Komisioni Ndërkombëtar i Juristëve, një nga organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare për gjyqtarët dhe avokatët në mbarë botën, reagoi pas vrasjes së gjyqtarit shqiptar Astrit Kalaja. Në deklaratën e organizatës së njohur bëhet thirrje për të garantuar sigurinë e njerëzve të ligjit. Kujtojmë se kjo organizatë është themeluar që në vitet ’50 me një financim edhe nga CIA amerikane për t’iu kundërvënë ndikimit të organizatave të majta të juristëve. Më poshtë deklarata e tyre.
Komisioni Ndërkombëtar i Juristëve (ICJ) dënon vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje nga një person i vetëm ndërsa kryesonte një seancë në Gjykatën e Apelit të Tiranës më 6 tetor 2025. ICJ u bën thirrje autoriteteve shqiptare të zhvillojnë një hetim të menjëhershëm, të plotë dhe të paanshëm, si dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mbrojtjen e gjyqtarëve, avokatëve dhe të gjithë personave të tjerë brenda sistemit të drejtësisë.
Sipas informacioneve të bëra publike, një 30-vjeçar i identifikuar me inicialet E.Sh. hapi zjarr brenda sallës së gjyqit gjatë një seance për një çështje pronësie. Gjyqtari Kalaja u plagos dhe ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital. Dy pjesëmarrës të tjerë në çështje — raportohet se ishin baba e bir — u plagosën gjithashtu, por jeta e tyre nuk është në rrezik. Autori i sulmit u ndalua pak pas ngjarjes.
“Salla e gjyqit nuk duhet të shndërrohet kurrë në një vend dhune,” tha Temur Shakirov, Drejtor i Programit të ICJ për Evropën dhe Azinë Qendrore. “Shteti ka detyrimin sipas të drejtës ndërkombëtare të marrë të gjitha masat e arsyeshme dhe efektive për të mbrojtur gjyqtarët dhe avokatët nga rreziqet e parashikueshme, për të parandaluar akte të tilla dhe për të siguruar që autorët të vihen përpara drejtësisë”.
ICJ kujton se, sipas të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, shtetet duhet të garantojnë si pavarësinë, ashtu edhe sigurinë e sistemit gjyqësor. Parimi 2 i Parimeve Themelore të OKB-së mbi Pavarësinë e Gjyqësorit thekson se gjyqtarët duhet të vendosin për çështjet pa ndikime të papërshtatshme, presion apo kërcënime. Po ashtu, Parimet Themelore të OKB-së mbi Rolin e Avokatëve përcaktojnë se avokatët duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre “pa frikësim, pengesë, ngacmim apo ndërhyrje të papërshtatshme.”
ICJ i bën thirrje autoriteteve shqiptare të sigurojnë që hetimi për këtë sulm të jetë i shpejtë, i pavarur dhe nën mbikëqyrje publike. Po ashtu, kërkon forcimin e sigurisë në të gjitha gjykatat, zhvillimin e vlerësimeve sistematike të rrezikut për profesionistët gjyqësorë e ligjorë, si dhe mbrojtje të posaçme për ata që përballen me kërcënime.
Gjyqtari Astrit Kalaja kishte shërbyer në sistemin gjyqësor për më shumë se tridhjetë vjet dhe ishte emëruar në Gjykatën e Apelit të Tiranës në vitin 2019. Seanca gjatë së cilës u sulmua kishte të bënte me një mosmarrëveshje të vjetër pronësie. Kjo është vrasja e parë e një gjyqtari në detyrë në Shqipëri në më shumë se tridhjetë vjet.
