Manastirliu dhe tabaku
TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka përjashtuar mundësinë që të garojë për zgjedhjet lokale në Bashkinë e Tiranës, edhe pse emri i saj ka qenë një nga më të lakuarit në radhët e opozitës. E ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin e Adi Krastës, Tabaku u shpreh se fokusi i saj është parlamenti, ku i është besuar dhe drejtimi i Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.
“Fokusi im është në parlament. Bashkia nuk është pjesë e ambicieve të mia. Do bëj maksimumin për të përfaqësuar PD dhe qytetarët që më votuan.
Bashkia ka nevojë për ndryshimin e sistemit, jo thjesht për ndërrim kryetarësh. Kjo mënyrë sjelljeje duhet ndryshuar.”-tha Tabaku në “A Show”.
Opozita nuk ka ende një emër për të kandiduar për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, pasi socialistët zyrtarizuan emrin e Manastirliut. Procedurat për shkarkimin e Veliajt pritet që të nisin sot në mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës, ndërsa ende nuk ka një afat të qartë se kur do mund të mbahen zgjedhjet, sa kohë që vetë kryebashkiaku i arrestuar refuzoi që të jepte dorëheqjen. /ZËRI









