në Itali, por edhe në SHBA. Shumë janë pyetur pse klubi bardhezi, ndryshe nga klubet e tjera pjesëmarrëse në Botërorin për Klube, është ftuar nga Trump. Çështja, thekson “The Athletic”, u ngrit edhe në konferencën për shtyp të Igor Tudor pas fitores ndaj Al Ain.
    Zyrtari i FIFA-s, i pranishëm në sallën e konferencës, megjithatë, kërkoi që të bëheshin vetëm pyetje për ndeshjen, duke e përsëritur këtë edhe pasi gazetari sqaroi se, duke qenë se kishte përfshirë pothuajse gjithë ekipin, ishte pyetje e lidhur me një fakt të ndodhur menjëherë para ndeshjes, pra në mënyrë të drejtpërdrejtë e lidhur. Në takimin në Zyrën Ovale, për kronikë, ishte i pranishëm edhe Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s.