Jeffrey Epstein
SHBA- Si dhuratë për ditëlindjen e 63-të të Jeffrey Epstein, miqtë e tij i dërguan letra. Shumë prej tyre kishin një temë të përbashkët: të kujtonin darkat që Epstein organizonte rregullisht në rezidencën e tij luksoze në Upper East Side të Manhattanit.
“Kurioziteti juaj nuk njeh kufij”, shkruan ish-kryeministri izraelit Ehud Barak dhe gruaja e tij në një mesazh, i cili iu shkrua së bashku me të tjerë në janar 2016 Epstein-it.
“Për shumë ju jeni si një libër i mbyllur, por ju dini gjithçka për të gjithë.”
Në një mesazh tjetër të botuar nga New York Times, manjati i medias Mortimer Zuckerman përmendi përbërës për një vakt që do të pasqyronte kulturën e rezidencës: një sallatë të thjeshtë dhe çdo gjë tjetër që do të “përmirësonte performancën seksuale të Jeffrey-t”.
Regjisori Woody Allen përshkroi se si “darkat e tij të kujtonin kështjellën e Drakulës, ku Lugosi ka tre vampirë të rinj që i shërbejnë atij vendi”. Por shtëpia luksoze e Epsteinit nuk ishte një kështjellë e zymtë transilvaniane. Ai kishte kaluar vite duke e transformuar rezidencën e tij 7-katëshe në një vend ku mund të shfaqte – dhe të thellonte – lidhjet e tij me të pasurit dhe të fuqishmit.
Që nga vdekja e Epstein në vitin 2019, e cila zyrtarisht u cilësua si vetëvrasje, shumë mistere rreth jetës së tij mbeten të pazgjidhura. Si e grumbulloi ai një pasuri 9-shifrore? Dhe pse kaq shumë burra të fuqishëm shoqëroheshin me të edhe pasi u zbuluan aktivitetet e tij të paligjshme?
Shtëpia e Bardhë ishte zotuar të publikonte detaje të hetimit federal ndaj Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtorëve të tij. Por këtë verë administrata Trump u tërhoq. Zemërimi i krahut të djathtë që pasoi kërcënon të shkatërrojë lëvizjen “Make America Great Again” – për të cilën zoti Epstein është një figurë qendrore në teoritë e konspiracionit – dhe e ka vënë presidentin Donald Trump në mbrojtje si shumë pak çështje të tjera. Në një përpjekje për të qetësuar reagimin negativ, Departamenti i Drejtësisë dërgoi një zyrtar të lartë për t’u takuar me Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtoren e vjetër të Epstein, e cila po vuan një dënim me 20 vjet burg për shfrytëzim seksual. Të premten, Maxwell u transferua në një burg me siguri më të ulët. Kjo shkaktoi spekulime se Donald Trump ka për qëllim të ulë dënimin e saj ose edhe t’i jepte një falje në këmbim të bashkëpunimit të saj.
Për vite me radhë, Maxwell ishte një vizitore e rregullt në rezidencën e Epstein në Nju Jork, ku ajo kishte edhe zyrën e saj. Megjithatë, të dy ishin ndarë në mesin e viteve 2010.
Rezidenca në Manhattan ishte një nga pesë pronat që Epstein zotëronte në të gjithë botën. Pas lirimit të tij në vitin 2009 nga një burg në Florida, ku vuajti një dënim prej 13 muajsh për “prostituimin e një të mituri”, rezidenca shërbeu si një vendpushim personal ku ai mund të mblidhte intelektualë, shkencëtarë dhe financues të shquar. Mezoneta, shumë pranë Central Park, iu shit Epsteinit në vitin 1998 nga Les Wexner, pronari miliarder i “L Brands”. Epstein e rinovoi pronën, duke i dhënë një stil më të çuditshëm.
Një skulpturë e një gruaje me fustan nusërie që mbante një litar varej në atriumin qendror të rezidencës. Në dhomën e ngrënies në katin përdhes, zoti Epstein priti një sërë personazhesh të famshëm, akademikë, politikanë dhe biznesmenë. Ushqimi mund të ketë qenë i zakonshëm – ndonjëherë nuk ishte gjë tjetër veçse një bufe me ushqim kinez, siç vuri në dukje Woody Allen në letrën e tij – por ngjarjet që organizoi Epstein sigurisht që nuk ishin të zakonshme.
Fotot e publikuara nga New York Times tregojnë mysafirë të ulur në karrige me printime leopardi rreth një tavoline të madhe drejtkëndëshe.
Po ashtu, Epstein mbante një hartë të Izraelit të vizatuar në një tabelë të zezë me firmën e Ehud Barakut, siç shihet në një foto të publikuar nga New York Times.
Në zyrë, sipas fotove të shqyrtuara nga The New York Times, Jeffrey Epstein kishte ekspozuar një botim të parë me ngjyrë jeshile të “Lolitës”, romanit të vitit 1955 në të cilin një intelektual zhvillon një obsesion seksual me një vajzë 12-vjeçare dhe e përdhunon atë vazhdimisht. Një kat më sipër, në katin e tretë, ishte “streha” e Epsteinit – një suitë që përfshinte dhomën e tij të gjumit, dhomën famëkeqe të masazhit dhe një sërë banjosh.
Një koleksion i mëparshëm letrash, i dhënë kriminelit famëkeq në një album lëkure për ditëlindjen e tij të 50-të në vitin 2003, pasqyronte një kohë në jetën e tij para arrestimit të tij të parë. Libri përfshinte edhe mesazhe nga Trump dhe Clinton, ndër dhjetëra të tjerë, sipas The Wall Street Journal.
Megjithatë, në vitin 2016, ndërsa reputacioni i Epstein si një “grabitqar” seksual u bë më i njohur, rrethi i tij shoqëror nisi të tkurrej.
Tre vjet më vonë, ai do të vdiste në një burg të Manhattanit, ndërsa priste gjyqin për akuzat federale për shfrytëzim seksual.
Tashmë, Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, i udhëhequr nga republikani James Comer, ka thirrur në gjyq disa ish-zyrtarë qeveritarë, përfshirë Bill dhe Hillary Clinton dhe ish-drejtorin e FBI-së James Comey, ndërsa i ka kërkuar gjithashtu Departamentit të Drejtësisë të gjitha dokumentet përkatëse mbi Jeffrey Epstein deri më 19 gusht. Komiteti gjithashtu kërkon të detyrojë personat e mëposhtëm të dëshmojnë: ish-Prokurorët e Përgjithshëm Loretta Lynch, Eric Holder, Meryl Garland, William Barr, Jeff Sessions dhe Alberto Gonzalez, si dhe ish-drejtorin e FBI-së Robert Mueller./ZËRI