jeton lami dhe ervis martinaj
TIRANË- Gjykata e Tiranës ka vendosur që të lirojë nga burgu Jeton Lamin, i cili u arrestua të dielën nga Policia, pas vendosjes së një sasie tritoli në një biznes në zonën e Kamzës. Për Lamin Gjykata dhe masën e arrestit të shtëpisë, ndërkohë që është lënë në burg shtetasi Flogert Mzhika. Për ngjarjen mbetet ende në kërkim kushëriri i ish-efektiviti të policisë, shtetasi Ervis Lami.
Jeton Lami, ish-polici i cili shoqëroi për herë të fundit Ervis Martinajn përpara se të zhdukej, Florin Domi, Flogert Mezhika dhe Ervis Lami, akuzohen për vendosjen e tritolit në fasadën e jashtme të biznesit “Perla e Detit”, duke shkaktuar dëme materiale, për shkak të mosdhënies së një shume prej 500 mijë eurosh, të kërkuar në formë gjobëvënieje ndaj pronarit të objektit, Saimir Sina.
Restoranti “Perla e Detit”, është në pronësi të dy kunetërve, Klodjan Muratit dhe Benard Elezit, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë konflikte dhe nuk kanë asnjë shpjegim për motivin e mundshëm të ngjarjes.
Kush është Jeton Lami
Jeton Lami shoqëronte biznesmenin Ervis Martinaj gjatë kohës që ishte në detyrë si agjent i Operacionales, duke bërë që i shumëkërkuari i drejtësisë t’i shmangej kontrolleve që bëheshin për lokalizimin e tij. Ai është u shpall fajor pasi u akuzua se kishte shpërdoruar detyrën, sepse në vend që t’i hidhte prangat Ervis Martinaj, e shoqëronte me makinë. Por, Lami pretendonte se nuk ishte në dijeni që Ervis Martinaj ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, pasi faktin e dinin vetëm eprorët por jo ai dhe agjentët e tjerë të Forcës Operacionale.
Lami rezulton se është personi i fundit që ka parë Ervis Martinaj. Më 5 Gusht 2022 Lami dyshohet se e ka marrë Martinajn në zonën e veriut në një automjet luksoz ‘Audi “A8” dhe e ka transportuar atë drejt Durrësit në një hotel në praninë edhe të një vajze ende të paidentifikuar. Më 7 Gusht policia ka imazhin e fundit nga Ervis Martinaj në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës tek një hotel, ndërsa më 10 Gusht xhaxhai i tij Faik Martinaj ka bërë denoncimin në polici për humbjen e kontakteve me nipin. Ai refuzoi ofertën e Prokurorisë së Posaçme për të bashkëpunuar mbi gjetjen e Martinajt. Ai preferoi të “kyçë” gojën dhe të mos zbulojë se çfarë ndodhi me Martinajn.
Sa i përket ngjarjes së fundit në Kamëz, hetimet ende nuk quhen të përfunduara pasi ka dyshime se në këtë skemë gjobvënieje të ketë dhe persona të tjerë të përfshirë./ZËRI









